Shuplaka kalorësiake e besimit

Editorial i Monitor, 20 prill 2015

nofut-690x388

 

Institucionet dhe ekonomia po rendin drejt kuotave më të ulëta të besimit. Si replikë e kësaj gjendjeje, pjesë të popullatës shqiptare, po braktisin në grupe të mëdha vendin për të emigruar. Është një ritual që përsëritet herë pas here, edhe pse shumë prej tyre e kanë fare të qartë se BE ua ka prerë që pa arritur biletën e kthimit, të cilën e kishin blerë më parë vetëm vajtje.

Po pse shanset për të jetuar në këtë vend duken kaq pa vlerë, e duken sikur punët po shkojnë keq?

Javën e kaluar, me nismën e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim u krijua Këshilli i Investimeve. Aq i gëzueshëm dukej ky lajm, sa qeveria e renditi si një ndër mundësitë e mira të këtij vendi që do të vijnë përmes nxitjes dhe rritjes së investimeve të huaja. Por, në fakt, ajo është një shuplakë kalorësiake për qeverinë, si ato që dinë t’i përdorin mirë europianët. “Monitor” mësoi se Këshilli i Investimeve do të jetë një strukturë që do të pikasë barrierat në ekonomi që kufizojnë investimet e huaja dhe do të punojë për të plotësuar kuadrin ligjor që i heq ato. Po a nuk është kjo një detyrë funksionale e Ministrisë së Ekonomisë, a nuk është kjo një nga prioritetet e qeverisjes për të përmirësuar mjedisin dhe klimën e të bërit biznes në Shqipëri. Krijimi i një strukture paralele, që është një goditje e fortë për aftësinë tonë qeverisëse, i shpjegohet me mosbesimin ndaj një pjese të institucioneve e, madje, të rëndësishme të këtij vendi. Niveli i lartë i korrupsionit, marrëdhëniet klinteliste ende të pashkëputura dhe dënuara, kapja e institucioneve përmes bërjes së ligjeve dhe rregullave për interesa sipërmarrësish, e bëri BERZH-in, ta pohojë këtë gjendje në mënyrë të rafinuar, duke lënë në hije një pjesë të qeverisë dhe të marrë përsipër një pjesë të detyrave të saj. Ndërkohë, nga ana tjetër, ka disa agjenci dhe struktura ekstra si Këshilli Kombëtar Ekonomik apo Agjencia e Nxitjes së Investimeve që në këtë rast ose dalin në hije, ose krijojnë punë paralele, duke e rritur dhe më shumë kaosin institucional dhe të politikave.

Kjo shuplakë e ardhur nga jashtë u pasua nga një tjetër nga brenda. Treguesi i fundit i besimit, i matur nga Banka e Shqipërisë, pas një ringritje, që zgjati mbi mesataren historike, ka nisur të ulet sërish. Këtë tremujor të fundit, pothuajse të gjithë indekset ishin negative. Besimi i sipërmarrësit dhe konsumatorit, sipas Bankës së Shqipërisë, po ecin në kahun e kuotave të krizës së disa viteve më parë, sepse sipas BSH-së, kapacitetet prodhuese në vend janë ende të ulëta dhe publiku është i rezervuar në konsum. Ndoshta në periudhat e mëtejme, ky tregues mund të fillojë të ripërmirësohet, por më e pakta kosto që krijoi është zgjatja e kohës së pasigurisë.
Një shpjegim, le të themi poetik i rënies së besimit, lidhet me pritshmëritë e larta që krijuan të majtët kur erdhën në pushtet rreth dy vjet më parë, kur premtuan gjithçka. Po treguesit e herëpashershëm ekonomikë po dëshmojnë se tentativat për ringritje në një periudhë shumë shpejt kompensohen nga një tjetër rënie në periudhën më pas. Ky lloj trendi me paqëndrueshmëri të rezultateve kanë treguesit më kryesorë, si ai i punësimit, eksportit, të ardhurat buxhetore, fluksi i hyrjeve të kapitalit, si dhe kredia e re.
Tendenca për t’u rikthyer në pikën e nisjes, për qeverisjen e sotme, e përforcuar nga treguesit i besimit të publikut, po thotë se vendit ende po i mungojnë ndërhyrjet e forta dhe të plota për t’u ringritur dhe se përmirësimi i arritur ishte vetëm një entuziazëm i momentit që nuk po justifikon dhe nuk mjafton.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi