Reforma në drejtësi, garanci për shtetin

Nga Raimond Todhe, botuar në BallkanWeb, 28 gusht 2015
0897f112526562e046f3c9e05e53f9c8_400x400Është një realitet i hidhur dhe i pranuar brenda dhe jashtë vendit tonë, që në Shqipëri funksionon një sistem drejtësie i korruptuar dhe joprofesional.
Natyrshëm, zhvillimi demokratik i vendit tonë, përmirësimi dhe afrimi në vazhdimësi i legjislacionit të vendit tonë me atë të Komunitetit Europian, shumë shpejt do të nxirrte në pah një sistem drejtësie dekadent, të korruptuar dhe joprofesional për t’iu përgjigjur kërkesave të kohës në mbrojtje të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, duke ndëshkuar krimin dhe garantuar një proces të paanshëm dhe të drejtë të palëve ndërgjyqëse në proces penal apo civil.
Ndodhur përpara këtij fakti plotësisht të provueshëm, institucioni më i lartë dhe përgjegjës për veprimtarinë dhe garantimin e një sistemi të aftë dhe të ndershëm të drejtësisë, është Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
Çdo anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, përpara fakteve të konstatuara nga të gjithë organizmat ndërkombëtarë, si dhe i pranuar nga të gjithë aktorët politikë të këtij vendi, nëse do të kishin integritet dhe do të ndjenin përgjegjësi për punën e tyre, e cila paguhet nga taksat e qytetarëve, do të duhej menjëherë të jepte dorëheqjen.
Reagimi me papërgjegjshmëri i disa anëtarëve të KLD-së dhe insistimi për të mbrojtur, në emër të pavarësisë së pushtetit të drejtësisë, këtë situatë të papranueshme të veprimtarisë së gjykatave në ushtrimin e detyrës për të dhënë dhe garantuar drejtësi, tregon faktin e frikës së shembjes së këtij “pushteti” të drejtësisë të ngritur mbi baza nepotizmi paaftësie dhe korruptiviteti, i mbrojtur në veprimtarinë e tij, pikërisht nga kjo KLD e cila në vetvete është ndërtuar mbi preferenca politike, nepotike dhe paaftësie.
Nga të gjithë organizmat ndërkombëtarë, nga përfaqësuesit e ambasadave të shteteve demokratike mike të vendit tonë, fakt i pakontestueshëm dhe i pranuar formalisht edhe nga politikanët e të gjitha ngjyrave, është mosfunksionimi i pushtetit gjyqësor në Shqipëri.
Pushteti gjyqësor është gur themeli dhe garant i ekzistencës së shtetit të së drejtës, është garant i funksionimit të parimit të barazisë të shtetasve përpara ligjit, është garant i funksionimit të Kushtetutës.
Një shtet demokratik mbështetet në tri shtylla të pushteteve të pavarura, dhe në bashkëveprim me njëri-tjetrin, duke ruajtur kurdoherë pavarësinë në interes të demokracisë dhe progresit.
Në vendin tonë shteti është pseudodemokratik dhe çalaman, për faktin e mosekzistencës së shtyllës së pushtetit gjyqësor, pushtet i cili ka qenë inekzistent, sepse nuk ka qenë i pavarur, por i emëruar në shërbim të pushtetarëve dhe jo garanci për qytetarët në përballje me shtetin.
Reforma e pretenduar prej tyre, është një garanci më tej që nuk do të ketë drejtësi në vendin tonë. Nuk mundet të bëjnë reformë ata të cilët janë munduar dhe mundohen me çdo kusht të ruajnë të pacenuar mediokritetin e sistemit gjyqësor.
Për të ngritur shtyllën e pushtetit gjyqësor nuk mjafton thjesht reformë, por duhet të vendoset mirë guri i parë i themelit, i cili duhet të jetë i latuar, për të garantuar qëndresën në kohë të gurëve tw tjerë.
Për të arritur këtë, mendoj që ky pushtet i takon popullit, duhet të jetë në shërbim të tij, dhe duhet të lindë nga vullneti i tij, jashtë çdo implikimi të politikës.
Mosfunksionimi i një pushteti gjyqësor të pavarur dhe të drejtë, ka cenuar progresin e shoqërisë, ka vonuar përparimin dhe integrimin e vendit tonë përkrah shoqërive të përparuara demokratike, ka frenuar investitorët e huaj, ka sabotuar aspiratat e popullit për ndërtimin e një shoqërie demokratike, sepse çdo vendim abuziv i gjykatave është kamufluar dhe justifikuar kurdoherë nën petkun e pavarësisë së pushtetit gjyqësor.
Ekzistenca dhe funksionimi në mënyrë të pavarur i pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor garanton veprimtarinë e shtetit të së drejtës.
Mungesa e pavarësisë së pushtetit gjyqësor, në vendin tonë, në këto vite ka cenuar liritë dhe të drejtat e qytetarit të sanksionuara në Kushtetutë, ka cenuar rendin demokratik, duke instaluar ngadalë një sistem autokratik të korruptuar dhe arrogant.
Reforma në sistemin e drejtësisë nuk mund të jetë privilegj i politikës, por kërkon domosdoshmërisht pjesëmarrje gjithëpërfshirëse, për faktin e thjeshtë se, një pushtet gjyqësor i pavarur është burim i drejtpërdrejtë i popullit sovran, si janë të gjitha pushtetet. Nuk mund të ketë dallim ndërmjet pushtetit parlamentar, ekzekutiv dhe atij gjyqësor.
Pushtet i pavarur gjyqësor do të thotë vullnet i drejtpërdrejtë i popullit i shprehur në zgjedhjen e gjyqtarëve, në të kundërt, çdo arnim i së ashtuquajturës “reformë në drejtësi” do të ishte fiasko dhe vonesë në realizimin e aspiratave të qytetarëve për ndërtim të shtetit ligjor dhe anëtarësimin në familjen e madhe europiane.
Paaftësia dhe korruptiviteti në sistemin gjyqësor është rrjedhojë e padënueshmërisë, për faje tw kryera me dashje të kësaj pjese të përzgjedhur të juristëve, të cilët paguhen pikërisht nga taksapaguesit shqiptarë për të dhënë drejtësi.
Pikërisht për këto arsye, emërimi i anëtarëve pranë KLD-sw dhe funksionimi i këtij institucioni merr një rëndësi të veçantë dhe prioritar, në fillimin e një lufte pa kompromis të forcave progresive ndaj atyre regresive, të drejtësisë ndaj mediokritetit dhe abuzivitetit, për të vendosur gurin e themelit të një shteti demokratik ligjor.
Lehtësisht, institucioni i KLD-sw ka pasur mundësinë të verifikonte Vendimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, që kanë prishur deri më tani dhjetëra Vendime dhënë nga gjyqtarë tw gjykatave shqiptare të të gjitha niveleve, të cilët nën mbrojtjen e institucionit të KLD-sw promovohen, ndërsa gjobën e paguajnë taksapaguesit shqiptarë.
Jashtë koniunkturave politike, mendoj se është në interesin mbarëkombëtar hartimi dhe miratimi i një ligji të veçantë për emërimin dhe funksionimin e institucionit të KLD-së, duke emëruar në këtë institucion personalitete të shquara në jurisprudencë dhe jo vetëm, por dhe jashtë sistemit gjyqësor, me moshë mbi 60 vjeç, bazë e emërimit të të cilëve të jenë ndershmëria, karriera dhe personaliteti i gjithsecilit.
Përzgjedhja e tyre mund të bëhet nga Parlamenti apo dhe drejtpërdrejt, me votim nga populli, si garanci e autoritetit të tyre në vendimmarrje.
Ky Parlament mendoj, duhet të bëjë ndryshimet e duhura kushtetuese, për të hequr privilegjet e disa individëve të veshur me pushtet për të shmangur gjykimin në shkallët e ulëta të gjyqësorit.
Parimi që, ligji është i barabartë për të gjithë, përjashton çdo privilegj, për t’u përgjigjur përpara drejtësisë. Privilegji i personave të veshur me pushtet, për t’u gjykuar në Gjykatën e Lartë, ndryshe nga pjesa tjetër e qytetarëve përbën thjesht diskriminim.
Emërimi i gjyqtarëve të rinj dhe promovimi i gjyqtarëve në gjykata më të larta, kanë pasur si kriter bazë bindjen dhe jo aftësinë, fakt i cili është i pakontestueshëm në realitetin e sotëm të funksionimit të gjyqësorit në vendin tonë.
Gjithashtu mendoj, që Shkolla e Magjistraturës, në mënyrën si funksionon nuk ka dhënë asnjë rezultat, përkundrazi, përzgjedhja nepotike e privilegjuar e studentëve, duke u paguar nga taksapaguesit shqiptarë gjatë kohës së shkollimit të tyre, ka rezultuar tërësisht negative.
Unë mendoj se regjistrimi dhe ndjekja e Shkollës së Magjistraturës duhet të bëhet mbi kritere aftësie pa kufizim, dhe me tarifa të paguara nga studentët, të cilëve jo domosdoshmërisht i garantohet puna, por marrja e diplomës në këtë shkollë të jetë kriter bazë për konkurrimin e mëtejshëm për të fituar të drejtën e punësimit nw sistemin gjyqësor.
Mënyra si funksionon aktualisht, përbën një privilegj të pamerituar të atyre që përzgjidhen për t’u shërbyer interesave të ngushta klanore, duke diskriminuar pjesën dërrmuese të qytetarëve, të cilët paguajnë shkollimin e atyre që më pas, jo vetëm nuk garantojnë drejtësi, por shkelin interesat e qytetarëve për interesa subjektive.
Shkolla e Magjistraturës nuk ka nivel më të lartë se shkollat në vendet e Europës apo SHBA, ku djemtë dhe vajzat e qytetarëve shqiptarë të cilët kanë paguar shkollën me gjakun dhe djersën e prindërve të tyre kanë mbaruar mastera me rezultate të shkëlqyera, megjithatë, këto vlera të kombit tonw privohen padrejtësisht të punësohen në sistemin gjyqësor.
Mendoj që, ndryshimet e nevojshme ligjore, në mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë duhen bërë nisur nga interesi mbarëkombëtar, për të krijuar një pushtet të pavarur të gjyqësorit si garant i funksionimit të shtetit ligjor në mbështetje dhe zbatim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Miratimi i ligjeve nga Parlamenti, për ndryshime në institucionet që i përkasin pushtetit të drejtësisë, do të duhet të bëhet jashtë interesave partiake, në konsultë me organizmat ndërkombëtarw, si dhe me juristë dhe specialistë të vendit dhe të huaj, për të filluar një rrugë të re në ndërtimin institucional të pushtetit të pavarur të drejtësisë, pa të cilin nuk do të mund të kemi dhe të garantojmë në vazhdimësi një shtet të së drejtës.
Vullneti për ta bërë këtë, sigurisht që i mbetet politikës, klasës së cilës qytetarët i besuan me votë, me shpresën që të qeverisë drejt dhe në interesin e tyre.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi