Besimi, institucion i padukshëm që mbështet zhvillimin ekonomik

Nga Klodian Muço, botuar në Shqip, 20 prill 2015

Në vitet e fundit, debati mbi progresin ekonomik dhe zhvillimin ekonomik po kthehet në një aspekt qendror të politikës ekonomike të çdo vendi europian. Ndryshimi i stilit të jetës falë hapave gjigantë të bërë në shkencë dhe teknologji na çon të gjithëve përballë tematikave të përcaktimit të një modeli zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm për të ardhmen. Tashmë të gjithë janë dakord se modeli i zhvillimit i implementuar në një vend duhet të jetë i qëndrueshëm.

Duhet specifikuar se termi i “qëndrueshëm” nënkupton ide dhe vlera të ndryshme nga personi në person, nëse për vende në zhvillim, ku bëjmë pjesë edhe ne, zhvillimi ekonomik shihet vetëm nga pikëpamja ekonomike, pra rritja e të ardhurave ekonomike, në vendet e zhvilluara fokusi i këtij termi spostohet drejt një koncepti më të gjerë të cilësisë së jetës, duke e parë këtë koncept edhe në aspektin social e ambiental.

Vendet në fjalë, kur flasin për zhvillim, nuk e kanë fjalën vetëm për një rritje të nivelit të të ardhurave për person, por edhe të rritjes së nivelit të arsimimit, përmirësim të shëndetit të qytetarëve të një vendi dhe përmirësimin e ambientit në të cilin ata jetojnë.

Ndryshe nga koncepti i rritjes ekonomike, i cili nënkupton një rritje në kohë të nivelit të GDP-së reale, pra i referohet vetëm një rritjeje të nivelit të pasurisë të prodhuar nga një vend, koncepti i zhvillimit është shumë më i gjerë. Ky term nënkupton një sërë modifikimesh të strukturës ekonomike, sociale e institucionale, që shërbejnë për të realizuar një tranzicion nga një ekonomi kryesisht bujqësore dhe parakapitaliste, në një ekonomi kapitaliste e industriale.

Zhvillimi nënkupton përmirësim dhe progres për të gjithë individët që jetojnë brenda një territori të caktuar. Me termin progres nënkuptoj jo vetëm progres në nivelin e të ardhurave, por një rritje të mirëqenies sociale në tërësi e mbi të gjitha kjo mirëqenie duhet të jetë e vazhdueshme në kohë.

Po ashtu, të gjithë e dimë se industrializimi i vendit apo rritja e mirëqenies çon shpeshherë në ndotje të ambientit, pra dëmton zhvillimin ambiental.

Pikërisht për këtë arsye, institucionet drejtuese të vendeve të ndryshme e kanë si objektiv kryesor realizimin e një procesi zhvillimi pa sakrifikuar atë të rritjes.

Për ta bërë më të kuptueshëm rolin dhe rëndësinë e institucioneve në zhvillimin ekonomik të një vendi, do të marr si shembull dy Koretë, Korenë e Jugut dhe të Veriut, dy vende që ndajnë të njëjtin ambient, me të njëjtat burime natyrore, të njëjtën gjeografi, etnikisht shumë homogjene e mbi të gjitha kanë të njëjtën kulturë.

Rrugët e ndryshme të zhvillimit ekonomik janë kryesisht për shkak të dallimit të institucioneve vendimmarrëse në vendet respektive dhe diferencat në zhvillim mes tyre duken qartë.

Nëse vërejmë ecurinë ekonomike të Kinës në njëzet vitet e fundit, shohim se edhe pse është një vend me probleme jo të vogla për sa u përket të drejtave të pronësisë, me korrupsion të përhapur gjerësisht dhe jo 100% liberal, të gjitha këto nuk e ndaluan Kinën të kishte një rritje ekonomike mbresëlënëse.

“Paradoksi i Kinës” vë në pikëpyetje të madhe edhe efikasitetin e politikave të “Washington Consesus” që merret në konsideratë edhe në Shqipëri, i cili thotë se rruga e vetme për të pasur zhvillim ekonomik të qëndrueshëm është implementimi i një modeli zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm, liberalizim tregtar dhe forcim i së drejtës së pronësisë.

Nga dy shembujt e mësipërm mund të bindemi me atë çfarë afirmon edhe pjesa dërrmuese e literaturës ekonomike, se institucionet luajnë një rol shumë të rëndësishëm në reduktimin e pasigurisë, duke bërë të mundur përcaktimin e një strukture solide në marrëdhëniet sociale.

Pasi janë institucionet që bëjnë diferencën dhe jo modelet ekonomike të aplikuara. Janë institucionet ato që bëjnë të mundur respektimin e ligjit, janë po ato që përgatisin burime njerëzore të kualifikuara, janë institucionet që krijojnë konkurse të drejta dhe të barabarta, me të cilat përzgjedhin personelin më të mirë dhe më eficient për administratën publike, janë përsëri institucionet, ato që mbajnë si staf të tyre nëpunës me përgjegjshmëri. Janë institucionet ato që përzgjedhin firma serioze për menaxhimin e pronave shtetërore dhe nuk lejojnë shfrytëzimin makabër të pasurive natyrore nga ana e sipërmarrësve joseriozë, që shpeshherë nuk paguajnë as detyrimet tatimore. Janë po këto institucione që po nxjerrin breza të tërë analfabetësh duke mundësuar edhe gradën “Doktor shkencash” nëpërmjet bërjes së një plagjiature të pastër.

Të gjithë ne jemi dakord, se gjykatat janë të korruptuara, por në fund të fundit gjykatat edhe po janë të korruptuara ryshfetin ua marrin kriminelëve, më dramatike është fakti se kemi doganierë, drejtorë e inspektorë tatimesh që janë super të korruptuar, që i shkaktojnë qindra milionë euro në vit dëme buxhetit të shtetit. Janë ata që bëjnë të pamundur mosrealizimin e të ardhurave, pasi një pjesë të detyrimeve tatimore shkon në xhepat e tyre.

Po t’i kishim këto institucione serioze, informaliteti nuk do të ishte 50%, qeveria do të kishte të ardhura të mjaftueshme për të rritur investimet publike, do të hapte vende të reja pune dhe pse jo, do të mund të ulte edhe taksat. Prandaj është shumë e rëndësishme që qeveria të mundohet të rrisë kredibilitetin e institucioneve, të mundësojë punësimin e të aftëve dhe jo të militantëve. Të merret me nëpunësit tatimorë apo me ata të doganave për të realizuar të ardhurat e mbi të gjitha të rritë cilësinë në universitete me anë të reformave serioze.

Për të konkluduar, mund të them se u perceptua që kandidatët për zgjedhjet administrative të 21 qershorit në shumë zona janë relativisht jo të mirë dhe aspak seriozë, ku disa prej tyre kanë probleme me ligjin e për më tepër në disa raste janë pa asnjë ditë eksperiencë pune në strukturat administrative.

Duke marrë në konsideratë rolin që kanë institucionet në zhvillimin ekonomik, ju ftoj të gjithëve që më 21 qershor mos të zgjidhni vetëm siglën e partisë, por të zgjidhni kandidatin, pasi është shumë e rëndësishme që në drejtimin e bashkive të kemi njerëz seriozë, me vizion dhe përgjegjshmëri.

Nuk duhet në asnjë mënyrë t’i bindemi liderit të partisë që ne simpatizojmë, po duhet të votojmë kandidatin më të mirë që na bind se mund të punojë për komunitetin.

Nëse duam një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe një të ardhme më të mirë për qytetin ku jetojmë, atëherë duhet të zgjedhim një kandidat me kredibilitet dhe jo thjesht një person vetëm pse përfaqëson një ngjyrim politik.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi