Financat publike që duam

Nga Fatos Çoçoli, botuar në Shqip, 18 shkurt 2016

Fatos-Cocoli-320x240Largimi i një ministri të Financave nga një ekip qeveritar pa u mbushur mandati qeverisës, te ne është rast i pashoq në këta 26 vite tranzicion. Janë mënjanuar kryeministra që kanë marrë me vete ekipin e tyre, por jo një ministër i Financave. Ndryshimi i dy ditëve më parë kërkon të sjellë një frymë të re në financat publike të vendit. Gati dy vjet e gjysmë shtrëngim rripash dhe disiplinim të skajshëm në detyrimet ndaj shtetit e kanë kthyer këtë njësi themelore qeveritare në ministri mbledhëse lekësh me bllokun e gjobave në dorë dhe shumë pak në një strukturë politikash nxitëse fiskale. Kjo, edhe pse ato pak masa favorizuese që janë dhënë, janë trajtuar me formalizëm të tepruar dhe pa nxitjen njerëzore nga pas, gjë që ka vështirësuar komunikimin e ministrisë me biznesin, sidomos atë të madh e të konsoliduar.

Sipërmarrësit që kontribuojnë deri në edhe 10 për qind në mbushjen e arkës së shtetit dhe që e dinë rëndësinë e tyre, ndiheshin pak të përfillur kur u kujtoheshin thjesht detyrimet dhe biseda telefonike bëhej me fraza lakonike. Një zhdërvjelltësi komunikimi dhe nisma vetjake ministrore do të mirëpriteshin prej tyre dhe kjo do ta ngrohte ndjeshëm klimën gati të ngrirë biznes-qeveri, pikërisht për shkak të disiplinimit të skajshëm dhe kërkesës më të lartë të llogarisë të arritur ndonjëherë nga financat tona publike. Njeriu që ia doli të formalizonte dukshëm ekonominë e vendit nuk arriti të jepte stimujt e duhur për biznesin që të rrezikonte kapitalet e tij dhe të investonte. Por ekonomia, si ajo publike dhe ajo private, kanë dy anë. Njëra ka të bëjë me disiplinën e detyrimeve dhe me respektimin e rregullave të lojës. Tjetra, me frymëmarrjen e lirë dhe të gjerë si gjoksi i një atleti, me inovacionin, lejet dhe favorizimet.

Na duhet një njeri që të arrijë t’i bëjë të dyja. Do të jetë në gjendje ministri i ri? Mbetet të shpresojmë fort. Disa tregues i japin të drejtë. Vjen nga një përvojë mbledhjesh parash të shtetit (ka qenë drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve) dhe më vonë nga një eksperiencë biznesi privat. Mëson shpejt dhe di të përshtatet. Deri tani ka qenë mbrojtësi më i durueshëm dhe frymëgjatë i nismave dhe reformave gjysmake qeveritare në ekonomi. Do t’i duhet të forcojë argumentet që përdor në zonën me rëra të lëvizshme të doganave dhe tatimeve shqiptare. Na nevojitet një kuzhinier i mirë politikash publike favorizuese fiskale dhe financiare, dhe jo thjesht një mbledhës i përkushtuar i detyrimeve ndaj shtetit. Duhet t’u largohet tundimeve të të qenët fallxhor e bojëshpërndarës.

Ministria e Financave menaxhon pesëqind herë më shumë fonde se ajo e Ekonomisë dhe nisma si çmimet “Bleta e Artë” (sado ide tërheqëse të jetë) nuk mund të jenë produkt kryesor i saj. Ministri i ri ka përballë një armatë jeniçerësh të zemëruar që quhet koncesione problematike dhe ndërmarrje shtetërore të papërgjegjshme, si dhe një listë partneritetesh të ardhshëm publik-privat që mund të sjellin detyrime katastrofike për buxhetin e shtetit, në rast se keqmenaxhohen. Atij do t’i duhet të mbështetet fort te biznesi i vendit dhe ai serioz i huaj te ne, për të kthyer sytë nga politikat nxitëse fiskale dhe që rrisin konkurrencën e kapitalit shqiptar në rajon. Në rast se do të tregohet po aq kurajoz sa është gojë-rrjedhshëm kur mbron reformat qeveritare, duhet të ndryshojë velën e taksave shqiptare. Edhe nëse ky ndryshim kursi mund të thotë humbje pikësh, për shkak të premtimeve politike boshe parazgjedhore (si për shembull, ajo e vetëm taksave progresive).

Ndryshimi i kursit do të nënkuptonte çlirim qindra milionë eurosh kapital (vendas dhe i huaj) për investim, i cili tani rri i strukur nga tatimi i lartë i fitimit. Buxheti i Shtetit nuk mblodhi më pak para në vitet 2014 dhe 2015 pse kërkoi deri në një pagimin e detyrimeve fiskale, por sepse Ministria e Financave që e mbush këtë buxhet nuk zbatoi politikat e duhura zhvillimore dhe nxitëse për ekonominë dhe biznesin. Po diti të bëjë ekuilibristin mes urisë buxhetore për para dhe guximit për të lënë të fitojë bindshëm para edhe biznesi që rriskon kapitalet, ministri i ri i Financave mund t’ia dalë të na ndihmojë me më shumë rritje ekonomike dhe vende të reja pune.

Fatos Çoçoli

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi