Kotësia e luftës president-qeveri

Nga Vladimir Karaj, botuar në Mapo, 20.2.16

Vladimir-KarajInstitucionet nxjerrin kunjat duke sabotuar njëri-tjetrin, ndërsa sherri i pajustifikuar u ngjan batutave për protokollin, pushimet dhe shakatë pa kripë që konsumohen në marrëdhëniet mes qeverisë dhe presidencës. Por dekretimi apo mosdekretimi i ministrave, mund ta fusë vendin në krizë kushtetuese, ndërsa radikalët majtas, flasin tashmë për proces shkarkimi të Presidentit

Shteti shqiptar e ka të lehtë të bëhet qesharak dhe më tej i pabesueshëm edhe kur një kauzë për këtë mungon. Sikleti i fundit në të cilin është futur qeveria dhe presidenca, praktikisht nuk ekziston. Ai me shumë mundësi do të mbyllet brenda të martës, para se afati prej 7 ditësh që kushtetuta i njeh Presidentit të Republikës për të dekretuar një ministër, një kohë e mjaftueshme për të shkëmbyer akuza dhe kundër akuza publike. Një prej ministreve të qeverisë, foli dje për mundësi shkarkimi nëse nuk kalonin dekretet. Por ministri i Drejtësisë i propozuar nga LSI nuk ishte kaq radikal duke vënë në dukje se presidenti ende kishte afat për të bërë dekretet. E ndërkohë që kryeministri i ka bërë të zakonshme ironitë për presidentin, aleati në qeveri edhe më herët ka qenë mjaft më i tërhequr.

Ekspertë të kushtetutës, thanë që kjo është një mundësi e vogël dhe se me shumë gjasa qeveria do ta kapërcejë një shkelje të kushtetutës me një shkelje tjetër, duke i kaluar ministrat në kuvend pa dekretim. Kjo po ashtu do të krijonte idenë e një qeverie të paplotë dhe në krizë, ndërsa shumica do duhej të priste një vendim të Gjykatës Kushtetuese për të zgjidhur situatën.

Përplasje të ngjashme në nivel të qesharakes mes presidentit dhe qeverisë, nuk ndodhin për herë të parë, por vetëm këtë herë ato bëhen mbi diçka serioze. Më herët grindjet ishin përqendruar te protokolli në vizita zyrtare apo te vendpushimet në vilat qeveritare, akuza përgjimi apo të ngjashme jo fort serioze.

Përplasja e fundit e kësaj natyre, u shënua gjatë vizitës së Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve. Protokollet e dy vendeve, nuk kishin parashikuar një takim mes tij dhe Presidentit të Republikës. Në fakt, Departamenti i Shtetit, një ditë para vizitës tri-orëshe, njoftoi axhendën që nuk kishte këtë hapësirë. Presidenti i Republikës Bujar Nishani, vendosi ta presë Sekretarin e Shtetit në aeroportin e Rinasit. Kjo u bë pjesë e batutave të kryeministrit, i cili ironikisht u shpreh i keqardhur. Reagimi i Presidencës ishte i ashpër, ajo i kërkoi kryeministrit të kërkonte falje.

Menjëherë pas kësaj situate jo serioze, kryeministri i dërgon presidentit katër propozime, dy për shkarkim dhe dy emërime në qeveri. Ndryshe nga sa kishte vepruar më herët, ai vetë dhe ndryshe nga sa është bërë deri tani prej presidentëve, Nishani vendos të dekretojë vetëm shkarkimet, duke thënë se do priste kalimin e këtyre në kuvend, për të dekretuar dy emërimet. Qëndrimi është përqeshur prej kryeministrit. “Nuk kam nevojë. Presidenti bisedon me Kushtetutën, Kushtetuta bisedon me Presidentin dhe pasi merren vesh bëhet dekretimi”, -tha kryeministri. Kjo solli dje reagim zyrtar të Presidentit të Republikës. “Një Kryeministër, i cili ka shkelur në mënyrë të përsëritur Kushtetutën e vendit, kjo e konfirmuar përmes vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri. Nuk besoj se e njeh mirë Kushtetutën e vendit. Natyrisht që detyra e Presidentit është që të konsultohet me Kushtetutën, të kërkojë interpretimin e Kushtetutës dhe unë këtë do të bëj dhe po bëj, sepse unë i përkas atij grupi njerëzish, të cilët e konsiderojnë punën e shtetit, punë serioze. Gjithçka do të bëhet në bazë të ligjeve, në bazë të Kushtetutës se vendit dhe në bazë të seriozitetit, që meritojnë qytetarët shqiptarë dhe shteti shqiptar.”, tha Nishani në Tv Klan, duke akuzuar kryeministrin se ishte ai shkelësi. Në fakt, rasti në fjalë është vetëm një shkelje e rregullave të pashkruara deri tani dhe më shumë duket një kunj presidencial, pas përplasjeve për “protokoll” mes palëve se sa ndonjë arsye më e thellë.

Por ndërsa gjithçka mbetet ende në kornizat e një shakaje pa kripë, nëse shtyhet përtej afateve kushtetuese, shumica do kishte pak zgjedhje. Ajo mund të nisë një proces ankimimi në Gjykatën Kushtetuese, kjo e fundit në 2001 i pati dhënë të drejtë kuvendit të shkelte afatet e votimit të dekreteve presidenciale, por nuk dihet nëse do ketë të njëjtin qëndrim me “kohën relative” edhe në këtë rast. Mundësia tjetër është ajo që doli në skenë dje. Ministrja Ermonela Felaj, duke folur në Top-Channel, tha se mund të kishte procedura shkarkimi. Me një gjuhë të ashpër ndaj presidentit, Felaj madje nuk iu referua procedurës, por gati kërcënoi me shkarkim nga detyra. “Nëse ka vendosur, në fakt siç e ka shprehur në disa sjellje për fat të keq, që të sillet në institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, si militanti më i rëndomtë nga partia e cila vjen, atëherë natyrisht që do të marrë atë përgjigje që merr kushdo që guxon të sfidojë, jo Kushtetutën, por guxon të sfidojë sovranin. Natyrisht nuk ngurroj fare ta them që kjo të çon në shkarkim nga detyra”, deklaron Felaj.

Kjo sigurisht mund t’i ndezë më tej debatet. Ekspertët e përkufizojnë rolin e presidentit në këtë rast, me atë të noterit më të lartë të shtetit, por kjo nuk do të thotë që ai duhet të firmosë verbërisht vendimin. Presidenti ashtu si në një akt noterial, duhet të verifikojë saktësinë e tij apo respektimin e kushtetutës. Në këtë rast, ai do mund të refuzonte një dekret por arsyet për këtë duhet të jenë diçka mes një vendimi gjykate apo informacioni prej shërbimeve sekrete. Gjasat që kjo të ndodhë, të paktën sa i përket ministrit Arben Ahmetaj, rreth të cilit rrotullohet debati, nuk janë të mëdha. Me gjithë akuzat, Ahmetaj është dekretuar deri tani dy herë prej të njëjtit president. As justifikimi i përsëritur prej presidencës, nuk ka ndonjë vlerë juridike. Parlamenti do duhet të votojë së pari shkarkimet dhe pas kësaj emërimet, kjo ka ndodhur edhe më herët dhe nuk ka krijuar ndonjë problem. Nëse kuvendi siç pretendon presidenca se mund të ndodhë, do të refuzonte me votë shkarkimin e Canit, atëherë ka një situatë të rrëzimit të shumicës dhe vendi me gjasë do të shkonte në zgjedhje. Praktikisht, kryeministri zotëron shumicën e votave në kuvend, për ndryshe nuk do të ishte kryeministër dhe hamendësimi presidencial, është në këtë rast qesharak. Për më shumë, edhe pse voton dekrete emërimi të firmosura prej presidentit, parlamenti në këtë rast voton ose rrëzon qeverinë dhe jo kreun e shtetit, pra ky i fundit nuk ka asnjë arsye pse do të shqetësohej nëse dekretet nuk do kalonin. Kjo në fakt e bën të pakuptimtë qëndrimin e presidentit edhe pse ligjërisht ai është në të drejtë dhe shakaja mund të vijojë deri sa kjo të kthehej në një çështje të kushtetutës.

Në anën tjetër, përtej ligjshmërisë, kjo e ka kthyer institucionin e kreut të shtetit në shenjestër të sulmeve për varësi politike prej opozitës dhe se po luan lojën e kësaj të fundit. Kjo në fakt duket e qartë nëse sheh se menjëherë pas ndryshimeve në qeveri, ish-kryeministri Sali Berisha kërkoi menjëherë dorëheqjen e Arben Ahmetajt. Dje madje, lufta u përshkallëzua kur PD publikoi një listë me fluturime të ministrit, përfshi edhe disa në avionë charter. PS u përgjigj duke përmendur fluturimet Charter të Berishës, ndërsa vuri në dukje se të gjitha udhëtimet ishin financuar prej pritësve. Kështu është mjaft e lehtë që sulmi i opozitës të lidhet me hezitimin e presidentit dhe krijimin e idesë se ministrat realisht mund të mos kalojnë. Kjo duket është arsyeja pse kreu i opozitës Lulzim Basha, e shpalli edhe luftë të PD-së përplasjen, duke akuzuar qeverinë se kishte vënë presidentin nën paralajmërim. “Mercenari Prenga, nën akuzë për plagosje e armëmbajtje pa leje, i lirë, Presidenti i vendit nën paralajmërim, sepse ka vonuar dekretimin e zgrapësit Ahmetaj, çarter-kleptokrati që duhet sa më shpejt të nisë punën për koncesionin e TVSH-së për Olsin. Këto janë standardet e këtij kryeministri që po kërkon me forcë një fund si të 20 shkurtit”, -tha ai duke aluduar se Rama do përfundonte si diktatori Enver Hoxha.

Sidoqoftë, deri sot përplasja nuk është serioze dhe as rrezikohet më shumë se sa një tollovi publike me akuza e kundërakuza. Por ajo mund të bëhet e tillë nëse Presidenti vendos të presë miratimin e shkarkimeve nga Kuvendi, siç edhe ka bërë me dije se do të bëjë. Kjo pastaj do të kërkonte një zgjidhje kushtetuese. Ministrja Ermonela Felaj, por edhe ekspertë juridikë, lënë të kuptohet se kandidaturat mund të kalohen pa dekret në Kuvend, kjo mund të ishte një shkelje e Kushtetutës, por një rrugë më e shkurtër se sa përpjekja për të shkarkuar presidentin, e cila nëse do të rezultonte me sukses, do ta fuste shumicën në sikletin e zgjedhjes së një presidenti.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi