Guri që kthehet në bukë, apo Paqe Kartagjenase?

Nga Dritan Shano, botuar në Mapo Online, 10 maj 2015

Dritan-ShanoNë vitet 264 – 146 para Krishtit, mes atyre që bota i njeh si Luftërat Punike, u nënshkrua një marrëveshje paqeje mes Romës dhe Kartagjenës. Mënyra sesi Roma e implementoi Paqen Kartagjenase i garantoi asaj në mënyrë ciklike dominimin politik, ushtarak, ashtu dhe atë ekonomik në botën e njohur atëherë.

2000 vjet pas Paqes Kartagjenase, Lord Keynes, në Fletoren e Ekspertëve Britanikë të Prillit 1943, shkruante se ndërhyrja kundërciklike në ekonomi do të shëronte efektet negative të cikleve të biznesit. Zgjerimi i kreditimit – rritja e inflacionit, e njohur ndryshe si stimuli fiskal – “kryen mrekullinë që kthen gurin në bukë”, thoshte Keynes. Rritja e kërkesës efektive përmes rritjes së shpenzimeve publike do e bënte këtë gjë. Kjo do ndalonte dobësimin ekonomik dhe garantonte prosperitetin. Dishepujt e Keynes, në atë kohë, por edhe tani, e konsiderojnë çdo ide tjetër si ortodokse, borgjeze dhe reaksionare.

Qysh midis dy luftërave botërore të shekullit të 20-të ka patur një përplasje të vazhdueshme mes kësaj ideje të Keynes, që zgjeron shtetin, dhe propozimeve të ekonomistëve neoklasikë, liberalë si Hayek, Friedman etj., që nxisin forcimin e institucioneve të tregut të lirë dhe derregullimin. Në mënyrë ciklike, politikat ekonomike botërore janë dominuar sa nga njëra aq edhe nga tjetra ide. Pas Luftës së Dytë Botërore dhe deri në fillim të viteve ‘70, bota ishte nën magjinë e Keynes, por pasi politikat keynesiane nuk prodhonin më rezultatet e pretenduara, mendimi dhe veprimi ekonomik e politik u dominua prej neoliberalëve, deri para pak vjetësh, kohë kur bota duket sikur po i falet përsëri idesë së keynesianëve.

Në fakt, trajektorja e cektinës mendore që përshkon shoqërinë e sotme në nivel global po eliminon idetë apo doktrinat e mëdha ekonomike. Këto po zëvendësohen nga gjithçka tjetër që garanton performancë politike. Gjithçka zhvillohet brenda cikleve politike, në shumicën e rasteve me synimin e përfitimit politik, të një partie sesa konsensusit dhe qëndrueshmërisë të çka shiten si politika apo ide ekonomike.

Për rrjedhojë, ide e mirë ekonomike është ajo që garanton pushtetin politik dhe fronin e pushtetarit. Ushtrimi i qeverisjes është zëvendësuar nga ushtrimi i pushtetit. Nga kjo pikëpamje, Keynes duket sikur është bërë profeti i qeveritarëve, dhe këta të gjithë mbajnë në xhep fotografinë e tij, pas së cilës janë po fjalët e tij: “Le të fokusohemi në afatshkurtër, se në afatgjatë do kemi vdekur të gjithë”. Koha në dispozicion të zbatimit të ideve të ndryshme ekonomike në politikat e zhvillimit të vendeve duket se është drejtpërdrejt e lidhur, e po aq e shkurtër sa dhe mandatet qeverisëse dhe e dominuar nga oshilacionet e kurbës së pëlqimit të qeverisë apo pushtetarëve. Presioni ndaj mendimit ekonomik është kështu mjaft i madh. Përballë këtij presioni, siç shkruante që më 1948-n Ludvig von Mises, e gjithë bota e sotme ka shumë nevojë për ekonomistë kurajozë; ata po zhduken në favor të atyre që janë “politically correct” ose më keq akoma, atyre që thonë atë çka masat duan të dëgjojnë për hallin më të fundit që ato kanë, duke e bërë këtë për hesap të Kryeministrit apo Presidentit të radhës. Po qe se kanë ndonjë çmim Nobel, aq më mirë. Në dekadën e fundit kemi qenë dëshmitarë të braktisjes së idesë neoklasike, që sheh tregun si më të rëndësishmin në zhvillimet ekonomike duke përqafuar sërish idenë që shteti duhet të jetë një aktor edhe më prezent në treg.

Dhe siç ndodh rëndom, sa herë që ka kriza të cilat godasin ekonominë, lëshohet kushtrimi për të shtuar rregullimin e tregut dhe për një rritje të rolit të shtetit si kujdestar i ekonomisë dhe mirëqenies së individit. Vendet postkomuniste ku shteti deri dje vendoste për gjithçka janë terreni më fertil për këtë. Fjalët “emergjencë kombëtare” janë ato më të përdorurat për të justifikuar këtë proces të fuqizimit të shtetit. Askush më mirë se Keynes nuk e ka paketuar këtë proces, më shumë politik sesa ekonomik, tek vepra e tij “Teoria e Përgjithshme”, si të vetmen pilulë shpëtimi nga kriza. Keynesianet, por sidomos qeveritarët, të cilët sapo marrin postet shndërrohen në të tillë, e shohin ekonominë – siç thotë Murray Rothbard tek “Depresionet, shkaqet e tyre dhe kurat për to” – si “pacienti” dhe qeverinë si “doktori” të cilit duhet t’i bindemi. Ata thonë se duhen ndërmarrë politika kundërciklike për të shmangur efektet negative të cikleve të biznesit, politika që komportojnë rritjen e investimeve publike për të kompensuar ngadalësimin e atyre private, duke lejuar kështu rritjen e deficiteve fiskale dhe për pasojë edhe të borxheve publike. Natyrisht, nuk i vendosin vetes kufij për sa shpenzime duhen kryer dhe për sa kohë duhet bërë kjo gjë. Situatë familjare edhe për Shqipërinë e këtyre dy dekadave, apo jo?!

Me apo pa mjeshtëri, Keynes nuk tha se ku do gjendeshin paratë për të financuar shpenzimet që ai predikonte se duheshin shtuar në situatë krize. Por siç kujton Milton Friedman –nuk ka drekë falas! Paratë për këtë vijnë nga taksimi i sipërmarrjes dhe familjes, si dhe nga marrja borxh. Rritja e shpenzimeve nga ana e qeverisë nënkupton që qytetarët do kenë më pak mundësi dhe burime për të shpenzuar për vete dhe për familjet e tyre. Kur qeveritë marrin borxh në treg të hapur, apo duke shitur bono thesari, sipërmarrja ka më pak mundësi të kreditohet. Kështu ulen investimet private në ekonomi. Për shkak se burimet financiare zhvendosen drejt qeverive. Individi dhe sipërmarrja private kanë më pak burime në dispozicion, më pak mundësi për të zgjedhur, dhe rregullisht më shumë kosto. Për më tepër, shpenzimet qeveritare pothuajse gjithnjë mbartin me vete elementin e fitimit të përqendruar te grupet që fitojnë tenderat e punëve dhe shërbimeve publike kundrejt shpërndarjes së njëtrajtshme, në mënyrë të padukshme, të paperceptueshme të këtyre kostove shtesë që ngarkohen dhe varfërojnë pashmangshmërisht xhepat e secilit individ apo sipërmarrje.

Ndërsa Keynes propozon ndërhyrjen shtetërore për të zgjidhur hallet dhe krizat, Hayek shpjegonte se zmadhimi i shtetit në këtë formë ishte thjesht fillimi i tatëpjetës së pandalshme drejt tiranisë. Moralisti Keynes besonte se qeveritë do ta ndalnin dorën, do ta ndërprisnin zgjerimin e shpenzimeve sapo të shëroheshin efektet negative të krizave. Në fakt, na mbetet të besojmë se Keynes ishte naiv tek besonte në këtë sjellje. Do ishte gabim të fajësohej Keynes për mënyrën sesi qeveritë e përdorin rekomandimin e tij për të dalë nga vështirësitë, reale apo imagjinare. Asgjë tek vepra e tij nuk tregon se Keynes ia kishte idenë se çfarë abuzimi politik do të sillte në të ardhmen inkurajimi i shpenzimeve dhe dekurajimi i kursimit. Stimuli qeveritar do jetë gjithnjë nën influencën e interesave politike specifike të ditës, të orës. Sot e kësaj dite, politikanëve të çdo qeverie dhe sponsorëve të tyre u shkëlqejnë sytë tek shohin mundësinë për shpenzime më të mëdha publike, duke rreshtuar plot qëllime të mira që të justifikojnë çdo ndërhyrje të shtetit në treg. Që prej fillimit të viteve 2000, deri dhe parti politike janë krijuar në Shqipëri për të përfituar nga kjo mundësi. Por duhet thënë se është në natyrën njerëzore që individi të vendosë interesin e tij [dhe të familjes apo grupimit të tij] përpara të tjerëve. Kjo vlen njësoj, për qeveritë dhe për njerëzit që punojnë apo i drejtojnë ato. Milton Friedman në esenë e tij “Pse qeveria është Problemi” risjell ligjin e famshëm të Adam Smith, atë të dorës së padukshme: “Njerëzit që synojnë të shohin vetëm përfitimin e tyre udhëhiqen nga një dorë e padukshme t’i shërbejnë edhe interesit publik, gjë e cila nuk ishte në synimet e tyre. Them se ka dhe një dorë të padukshme në kahun e kundërt: Njerëz që synojnë t’i shërbejnë vetëm interesit të publikut, drejtohen nga një dorë e padukshme t’u shërbejnë interesave private, të cilat nuk ishin pjesë e synimit të tyre”.

Ky proces i zgjerimit të shtetit bëhet thuajse i pandalshëm në një shoqëri demokratike, ku qeveritë e ngjyrave të ndryshme pasojnë njëra-tjetrën në garë për të bërë diçka më mirë se qeveria e mëparshme. Shumica e qeverive të botës e kanë adoptuar këtë qasje dhe zgjerimi i tyre ka qenë i pashmangshëm. Natyrisht ato nuk pritën Keynes-in ta bënin këtë gjë, edhe pse mjaft njerëz mendojnë se rekomandimet e tij përfundimisht i “konvertuan qeveritë më të fuqishme të botës në doktrinën e shpenzimeve të pafre, zgjerimit të kredisë dhe inflacionit”, siç shkruan Ludvig Von Mises në vitin 1948.

Ekonomia amerikane është një shembull tipik. Shumëkush beson se ekonomia amerikane është me liberalja në botë. Krahasuar me çfarë? Me Shqipërinë? Me fshatin e tyre? Natyrisht që po. Në indeksin e lirisë ekonomike 2015 ku vlerësohen zbatimi i ligjit, përmasa e qeverisë, eficienca rregullatore dhe hapja e tregjeve, ekonomia amerikane ka zbritur e 12-ta në botë. Mbetet fakt që prezenca e shtetit në ekonominë amerikane, e cila në momentet e Depresionit të Madh të 1920 nuk i kalonte 12 për qind, ka ardhur duke u rritur në mënyrë konstante që atëherë; shpenzimet qeveritare përbënin 20 për qind të ekonomisë amerikane më 1940 dhe vazhduan gradualisht të rriteshin për të arritur mbi 36 për qind pas vitit 2008. Kjo tipologji e zgjerimit të qeverisë ka tkurrur ekonominë e tregut dhe ulur ndjeshëm lirinë ekonomike jo vetëm për qytetarët dhe sipërmarrjen në Amerikë, por kudo ku është aplikuar dhe po aplikohet në botë. Kur kjo ndodh në Amerikë, në një vend ku ideologjia komuniste që ka në qendër shtetin dhe kolektivizmin kundrejt individit është ndaluar me ligj që në vitin 1954, alarmi për vendet e tjera është real, sidomos për vende si Shqipëria, për të cilat ky proces do ishte thjesht kthim tek e njohura. Kjo në kushtet kur filozofia kapitaliste në Shqipëri mbetet ende e panjohura, së cilës i drejtohemi me frikë dhe duke ecur me këpucë plumbi.

Ndërhyrja e shtetit në ekonomi përtej rolit garantues të konkurrencës së lirë në treg –duke u bërë kështu pjesë e politikave ekonomike për dalje apo parandalim të krizave, na largon nga kapitalizmi, nga ekonomia e tregut të lirë. Sa më shumë qeveritë abuzojnë me rekomandimet e Keynes për “kthimin e gurit në bukë” përmes zgjerimit të shpenzimeve publike kur ciklet e biznesit nuk janë të favorshme, po aq pashmangshmërisht, sado ngadalë, ato i drejtohen socializmit dhe ekonomisë së planifikuar. Ludvig von Mises tek punimi i tij “Duke planifikuar për Lirinë” shpjegon se “ndërhyrja shtetërore apo intervencionizmi nuk mund të jetë një sistem ekonomik i qëndrueshëm. Ai është një nga metodat për të transformuar kapitalizmin në socializëm… ndjekja e një rruge të mesme është një metodë e realizimit të socializmit me këste”. Krizë pas krize, duke tentuar të gjejnë shpëtim tek rritja e rolit të shtetit shohim se ekonomitë po bëhen më shumë socialiste dhe më pak kapitaliste.

Paqja Kartagjenase është ajo çka Roma i imponoi Kartagjenës humbëse. Roma e sulmonte Kartagjenën në mënyrë ciklike që ajo të mos mund të rimëkëmbej, e detyroi të paguante rregullisht tribute dhe pas Luftës së Tretë Punike e dogji të tërën dhe skllavëroi krejt popullsinë kartagjenase. Termi paqe kartagjenase sot përdoret për të përkufizuar një marrëveshje paqeje kaq të ashpër, saqë zbatimi i kushteve të saj praktikisht çon në shkatërrimin e kundërshtarit. Është si puna e asaj barcaletës ku luani, mbreti i pyllit e rrihte ujkun sa herë e shihte për çfarëdo arsye të paqenë, deri në rrahjen e fundit ku shkaku ishte ndryshimi i modelit të flokëve. Ndërhyrjet shtetërore në ekonomi, me çfarëdo justifikimi, më shumë se një përpjekje të qeverive për të kryer “mrekullinë e kthimit të gurëve në bukë” dhe për t’u ofruar njerëzve lumturi afatshkurtra, ngjajnë me një paqe kartagjenase që i imponohet ekonomisë së tregut, duke e tkurrur atë hap pas hapi në favor të shtetit kujdestar, dhe duke zvogëluar pasurinë dhe kufizuar lirinë ekonomike të individëve dhe sipërmarrjeve kudo në botë. Rezultati final i këtij procesi është kthimi në socializëm apo komunizëm siç e njohim ne në Shqipëri. Tashmë me votë demokratike. Është e dukshme që politikat dhe idetë ekonomike të këtyre 20 vjetëve janë dominuar nga mentaliteti i shtetit “doktor” dhe ekonomisë “pacient” dhe jo nga mentaliteti i shtetit garantues të rregullave të lojës. Fakt është që shqiptarët vazhdojnë të largohen nga vendi sepse vazhdimisht thyejnë dhëmbët tek gurët që pushtetarët ua shesin për bukë. Së fundmi, duket se po dominohemi me më shumë këmbëngulje nga idetë ekonomike që i ngjajnë paqes kartagjenase. Çfarëdo që të jeni duke bërë, ndaloni dhe pyesni veten: a do e donit nga e para një marrëveshje të këtillë “paqeje” për vete dhe fëmijët tuaj?

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi