Programi i Qeverisë Sali Berisha (2005 – 2009)

 

Sali Berisha – Të nderuar deputete e deputetë,

Shkëlqesi Ambasadorë,

Zonja dhe zotërinj,

Miq dhe të ftuar,

Së pari, dëshiroj të përshëndes deputetët e këtij Parlamenti të ri dhe t’i siguroj ata se Qeveria që unë paraqes sot përpara jush, si Qeveri e shërbimit dhe e shërbesës së qyetarëve, si Qeveri e ndryshimit dhe e reformave do të mbetet bashkëpunuese dhe e hapur ndaj secilit prej jush dhe ndaj çdo qytetari ose qytetarejeje që ju përfaqësoni.

Por unë dua sot t’u shpreh mirënjohjen më të madhe, respektin më të thellë mbarë qytetarëve shqiptarë të cilët të bashkuar në një vendim historik, më 3 korrik, shndërruan ndryshimin  në çështjet e tyre dhe fituan.

Me mirënjohje të veçantë dëshiroj të falënderoj nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në këtë sallë të gjitha vendet mike, qeveritë e tyre dhe institucionet ndërkombëtare që me qëndrimet e tyre, ndihmat financiare e teknike, vëzhguesit që dërguan dhanë një kontribut të madh në zhvillimin e këtyre zgjedhjeve.

Në zgjedhjet e 3 korrikut qytetarët shqiptarë u bashkuan si rrallë ndonjëherë në historinë e tyre kombëtare me mençurinë dhe me vullnetin e tyre të hekurt u ngritën mbi murin më të lartë të korrupsionit në Europë; mbi dhjetëra, qindra, milionë euro të buxhetit dhe trafiqeve kriminale që vërshuan kundër vullnetit të tyre; mbi makinerinë gjigande të mashtrimit, të falsifikimit të certifikatave, listave të votimit të shtetit të sistemit të korrupsionit dhe votuan ndryshimin.

Më 3 korrik dhe 21 gusht shqiptarët, me përgjegjësi të lartë dhe guxim qytetar ata u ngritën dhe shembën bedenat e mafies dhe krimit të organizuar më të rrezikshëm në Europë, që lëviz në vit dhjetëra e dhjetëra tonelata drogë e para të pista dhe votuan sigurinë e tyre.

Më 3 korrik qytetarët shqiptarë duke shndërruar shpresën në mantel të shpirtit të tyre, besimin në dritën e të ardhmes i lanë të shkuarës dëshpërimin, zhgënjimin, kërcënimet, parashikimet ndjellakeqëse dhe votuan të ardhmen, dinjitetin, votuan për Shqipërinë në Europë, për Shqipërinë e shpresave të tyre, të fëmijëve të tyre dhe përpara së gjithash për ndryshimin e jetës së tyre të përditshme.

Më 3 korrik shqiptarët në bashkimin e tyre realizuan një mrekulli të vërtetë kombëtare dhe kjo jo se sollën Sali Berishën në pushtet, jo dhe jo. Mrekullia shqiptare e 3 korrikut ishte zhbllokimi i rotacionit politik, këtij mekanizmi pa të cilin shoqëria e lirë vdes dhe shndërrohet në një pyll të thatë dimri dhe që në Shqipëri ishte shpallur katastrofalë dhe tradhëti kombëtare dhe ishte bllokuar nga mijëra lidhje fije dosje të krimit ekonomik, politik e ordiner të eksponentëve të regjimit të korrupsionit.

Mrekullia shqiptare e 3 korrikut bëhet dhe më vezulluese po të kemi parasysh faktin se ata që erdhën në pushtet me dhunë u larguan nga pushteti jo me forcë, por në mënyrë të qytetëruar me votën qytetare edhe pse kjo u arrit në zgjedhje jo të lira dhe të ndershme, rast unik ky në historinë e zgjedhjeve.

Zoti i bekoftë qytetarët shqiptarë!

Prandaj dhe me vërtetësi të madhe mund të deklarojmë sot se është qytetari shqiptar ai që pavarësisht se për kë ka votuar hyn në këtë sallë, në këtë tempull të përfaqësimit të ligjit dhe demokracisë si fitimtar, si hero i 3 korrikut, si një hero i vërtetë kombëtar, ndërsa ne jemi sot këtu të betohemi si shërbëtorë të tij. Kështu që unë, duke u përulur edhe njëherë me nderim të thellë përpara heroit dhe mrekullisë së tij të 3 korrikut, betohem solemnisht përpara jush dhe mbarë shqiptarëve se Qeveria e Koalicionit që unë drejtoj do të jetë Qeveri e shërbimit, e shërbesave,  e interesit dhe interesave jetike të qytetarëve shqiptarë dhe fëmijëve të tyre. I pari është heroi, pra i pari është qytetari. Kjo është dhe do të mbetet motoja ime. Të jesh Qeveri e shërbimit dhe e shërbesave ndaj qytetarëve është nderi më i madh, detyrimi më sublim, por edhe më i vështirë. Kjo kërkon së pari të lexosh me ndershmëri mesazhin e ndryshimit të qytetarit hero të 3 korrikut.

Unë gjatë këtyre 2 muajve e kam lexuar atë shumë e shumë herë. Nga ky mesazh rezulton se çelësi i Qeverisë së shërbimit dhe shërbesave të qytetarëve nuk qëndron në matematikën parlamentare, por në vullnetin e hekurt të të gjithëve për t’u ngritur mbi nocionet e maxhorancave dhe minorancave parlamentare dhe për të punuar së bashku në frymën e bashkëpunimit dhe të konsensusit.

Prandaj dhe unë zotohem t’i përmbahem këtij mesazhi të bashkimit dhe antagonizmat e të shkuarës t’i zëvendësoj me dialogun, debatin, diskutimin, bashkëpunimin me të gjitha forcat politike, me shoqërinë civile, botën akademike, mediat, biznesin, komunitetin, të rinjtë, si dhe grupet e interesit.

Zonja dhe zotërinj,

Për të merituar nderin dhe për të përmbushur me dinjitet misionin e Qeverisë së shërbimit, maxhoranca e re ka përcaktuar si objektiv më madhor në projektin e saj të ndryshimit:

– zhvillimin dhe konsolidimin e institucioneve të shtetit modern demokratik që ka në themel garantimin dhe zgjerimin e lirive dhe të të drejtave themelore të individit;

– funksionimin e shtetit ligjor bazuar në barazinë e plotë përpara ligjit dhe sundimin e këtij të fundit;

– çmontimin e sistemit të korrupsionit, këtij kanceri që ka kapluar tërë qenien e shoqërisë më të lodhur e më të varfër të Europës;

– zhvillimin e shpejtë, të balancuar e të qëndrueshëm ekonomik dhe njerëzor;

– shkëputjen e shqiptarëve nga mjerimi dhe varfëria;

– integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe në NATO.

Në realizimin dhe konkretizimin e këtyre objektivave Qeveria e Koalicionit, që unë drejtoj, paraqet sot këtu një program reformash të thella institucionale dhe të gjithanshme, të modeluara, sipas standardeve bashkëkohore europiane dhe së bashku me to vullnetin e hekurt për t’i shndërruar ato dhe ndryshimin që mbartin në mbarësi, mirësi, liri, dinjitet, punësim, prosperitet, integrim për mbarë shqiptarët.

Ylli polar i projektit të ndryshimit është dhe do të mbetet garantimi dhe zgjerimi i lirive dhe i  të drejtave të qytetarëve. Prandaj dhe axhenda e 100 ditëve të para të Qeverisë nis me të gjitha vendimet e domosdoshme që i takojnë asaj për të garantuar votën e lirë dhe për t’i dhënë kështu fund mundësive të manipulimit me lista dhe certifikata, përjashtimit politik të qytetarëve nga e drejta e votimit. Shqiptarët do të votojnë si të gjitha kombet e tjera të qytetëruar. Qytetarët do të pajisen me sistemet më moderne të letërnjoftimeve, pasaportave, adresave dhe numrit personal. Forca e ligjit do të ndëshkojë të gjithë ata që do të guxojnë që me dhunë, para ose kërcënime të dhunojnë votën e tyre.

Zgjedhje të lira e të ndershme lokale në vitin 2006 është zotimi ynë solem përpara qytetarëve shqiptarë dhe mbarë miqve tanë.

Ne angazhohemi për të zhdukur dushkun dhe me frymën e konsensusit tashmë të krijuar për reformën zgjedhore të bëjmë të gjitha ndryshimet ligjore të nevojshme për përsosjen e procesit zgjedhor.

Respektimi i hapësirave dhe i të drejtave ligjore kushtetuese të opozitës, brenda dhe jashtë Parlamentit; respektimi i plotë i lirisë dhe pavarësisë së shtypit dhe mediave, i shoqërisë civile dhe i rolit të saj; respektimi i lirive dhe i të drejtave të individit dhe të minoritetit; ridimensionimi i të drejtave të minoriteteve grekë, arumunë, maqedonas, serb, malazezë, boshnjakë, romë, egjiptianë në përputhje me standardet e vendeve anëtare të BE-së, me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën mbi të Drejtat e Minoriteteve, programi i veçantë i diskriminimit pozitiv për punësimin, shkollimin, strehimin e romëve dhe egjiptianëve; respektimi i plotë i lirisë së besimit, duke iu përmbajtur me rigorozitet sekularizmit si parim themelor i ndërtimit të shtetit shqiptar; rikthimi me përparësi i pronave të institucioneve të kultit; rikthimi i pronave ish-pronarëve mbeten zotimet tona  për respektimin e lirive dhe të të drejtave të qytetarëve shqiptarë.

Për të realizuar objektivat e saj të ndërtimit, të konsolidimit të institucioneve demokratike, Qeveria do të angazhohet në një sërë reformash institucionale që do të garantojnë funksionimin, ndarjen, pavarësinë, kontrollin dhe balancimin e pushteteve në përputhje me Kushtetutën, përgjegjshmërinë e sistemit të drejtësisë, decentralizimin dhe autonominë vendore. Reformave të thella do t’i nënshtrohet ekzekutivi qendror dhe administrata publike.

Qeveri e vogël në dietë dhe eficente është zotimi ynë.

Zonja dhe zotërinj,

Të meritosh nderin e Qeverisë së shërbimit dhe shërbesat e qytetarëve, do të thotë të arrish të prekësh, të përjetosh, të ndjesh dhe të shikosh  hallet, dertet, dhembjet, përpjekjet e qytetarëve në tërësi dhe atyre më në nevojë në veçanti.  Kjo kërkon t’u ofrosh atyre të gjitha mundësitë, kanalet për të komunikuar, për t’u dëgjuar zëri i tyre dhe të veprosh me transparencë dhe jo prapa shpinës së tyre. Ndaj dhe unë dua t’ju siguroj se kjo Qeveri do të vendosë standardet më transparente të komunikimit intensiv me qytetarët. Brenda 1 muaji të gjitha dikasteret do të hapin zyrat e informacionit publik për të gjitha çështjet që u interesojnë qytetarëve për të marrë informacionet e duhura.

Brenda 2 muajve çdo veprimtari e Këshillit të Ministrave, ministrive dhe drejtorive të tyre, çdo prokurim, licensim dhe shpenzim buxhetor do të afishohet në web-in përkatës. Por të hapësh dyert dhe kanalet e komunikimit me qytetarët, të vendosësh sistemin elektronik të qeverisjes, është vetëm një hap i duhur në drejtimin e duhur.

Për të merituar privilegjin e Qeverisë dhe të qeverisjes së shërbimit duhen qeveritarë, zyrtarë, nëpunës të aftë, të ndershëm, të ndjeshëm, që nderojnë punën dhe moralin e saj, postin e detyrën dhe që nuk kanë asnjë konflikt interesi me të. Të gjitha reformat e administratës publike do të kenë si qëllim, një administratë të ndershme, të përkushtuar, të aftë dhe profesioniste, të vogël, por eficente, jashtë të gjitha konflikteve të interesit dhe nepotizmit, lokomotivë e vërtetë e reformave të pandërprera të sistemit demokratik, shërbëtore e denjë e misionit të saj fisnik.

Në administratën aktuale sot punojnë me mijëra punonjës të zotë, të përkushtuar, të ndershëm dhe ata përbëjnë një pasuri të vërtetë kombëtare. Dua t’i siguroj ata se Qeveria do të bëjë përpjekjet më serioze për vlerësimin e kontributit të tyre, kualifikimin, shpërblimin, strehimin dhe sistemimin e tyre. Por fatkeqësisht krahas kësaj në administratën aktuale kanë lëshuar rrënjë të thella nepotizmi, fodullëku, inkompetenca, falsifikimi, korrupsioni dhe shpirtkazmëria.

Sot është dramatik dhe i patolerueshëm fakti që qeveritarëve dhe administratës aktuale publike, qytetarët dhe biznesmenët shqiptarë i paguajnë ryshfet për shkollimin, punësimin, mjekimin për veten dhe fëmijët e tyre, për marrjen e dokumenteve zyrtare ose shërbime të tjera, jo 300 apo 600 milionë dollarë, por sipas raportit të Bankës Botërore 1400 milionë dollarë në vit, pra 466 dollarë për frymë, rreth 4.6 herë më shumë se në vendin e dytë pas Shqipërisë. Është shpirtkazmëri dhe cinizëm ekstrem të gjobitësh  me 1.4 miliardë dollarë në vit popullin më të varfër të Europës. Prandaj dhe zotohemi që lufta kundër ryshfetit, në kuadrin e luftës kundër korrupsionit do të shpallet emergjencë kombëtare. Ne do ta shndërrojmë atë në çështje ligji, nderi, dinjiteti dhe identiteti kombëtar dhe çështje të integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

Unë ftoj qytetarët shqiptarë, që votuan ndryshimin të mendojnë vetëm për një moment se çfarë mendon për ne, për shoqërinë shqiptare, qytetari, politikani, biznesmeni amerikan, gjerman, anglez, francez apo italian, kur  lexon se ne kemi një nivel të tillë ryshfeti. Përse  ai duhet të na pranojë ne si të tillë? Përse ata duhet të vijnë të investojnë fitimet e tyre në Shqipëri? Përse qeveritë e tyre duhet të na dhurojnë ne taksat e qytetarëve të tyre? Prandaj, ne së bashku, le të fillojmë të ndihmojmë njëri-tjetrin në betejën kundër tij. Ne si Qeveri do ta nisim nga Kryeministri, ministrat dhe konkretisht me dhuratat të cilat do të dorëzohen që të gjitha, kur e kalojnë shumën e parashikuar me ligj, penalitetet për ryshfetin do të rëndohen dhe do të shpërblehen të gjitha denoncimet e suksesshme, do të vendosen linja komunikimi falas për denoncimin e tij edhe anonim në Kryeministri dhe dikastere.

 Unë u bëj thirrje qytetarëve të informojnë, të denoncojnë, me të gjitha mënyrat, por me fakte, çdo gjobë të vënë kundër ligjit, çdo ryshfet të marrë nga çdo zyrtar si një krim i vërtetë.

Zonja dhe zotërinj,

Të jesh Qeveri e shërbimit të qytetarëve do të thotë të punosh me përkushtim  të madh për t’ju ofruar atyre shërbimet që meritojnë, së pari, shkollat moderne për fëmijët e tyre. Ndaj dhe sot zotohem se Qeveria në 4 vjet do të dyfishojë buxhetin për arsimin, do të dyfishojë rrogat e arsimtarëve, do të modernizojë shkollat, do të zvogëlojë në 25-30 numrin e nxënësve në klasa, do të dyfishojë numrin e nxënësve, që ndjekin shkollat e mesme, do të orientojë drejt tregut të gjithë sistemin arsimor, do të shtrijë në të gjitha shkollat e vendit internetin dhe anglishten, do të liberalizojë universitetet, do të hapë Universitetin e Durrësit, do të krijojë grupet e  një mijë shkencëtarëve të rinj dhe grupet e ekselencës, do të ketë hapje më të madhe drejt sektorit privat, dhe  do të bëhen përpjekje të  fuqishme për thithjen e trurit në Shqipëri. Në të gjitha këto përpjekje dhe investime, ne do të synojmë të arrijmë nivelet dhe objektivat e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, në mënyrë që të plotësojmë sa më mirë standardet dhe kriteret e një vendi anëtar të këtij bashkimi. Qeveria e Koalicionit është e vendosur të ndërmarrë reforma të thella në sistemin e shëndetësisë, që garantojnë kujdes shëndetësor cilësor për të gjithë qytetarët, mbrojtjen e shëndetit të tyre, diagnostikimin, trajtimin me mjetet më moderne në spitalet tona publike. Edhe në këtë sektor jetik, krahas hapjes së këtij sektori ndaj atij privat Qeveria do të dyfishojë buxhetin dhe investimet.

Zonja dhe zotërinj,

Për të merituar nderin dhe privilegjin Qeveria e shërbimit dhe interesave jetike të qytetarëve, për rivendosjen e shtetit ligjor si kushti më vendimtar për garantimin e lirive dhe të të drejtave të qytetarëve, të rendit, të sigurisë, të konkurrencës së lirë, të investimeve të huaja, të integrimit në Bashkimin Europian dhe NATO, paraqet përparësinë e të gjitha përparësive në projektin tonë të  ndryshimit. Aktualisht në Shqipëri treguesi i zbatimit të ligjit arrin në 400% më i ulët se në Mongoli dhe 300% më i ulët se ç’ishte në vitin 1996. Kjo jo se qytetarët shqiptarë nuk duan ligjin ose janë anarkistë, por sepse për qeveritarët dhe zyrtarët aktualë ligji nuk ekziston.

Barazia para ligjit, sundimi i ligjit, Shqipëria nën ligj është zotimi ynë solemn para këtij Parlamenti. Rivendosjen e shtetit ligjor ne do ta nisim nga Kryeministri, ministrat, zyrtarët e lartë dhe familjarët e tyre të cilët njëlloj si të  gjithë të tjerët do të bëhen përgjegjës për çdo shkelje të tij. Në rivendosjen e shtetit ligjor në Shqipëri përparësitë dhe sfidat tona më madhore janë:

legalizimi i banesave dhe administrimi i territorit;

lufta kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal;

zbatimi me rigorozitet dhe në kohë i të gjitha vendimeve të gjykatave, urdhrave dhe vendimeve të institucioneve, ndëshkimi me rreptësi i shkelësve të ligjit pa asnjë dallim.

 Jam i bindur se të gjitha këto do të kontribuojnë në rivendosjen me shpejtësi të shtetit ligjor në Shqipëri.

Zonja dhe zotërinj deputetë, më 3 korrik qytetarët shqiptarë votuan ndryshimin, votuan qeverisjen e shërbimit dhe shërbesave të tyre jetike, qeverisjen me duar të pastra. Për Shqipërinë dhe qytetarët e saj jetike dhe vendimtare është lufta kundër korrrupsionit, që është shndërruar në sistem, në kancer të vërtetë. Ky sistem përvetëson e shpërdoron mbi 60% të taksave dhe të tatimeve, që paguajnë qytetarët. Këta përbindësha ekonomikë, që shkatërrojnë mbi qindra e mijëra vende pune, kanë vendosur monopolet, detyrojmë qytetarët shqiptarë që për të siguruar të drejtat e tyre t’i paguajnë një ryshfet prej 1.4 miliardë dollarë në vit, pra rreth 466 dollarë për frymë, katër herë më shumë se në Rusi, marrin çdo ditë e më shumë në dorë vendimmarrjen e shtetit, gjenerojnë çdo ditë varfëri, mjerim, anafalbetizëm, sëmundje dhe vdekje. Nga  viti  1996 e deri më sot korrupsioni pësoi një rritje prej 400%. Çmontimi  i tij me forcën e hekurt të ligjit dhe me shpejtësi është shërbimi i parë madhor, që mund dhe duhet t’u bëjmë aktualisht shqiptarëve dhe kushti më përcaktues për t’i shkëputur ata nga varfëria e mjerimi, për të ecur në rrugën e sigurtë të integrimit të vendit në Bashkimin Europian dhe NATO. Korrupsioni në Shqipëri nga një fenomen që ekziston kudo u shndërrua në një sistem, sepse lufta kundër tij u zëvendësua me garën e qeveritarëve dhe zyrtarëve për t’u pasuruar  në mënyrë të paligjshme. Në funksion të kësaj gare të çmendur, Qeveria dhe administrata, doganat e tatimet u ndërtuan mbi bazën e konfliktit të interesit, ligjet e vendimet u miratuan në funksion të saj. Në fushatën elektorale të zgjedhjeve të 3 korrikut u përballën dy linja themelore, ajo e ndryshimit, pra e antikorrupsionit dhe ajo e të shkuarës e vitit 97’.

Shqiptarët votuan të parën, votuan Qeverinë e duarve të pastra ndaj edhe ne zotohemi në këtë Parlament se betejën kundër korrupsionit do ta nisim nga kryeministri, ministrat e tij për të zbritur në të gjitha nivelet dhe për t’u shtrirë në të gjitha pushtetet. Në projektin tonë të ndryshimit, çmontimi i sistemit të korrupsionit dhe lufta kundër tij bazohet në ndërtimin e  Qeverisë dhe administratës, jashtë çdo konflikti interesi. Kam kënaqësinë t’ju informoj se ministrat që paraqes para jush, përveç njërit që do ta zgjidhë këto ditë, nuk kanë konflikt interesi,  sipas amendimit që do t’i bëjmë ligjit. Po kështu deputetët e maxhorancës heqin dorë kolektivisht nga imuniteti lidhur me veprën penale të korrupsionit dhe krimit ordiner. Brenda 60 ditëve të para ne do të analizojmë dhe do të amendojmë ligjet e prokurimeve publike dhe të koncensioneve, për të mundësuar kontrollin dhe transparencën e plotë të prokurimeve publike nga shoqëria civile dhe media, do të ngrihet ombutsmeni  i prokurimeve i drejtuar nga personalitete të kësaj shoqërie. Ne do të vendosim transparencë të plotë në të gjitha prokurimet dhe shpenzimet buxhetore.

Për të zbatuar strategjinë e parandalimit të korrupsionit dhe forcimin e luftës kundër tij, Këshilli i Ministrave do të krijojë një Task- Force  të krijuar nga Kryeministri dhe maxhoranca, do të inkurajojë intensifikimin e kontrollit parlamentar për të gjitha shpenzimet publike. Kontrolli i brendshëm do të fuqizohet, kompetencat dhe fuqitë e tij do të zgjerohen, do të inkurajohet denoncimi i akteve të korrupsionit nga qytetarë dhe përfitimi nga ana e tyre i një përqindjeje i vlerës së  dëmit të parandaluar. Dënimi për veprën penale do të rëndohet.

 Zonja dhe zotërinj,

Më 3 korrik qytetarët shqiptarë votuan ndryshimin, votuan për sigurinë e jetës, pronës, veprimtarisë së tyre. Shqipëria sot është vendi i krimit të organizuar, i trafiqeve kriminale më të rrezikshme në Europë, i cili ka kapur shtetin vendmmarrjen e tij, me fjalë të tjera fatin e qytetarëve, fëmijëve dhe pasurive të tyre dhe kjo, para së gjithash, sepse ai është i lidhur kokë e këmbë me politikanët, qeveritarët dhe zyrtarët. Këto 8 vjet krimi i organizuar në Shqipëri u rrit fuqishëm çdo ditë. Ai erdhi me dhunë në pushtet në vitin 1997 dhe sot ai bën ligjin dhe kjo vetëm e vetëm për shkak të lidhjeve të tij me politikën dhe lidhjeve të tij me imunitetin.

Prandaj çështja e krimit dhe e luftës kundër tij është betejë për jetën, pronën, mirëqenien, ivnvestimin, të ardhmen e qytetarëve shqiptarë dhe fëmijëve të tyre, integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe NATO, si dhe luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, këtij armiku të egër, të paqes e lirisë së popujve të lirë.

Në projektin tonë të ndryshimit garantimi i rendit dhe i sigurisë publike nën moton “Zero tolerancë ndaj krimit”, përbën objektivin kryesor. Lufta kundër krimit të organizuar do të ketë sukses vetëm në rast se fillon me ndërprerjen me gërshërën e ligjit të lidhjeve të tij me politikën, prandaj edhe unë deklaroj sot se do të bëj çdo përpjekje për të përballur me ligjin të gjitha ata që përdorin krimin në shërbim të politikës apo përdorin këtë të fundit në mbrojtje të krimit. Zero tolerancë kaskave mafioze dhe tutorëve të tyre në politikë, nxjerrja e tyre nga çdo strofull, ku fshihen dhe ndëshkim ligjor shembullor, është qëndrimi ynë. Lufta kundër krimit të organizuar do të orientohet kundër trafiqeve kriminale, kontrabandës, larjes së parave, luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar si një detyrim madhor për paqen dhe sigurinë në vend e më gjerë.

Për të realizuar këtë objektiv institucionet e luftës dhe të parandalimit të krimit do t’i nënshtrohen reformave të domosdoshme dhe të thella.

Nga forcat e rendit do të largohen elementët e inkriminuar. Reforma e forcave të rendit do të konsistojë në rritjen e aftësive profesionale, kualifikimin, modernizimin, rishpërndarjen, thellimin e bashkëpunimit të tyre me komunitetin dhe sipas rajoneve ato do të vendosen nën autoritetin civil, nën modelin e vendeve demokratike. Do të forcojmë bashkëpunimin e ngushtë me partnerë dhe agjencitë homologe rajonale dhe më gjerë. Paketa ligjore, anulimi i së cilës u bë në janar të vitit 1998 dhe që e shndërroi Shqipërinë në parajsën e trafiqeve, do të rikthehet në fuqi dhe largimi prej saj i elementëve të inkriminuar. Rritja e sigurisë rrugore nëpërmjet modernizimit të kontrollit të trafikut dhe masave të tjera, me qëllim uljen e aksidenteve rrugore, që sot janë me insidencën më të lartë në Europë është një objektiv tjetër madhor i Qeverisë sonë.

Shqipëria sot është shndërruar në vendin kryesor të trafiqeve kriminale në rajon dhe në Europë. Qeveria angazhohet për një strategji antitrafik, në të cilën kontrolli rigoroz i kufijve me mjete më moderne, ndëshkimi i trafikantëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, ndëshkimi i kultivuesve të bimëve narkotike, por edhe i autoriteteve lokale që mbyllin sytë para kultivuesve të tyre, do të jenë disa nga përparësitë tona në luftën antitrafik. Shqipëria mjerisht është vend eksportues i rëndësishëm i vajzave të reja dhe fëmijëve në Europë dhe kjo, më duhet të deklaroj, se përbën një krim të shëmtuar  që në Kodin tonë Penal që do ta barazojmë me penalitetin e krimit kundër njerëzimit për autorët dhe bashkëpunëtorët. Nga ana tjetër komuniteti dhe autoritetet vendore me mbështetjen e Qeverisë do të bëjnë çdo përpjekje për të mbrojtur vajzat dhe fëmijët shqiptarë.

Kontrolli i kufijve është sot i lidhur pazgjidhshmërisht me luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. Në këtë kontekst krahas këtij kontrolli është i domosdoshëm të vendoset një bashkëpunim i ngushtë intensiv me të gjitha vendet partnere, por edhe me agjencitë ndërkombëtare, që merren me luftën kundër terrorizmit.

Zonja dhe zotërinj,

Sot rreth 60 për qind e qytetarëve shqiptarë jetojnë në mjerim e varfëri dhe rreth saj, pra jetojnë në skëterrë ose buzë saj, në ferrin më të keq të njeriut të gjallë. Në Shqipëri sot rreth 40 për qind e qytetarëve janë të papunë, një përqindje e e madhe e tyre marrin ushqimin me listë, shpenzimet sociale janë sa gjysma e mesatares së vendeve ballkanike, shpërndarja e të ardhurave është me keqja në Europë. Rritja ekonomike prej 6 për qind përfitohet kryesisht nga një grup i vogël oligarkësh monopolistësh dhe në një përqindje të madhe i detyrohet remitencave të emigrantëve dhe drogës.

 Prandaj dhe rritja e mirëqenies së individit dhe familjes shqiptare nëpërmjet vendosjes së Shqipërisë në orbitën e zhvillimit të shpejtë e të qëndrueshëm, rikthimin në nivele të larta të rritjes ekonomike rreth 8 për qind në vit bazuar në një ekonomi të lirë tregu të modelit europian me një shpërndarje sa më të drejtë të të ardhurave për qytetarët shqiptarë, zvogëlimi i shpejtë i varfërisë dhe i papunësisë në nivelin mesatar të vendeve të zhvilluara, si dhe indeksit të zhvillimit të vendit drejt afrimit me shpejtësi me mesataren e vendeve të tjera europiane përbën objektivin më themelor të projektit të ndryshimit të mazhorancës së re.

Realizimin e këtij objektivi, Partia Demokratike e bazon në nismën e lirë, hapjen e tregut, liberalizimin e ekonomisë, konkurrencën e lirë e të ndershme dhe garantimin e saj nëpërmjet reformave institucionale dhe legjislacionit të përshtatshëm dhe shkatërrimin e monopoleve.

Qeveria do të ndërmarrë përmirësime ligjore dhe institucionale për:

 Garantimin e të drejtave të pronësisë përfshirë pronësinë intelektuale për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit thjeshtimin e pengesave burokratike për nisjen dhe kryerjen e bizneseve, krijimin e bankës së të dhënave për të ndihmuar dhe lehtësuar funksionimin e tregjeve, reformimin  dhe rritjen e eficencës së enteve rregullatore;

Integrimin në një autoritet të vetëm të enteve të ndryshme të rregullimit dhe mbikëqyrjes të sektorit financiar;

Zhvillimin e partneritetit publik, privat bazuar në rregullat e tregut të lirë dhe konkurrencës së ndershme, duke rritur maksimalisht shkallën dhe llojshmërinë e tyre, zhvillimin e tregut bankar dhe financiar në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, rritjen rreth tre, katër herë të nivelit të kreditit dhe mikrokredisë për të gjithë në të gjithë vendin, fuqizimin e autoritetit të luftës për pastrimin e parave;

Privatizimin e plotë të sektorëve strategjikë duke përfshirë këtu edhe përdorimin e letrave me vlerë të qytetarëve shqiptarë;

Funksionimin e tregut të kapitaleve nëpërmjet aktivizimit të bursës së Tiranës si institucion privat;

Garantimin nëpërmjet nismave ligjore e institucionale të konkurrencës së lirë dhe funksionimit  transparent e të ndershëm të tregut të sigurimeve;

Luftën e pandërprerë kundër informalitetit;

Garantimin e stabilitetit makro-ekonomik;

Forcimin e disiplinës fiskale dhe reformës së thellë të sistemit fiskal, përgjysmimin e taksave të biznesit të vogël, uljen progresive e tvsh-së fillimisht në 17 për qind dhe për disa zëra të veçantë në 6 për qind; uljen me 33 për qind në tërësi të barrës fiskale krahasur me nivelin aktual të saj;

Thjeshtimin e sistemit tatimor dhe unifikimin e tatimeve dhe doganave në një institucion;

Dyfishimin e investimeve publike me burime të brendshme;

Krijimin e parqeve industriale dhe shndërrimin e Shqipërisë në vendin më tërheqës për investime të huaja;

Krijimin e një mjedisi miqësor proeksport;

Zhvillimin e infrastrukturës së transportit rrugor, ajror dhe detar, me përparësi autostradat Durrës-Prishtinë, Tiranë-Memaliaj dhe Lushnjë-Vlorë; garantimin e furnizimit me energji elektrike brenda vitit 2008 nëpërmjet integrimit në tregun rajonal dhe ndërtimit të burimeve të reja;

Sigurimin e ujit të pijshëm nëpërmjet decentralizimit, komercializimit dhe privatizimit, realizimi i këtij objektivi brenda vitit 2006 për qytetet dhe zonat turistike;

Zhvillimin dhe liberalizimin më tej të tregut të telekomunikacioneve e teknologjive të informimit.

Zonja dhe zotërinj,

Për realizimin e objektivit tonë më madhor të rritjes së mirëqenies dhe punësimit të qytetarëve shqiptarë, në projektin tonë të ndryshimit, Qeveria vlerëson si fusha prioritare që do të mundësojnë zhvillimin e shpejtë, të qëndrueshëm dhe ekonomik të vendit: turizmin, bujqësinë, agrobiznesin dhe eksportet. Të trija këto fusha duke u zhvilluar së bashku rrisin kompetivitetin e ekonomisë nëpërmjet gërshetimit të nismës dhe energjisë krijuese, kapitaleve dhe traditës shqiptare me investime dhe në  know how e huaj. Zhvillimet në këto fusha do të mbështeten nga programi tërësor i Qeverisë, si edhe nga programe të caktuara specifike. Zhvillimi i turizimit të qëndrueshëm dhe harmonik duke ruajtur dhe zhvilluar trashëgiminë kulturore dhe natyrore është objektivi parësor i Qeverisë sonë. Për këtë qëllim zhvillimi i tij do të mbështetet në plane rregulluese dhe programore, që stimulojnë veprimtaritë private shqiptare dhe të huaja, mbrojnë mjedisin, shfrytëzojnë trashëgiminë e madhe kulturore.

Për të dyfishuar numrin e turistëve ne angazhohemi për ngritjen e infrastukturës me përparësi në qendrat dhe qytetet turistike të vendit, fushatë ndërkombëtare për marketingun, promovimin e tij dhe kredi për turizmin familjar.

Shndërrimi i fermave private në njësi biznesi fitimprurës, zhvillimi i agrobiznesit është një përparësi tjetër madhore e zhvillimit ekonomik të vendit.

Për të realizuar këtë objektiv Qeveria do të përfundojë:

Procesin e garantimit të të drejtës së pronësisë mbi tokën dhe regjistrimin e saj, duke mundësuar kështu tregun e tokës, natyrisht pa ndryshuar ligjin nr.7501. Krahas kësaj do të rriten investimet në kullimin, vaditjen dhe mbrojtjen e tokës.

Do të stimulohet agrobiznesi dhe zhvillimi i tij me lehtësira fiskale. Nafta do të shitet me 40 lekë litri për të gjithë përdoruesit bujqësorë;

Sistemi i kreditimit do të shtrihet në mbarë vendin; si dhe do të ngrihet një rrjet i tërë shkollash të arsimit bujqësor.

Një prioritet tjetër madhor ekonomik do të jenë eksportet dhe rritja e pandërprerë e tyre si treguesi më i mirë i zhvillimit ekonomik të vendit.

Për të favorizuar zhvillimin e eksporteve Qeveria do të ngrejë të gjithë infrastrukturën institucionale për fuqizimin e institucioneve mbështetëse të informacionit, të certifikimit, të kontrollit të cilësisë dhe të standardeve, të orientojë diplomacinë shqiptare në shërbim të eksporteve shqiptare, të tregjeve, për prodhimet shqiptare, për lehtësime të mëdha fiskale për firmat eksportuese; përparësi dhe nxitje investimeve të huaja dhe të vendit me qëllim eksportin, krijimin e parqeve industriale dhe zgjerimin e praktikave duty free për eksportet.

Zonja dhe zotërinj,

Në projektin e ndryshimit të maxhorancës së re, zhvillimi integrues e harmonik, urban rural dhe mbrojtja e mjedisit është një përparësi madhore e bazuar në një vizion, që siguron zhvillimin integral të hapësirës urbane dhe rurale, si dhe mbrojtjen e mjedisit. Për këtë qëllim Qeveria angazhohet për zhvillimin rural të integruar, përfshi edhe zonat malore, duke u bazuar në një zhvillim të larmishëm bujqësor dhe jo bujqësor;

Zhvillimin e infrastrukturës, shërbimeve sociale, furnizimin me ujë e energji në zonat rurale;

Mbrojtjen e tokës nga erozioni, betonimi, rritja e përdorimit të burimeve natyrore nga komuniteti në këto zona;

Decentralizimin dhe mbështetjen e bashkëpunimit ndërkomunar dhe rajonal, fuqizimin e institucioneve të mbështetjes së zhvillimit rural.

 Zhvillimi urban do të mbështetet në zhvillimin harmonik e të qëndrueshëm, kombinuar me përdorimin racional të territorit urban, zhvillimin e teknologjisë urbane, forcimin e kulturës urbane, studimet afatgjata dhe planet urbanistike vizionare, legalizimin brenda vitit 2006 të të gjitha ndërtimeve ekstralegale dhe shtesave, sipas skemave tashmë të shpallura. Një pagesë simbolike prej 100-400 mijë lekësh për ndërtimet periferike, katër për qind për shtesat e pallateve, krijimin me këto të fondit të urbanizimit dhe regjistrimi i tyre si pasuri legjitime, kompensimi i të gjitha trojeve nga Qeveria pronarëve të mëparshëm. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të tij bazuar në parimin “Mjedisi është jeta, ndotësi, dëmtuesi duhet ndëshkuar, mjedisi duhet të zhvillohet”.

Zonja dhe zotërinj,

Qeveria e ndryshimit, të shërbimit të qytetarëve dhe në përputhje me moton e saj “I pari qytetari” ka përzgjedhur si fytyrë të programit të saj fytyrën e pastër të qytetarit shqiptar, kurse për zemër të këtij programi do të ketë zemrën e dhimbshme të tij, prandaj edhe shteti social është jo vetëm premtimi, por edhe detyrimi ynë madhor, moral e ligjor.

Në këtë kuadër dua të deklaroj se i pari i të parëve do të jetë i papuni, i urituri, fëmija, i sëmuri, i pamunduri, i pastrehi. Pikërisht për këtë arsye kemi deklaruar punësimin e qytetarëve shqiptarë, Shqipërinë në punë dhe vlerësimin e punës si kalin e betejës, qëllimin më madhor të qeverisjes sonë.

Punësimin me shpejtësi të shqiptarëve ne do ta bazojmë në realizimin me shpejtësi të programit ekonomik, që paraqitëm në këtë Kuvend, kontratë e veçantë me çdo punëdhënës, duke i garantuar lehtësi fiskale dhe akorduar një prim për çdo të punësuar, kualifikim të të rinjve, orientim drejt tregut të të gjithë sistemit arsimor dhe kredi për biznese të vogla për qytetarët. Ne jemi zotuar të vlerësojmë punën, prandaj kemi vendosur të dyfishojmë gjatë këtyre katër vjetëve rrogat e ulëta dhe pensionet, të ngushtojmë në 1 me 5 diferencën midis rrogave të ulëta  dhe rrogave të mesme, por edhe të shpërblejmë ose të vendosim meritën në themel të shpërblimit.

Në qendër të vëmendjes së politikës sonë sociale do të jenë fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë. Ndryshim rrënjësor do të pësojë këto katër vjet qëndrimi ndaj tyre nën moton “Asnjë fëmijë nuk do të braktiset”. Qeveria do të hartojë programe të veçanta për mbrojtjen e garantimin e të drejtave të fëmijëve në tërësi, fëmijëve jetimë ose atyre që jetojnë me një prind në veçanti. Të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë, katalizatorët e vërtetë të ndryshimit historik të 3 korrikut do të jenë fokusi kryesor i Qeverisë së Koalicionit. Qeveria do të hartojë një program kombëtar jo vetëm për zhvillimin e tyre, por edhe për punësimin, zbavitjen, dëfrimin, formimin e tyre të gjithanshëm. Shqipëria, shtëpia e ëndrrës së tyre rinore do të jetë motoja e qeverisjes sonë.

Kultura, si thelbi i identitetit tonë kombëtar dhe sporti simboli i shkëlqyer i përgatitjes dhe suksesit të njeriut, nëpërmjet reformave do të arrijmë që të njohin zhvillime dhe nivele të reja të rolit të tyre në jetën e vendit dhe përfaqësimit të tij.

Politika sociale dhe programe të veçanta do të hartohen për aftësimin, shkollimin, punësimin e personave me aftësi të kufizuara, jetimët, nënat kryefamiljare, minorenët, gratë, vajzat viktima të dhunës dhe të trafikut, të intoksikuarit nga narkotikët.

Qeveria angazhohet për një politikë aktive strehimi. Për këtë qëllim do të investojë ngritjen e 4000 apartamenteve që do t’u shpërndahen familjeve më në nevojë. Të përndjekurit politikë do të dëmshpërblehen sipas Kodit Penal dhe do të hartohen programe për arsimimin, punësimin dhe strehimin e tyre. Veteranët, në përputhje me statusin, do të gëzojnë mbështetjen e gjithanshme të Qeverisë.

Emigrantët shqiptarë dhe diaspora do të jenë në epiqendër të interesit, mbështetjes, mbrojtjes dhe garantimit të të drejtave të tyre në vendet ku jetojnë dhe në Shqipëri. Një kuadër i tërë ligjor dhe institucional do të ngrihet për të garantuar të drejtën e votës, për të lehtësuar të gjitha burokracitë konsullore dhe ndihmesë për të ruajtur identitetin e tyre aty ku janë, përjashtim tre vjet nga taksat për investimet e tyre në biznesin e vogël, zbritje e butë në dheun e tyre dhe pjesëmarrje aktive për të gjithë ata që duan të kthehen për të ndryshuar Shqipërinë.

Zonja dhe zotërinj,

Më 3 korrik shqiptarët votuan për kthimin në realitet të ëndrrës së tyre më të bukur, të ngrirë për fat të keq nga sistemi i korrupsionit, votuan për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe NATO. Unë besoj se integrimi në Bashkimin Europian dhe në NATO është interesi jetik i çdo qytetari që dëshiron që vetë dhe fëmijët e tij të lëvizin lirshëm me pasaportë europiane në hapësirën e Bashkimit Europian, por po ky është edhe interesi kombëtar i shqiptarëve. Shqipëria, duke fituar të drejtën e votës në Bashkimin Europian dhe në NATO fiton edhe rolin më të madh në të tërë historinë e saj. Në të vërtetë Brukseli i ka pasur dhe vazhdon t’i ketë të hapura dyert për Shqipërinë, por mbas dere kemi mbetur për shkak të mureve të korrupsionit, krimit të organizuar, varfërisë, bllokimit të rotacionit dhe mungesës së zgjedhjeve të lira. Prandaj dhe zotohemi që nëpërmjet reformave të gjithanshme politike, institucionale, ekonomike, sociale e ushtarake, reforma që kanë si qëllim madhor t’i bëjnë shqiptarët më të lirë, më të ditur, më të mëkëmbur, më dinjitozë e më të fortë, të gjitha të parashikuara në këtë program, të përmbushim me dinjitet kriteret dhe standardet, që kërkohen dhe të shndërrojmë në realitet ëndrrën e bukur kombëtare.

Ne angazhohemi që brenda këtij mandati të nëshkruajmë marrëveshjen e stabilizim-asocimit gjatë vitit të ardhshëm dhe anëtarësimit në NATO gjer në fund të tij. Për këtë qëllim ne zotohemi t’i intensifikojmë bashkëpunimet me të gjitha vendet anëtare të NATO-s, të modernizojmë dhe reformojmë ushtrinë tonë në përputhje me këto kritere, sikundër të plotësojmë të gjitha standardet demokratike të domosdoshme për të merituar anëtarësinë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Zonja dhe zotërinj,

Sot në Shqipëri gjenden dhe bashkëpunojnë në qindra e qindra projekte përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, si: institucioni  Breton Wood, Organizata e Kombeve të Bashkuara, Komisioni Europian, OSBE, Këshilli  Europës, agjenci të shumta të vendeve mike, si: Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Italisë, Gjermanisë, Britanisë, Francës, Austrisë, Holandës, Greqisë, Zvicrës, Danimarkës, Suedisë, Norvergjisë, Belgjikës, Japonisë dhe vendeve të tjera. Këto agjenci i kanë dhënë dhe i japin një ndihmë të jashtëzakonshme teknike, financiare, materiale dhe të gjithanshme Shqipërisë, për të cilën fatkeqësisht qytetarët shqiptarë nuk janë edhe aq të informuar.

Unë, duke shprehur mirënjohjen time më të thellë ndaj të gjithë këtyre donatorëve për kontributet e tyre, dua t’i siguroj se Qeveria e Koalicionit, që unë kryesoj, do të bashkëpunojë në të ardhmen  shumë ngushtë me to dhe do të informojë me korrektesë publikun shqiptar për ndihmën dhe bujarinë tuaj, sikundër do të përsosë koordinimin e këtij bashkëpunimi.

Zonja dhe zotërinj,

Qeveria e shërbimit dhe e shërbesave ndaj qytetarëve është e vendosur që politika e saj e jashtme të vihet në shërbim të interesave të qytetarëve, të shoqërisë dhe kombit shqiptar, pra një politikë që synon rritjen e rolit të Shqipërisë duke zgjeruar dhe konsoliduar bashkëpunimin miqësor të gjithanshëm bilateral dhe multilateral të Shqipërisë me vendet e rajonit, vendet anëtare të Bashkimit Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e tjera mike, institucionet ndërkombëtare, mbrojtjen në përputhje me konventat ndërkombëtare të të drejtave dhe interesave të qytetarëve shqiptarë.

Ne jemi të vendosur të bashkëpunojmë ngushtë dhe në frymë miqësore me të gjitha vendet e rajonit: Maqedoninë, Kosovën, Kroacinë, Bosnje-Hercegovinën, Serbinë, Malin e Zi, vendet e tjera mike: Bullgarinë, Rumaninë, Hungarinë, Slloveninë. Për ne një rëndësi të veçantë dhe dimensione të reja miqësore do të njohin marrëdhëniet me Greqinë dhe Italinë, vende të zhvilluara këto, anëtare të Bashkimit Europian dhe NATO-s, ku jetojnë rreth 1 milion shqiptarë. Marrëdhëniet me Turqinë, miken tradicionale të vendit tonë, do të ridimensionohen në të gjitha fushat.

Politika jonë e jashtme do të ketë si objektiv kryesor integrimin e vendit në Bashkimin Europian dhe në NATO dhe shndërrimin sa më shpejtë në realitet të ëndrrës sonë europiane, ndaj edhe marrëdhëniet me të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe në veçanti me vendet e mëdha si Gjermania, për të cilën Shqipëria është vendi i parë i ndihmës për frymë, Franca, Britania, Italia dhe Austria, kjo mike e përhershme e shqiptarëve, janë një përparësi e madhe.

Për Qeverinë tonë marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin tonë strategjik kryesor, janë një prioritet i madh. Historia e ka përcaktuar këtë. Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve një mbështetje tejet të çmuar dhe kanë qenë përcaktuese në udhëheqjen e Aleancës së Atlantikut të Veriut në çlirimin e Kosovës, paqen dhe stabilitetin në rajon.

Ne kemi votuar si opozitë në Parlament vendimet e drejta të Qeverisë për t’u anagazhuar në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar në Afganistan dhe Irak dhe deklaroj këtu se si Qeveri, ne vazhdojmë të qëndrojmë krahas tyre dhe në rast nevoje të rrisim praninë me trupa në koalicionin antiterror.

Një vëmendje të veçantë ne do t’i kushtojmë marrëdhënieve me vendet e tjera të mëdha, si: Japonia, Kina, India etj.

Viti 2005 duket të jetë një vit përcaktues për shqiptarët në Shqipëri. Ai në Shqipëri solli rotacionin. Në Kosovë do të përcaktojë hapjen e negociatave për statusin e saj përfundimtar. Ne e konsiderojmë përcaktimin e statusit të Kosovës në përputhje me vullnetin e qytetarëve të saj dhe në bashkëpunim të ngushtë të autoriteteve vendore dhe grupit të kontaktit, duke mos ndryshuar kufijtë aktualë ndërkombëtarë të Ballkanit, përfshi këtu edhe kufijtë ndërkombëtarë të Kosovës si përcaktues për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Qeveria e Koalicionit insiston se respektimi i lirive dhe të drejtave të serbëve dhe minoriteteve të tjera në Kosovë është interesi jetik i shqiptarëve, kusht përcaktues për paqen, stabilitetin dhe integrimin euroatlantik të Kosovës. Qeveria beson se dialogu, bashkëpunimi miqësor midis Prishtinës dhe Beogradit është kusht për të ardhmen e përbashkët europiane të këtyre dy vendeve.

Zonja dhe zotërinj,

Qytetarët shqiptarë më 3 korrik votuan ndryshimin, sepse ata donin që me projektin e tij Shqipëria e papunësisë, pasigurisë, varfërisë, korrupsionit, babëzisë, urisë, listave, errësirës, zhgënjimit, dëshpërimit, imazhit të nxirë të zëvendësohet me Shqipërinë e zgjedhjeve të lira, të punës, sigurisë, tregut të lirë, shkollave, spitaleve e infrastrukturës moderne, shtëpinë e shpresës për të gjithë për të ndërtuar këtu të ardhmen europiane për vete dhe fëmijët e tyre, duke realizuar kështu ëndrrën më të bukur të tyre.

Unë dhe Qeveria që kryesoj sot jemi këtu, së bashku me qytetarët shqiptarë, garantë dhe zbatues rigorozë të këtij projekti, ndaj ju ftoj, të nderuar deputetë, të shfrytëzoni shansin e madh që me mirëkuptimin, konsensusin, përkushtimin të bëheni promotorë të fuqishëm të këtij ndryshimi historik.

Falemnderit!

Jozefina Topalli – Falemnderit, zoti Kryeministër për paraqitjen e programit të periudhës së qeverisjes suaj 2005-2009!

Siç ramë dakord dhe siç e theksuam edhe në fillim në paraqitjen e rendit të ditës, ka një gjysmë orë kohë për paraqitjen e pyetjeve nga grupet e ndryshme parlamentare. Besoj se një orë do të jetë e mjaftueshme për Qeverinë e re për t’u përgatitur dhe për të filluar përgjigjen e pyetjeve. Në orën 20.00 hapim sërish seancën për të filluar debatin, ndërkohë që emrat janë depozituar.

Seanca mbyllet për t’u rihapur në orën 20.00.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi