Greqia në teh

Nga: PAUL KRUGMAN, New York Times 29/06/15, 30 qershor 2015

Nobel Prize winning economist Paul Krugman smiles during the World Business Forum in New York

Prej disa kohësh është e qartë që krijimi i Euros ishte një gabim i tmerrshëm. Europa kurrë nuk i pati parakushtet për një monedhë të përbashkët të suksesshme, mbi të gjitha atë lloj unioni bankar e fiskal që lejon, për shembull, që kur një flluskë e ndërtimeve shpërthen në Florida, Uashingtoni automatikisht merr në mbrojtje pensionistët për kujdesin shëndetësor dhe depozitat e tyre bankare.

Megjithatë, largimi nga monedha e përbashkët është një vendim shumë më i vështirë dhe i frikshëm se sa vendimi që kurrë të mos hysh në një të tillë dhe deri tani edhe ekonomitë më të turbulluara të kontinentit janë frenuar nga marrja e një hapi të tillë. Përsëri e përsëri, qeveritë u janë nënshtruar kërkesave të kreditorëve për më tepër masa shtrënguese ndërkohë që Banka Qendrore Europiane është kujdesur që të përmbajë panikun në tregje.

Por situata në Greqi ka arritur tashmë atë që quhet pika pa kthim. Bankat janë përkohësisht të mbyllura dhe qeveria ka imponuar kontrollin e kapitaleve, kufizimin e lëvizjes së fondeve jashtë vendit. Duket se ka shumë të ngjarë që së shpejti qeveria do detyrohet të paguajë rrogat dhe pensionet me letra me vlerë, duke krijuar de fakto një monedhë paralele. Dhe javën tjetër vendi do mbajë një referendum nëse do pranojë kërkesat e trojkës për më tepër masa shtrënguese.

Greqia duhet të votojë Jo dhe qeveria greke duhet të jetë gati nëse është e nevojshme të largohet nga Euro.

Për të kuptuar pse unë e them këtë, duhet të mbani parasysh që pjesa më e madhe, jo gjithçka, por pjesa më e madhe e asaj që keni dëgjuar të thuhet për shpenzimet dorëlëshuara dhe papërgjegjshmërinë e Greqisë është false. Po, qeveria greke po shpenzonte mbi limitet e saj në fund të viteve 2000. Por që atëherë ajo shkurtoi shpenzimet dhe rriti taksat. Punësimi nga qeveria ka rënë me 25% dhe pensionet (që kanë qenë në fakt tepër bujare) janë shkurtuar në mënyrë të prerë. Nëse shtoni gjithë masat shtrënguese kjo mjafton e tepron për të eliminuar gjithë deficitin e mëparshëm dhe për ta shndërruar në një surplus të madh.

Po pse nuk ndodhi kjo? Sepse ekonomia greke pësoi kolaps, kryesisht si rezultat pikërisht i këtyre masave shtrënguese dhe ky kolaps mori edhe të ardhurat me vete.

Dhe ky kolaps pati të bëjë shumë me Euron që e futi Greqinë në një këmishë force. Rastet e suksesit të masave shtrënguese, kur një vend mban në kontroll deficitin pa u zhytur në depresion, zakonisht përmbajnë zhvlerësim të madh të monedhës që i bën eksportet e vendit konkurruese. Kjo është ajo që ndodhi për shembull në Kanada në vitet 90 dhe në një masë të madhe është ajo që ndodhi tani në Irlandë. Por Greqia pa monedhën e saj kombëtare, nuk e pati këtë opsion.

Pra, unë sapo mbështeta një Grexit, daljen e Greqisë nga Euro? Jo domosdoshmërisht.

Problemi me Grexit ka qenë gjithnjë rreziku i kaosit financiar, i sistemit bankar në disfatë për shkak të tërheqjeve masive nga paniku dhe i biznesit që do goditet si nga telashet e bankave ashtu edhe nga pasiguria mbi statusin legal të borxheve. Prandaj qeveritë e njëpasnjëshme greke u janë bindur kërkesave për masa shtrënguese dhe përse edhe Syriza, koalicioni i majtë në pushtet, ishte gati të pranonte masat shtrënguese të deritanishme. Gjithçka që qeveria kërkoi në fakt ishte një pezullim i masave të mëtejshme shtrënguese.

Por trojka nuk dëgjoi në atë drejtim. Është e lehtë të humbësh në detaje, por pika thelbësore tani është që Greqia u vu para një oferte merre ose lere që efektivisht nuk ka dallim nga politikat e ndjekura në 5 vitet e fundit.
Kjo është dhe ndoshta kështu ishte menduar të ishte, një ofertë që Alexis Tsipras, kryeministri grek, nuk mund ta pranojë sepse kjo do humbte kuptimin e ekzistencës së tij politike. Kështu që qëllimi i bie të jetë largimi i tij nga zyra, çka me gjasë do të ndodhë nëse grekët i frikësohen konfrontimit me trojkën dhe votojnë po në referendum.
Por ata s’duhet të votojnë Po për tre arsye:
Së pari, ne tani dimë që më shumë shtrëngim nuk çon asgjëkund, pas 5 vitesh Greqia është në formë më të keqe se asnjëherë. Së dyti, shumë dhe ndoshta më e shumta nga kaosi qe do shkaktonte një Grexit ka ndodhur tashmë. Ma banka të mbyllura dhe kontroll kapitalesh nuk ka shumë dëm se ç’të ndodhë më tepër.
Së fundi, pranimi i ultimatumit të trojkës do të përfaqësonte braktisjen finale të çdo lloj pretendimi për pavarësi nga ana e Greqisë.
Mos u gaboni nga pohimet se zyrtarët e trojkës janë thjesht teknicienë që po u shpjegojnë grekëve injorantë se çfarë duhet bërë. Këta të supozuar teknokratë janë në fakt fantazistë që kanë shkelur çdo rregull që dimë për makroekonominë dhe kanë qenë gabim në çdo hap përgjatë rrugës. Kjo s’ka të bëjë me analizën, ka të bëjë me pushtetin – pushtetin e kreditorëve për t’i hequr prizën ekonomisë greke, që do vazhdojë për sa kohë dalja nga euro konsiderohet e pamendueshme.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi