Të rinjtë urbanë në optikën e politikës

Nga Roland Lami, botuar në Mapo Online, 29 maj 2015

roland-lami1Pavarësisht se fushata elektorale ka pak ditë që ka filluar zyrtarisht, partitë politike kanë kohë që e kanë nisur atë. Në këtë kontekst, veprimet, deklaratat e deritanishme për shtyp nga ana e kandidatëve për kryetar bashkie, bashkëngjitur edhe idetë e materializuara në platforma apo programe, janë të mjaftueshme për të kuptuar kategoritë sociale që targetohen nga partitë politike.

Nga vëzhgimet në terren, vërejmë se ka një interes në rritje nga ana e shtabeve elektorale për të tërhequr vëmendjen e kategorive sociale që njihen ndryshe si elektorat gri ose i paqëndrueshëm. Të rinjtë që banojnë në zona urbane janë një prej kategorive sociale që kanë një shkallë të ulët pjesëmarrjeje në votime. Kjo nuk përjashton interesin ndaj të rinjve të zonave rurale, por duke qenë se të dhënat sociologjike në terren tregojnë se pjesa e madhe e të rinjve ruralë kanë predispozitë të reflektojnë qëndrimet politike që mbartin prindërit e tyre më shumë se të rinjtë në zonat urbane, ndikimi i jashtëm tek ata është më i pakët. Në këtë kontekst, mundësia për të ndikuar tek të rinjtë që banojnë në zona urbane është shumë herë më e madhe krahasuar me të rinjtë e zonave rurale.

Një arsye tjetër që nxit partitë që t’u kushtojnë vëmendje të rinjve të zonave urbane lidhet me shkallën e lartë të përdorimit të internetit, krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre në zonat rurale. Të dhënat tregojnë për një disproporcion të madh të përdorimit të rrjeteve sociale mes të rinjve të zonave urbane dhe atyre rurale. Kjo e dhënë shihet si një mundësi e mirë për të intensifikuar komunikimin me ta në rrjetet sociale me qëllim ndikimin te vota e tyre. Me këtë logjikë, kandidatët u kushtojnë një kohë jo të pakët faqeve të tyre online.

Po ashtu, ky grup kërkon më pak energji krahasuar me grupmosha të tjera për t’u manipuluar politikisht. Shumë studiues që merren me analizimin e tipologjisë së sjelljes së votuesve mbrojnë tezën se mosha në fjalë, niveli i shkollimit, eksperienca dhe aspiratat që janë karakteristikë e të rinjve, janë cilësi që mund të bien lehtë pre e tezave populiste. Në përgjithësi, arsyetimet e thelluara me karakter teknik nuk para tërheqin vëmendjen e kësaj grupmoshe. Kështu që aktivitetet me karakter argëtues, bashkëbisedimet virtuale në rrjete sociale, konsiderohen si forma efektive për të konsumuar tezat populiste dhe për të rritur mundësinë e manipulimit të tyre nga ana e aktorëve politikë.

Një arsye tjetër është se të dhënat që publikohen nga INSTAT bëjnë të ditur se grupmosha më e prekur nga papunësia është kategoria e të rinjve. Në këtë kontekst, nevoja për të siguruar një vend pune nga ana e të rinjve e bën peshkimin e tyre për t’i tërhequr në aktivitete politike shumë më të lehtë, krahasuar me të ngjashmit e tyre që janë në marrëdhënie pune. Gara ndërmjet partive politike në një situatë të tillë është kush fiton më shumë besimin e tyre. Probabilitetin më të lartë e ka ajo forcë politike që ka më shumë mundësi punësimi dhe ka treguar në vite që i shpërblen simpatizantët e saj për kontributin e dhënë.

Së fundmi, konsolidimi i idesë në publik se vetëm me mbështetje partiake bën karrierë në administratën publike dhe siguron një vend pune, i detyron të rinjtë të shndërrohen ndryshe nga të ngjashmit e tyre në Perëndim nga një kategori indiferente ndaj politikës në aktivistë të zellshëm politikë. Kjo qasje pragmatiste ka probabilitet të rritet për sa kohë meritokracia injorohet si kulturë në administratën publike dhe mundësitë në sektorin privat janë të reduktuara për shkak të potencialeve të pakta të punësimit.

Me këtë logjikë, të gjitha partitë kanë riaktivizuar forumet rinore me qëllim ngjalljen e interesit të kësaj grupmoshe. Njëkohësisht, kandidatët për kryetar bashkie kanë drejtuar vëmendjen te kjo kategori sociale.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi