Dekriminalizimi i politikës fillon nga paratë e partive

Nga Mentor Kikia, botuar në Ballkanweb, 15 korrik 2015

105731

Dekriminalizimi i politikës dhe reforma në drejtësi janë dy çështjet që kanë qenë ditët e fundit në krye të axhendave edhe të disa zyrtarëve të lartë që vizituan Tiranën, si Kancelarja gjermane Merkel, Presidenti i PE Schulz dhe ndihmës sekretarja amerikane e shtetit, Viktoria Nuland. Jo vetëm se këto janë dy çështje shumë të mëdha dhe jetike për funksionimin e shtetit dhe demokracisë, por edhe sepse këto janë të lidhura të dyja dhe nuk mund të realizohen veçmas njëra-tjetrës. Por si do të bëhet dekriminalizimi? Një projektligj nisi të hartohej me vrull para zgjedhjeve, por tashmë është harruar. Ne nuk e dimë ende se çfarë kushtesh përjashtuese do të vendosë ai ligj, por dimë që ai do t’i adresohet personit, duke synuar që njerëzit me rekorde kriminale të mos jenë deputetë, kryetarë bashkie apo zyrtarë të niveleve të tjera.
Por ne kemi të gjithë të drejtën të pyesim se, përse partitë apo kryetarët e tyre janë të prirur të tërheqin në parti e t’i fusin në lista kandidatësh njerëz me të kaluar ose me lidhje aktuale me botën e krimit? Argumentimi që partitë dhanë para zgjedhjeve ishte se, “ai e ka kryer dënimin dhe tani ka të drejtë kushtetuese të kandidojë”, ose “ai është dënuar nga shkalla e parë por prezumohet i pafajshëm deri në vendimin e formës së prere dhe Kushtetuta ia njeh këtë të drejtë”. Ky është një budallallëk, ose një justifikim foshnjarak. E para, sepse politikanët nuk mbajnë vetëm përgjegjësi ligjore, por mbi të gjitha përgjegjësi morale. Por, edhe sepse ne e dimë tashmë se partitë i afrojnë këta njerëz sepse u duhen para. Ata kanë para dhe sigurojnë vota përmes atyre parave dhe rrethit të tyre të të fortëve. Kjo mjafton për partinë. Por politika nuk është e inkriminuar vetëm sepse në radhët e parlamentit apo kryetarëve të bashkive ka njerëz që dikur kanë qenë në burg apo duhej të ishin tashmë në burg. Përpara kësaj, por edhe më shumë se kaq, politika është e inkriminuar në tërësi si pasojë e financimit të zi.
Ne ende nuk dimë t’i japim përgjigje pyetjes se, kush i financon partitë politike në Shqipëri? Buxheti që jep qeveria është shumë pak krahasuar me kostot e tyre, veçanërisht në fushatat zgjedhore. Ne vërtet nuk e dimë se kush i jep konkretisht, por ne e dimë që partitë marrin financime të errëta, nga njerëz të lidhur edhe me botën e krimit, nga sipërmarrës të korruptuar, që ofrohen vullnetarisht duke parapaguar kështu privilegjet, apo edhe nga sipërmarrës të ndershëm, të cilët shtrëngohen të paguajnë përmes presionit. Nuk ka pikën e dyshimit që është kështu. Asnjë parti nuk i tregon burimet reale të financimit. Pas zgjedhjeve, ato dërgojnë në KQZ fatura qesharake shpenzimesh dhe që nuk justifikojnë kurrkund fushatat luksoze. Një studim i mbështetur nga fondacioni “Soros” në zgjedhjet e 2009-ës, tregonte se vetëm nga një monitorim i pjesshëm i shpenzimeve të fushatës, llogaritë ishin të paktën 7 herë më të mëdha sesa shumat që partitë kishin deklaruar në KQZ.
Pikërisht këtu fillon inkriminimi. Po t’i referohesh transparencës, partitë rezultojnë të jenë sipërmarrjet me shkallën me të lartë të informalitetit në vend. Ndërsa po t’i referohesh mënyrës se si i sigurojnë burimet financiare, ato ngjasojnë me organizatat kriminale që përdorin para të pista, para korrupsioni ose para të nxjerra nga gjobëvëniet. Për këtë arsye dekriminalizimi nuk mund të nisë nga individi, por nga organizatat ku ky individ gjen strehë, pra partia. Nuk është më shumë i dëmshëm një kryetar bashkie që ka qenë dënuar për trafik droge sesa ai që nuk ka qenë asnjëherë i dënuar, por arriti të fitojë sepse “hodhi” në fushatë 5 milionë euro të siguruara nga korrupsioni apo nga donatorë të inkriminuar.
Kjo formë kriminalizimi ka qenë e hershme. Politika është furnizuar me para nga biznesi dhe kanale të tjera, të cilët më pas përfitonin lehtësirat në kurriz të ligjit apo fondeve publike. Në mënyrë graduale, biznesi dhe përfaqësues të botës së krimit, nuk u mjaftuan vetëm me financimin, por hynë vetë në politikë. Kjo tendencë, bëri që nga viti në vit parlamenti të humbë cilësi dhe, nga 1992-shi kur ishte parlamenti me nivelin më të lartë intelektual, të përfundojë në parlamentin ku 80% e deputetëve nuk dinë as të shkruajnë e as të lexojnë një fjalim dhe ku të ketë deputetë që të dalin me pranga.
Për këtë arsye dekriminalizimi nuk duhet të nisë nga ata që kanë qenë dënuar apo kanë dosje të hapura, por nga paratë. Duhet të jenë vetë partitë në radhë të parë që duhet të pastrojnë financat nga paratë e pista. Ato duhet t’u tregojnë shqiptarëve se kush e ushqen këtë makineri gjigante që financon spote televizive, banera e flamuj pa fund nëpër shtylla e pemë. Kush i financon një ushtri njerëzish dhe infrastrukturën zgjedhore që ato ngrenë nëpër qytete e fshatra apo edhe transaksionet ilegale të blerjes së votës.
Partitë në Shqipëri nuk janë bashkëpunuese, në çfarëdolloj rrethane, por për të mos bërë publike financat, ato janë marrë vesh me kohë dhe asnjëherë nuk kanë bërë një ligj për këtë. Po ashtu, ato janë treguar të zellshme të mbysin çdo zë që është ngritur në këtë drejtim. Në qoftë se partitë dhe kandidatët do të bënin transparencë të parave që financojnë fushatën, ai deputeti që pret në qeli tani për t’u ekstraduar në Belgjikë nuk do të kishte hyrë dot në parlament. Ndaj, dekriminalizimi duhet të orientohet vetëm drejt njerëzve me dosje penale, por dhe së pari nga paratë e zeza të partive. Për këtë arsye, ligji për dekriminalizimin duhet të bashkëshoqërohet me ligjin për financimin e partive. Nuk mund të dekriminalizosh individin pa dekriminalizuar organizatën.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi