Qeveria miratoi vendimin “Për rregullat, kushtet dhe procedurat për përdorimin dhe menaxhimin e hapësirës publike”

Sipas Monitor, 30 dhjetor 2015

image

Këshilli i Ministrave miratoi vendimin “Për rregullat, kushtet dhe procedurat për përdorimin dhe menaxhimin e hapësirës publike”, mbi propozimin e Ministrisë së Zhvillimit Urban, nëpërmjet të cilit synohet rregullimi ligjor i hapësirave publike, përmes përcaktimit të rregullave të qarta për krijimin, administrimin dhe përdorimin e tyre. Përcaktimi, për herë të parë, i këtyre rregullave ligjore, sa i përket hapësirave publike do të bëjë të mundur vendosjen e kontrollit publik mbi to, duke i dhënë fund procesit të braktisjes dhe zaptimit të hapësirave që janë jetike dhe funksionale për garantimin e cilësisë së jetesës së komunitetit që jeton përreth.
Ndër vite, hapësirat publike shpesh herë janë lënë pas dore nga qeverisja vendore dhe qendrore dhe jo rrallë herë janë përdorur për përfitime personale. Ndaj, qëllimi kryesor i rregullimit të hapësirës publike është përcaktimi i kushteve dhe rregullave për mbrojtjen, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e hapësirave publike në interes të qytetarëve, në mënyrë të veçantë fëmijëve, të moshuarve që kanë nevojë për hapësira të lira lëvizjeje dhe rekreacioni.
Vendimi i miratuar është hartuar në bazë dhe në zbatim të Ligjit nr. 107/2014, datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimit e territorit”, sikurse ndryshuar me ligjin nr. 73/2015, datë 09.07.2015. Konkretisht, Neni 4/1 i këtij ligji parashikon detyrimin e Këshillit të Ministrave të përcaktojë, me vendim, rregullat, kushtet dhe procedurat për përdorimin dhe menaxhimin e hapësirës publike.
Mes të tjerash VKM mundëson:
– Mbrojtjen, mirëmbajtjen dhe përmirësimin nga autoritetet publike të hapësirave publike ekzistuese, trotuare sheshe, lulishte etj.;
– Vënien në dispozicion të autoriteteve të planifikimit të një sërë instrumentesh ligjore për krijimin e hapësirave të reja publike si dhe rregullat për mirëmbajtjen e përmirësimin e tyre;
– Hapësirat publike do të krijohen përmes zbatimit të dokumenteve të planifikimit të territorit (plane të përgjithshme ose plane të detajuara vendore) dhe miratimit të lejeve të ndërtimit, sipas marrëveshjes mes investitorëve dhe bashkisë.
– VKM parashikon për herë të parë modelin e marrëveshjes mes bashkisë dhe zhvilluesve për miratimin e planit të detajuar vendor, përmes së cilës do të përcaktohen të drejtat dhe detyrimet reciproke të palëve për zbatimin e planit të detajuar vendor, përfshirë për krijimin e hapësirave dhe infrastrukturave publike. Për herë të parë, do të rregullohet kalimi në pronësi të bashkisë i hapësirave dhe infrastrukturave publike të krijuara nga zhvilluesit në kuadrin e një plani të detajuar vendor.
– Në marrëveshje mes palëve publike dhe private, hapësirat publike mund të krijohen edhe në prona private, duke njohur të drejtën e pronarëve për të përfituar nga përdorimi publik i pronës.
– VKM përcakton edhe rregulla bazë për përdorimin e hapësirave publike për të siguruar që këto të respektohen sipas funksionit të caktuar dhe shërbimeve të lejuara nga bashkia.
Gjithashtu, nëpërmjet këtij rregullimi përcaktohen rregullat minimale bazë për përdorimin e hapësirave publike (çfarë lejohet e çfarë nuk lejohet të bëhet në këto hapësira), rregulla të cilat mund të shtohen dhe plotësohen më tej nga autoritetet vendore të planifikimit, në bazë të problematikave të hasura në territorin që kanë në administrim.
Krahas hapësirave publike ekzistuese, vendimi autoriteti vendor do të mund të krijojë në vijim hapësira të reja publike përmes instrumenteve të planifikimit dhe në marrëveshje me pronarët përkatës, në kuadrin e planeve të detajuara vendore.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi