Fjala në Konferencën ekonomike Gjermano-Shqiptare

8 korrik 2015

Përshëndetje të gjithëve!

Ndalesa e Kancelares Merkel në këtë park biznesi të projektuar dhe ndërtuar nga familja Lindner e bën të plotë një ditë shumë të shënuar për marrëdhëniet e Shqipërisë me Gjermaninë.

Ne i jemi shumë mirënjohës familjes Lindner, jo vetëm thjesht për faktin se ka vendosur të investojë në vendin tonë 100 milionë euro, por sepse përmes këtij investimi po sjell në zemër të Shqipërisë një copë Gjermanie, një shembull rrezatues të të kuptuarit të sipërmarrjes së lirë si një kontribut ekonomik, social dhe urban, një urë ndërveprimi ku nuk do të qarkullojnë vetëm para, por edhe ide të reja, dije të reja, kulturë e re bashkëpunimi dhe ndërveprimi në ekonominë e re të tregut.

Para disa ditësh mësova me kënaqësi se kompania ia ka besuar dhëndrit të njërës prej katër vajzave të kësaj familje, zotit Ulmer, drejtimin e kësaj sipërmarrje të re në Shqipëri. Për Shqipërinë ky është një lajm i mirë sepse dhëndëri nuk ka asnjë rrugë tjetër, përveçse ti provojë familjes së gruas përmes suksesit, se e ka merituar plotësisht zemrën e gruas.

Por përtej shakasë, e cila është vetëm gjysma e të vërtetës, e vërteta e madhe është se ne i dëshirojmë investimet gjermane në Shqipëri, jo vetëm se vendi ynë ka nevojë për shumë më tepër para dhe punësim real dhe praktikisht këtu parashikohet të punësohen deri në fund të investimit 10 mijë vetë, por dhe sepse sipërmarrja gjermane promovon një kulturë të re të marrëdhënieve me punën, me mjedisin me ligjin dhe me shtetin.

Kancelarja Merkel është e vetmja udhëheqëse e Evropës së vjetër që e kupton pa mundim dhe pa u habitur vështirësinë e shoqërive të reja europiane të dala nga pas perdes së hekurt për t’u përshtatur me kulturën e punës dhe bashkëjetesës së sistemit demokratik perëndimor.

Ajo e ka jetuar kohën e zymtë të diktaturës komuniste, dhe e di më mirë se kushdo se shembja e mureve të brendshme, që ndajnë botëkuptimet e njerëzve të rritur në dy sisteme krejt të ndryshme, nuk zgjat kurrsesi aq pak sa zgjati shembja fizike e Murit të Berlinit. Madje, mbase zgjat po aq sa ç’zgjati koha prej disa dekadash, që çoi në çastin historik të shembjes fizike të atij muri; koston e të cilit, shoqëritë e dala prej komunizmit, vazhdojnë ta paguajnë në proporcion me thellësinë e errësirës së izolimit që jetuan.

Ndër to, Shqipërisë i ka rënë të paguajë edhe koston më të lartë, pasi për vendin tonë izolimi ishte edhe më ekstremi. Mjaft t’ju them se për ne, DDR-ja i ngjante një planeti të paarritshëm, jo vetëm sepse ishim të ndaluar ta vizitonim, ashtu siç ishim të ndaluar të vizitonim çdo vend tjetër në Perëndim ose Lindje për tre dekada me radhë, por sepse as që mund të krahasoheshin kushtet e atjeshme me të këtushmet, në atë periudhë.

Dalja nga errësira e izolimit ekstrem në dritën e rrugës së lirisë, me thirrjen e lëvizjes demokratike studentore, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”, përkoi me mundime e sakrifica të një natyre tjetër. Ne kuptuam të vërtetën e pamëshirshme se për të bërë Shqipërinë si gjithë Europa, do të na duhej shumë më tepër kohë se sa ditët që u deshën për të ndryshuar regjimin në fundvitin ‘90. Dhe, po ashtu, në rrugën e ndërtimit të demokracisë, mësuam se nivelin e zhvillimit të vendit nuk e përcaktojnë ato që kemi po ato që dimë. E po njësoj, diferencën e madhe që na ndan me Gjermaninë apo me vendet e tjera të zhvilluara, të ardhurat për frymë vetëm sa e pasqyrojnë, po është diferenca e dijes ajo që e përcakton.

Prandaj, nëse ka diçka të pazëvendësueshme dhe të pakonkurueshme në alternativën e integrimit në Bashkimit Europian, është potenciali i madh i dijes që ka procesi i integrimit për modernizimin e shtetit e të shoqërisë. Ashtu sikundër, nëse ka diçka që e bën unikale mundësinë që na japin marrëdhëniet e bashkëpunimit me Gjermaninë, nuk është thjesht fakti se Gjermania është donatori i parë, me rreth 1 miliardë euro të investuara në mbështetje të Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve përpjekje për ta bërë lirinë të punojë për mirëqenien tonë po është e vërteta se dija e përfituar nga kjo mundësi është një vlerë e shtuar e këtyre marrëdhënieve.

Ja, sa për një shembull: Shqipëria është vendi i dytë më i pasur në Europë për burime ujore pas Norvegjisë. Por, si asnjë vend tjetër në Europë, as dhe në rajon, Shqipëria vuan prej më shumë se dy dekadash furnizimin e mangët me ujë të pijshëm, vaditjen e mangët të tokës dhe, edhe pse ka një potencial të jashtëzakonshëm hidroenergjitik, vuan defiçenca të rënda në sistemin e furnizimit me energji elektrike. Përgjatë gjithë këtyre viteve, donatorët kanë investuar një sasi të atillë parash në sistemin e furnizimit me ujë të pijshëm, apo edhe në atë të vaditjes, sa do të kishin mjaftuar për të pasur sot sisteme tërësisht funksionale. Por, në të shumtën e herëve, paratë kanë shkuar dëm dhe jo rrallë donatorët ia kanë hedhur fajin shqiptarëve që nuk paguajnë, nuk mirëmbajnë dhe me rradhë. Nuk është e vështire të gjesh çfarë nuk bëjnë shqiptarët. Ndërkohë që, kur sheh për shembull një qytet të Shqipërisë, Korçën, e cila ka një sistem ujësjellësi që furnizon qytetin 24 orë me ujë të pijshëm, dhe ku të gjithë jo vetëm paguajnë, po konsumojnë shumë më pak ujë sesa gjetkë për frymë, atëherë nuk ke se si të mos pyesësh: Po pse shqiptarët nuk janë bërë problem në këtë rast?

Dhe përgjigja është e qartë: Sepse donatori, KFV-ja, nuk ka investuar vetëm në rindërtimin e infrastrukturës, po në radhë të parë ka investuar në rritjen e kapaciteteve njerëzore përmes përcjelljes së dijes tek shqiptarët mbi sistemin e ri dhe administrimin e tij. Ky aspekt, e bën ndihmën financiare të shtetit gjerman, një ndihmë që nuk le pas vetëm një infrastrukturë cilësore, po edhe një kapital të shtuar njerëzor. Pra një ndihmë që krijon sistem dhe sjell kulturë të re menaxhimi.

E njëjta gjë mund të thuhet pa droje për sipërmarrjen e lirë gjermane. Vajza që sapo dëshmoi është një fakt i gjallë i kësaj të vërtete. Edhe sipërmarrja e lirë gjermane mjafton të shikojmë rreth e rrotull sjell me vete kulturën e një sistemi që stimulon rritjen e cilësisë së burimeve njerëzore dhe të komunikimit mes njerëzve.

Prandaj edhe unë këmbëngul vazhdimisht në nënvizimin se kjo vlerë e shtuar, që sjellin me vete qoftë mbështetja shtetërore, qoftë sipërmarrja gjermane, përbën një kontribut të madh në rrugën tonë drejt ndërtimit jo thjesht të sistemeve të funksionimit në sektorë të ndryshëm, por të vetë Shqipërisë Europiane.

Shifra e subjekteve gjermane apo atyre me kapital të përbashkët, të regjistruara në Shqipëri, është pakrahasimisht e vogël në raport me dëshirën tonë, por besoj edhe me potencialin tonë për ta përmbushur këtë dëshirë në këtë drejtim. E tillë është edhe shifra e volumit tonë tregtar me Gjermaninë, edhe pse Gjermania është një nga partnerët kryesorë tregtar të Shqipërisë mes vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Shenjat e kohëve të fundit janë inkurajuese, por jemi ende në luftë me imazhin dekurajues që është krijuar tek investitorët për vendin tonë për me vite të tëra, si edhe po ashtu, me korrupsionin në drejtësi, që përbën një kancer të vërtetë në organizmin e shtetit shqiptar. Kapërcimi i 40 shkallëve në raportin e Bankës Botërore për Doing Business qysh në vitin e parë të qeverisjes sonë, arritjet e konsiderueshme në luftën kundër krimit, reforma rrënjësore dhe e suksesshme në fushën e energjisë, si edhe ndalimi i epidemisë së ndërtimeve pa leje, kanë pasur efekt pozitiv edhe për imazhin e Shqipërisë, edhe për rritjen e besimit të investitorëve tek Shqipëria.

Ndërkohë brenda pak javësh do të hyjnë në fuqi ligji i ri i investimeve strategjike dhe ligji i ri për turizmin që, së bashku me paketën e re ligjore të energjisë, të cilën e kemi punuar me Komunitetin e Energjisë në Vjenë, përbëjnë një platformë të re mbështetjeje për investimet e huaja direkte në Shqipëri.

Nga ana tjetër, kthesa e nisur në arsim, ndër të tjera duke ndjekur me besim të madh modelin dual gjerman të sistemit të arsimit profesional, si një rrugë të sigurt për rritjen e punësimit, do të fillojë të japë vit pas viti rezultate të drejtpërdrejta në drejtim të rritjes së forcës së kualifikuar të punës, për të cilën investitorët kanë një interes të posaçëm dhe për të cilën kemi folur edhe sot me Kancelaren.

Ndërsa këtë vjeshtë, parlamenti ynë do të kalojë një reformë rrënjësore të sistemit të drejtësisë, e cila është fryt i një procesi shumë të thellë konsultimesh e bashkëpunimi të ngushtë me ekspertizën ndërkombëtare të Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara. Kjo reformë, e vonuar për kaq shumë vite dhe e shumëpritur nga publiku i gjerë në Shqipëri, por edhe nga Komisioni Europian, do t’i hapë rrugë një procesi të thellë transformimi të pushtetit gjyqësor. Unë kam bindjen se do të jetë recetë fituese, për të asgjësuar kancerin në sistemin e drejtësisë. Padyshim, kështu do të rritet me patjetër, edhe besimi i investitorëve tek rendi ligjor ekonomik i vendit tonë dhe besueshmërinë e Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në BE.

Reformat tona janë duartrokitur nga të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare, ashtu sikundër janë përgëzuar edhe nga Komisioni Europian. Ato përbëjnë një bazë të rëndësishme për të ecur më shpejt përpara në rrugën e modernizimit të shtetit dhe të rritjes së qëndrueshme të ekonomisë dhe të mirëqenies shoqërore. Por, padyshim, janë investimet e huaja direkte ato që do të bëjnë diferencën në rrugën tonë të vështirë, për të kaluar nga një model i vjetër dhe i shteruar ekonomik rritjeje me papunësi të lartë – i cili burimet kryesore kishte remitancat e emigrantëve dhe bumin e ndërtimeve, dy burime që faktikisht nuk i kemi më, – në një model ekonomik me burime rritjeje të qëndrueshme, energjinë, naftën e mineralet, turizmin, bujqësinë e manifakturën.

Ne jemi gati të mirëpresim investimet gjermane në çdonjërën nga këto fusha, ashtu sikundër tifozët e shumtë të kombëtares gjermane të futbollit, presin me padurim veshjen e kompanisë celulare AMC, me uniformën e purpurt të Deutsche Telekom. Sidoqoftë, ngjyra e T-Mobile është një arsye më shumë që ne socialistët në Shqipëri të jemi më të paduruarit në këtë padurim të përgjithshëm.

Kancelare, ne s’kemi koalicion të madh në Shqipëri me partinë simotër të CDU-së, po mos u shqetëso, sepse kur Gjermania fiton kampionatet, ka më shumë shqiptarë të gëzuar sesa kur Partia Socialiste fiton zgjedhjet. Madje, besoj se ne përbëjmë një përjashtim unikal në Europë, sepse kur në nëntor të vitit 1983 u luajt në Saarbrucken, një ndeshje e famshme në grupin eliminator mes kombëtares tonë e Tuajës dhe juve gjermanëve ju duhej medoemos fitorja për të vazhduar më tutje, shqiptarët këtu u hodhën përpjetë nga gëzimi, kur Shqipëria hëngri gol në minutat e fundit dhe humbi ndeshjen.

Lejomëni zonja e zotërinj, t’i shpreh edhe në emrin e të gjithëve ju, Kancelares Merkel, mirënjohjen e veçantë për faktin se, megjithëse kjo është një kohë tejet e ngarkuar për të, edhe për faje të Ballkanit, ajo i qëndroi premtimit që bëri vjet, gjatë vizitës sime në Berlin dhe erdhi në Shqipëri, pavarësisht se askush nga ne, padyshim nuk do t’Ju keqkuptonte, nëse do ta kishte shtyrë ardhjen sot, këtu, për shkak të ngjarjeve që e kanë vënë fokusin e mbarë botës në Bruksel.

Asnjë organizatë e madhe nuk është asnjëherë e çliruar nga problemet dhe sfidat.

Problemet dhe sfidat e Bashkimit Europian, sot janë nga më të mëdhatë në historinë e Unionit. Por në mes të zhurmës së çdo ditë pas dite, madje edhe kur zhurma kthehet në tollovinë e madhe që po shohim në Greqi dhe rreth Greqisë, apo në zemërimin e veçantë prej tragjedive të ndodhura për shkak të flukseve më të shpeshta e më të dëshpëruara të migrantëve drejt Europës, është nganjëherë me rëndësi që të marrim pak distancë për një moment dhe të bëjmë një pyetje elementare: Europa është një forcë për mirë apo, është një forcë për keq? Unë vetë e di përgjigjen dhe Kancelarja Merkel është një pjesë e konsiderueshme e përgjigjes.

Edhe këtu, në Shqipërinë kaq proeuropiane, madje edhe në këtë sallë, mund të ketë njerëz që duke parë ç’po ndodh në Greqi mund të thonë pse dreqin do të donim të futeshim dhe ne për t’u bërë pjesë e gjithë kësaj. Plot të tjerë, përgjatë veriut të Europës, duke parë ç’po ndodh në Greqi, mund të thonë po pse dreqin do të donim që vende të reja nga jugu, t’i shtohen pjesës jugore të Bashkimit Europian.

Ne shqiptarët e kujtojmë shumë mirë, që kur diskutohej çështja e statusit të kandidatit për Shqipërinë, kishte kundërshtarë jo të vegjël të kërkesës sonë. Por Kancelarja Merkel dhe të tjerë panë “the bigger picture” dhe i qëndruan besnikë vizionit se Europa është e ndërtuar mbi idealet e veta themeltare dhe kush i lë mënjanë ato, lë mënjanë vetë projektin e etërve themelues të Bashkimit Europian. Kjo kujtesë fare e freskët historike mbi rolin e Gjermanisë e të Kancelares Merkel në mbështetje të Shqipërisë duhet të na imponojë që po njësoj, edhe ne t’i qëndrojmë besnikë atij vizioni, duke u bërë çdo ditë të denjë për mbështetjen që duam më tutje, qoftë nfa Gjermania, qoftë nga të gjitha vendet anëtare. Një mbështetje që duhet ta meritojmë në fushën e betejës, aspak të lehtë të integrimit europian, përmes reformave reale dhe modernizimit të pandalur të shtetit. Duhet të jemi solidë, të besueshëm, seriozë dhe të punojmë fort, bazuar mbi parime të qarta e me bindjen e plotë se arritjet më të mëdha vijnë kur punojmë si duhet me të tjerët dhe kur mësojmë atë që duhet nga të tjerët. E pa asnjë dyshim, miqësia dhe partneriteti i Gjermanisë dhe i Kancelares Merkel, si edhe shembulli i saj solid, i besueshëm e serioz, janë një ndihmë e madhe dhe një frymëzim i vazhdueshëm që ne të jemi të tillë.

Einen zer herzchlichen dank Bundeskanzlerin Merkel!

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi