Barometri i Ballkanit, Hahn: Sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit

Bruksel, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, 7 maj 2015

Screen Shot 2015-05-07 at 13.29.11

Teksti i plotë i Barometri i Ballkanit 2015: Opinoni i publikut

Teksti i plotë i Barometri i Ballkanit 2015: Opinoni i biznesit

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal publikoi në Bruksel për herë të parë Barometrin e Ballkanit, një monitorim vjetor që rinis me një tjetër emërtim në kuadër të strategjisë 2020.

Në të përmblidhen vlerësimet e biznesit dhe opinionit publik mbi zhvillimin ekonomik të vendeve respektive, ku normat më të larta vërehen për Kosovën dhe Shqipërinë, arsimin, drejtësinë – ku shqiptarët dallohen për besimin më të ulët ndaj sistemit -, por dhe mbi zgjerimin me Bashkimin Europian, ku përgjithësisht ruhet entuziazmi, megjithëse në një përqindje disi më të ulët.

Raportet u paraqitën në një konferencë të nivelit të lartë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve europiane dhe qeverive të Ballkanit.

“Integrimi europian dhe bashkëpunimi rajonal janë dy procese të ndërthurura që nuk mund të shmangin njëri-tjetrin”, u shpreh ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, në cilësinë e kryesuesit të procesit të bashkëpunimit rajonal të Europës Juglindore, ndërsa këmbënguli për rishikim të politikës së zgjerimit.

“Por, unë nuk mund të shmang së vërejturi një paradoks mes qëllimit tonë të përbashkët për anëtarësim të plotë në BE dhe instrumentëve të bashkëpunimit rajonal, që na janë vënë në dispozicion për arritjen e këtij qëllimi. Ngjan sikur i kemi vënë vetes qëllime të forta nga njëra anë, ndërsa në anën tjetër, përdorim instrumentë të butë. Kjo do të thotë se, si një rajon, ne duhet të bëjmë më shumë dhe të mësojmë më mirë nga boshllëqet dhe mospërputhjet mes ambicieve e kapaciteteve tona. Nëse krahason GDP-në, të ardhurat kombëtare dhe eksportet vjetore, nga 2003 deri në 2011-n, është e dukshme se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë mbetur më të varfër, jo vetëm krahasuar me shtetet anëtare të BE-së, por dhe me vendet e tjera ballkanike që i janë bashkuar prej atëherë BE-së. Kjo do të thotë se rajoni ynë nuk është i ndryshëm veç për aspektin e zhvillimit ekonomik, por se procesi i integrimit në BE ende reflekton realitete të së kaluarës”, tha Bushati.

Kërkesa e përsëritur e ministrit shqiptar siguroi përgjigjen pozitive të Komisionerit Johannes Hahn, i cili deklaroi dhe datën e publikimit për raportet e radhës së progresit në vendet e zgjerimit, duke shpalosur detaje për pritshmëritë e secilit vend ballkanik.

“Paketa e radhës mbi Zgjerimin do të miratohet më 14 tetor. Ne do të ruajmë fokusin tonë mbi çështjet themelore dhe do të shfrytëzojmë këtë paketë për të rigjetur kalibrin e metodologjisë sonë. Dhënia e statusit kandidat qershorin e kaluar ishte një arritje e madhe për procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Isha në Tiranë, në mars, për tryezën e DNL që bashkëdrejtova me Kryeministrin Rama, dhe mirëprita progresin e bërë nga Shqipëria në reformën e administratës publike, si dhe për hapat fillestar të ndërmarrë në fushën e gjyqësorit dhe krimit të organizuar. Sundimi i ligjit mbetet me rëndësi madhore. Lufta ndaj korrupsionit e krimit të organizuar dhe reforma e gjyqësorit janë kyçe. Më shumë punë themelore kërkohet gjithashtu për administratën publike dhe qeverisjen ekonomike”, ka deklaruar Komisioneri Johannes Hahn.

Ndërsa për Shqipërinë, Komisioneri nuk përmendi një rekomandim të mundshëm për nisjen e negociatave të anëtarësimit, për Serbinë ai u shpreh se kapitujt e parë mund të hapen këtë vjeshtë, me kushtin që Beogradi të forcojë sundimin e ligjit dhe të zbatojë marrëveshjet e arritura në dialog me Kosovën.

Mali i Zi ruan pozicion udhëheqës në rajon për procesin e anëtarësimit në BE, ndërsa gjuha më e ashpër u përdor ndaj Maqedonisë, ku Hahn rrëfeu se për momentin Këshilli i BE-së nuk dëshiron më një përsëritje të rekomandimit pozitiv.

Komisioni kërkon trajtim urgjent të çështjeve që lidhen me të drejtat themelore, sundimin e ligjit dhe median, si dhe u bëri thirrje autoriteteve vendase e politikanëve të Shkupit për të zgjidhur krizën politike dhe për të ulur tensionet ndëretnike.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi