Kohezioni i Evropës humbi në moçalishten e Ballkanit

Nga Josef Janning, “European Council of Foreign Relations”, 2 nëntor 2015

Screen-Shot-2015-11-01-at-10.58.04

Fërkimet aktuale politike ndërmjet shteteve anëtare të BE-së, janë një dëshmi syçelët, jo vetëm e gjendjes së kohezionit në union, por edhe për lidhjen mes kohezionit dhe kapacitetit të Evropës për të vepruar së bashku. Në një pikëpamje mbizotëruese, kohezioni duhet të rritej me shtimin e ndërvarësisë dhe ndërveprimit midis evropianëve.

Nivelet e larta të kohezionit, duhej gjithashtu të forconin mbështetjen për përgjigjet e politikave të përbashkëta e për të ndihmuar në ndërtimin e kapacitetit të Bashkimit Evropian, për të vepruar në unison. Ky “rreth virtuoz” funksionon ndërkaq edhe në një mënyrë tjetër. Kapaciteti i provueshëm dhe i suksesshëm për të ndihmuar në ndërtimin e kohezionit, dhe një rezultat legjitim që del prej saj, përforcon besimin në vlerën e shtuar të të punuarit së bashku.

Sociologët janë përqëndruar prej kohësh mbi lidhje të tilla nën temrin e “mbështetjes së përhapur”. Kryesisht, kjo dukuri është matur nga të dhënat e sondazheve, nën supozimin se lidhjet strukturore si ndërvarësia ekonomike apo intensiteti i ndërveprimit ndërkufitar, do të reflektojë gjerësisht ruajtjen e besimeve dhe qasjes. Në fakt, nxitësit strukturorë të integrimit më të thellë janë lënë pas dore, edhe pse ato kanë ndikuar ndoshta mbi perceptimet e elitës më shpejt e më thellë, sesa ato të publikut të gjerë.

Gjithashtu, ndjenjat kundërbalancuese janë keqkuptuar, nën premisën se nivelet më të larta të ndërvarësisë dhe ndërveprimit, do të çojnë domosdoshmërisht në më shumë mbështetje për BE-në. Një rastësi e momentit funksionalist në njërën anë, që lindi nga nevoja për të bashkëpunuar me shtetet e tjera anëtare, dhe fuqia centrifugale dhe të themi e identitetit kombëtar nga ana tjetër, nuk u llogarit si duhej.

E megjithatë, e keqja ndodhi. Kriza e shkaktuar nga madhësia dhe dinamika e emigracionit në BE, ka vënë në pikëpyetje si pritshmëritë funksionaliste mbi integrimin, ashtu edhe identitetin e shoqërive evropiane – në drejtim si të narratives individuale dhe ashtu edhe “evropiane” të këtyre shoqërive.

Në këtë kuptim, kriza e refugjatëve është zhvilluar nën një rreth vicioz, duke e dëmtuar në mënyrë të barabartë si kohezionin, ashtu edhe kapacitetin e BE për të vepruar së bashku. Me sa duket, numri i të ardhurve ka mbingarkuar kufijtë e shteteve anëtare, dhe ky nuk është vetëm një zhvillim i kohëve të fundit – emigracioni në Evropë ka qenë në tryzën e bisedimeve, prej më shumë se një viti.

Skema e përbashkët politike, nuk aplikohet më në mënyrën si ishte menduar më parë. Kapacitetet e pamjaftueshme të shteteve anëtare (në veçanti Greqisë, për shkak edhe të krizës së thellë të qeverisjes), nuk mundësojnë rikthimin e emigrantëve. Vendet anëtare që kanë ndërmarrë operacione detare, për të shpëtuar refugjatët nga mbytja në Mesdhe, si psh. Italia, ose ato që filluan të mirëpresin refugjatët, për t’i shpëtuar këta të fundit nga rrethanat e padurueshme në vendet e mbërritjes, janë duke u akuzuar se po e përhapin problemin, duke nxitur fluksin e mëtejshëm të refugjatëvë në Evropë.

Në termat e kohezionit, kriza ka zbuluar disa pika të dobëta të BE-së. E para, është mungesa e solidaritetit, e maskuar si një shqetësim mbi centralizimin e mëtejshëm të kompetencave në union. Shumica e qeverive të shteteve anëtare, refuzuan të pranojnë përdorimin e një formule për shpërndarjen propocionale të numrit të emigrantëve.

Formalisht, ato u shprehën kundër kuotave të detyrueshme, ndërsa në aspektin praktik i braktisën vendet që po e vuajnë në tepër këtë fenomen. Premtimet vullnetare nuk janë zbatuar, edhe kur numri i refugjatëve ishte vetëm 40 mijë, dhe e njëjta gjë u pa edhe me shifrën maksimale aktuale prej 160 mijë emigrantësh. Një pakicë e fortë e shteteve anëtare, refuzuan të solidarizohen nëpërmjet zhvendosjes së emigrantëve drejt vendeve të tjera.

Gjithçka duket se filloi me ish-kryeministrin polak Eva Kopacz, që pak kohë më parë pati një përplasje me kryeministrin britanik Dejvid Kameron, mbi planin e këtij të fundit për të kufizuar lirinë e lëvizjes në hapësirën Shengen, dhe dëshirën e Varshavës për të mos marrë pjesë në asnjë zhvendosje të refugjatëve nga Hungaria, Greqia apo Italia.

Qeveria pasardhëse polake e udhëhequr nga Beata Szydlo, do të kërkojë tashmë të veprojë në dy fronte, duke luftuar Kameronin për lëvizshmërinë e punëtorëve, dhe Brukselin për zhvendosjen e refugjatëve.

Dobësia e dytë, prek vlerat themelore të integrimit evropian. Është tejet e qartë, se konsensusi mbi cilësinë dalluese të shoqërive evropiane, sikurse shprehet në traktatet evropiane, nuk ekziston në jetën reale.

Hapja, pluralizmi, toleranca – të gjitha këto janë terma, që me sa duket nuk kanë të njëjtin kuptim apo rëndësi në të gjithë BE-në. Më së paku, ato nuk cilësohen si parime themelore, që aplikohen njëlloj për qytetarët evropianë por edhe jo nga BE-së. Pasi të kuptohet plotësisht nga bota, këto vlera të shtrembëruara do të ndikojnë negativisht tek besueshmëria normative e Evropës.

BE ka vuajtur nga cënimi i vlerave bazike, dhe diplomacia evropiane po heq dorë nga standartet e larta morale, me të cilat dikur fitonte duke lëvizur vetë përtej politikës së pushtetit të lojtarëve tradicionalisht të mëdhenj. Një tjetër goditje ndaj solidaritetit kolektiv, krijohet edhe nga thellimi i ndarjes në mes atyre që janë prekur dhe atyre që pretendojnë të kundërtën.

Teksa refugjatët po përballen me baltën dhe të ftohtin rrugëve të Ballkanit, vendet e tjera përgjatë rrugës, nga Greqia në Gjermani, e gjejnë kryesisht veten vetëm në menaxhimin e problemit. Ekzistojnë disa burime në formën e fondeve të BE-së, por angazhimet e financimit kombëtar dhe zëvendësimi i stafit, janë tepër të ngadalta në përmbushjen e tyre konkrete.

Janë pikërisht këto vende që tani përcaktojnë reagimin e Evropës, ndaj dimensionit humanitar të krizës, në një kohë që luftojnë intensivisht në konfliktet mes tyre. Çdo ndryshim i politikave në kufijtë kombëtarë të një shteti anëtar, do të ndikojë në një masë të madhe, brenda dy apo tre ditëve, në gjendjen e të tjerëve. Kjo është ajo që e mban në BE-në së bashku, edhe pse e pengon seriozisht efikasitetin e bashkëpunimit të tyre në të njëjtën kohë.

Ndërkohë, BE-ja po e josh Turqinë me oferta financiare, për të kufizuar fluksin e refugjatëve nga vendet e origjinës. Dobësia aktuale e kapacitetit të BE-së për të vepruar, është tronditëse. Jo vetëm që Brukseli do të dështojë në krijimin e mekanizmave për t’u marrë me emigracionin dhe azilin në një shkallë më të madhe (dhe për pasojë politika e Evropës në këtë fushë, thjesht nuk do të jetë efektive), ose për të mbrojtur integritetin e kufijve dhe të politikave të saj kufitare, përmes veprimeve kolektive (dhe kësisoj menaxhimi i kufirit do të jetë i dobët), BE-ja është gati të humbë një pjesë të parimeve të saj. Ka të ngjarë, që regjimi i Shengenit të dobësohet si pasojë e kësaj krize, jo më pak edhe për shkak se pjesa më e madhe e emigrantëve do të përjashtohen nga përfitimet e saj. Dhe me gjasë, kapaciteti i BE për ndërtimin e paqes në rajonet ku prodhohen kaq shumë refugjatë, nuk do të bëhet më i fortë, për shkak se përçarja aktuale mes vendeve anëtare, dëmton grupet që kanë nevojë për ndihmë nga operacione të tilla.

Reforma politike dhe rregullimet përkatëse buxhetore aq shumë të nevojshme, do të vuajnë gjithashtu nga përvoja aktuale. Brenda 3-4 vjetësh, kur korniza shumëvjeçare financiare do të duhet të negociohet, ndarjet do të sjellin në tryezë propozime të forta. Transfertat financiare nga qendra e BE-së drejt periferisë së saj, do të humbasin. Argumenti tradicional i solidariteti do të zhvlerësohet. Eurozona s’do të jetë në gjendje për ta nxitur BE të ecë përpara e bashkuar, teksa përçarjet do të formësojnë qasjen e saj.

Kur të vijë puna për arritjen e ndonjë marrëveshje ndërmjet anëtarëve të eurozonës, ka të ngjarë që ata të zbatojnë çdo pakt financiar për shpërndarjen e ngarkesës në kontekstin e një buxheti të ri, duke thelluar hendekun në një Evropë me dy shpejtësi. Gjermania, aktorja e shumë-vlerësuar që e udhëheq unionin, nuk do të jetë më ndërmjetësja e konflikteve që do të vijnë.

Përkundrazi, Berlini është bërë shumë kërkues për çështjen e refugjatëve, dhe kërkesa e kancelares Merkel për solidaritet e ka humbur inisiativën e saj në negociatat e gjata, që janë të pakrahasueshme me zbatimin e tyre aktual. Jo shumë kohë më parë, shqetësimi kryesor për Evropën, dukej se ishte potenciali i saj si një super-shtet.

Ka ardhur koha për t’u shqetësuar seriozisht për skenarin e kundërt. Më shumë se dy sfidat e tjera të 2015-ës – lufta në Ukrainë dhe borxhi mbytës i Greqisë – kriza e refugjatëve po zbulon sesa e brishtë është realisht Evropa, dhe sa të dobëta janë bërë shtyllat e parimeve të saj themelore. (Bota.Al)

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi