Rama: Brenda 5 vitesh, qytetari do të ketë shtetin në smartfonin e vet

Sipas gazetës Shekulli, 23 shtator 2015

Ram-620x349Qeveria ka nënshkruar sot një marrëveshje me Bankën Botërore për financimin e projektit për modernizimin e shërbimeve publike. Financimi i Bankës Botërore fut në fazën e dytë procesin e nisur të përmirësimit të shërbimeve publike.

Kryeministri Rama tha se shërbimet publike kanë qenë për vite me radhë vatra korrupsioni, por projekti i ri, i cili ka përfunduar fazën e parë dhe hyn në fazën e modernizimit të zyrave të shërbimit dhe sporteleve, do të bëjë të mundur që qytetari të marrë shërbimin e kërkuar brenda një kohe të shkurtër, pa lënë hapësira për korrupsionin.

“Problemi ynë themelor ka qenë korrupsioni në marrëdhëniet e qytetarit me shtetin, në marrëdhëniet e çdo individi që me të drejtë të plotë kërkon një shërbim. Unë jam i bindur se lufta me këtë lloj korrupsioni është për modernizimin e sistemit. Nuk janë njerëzit që korruptohen, është sistemi që i korrupton njerëzit. Ne duhet të bëjmë një sistem që bën të pamundur korrupsionin.

Korrupsioni nuk është gjë tjetër veçse një alternativë. Aty ku shteti është i paaftë t’i përgjigjet qytetarit, korrupsioni është i lakmueshëm sepse i jep zgjidhje një problemi që mbetet i pazgjidhur. Është e lehtë ta thuash, por e vështirë ta bësh, pasi ajo që ne kemi trashëguar nuk është forma e një shteti, por një shtet pa formë.

Në këtë vend, vandakët e dokumenteve janë pa fund dhe ndërlidhja e informacionit e dobët, për të mos thënë inekzistente. Prej një viti e gjysmë, ne jemi fokusuar në hedhjen e themelit të një projekti që do të transformojë njëherë e mirë marrëdhëniet e shtetit me qytetarin, duke i dhënë shtetit mundësinë për t’i shërbyer qytetarit dhe qytetarit mundësinë ta ketë shtetin në smartfonin e vet”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se projekti parashikon lidhjen e sporteleve në një rrjet, i cili do të jetë tërësisht në shërbim të qytetarit. Sipas Ramës, realizimi i këtij projekti do të bëjë të mundur që procedurat për qytetarët që kërkojnë një dokument të shkurtohen dukshëm. Në terma kohorë, Rama tha se rezultatet e para do të jenë të prekshme në fund të këtij mandati, ndërsa brenda 5 viteve, qytetarët do të kenë mundësi të marrin shërbimin që kërkojnë përmes aplikimit direkt nga smartfoni.

“Nuk kemi asgjë për të shpikur, do të shfrytëzojmë teknologjinë. Procesi nuk është i thjeshtë, por ka hyrë në rrugën e duhur. Sot ne marrim këtë financim të hyjmë në fazën e dytë të procesit, duke filluar nga zyrat e shërbimit dhe sportelet. Ato do të transformohen në pika shërbimi.

Sportelet nuk do të varen nga institucionet, por do të jenë një institucion më vete. Një rrjet i tërë i një mekanizmi që do të funksionojë si zëdhënës i qytetarit. Fillon procesi i digjitalizimit dhe integrimit të bazës së të dhënave, ku shërbimet të mund të merren nga qytetari pa pasur nevojë të shkojë te sporteli apo të presë me javë të tëra që t’i vijë dokumentacioni i shumëkërkuar. Është ambicie e madhe që duam ta përmbushim në kohë të shkurtër. Kjo do të sjellë shkatërrimin përfundimtar të këtij korrupsioni, karakteristik për vendet e pazhvilluara.

Kjo do të na japë mundësinë që më në fund, pas 20 vitesh ne të jemi në gjendje që këtë çështje ta mbyllim njëherë e mirë. Kjo do të sjellë transformim të madh të marrëdhënieve me biznesin sepse efektiviteti i shërbimeve do të krijojë kushte të favorshme për t’u marrë me biznes. Parimi është që ne të arrijmë në momentin kur çdo dokument që i duhet qytetarit të jetë detyra e shtetit që ta sigurojë. Nëse sot kemi shërbime për të cilat qytetari para se t’i marrë duhet të koleksionojë deri në 20 dokumente, këto të jenë detyrë e shtetit që t’i japë. Qytetari bën kërkesën në sportelin përkatës, dhe sporteli bën kërkesën në të gjithë institucionet që duhet. Sipërmarrësi do të marrë vetëm shërbimin përkatës në sportelin përkatës. Kjo nuk mund të bëhet në një kohë të shkurtër. Ne na janë dashur 1.5 vite kohë për të ardhur në fazën e dytë.

Në mbyllje të këtij mandati, ne do të kemi rezultate të prekshme dhe brenda 5 vitesh, qytetarët e këtij vendi do të kenë shtetin në telefon. Ne po përgatitemi për ndërtimin e Qendrës Kombëtare të Shërbimeve Publike, ku shërbimi do të jetë i përqendruar dhe do të ketë gravitetin e vet në Tiranë dhe më pas do të shtrihet në të gjitha njësitë e reja administrative”, tha Rama.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi