Ineptokracia shqiptare dhe planet kombëtare të territorit

Nga Gentian Kaprata*, boruar në Mapo, 7 dhjetor 2015

gentian-kaprata-150x150Nëse do të ishim të detyruar të emërtonim qeverisjen Rama të këtyre dy vjetëve me vetëm një epitet, pa mëdyshjen më të vogël do të përdorja titullin ‘Ineptokraci’. Për një kuptim të zgjeruar të këtij epiteti mund të themi se kështu quhen qeveritë që karakterizohen nga liderë inkompetentë. Për ta zbutur pak hidhësinë e përkufizimit, jo pa qëllim përdora dy fjalë të huaja, por gjerësisht të njohura. Megjithëse mund të ishte interesante, nuk do hyjmë në historikun e termit, porse mund të prekim etimologjinë e saj. Kjo fjalë, çka e bën edhe më të pushtetshme, vjen nga dy gjuhë të ndryshme: nga frëngjishtja fjala ‘inep’, që do të thotë ‘i paaftë’, dhe; ‘cratos’ nga greqishtja e vjetër, që do të thotë ‘pushtet’.

Përjashtuar ndonjë gjitholog të vetmuar, vështirë të gjendet sot ndonjë zë publik që vlerëson pozitivisht veprimet thellësisht inepte të kësaj qeverisje. Tashmë, në këtë varg të gjatë janë rreshtuar edhe eksponentë nga gjysma LSI-ste e kësaj qeverisjeje. Përjashtim bën vetëm nukli ojq-ist që kanë shoqëruar z. Rama që nga opozita, për t’u përfshirë në ekzekutivin e sotëm. Duket si e rastësishme, por nuk është. Ka arsyet e veta, që shoqërojnë krijimin dh forcimin e asaj që në Shqipëri quhet shoqëri civile, porse në fakt janë ‘shoqëri tregtare me përgjegjësi të kufizuara’, produkti i së cilave ka qenë i porositur. Me një fjalë, një lloj fasonerie që ndonjëherë edhe produktin e marrin të gatshëm nga interneti.

Do ishte shumë naive të prisje që këto lloj ekipesh, me këto lloj aftësisht, të ndërtonin qëndrime politike dhe programe qeverisëse. Jemi duke folur për programe reale dhe jo një grumbull fjalësh të vëna me forcë të rrinë bashkë. Sepse një të tillë e kishte edhe kjo qeverisje. Kishte një seksion edhe për çështjet e zhvillimit të territorit, përfshirë legalizimet dhe turizmin. Plot 406 fjalë. Pak më i shkurtër se fjalia më e gjatë e Kryeministrit në librin e tij ‘Kurbani’. Duket se, ekipi qeverisës i zhvillimit të territorit, nuk i mori Kryeministrit thellësinë dhe gjatësinë e tjerrjes së mendimit, por praktikat e tij kur menaxhonte Tiranën urbane. Kështu që për dy vjet, trajtimi i çështjeve urbane i ngjante një déjà vu-je obeze.

Meremetuan godinën e Kryeministrisë, sikurse godinën e Bashkisë një duzinë vjetësh më parë. Vendosën një moratorium për ndërtimin, të cilin mund ta shkel vetëm z. Rama. Ndërmorën aksionin e prishjeve të ndërtesave pa leje apo me leje të pamoralshme, me kuptim dhe produkt zero. Iniciuan të këtilla turli kinkalerirash për të ardhur te projekti i ‘Rilindjes Urbane’ të qendrave të qyteteve! Lyen fasadat, që po iu bien suvatë nga mungesa e mirëmbajtjes e rinovimit, dhe kthyen në këmbësore rrugët qendrore. Kështu, të papunët e disafishuar mund të hanë fara luledielli dhe të marrin nëpër gojë dynjanë, veçanërisht ditëve kur nuk ka përmbytje nga vërshimi i ujërave të shiut nëpër qytetet pa infrastrukturë.

Produkti që i lejon të shprehin më mirë vetveten politike është ligji i 2014. Si një kopje identike e sivëllait të tij të 1978 “për hartimin dhe zbatimin e planeve rregulluese të qyteteve, fshatrave dhe qendrave të banuara”, ai centralizon çdo gjë. Çdo gjë e bën ose ministria, ose Kryeministria! Kryeministria jepka lejet e ndërtimit, ndërsa ministria bëka planet urbane! Dhe në këtë rrëmujë mosdije dhe mbrojtje interesash speciale, ministria paska marrë përsipër të bëjë edhe tri plane kombëtare. Do bashkokan Tiranën me Durrësin në një qytet të vetëm, për popullimin e të cilit do t’iu duhet të gjejnë 7 milion shqiptar të tjerë. Dhe, do hartokan planin e zhvillimit të turizmit për bregdetin jonian, për herë të tretë pas qeverisë Nano e qeverisë Berisha!

Si një qershi mbi tortë, do bëkan edhe Planin e Përgjithshëm Kombëtar të Territorit. Këtë ia kanë besuar Agjencisë Kombëtare së Planifikimit të Territorit! Njësoj si 37 vjet më parë, besojnë se planifikimi territorial qenkan ca vija dhe njolla me ngjyra në tabakë të mëdhenj letre. E kanë të pamundur të superojnë paaftësinë dhe botëkuptimin e tyre bolshevik, për të kuptuar se së pari planifikimi është qëndrim politik. Veçanërisht planifikimi strategjik kombëtar. Nuk është për t’i vënë faj! Nga koha ku mendjet e tyre vijnë, qëndrimet politike ishin vendosur një herë e përgjithmonë në librat e shenjtë të shokut Enver, dhe çdo gjë në lidhje me planifikimin kishte vetëm kuptim algjebrik apo gjeometrik.

*urbanist

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi