Projektligji, rritet tatimi mbi pagat, hiqet kufiri 30 mijë lekë

Nga Zamir Alushi, botuar në Shqip, 8 gusht 2015

shkelqim-caniDrafti për tatimin e të ardhurave personale, rritja 5 deri në 13%

Qeveria fut duart te borderotë e pagave duke rritur tatimin mbi të ardhurat personale (TAP). Duke zbatuar rekomandimet e FMN-së që kërkon rritjen e të ardhurave përmes ngritjes së taksave, qeveria e nis me tatimin mbi të ardhurat. Një projekt-draft për ndryshimin e ligjit për tatimin mbi të ardhurat personale (TAP) u është shpërndarë shoqatave dhe dhomave të biznesit në kuadër të paketës fiskale 2016. Drafti parashikon heqjen e përjashtimit të të varfërve nga pagimi i tatimit mbi pagën. Propozimi i bërë nga Ministria e Financave përfshin në tatim edhe pagat e ulëta, nga 0-30 mijë lekë, të cilat aktualisht e kanë zero këtë taksë. Projektligji me 9 nene, në thelb sjell rritjen e tatimit mbi të ardhurat për të gjitha kategoritë e të punësuarve. Gjithashtu, drafti saktëson procedurat e pretendimeve të biznesit të vogël dhe individëve tatimpagues për shpenzime të zbritshme. Ndërsa, kërkesa e grupeve të interesit për uljen e normës së tatimit mbi të ardhurat, nuk po merret në konsideratë nga qeveria. Argumentimi i Ministrisë së Financave për ndryshimin e kësaj takse mbështetet në uljen e të ardhurave nga kjo taksë për shkak të deklarimit jo real të pagave nga subjektet private.

Ndryshimet

Sipas propozimit të Ministrisë së Financave, pagat vjetore nga 0-180 mijë lekë (mujore deri në 15 mijë lekë) do të tatohen 5 për qind. Pagat vjetore mbi 180,000 lekë dhe nën 1,560,000 lekë (mujore 15,000-130,000 lekë) tatohen 13% dhe pagat vjetore mbi 1,560,000 (mujore mbi 130 mijë lekë) tatohen 23%.

Të ardhurat e tatueshme

Ky draft përcakton rregullat në lidhje me tatimin mbi të ardhurat personale, tatimin mbi të ardhurat e korporatës dhe tatimin e mbajtur në burim, si dhe krijon një sistem për tatimin e të ardhurave nga punësimi, të ardhurave nga biznesi, të ardhurat nga investimet, si dhe të ardhurat e tjera të marra nga individët. Të ardhurat janë të tatueshme pavarësisht nëse paguhen në të holla ose në natyrë. Sipas projektligjit, të ardhurat në natyrë maten me vlerën e tregut. Po ashtu, transaksionet ndërmjet palëve të lidhura duhet të maten në kushte të plota të tregut. Të ardhurat nga punësimi përfshijnë: Pagat, rrogat, shpërblimet dhe përfitimet që rrjedhin nga punësimi ose marrëdhënie të ngjashme. Të ardhurat e punësimit gjithashtu përfshijnë pagesat që ofrojnë pagesa për shkurtim, humbje ose ndërprerjen e punësimit, dhe pagesat e daljes në pension nga plan-pensioni kualifikues. Lidhur me të ardhurat në natyrë drafti jep shembullin kur punëdhënësi i jep një punonjësi një makinë dhe punonjësit i lejohet ta përdorë makinën për qëllime private. Përfitimi në natyrë i punonjësit konsiderohet si 1% e shpenzimeve të makinës që janë ose do të jenë të amortizueshme për një tatimpagues të tatimit të të ardhurave të korporatës për çdo muaj, në të cilin përdoret makina, pavarësisht se për sa ditë. Ndërkaq, ligji përjashton nga tatimi ushqimin që mund të marrë punonjësi apo trajtimin mjekësor, rimbursimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe dietat.

Zbritjet për biznesin e vogël

Të ardhurat vjetore të tatueshme të biznesit përcaktohen si shuma e përgjithshme e të ardhurave të biznesit zbritur me shpenzimet e dokumentuara të kryera me qëllim fitimin, ruajtjen dhe sigurimin e të ardhurave. Sipas draftit, një tatimpagues me një xhiro që nuk i kalon 8 milionë lekë ka të drejtë të zbresë shpenzimet në një shumë të vetme nga të ardhurat e tij të biznesit në vend se të pretendojë shpenzime të dokumentuara në vlerën prej 40% në rastin e aktiviteteve të biznesit e prodhimit, dhe 15% në raste të tjera.

Dividentët

Të ardhurat nga investimet përfshijnë dividentët dhe shpërndarjet e fitimit, duke përfshirë të ardhurat nga aksionet e çdo lloji ose të drejta të tjera. Këtu hyjnë interesi përfshirë të ardhurat nga kërkesat e borxhit të çfarëdo lloji, të siguruara ose jo, të ardhura nga letrat me vlerë të qeverisë, të ardhurat nga bonot e thesarit dhe obligacionet, çmimet dhe shpërblimet që u bashkëngjiten këtyre letrave me vlerë, bonove dhe obligacioneve, përveç interesit të paguar të pretendimit të borxhit lidhur efektivisht me biznesin e tatimpaguesit. Gjobat për pagesa të vonuara nuk konsiderohen interes. Po ashtu tatohen të ardhurat nga tjetërsimi i aksioneve, pjesëmarrjeve dhe letrat me vlerë, si dhe të ardhurat nga dhënia me qira e pasurisë së paluajtshme.

Përjashtimet

Sipas draftit, përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat personale: Të ardhurat e përfituara si rezultat i sigurimit në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore; ndihmat ekonomike nga buxhetet publike për individët pa të ardhura ose me të ardhura të ulëta; kompensimet për ish të dënuarit politikë; shpërblimet dhe çmimet nga institucionet shtetërore për arritje në shkencë, sport, kulturë. Sipas draftit, nuk janë të ardhura të tatueshme të investimeve: Përfitimet e dhëna për pronarët si shpërblim për shpronësimet që bëhen nga shteti për interesa publike; Kompensimet financiare të paguara ish-pronarëve për shpronësimin e pronës së tyre në të kaluarën.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi