Kurthi i ngritur i kredisë

Nga Monitor, 5 maj 2015

Likuiditeti për ekonominë është futur në kurth, në fakt, nga ata që duhet ta nxirrnin prej tij.

Treguesi i stokut të kredisë nga sistemi bankar, sipas të dhënave periodike, është rritur aq pak sa është i pandjeshëm. Edhe treguesit e eksportit po luhaten shpesh në kohë dhe në sektorë, aq sa nuk arrijnë të rikuperojnë trendin rritës. Në vend, tani po shfaqen në sipërfaqe probleme me investimet kur flukset hyrëse janë të vogla, por ndërkohë shumë të tjera vazhdojnë t’i qëndrojnë larg mjedisit shqiptar, për arsye që lidhen me pronën, barrierat burokratike, sistemin e ndryshëm fiskal dhe barrën e tij.

Nga ana tjetër, zhvillimet buxhetore nuk premtojnë për masën e duhur të likuiditetit në ekonomi. Rënia e të ardhurave krahasuar me pritshmëritë, po nxit një skenar shkurtimi buxheti nga qeveria.

Por cilët janë aktorët që duhet të reagojnë për të dalë nga ky kurth: Banka e Shqipërisë, qeveria dhe agjentët ekonomikë. Por këta të fundit janë shumë të varur prej dy të parëve.

Banka e Shqipërisë sot i ka të kufizuara mundësitë për të ndikuar në uljen e kostos së parasë. Ajo, nga ana e saj, ka ulur normën e interesit në kufijtë historikë, të paprekur më parë, por efekti i saj nuk është transmetuar plotësisht nga bankat tregtare.Për shkak të efekteve të krizës ndërkombëtare, bankat janë bërë më rigoroze dhe më pak entuziaste në planet e investimit në biznese. Por shpjegimime vetëm shtrëngimin e kushteve, që bankat kanë bërë për të dhënë kredi,ështëi pamjaftueshëm për të argumentuar këtë frenim kaq të madh të kredisë.

Megjithëse një pjesë e politikëbërjes është munduar ta hedhë përgjegjësinë tek bankat, në fakt përgjegjësia fle tek ata sepse mjedisi i jashtëm, që rrethon bankat, jo vetëm që nuk është frymëzues, por ka prodhuar barriera dhe risqe të reja. Bankierët e kanë thënë këtë qartazi: nuk do të ketë rritje të kredisë nëse nuk ka rritje ekonomike.

Pra e mund të kemi një rritje ekonomike, që të shpresojmë se nyja e kurthit ndaj kredisë do të vijojë të zgjidhet.

Megjithëse është bërë mëse e dukshme dhe e domosdoshme, rritja e kapitalit në ekonomi nga sipërmarrja, veçanërisht e huaj, që ka me vete jo vetëm cilësi portofoli por dhe njohurish, barrierat ndaj tij janë ende të larta. Ende nuk ka një reformë të plotë lehtësuese, madje as një ligj të vetëm që heq pengesat burokratike dhe përmirëson klimën. Përkundrazi lehtësitë e arritura më parë janë zeruar nga rritja e taksës mbi kapitalin.

Nga ana tjetër, investimet buxhetore janë shumë të diskutueshme për nga leverdishmëria ekonomike. Në vend ende nuk po kryhen investime të mëdha publike me efekte të shtuara dhe të shumëfishuara në ekonomi, apo vetëm kurime urbanistike që kërkojnë volume të mëdha parash, por nuk prodhojnë vlerë të shtuar. Ka tentativa për dhënien me koncesion dhe duke angazhuar në këtë mënyrë fondet private, por ende asnjë projekt nuk është konkretizuar dhe të ketë filluar puna për realizimine tyre. Të vetmet punë të mbaruara janë pikturimet e rrugëve me lule e vija të bardha nga fondet buxhetore, që jo se nuk duhen, por sepse nuk kanë mbaruar rrugët së ndërtuari në fillim.

Edhe klima sociale nuk është e dëshiruar. Stina e verës që po vjen ende nuk po ngazëllen kur stina e tritolit para saj ende nuk është larguar, sepse politika po flet që krimi ka arritur brenda në radhët e saj dhe madje në nivelet më të larta legjislative.

Shqipëria është një treg i vogël, kjo mund të jetë një arsye që mungojnë investitorët e mëdhenj. Por,shikon që popullata po largohet kaq pasivisht nga vendi, cili investitor i huaj do të bindej se pavarësisht se shqiptarët i largohen vendit të tyre, hajde duaje ti! Po ja dhe erdhi, kush do të blejë.

Ne jemi këtu ku jemi se nuk po prodhojmë dot. Nuk po prodhojmë dot se jo se s’kemi se çfarë produkti të shesim, por dhe po dolëm për të shitur, njerëzit po ikin dhe kush do të blejë. Vetë rritja ekonomikeështë në kurth, madje më të madh se kredia, dhe nuk mund të dalë prej saj nëse qeveria e para nuk vepron për ta rrëzuar këtë kurth.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi