Po ku ishit?

Nga Rexhep Meidani, botuar në Panorama Online, 28 gusht 2015

Rexhep_MeidaniJo aksion apo fushatë populiste, por reforma në vazhdimësi

Pas dy vjet qeverisje, përveç disa masave me natyrë represive, p.sh., në sektorin e energjisë, ndërhyrjet apo reformat e pretenduara në fusha të ndryshme nuk kanë dhënë rezultatin e premtuar, aq më pak në mbledhjen e të ardhurave. Diku për paqartësi konceptore, diku për paaftësi individuale, diku për evazion e mitmarrje. Pra, shumë gjëra nuk kanë shkuar siç pritej, duke krijuar një gropë financiare problematike.

Përveç mossuksesit në politikat fiskale, në sistemin përkatës rregullator dhe drejtimin e tij, deklarimet “kërcënuese” të kohëve të fundit nga goja e Ministrit të Ekonomisë (jo atij të Financave!) apo ajo e Kryeministrit, kanë rinxjerrë në pah një përafrim politik në qeverisje sa të ngurtë, po aq dhe propagandistik. Ky lloj përafrimi u shfaq me bujë në fillimet e qeverisjes aktuale, në “sulmin” mbi lojërat e fatit, para 2 vjetësh! Në fakt, aktiviteti tatimor e doganor, mbledhja e të ardhurave, është një proces me natyrë permanente.

Ai, normalisht, nuk mund të ketë tipare fushate apo aksioni me “goditje të përqendruar” (si ato në vitet e komunizmit!). Po ashtu, një konferencë shtypi justifikuese, me përdredhje e pohime të llojit “anti-gërmim”, ishte dhe ajo për “rënie të arsyetuar financiare” e drejtuesit të po atyre financave të parealizuara. Madje, ai, me “kurajë”, shmangu çdo përgjegjësi nga vetja dhe dikasteri i tij! Nuk munguan as edhe të tjerë, për të cilët nuk kishin munguar dyshimet e akuzat në media…

Për balancën: Rritje ekonomike-drejtësi ekonomike
Sidoqoftë, një përafrim i tillë me përgatitje “vullnetarësh” apo në trajtë “aksioni rinor” nuk flet për një bashkëveprim e mirëkuptim të ligjëruar, aq më pak të “rilindur”, midis qeverisë e sipërmarrjes private. Sepse vetëm një bashkëveprim i tillë, neutral e parimor, mund ta fuqizojë ekonominë në shumë parametra të saj, përfshirë dhe ndjeshmërinë politike e qytetare në luftën kundër evazionit fiskal e korrupsionit.

Me një bashkëveprim e mirëkuptim pozitiv mund të arrihet edhe një shpërndarje më e drejtë e të mirave materiale. Por, diçka nuk shkon. Madje, siç rezulton nga media tradicionale dhe ajo sociale, mjaft zëra me peshë në radhët e specialistëve të ekonomisë flasin për një nevojë urgjente formatimi në politikat ekonomike e fiskale, pse jo dhe për ndryshim në drejtimin e tyre. Aq më tepër që në ekonomi koha është gjithçka!

Në situatën e sotme, të vlerësuar dhe si situatë krize e urgjence, të karakterizuar nga vështirësi të dukshme ekonomike vendore e rajonale, kërkohet më shumë veprim e mendim në mbështetje të zhvillimit, mbi të gjitha, për ndërtimin e politikave mbështetëse për biznesin në krijimin e vendeve të punës, krahas fuqizimit në vazhdimësi të sistemit social, përkujdesjes shëndetësore e mjedisore. Madje, nevojitet, në vend të kundërshtisë dhe përplasjes, një sinergji e qartë midis rritjes ekonomike dhe drejtësisë ekonomike. Dhe kjo nuk bëhet dot me fushata!…

Të shmanget çdo shpërndarje e deformuar e të ardhurave
Vetë sistemi ekonomik nuk e parapëlqen ngurtësinë kokëfortë, por kërkon ndryshim të shpejtë dhe të mençur. Në mënyrë të veçantë, aplikimi i një sistemi ligjor e rregullator liberal mbi sipërmarrjen private vetëm e ushqen ekonominë. Madje, në kushtet e një ekonomie liberale, është sipërmarrja private ajo që krijon kushtet parësore për reduktimin e varfërisë dhe uljen e papunësisë, pra edhe arritjen e asaj që kërkohet – rritjen ekonomike.

Vetëkuptohet se, në një ekonomi të tillë, qeveritë në mënyrë të drejtpërdrejtë nuk krijojnë vende pune, por, ama, ato kanë përgjegjësinë dhe mundësinë për të ndërtuar mjedisin e duhur ligjor-strukturor dhe ekonomik, për ta përmirësuar atë në vazhdimësi. Kurse, drejtuesit e bizneseve, vetë sipërmarrjet private, nga ana e tyre, kanë lirinë e manovrimit në një mjedis të tillë, ku ata gjejnë zgjedhjet e tyre, vendosen dhe zhvillohen atje ku e parapëlqejnë. Pikërisht, krijimi i këtij mjedisi të favorshëm lidhet ngushtë me veprimtarinë e politikës, në tërësi, dhe asaj qeverisëse, në veçanti, sidomos në mbështetjen e klasës së mesme, të suksesit dhe prosperitetit të saj.

Në kushtet e sotme, ndërtimi i këtij mjedisi dashamirës është kusht i domosdoshëm për zhvillim, aq më tepër që vetë procesi i globalizimit e mundëson dhe e favorizon transferimin e kapitalit, apo vendosjen dhe shtrirjen kudo në botë të bizneseve më të suksesshme. Në këtë konkurrencë me natyrë globale, të ushqyer nga mjedisi i duhur ekonomik, por dhe teknologjia e shfrytëzuar, fiton ai biznes që i tejkalon në mjaft zëra bizneset analoge. Dhe, natyrisht, një rol të veçantë ka, aty, rritja teknologjike e produktivitetit edhe nëpërmjet angazhimit të një numri më të vogël punonjësish.

Pikërisht, kjo garë bëhet akoma më e ashpër, deri fatale, nën peshën shtypëse të një krize ekonomike-financiare. Pra, në këtë shikim, globalizimi e teknologjia i shtojnë dhe thellojnë goditjet në vende më situata ekonomike qartësisht kritike siç është, p.sh., sot Greqia. Madje, duke e bërë akoma më të rënduar jetesën dhe pabarazinë në shpërndarjen e të ardhurave. Në mungesë të punës, një varfëri e pabarazi e tillë, krahas rënies së dërgesave nga emigracioni, po pasqyrohet në një mënyrë apo tjetrën në kushtet shqiptare, deri duke shtuar dukshëm kërkesat për azil në muajt e fundit. Dhe, për fat të keq, situata nuk duket që do të jetë aq rozë sa propagandohet, edhe në dy vitet e ardhshme.

Një rritje ekonomike me afro 2-3% të GDP-së, edhe pse “krenare”, nuk është e mjaftueshme! Ajo, në kushtet e sotme ekonomike, në Shqipëri reflektohet pozitivisht vetëm në shtresën e pasur, por nuk ndikon fare në rritjen e të ardhurave për shtresën e mesme (për të cilën, sipas llogaritjeve, në kushtet shqiptare nevojitet një rritje mbi 4-5% e GDP-së), aq më pak për shtresën e varfër (që mund ta ndiejë këtë rritje vetëm kur ajo e kalon 6-7% të GDP-së). Për më tepër, kjo rritje minimale shfaqet me nota akoma më tragjike kur shoqërohet me një deformim të dukshëm në shpërndarjen e të mirave materiale!

Për një reformë ekonomike me qendër njerëzit
Normalisht, rritja ekonomike duhet të çojë në një pasurim të vendit, por dhe një shpërndarje më të mirë të të ardhurave. E thënë ndryshe, kërkohet rritje me shpërndarje të drejtë, por jo shpërndarje e drejtë pa fare rritje! Kjo duhet vlerësuar mirë në kushtet shqiptare. Sepse, ndryshe nga rezervat e shfrytëzuara në rastin grek për ulje rrogash e pensionesh, në Shqipëri rezerva të tilla janë praktikisht zero. Dhe, nga ana tjetër, të pasurit dhe të fortit kanë një ndikim shumë të madh në vendimmarrje, qoftë në nivelin qendror, qoftë në atë vendor, duke tentuar një pasurim të pakontrolluar apo duke ruajtur një shpërndarje të ardhurash krejtësisht të pabarabartë.

Ndërkohë, kërkohet më shumë drejtësi sociale, një maksimizim i mundësive individuale e kolektive, një rritje e rrogave minimale, një mbështetje programesh punësimi, trajnimi e specializimi, një partneritet i drejtë midis punëdhënësve dhe strukturave publike e private të edukimit, sidomos atyre të arsimit profesional, më shumë përkujdesje shëndetësore e mjedisore etj.

Me gjithë zhurmën e përditshme mbi sistemin e Drejtësisë, një reformim në vazhdimësi kërkon dhe sektori bankar e financiar, duke u mbështetur më mirë në shenjtërinë dhe “teologjinë” e tregut të lirë. E thënë ndryshe, në kushtet shqiptare, në konceptimin dhe aplikimin e politikës ekonomike, nuk duhet lejuar as ekstremizmi anti-biznes (që mund të zhvillohet lehtë në raste fushatash), as dogmatizmi “laissez-faire”.

Në funksion të zhvillimit, duhet përqendruar më tej vëmendja mbi edukimin, nisur nga ai parashkollor, tek ai 9-vjeçar dhe më tej ai në shkollën e mesme, paralelisht me trajnimin profesional të nivelit të lartë; dhe, së fundi, mbi përmirësimin cilësor e sasior në edukimin universitar, me një synim madhor – përgatitjen e kuadrove dhe specialistëve për një ekonomi të integruar gjithnjë e më mirë me atë europiane e globale, me vetë tregun europian të punës.

Po me peshë është shërbimi shëndetësor, mbështetja shëndetësore e sociale, pensionimi dinjitoz etj. Pra nuk duhet të lejohet në asnjë mënyrë qoftë edhe prirja më e vogël për “kanibalizim” të ekonomisë,por përkundrazi. Mbi të gjitha, qytetari duhet të ndihet konfident mbi të ardhmen e tij ekonomike. Vetëm kjo e shkëput atë nga kthetrat e mosbesimit dhe, nga ana tjetër, e shtyn atë të shpenzojë si më parë paratë e fituara, duke e bërë, kështu, konsumin një karburant të rëndësishëm për rritjen ekonomike.

Po ashtu, qeveria ka një rol të rëndësishëm edhe në promovimin e tregtisë, deri duke ofruar asistencë teknike ndaj bizneseve të vogla, sidomos atyre për eksport, për grumbullimin e prodhimeve dhe shpërndarjen e tyre etj. Paralelisht, nevojiten politika monetare e fiskale më të favorshme, lehtësime ligjore e rregulla të qarta etj.; por, ama, jo thjesht masa detyruese, shtrydhëse e dënuese. Dhe, mbi të gjitha, të hidhen poshtë “tabutë”, që e ndrydhin zhvillimin!

Në thelbin e vet, politika, sidomos ajo qeverisëse, duhet të dimensionojë katër kolona bazë për fuqizimin e shtresës së mesme dhe një ardhme të qëndrueshme dhe të sigurt të saj, konkretisht: a) një të ardhur mujore apo një pagë të arsyeshme për jetesë, b) një pensionim të pranueshëm brenda një skeme publike ose private, c) një sigurim shëndetësor normal dhe d) lehtësi e mundësi për shkollim.

Kërkesa e thjesht për t’i ndërtuar dhe mbrojtur këto kolona është një qeverisje aktive dhe modeste, që është partnere me biznesin dhe që garanton larminë e rritjes ekonomike, të pasqyruar në një shpërndarje të gjerë dhe të drejtë të të ardhurave. Në fund të fundit, gjithçka në ekonomi duhet të koncentrohet dhe të përshtatet, së pari, për njerëzit. Madje, politika përgjegjëse nuk duhet të humbë kohën apo të mbytet në analiza numerike iluzore. Sepse, në kohën e sotme, nuk mund të vendosen më numrat përpara njerëzve, fitimi kapitalist përpara parametrave kryesorë demokratikë, deformimi e degradimi para dhembshurisë individuale e sociale. Pikërisht, për një formë të tillë ekonomie liberale, për një ekonomi morale tregu me njerëzit në qendër të saj, kanë nevojë shqiptarët…

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi