Kandidatët erdhën, por po ikin zgjedhësit
Nga Mentor Kikia, botuar në Balkanweb, 17 prill 2015
Pasi u mësuan edhe kandidatët për Tiranën u mbyll edhe faza e publikimit të emrave e që do të garojnë për zgjedhjet vendore të 21 Qershorit. Pas shumë e shumë hamendësimeve për reformimin e pushtetit vendor dhe pritshmërive për një dërgatë të re administratorësh lokalë, aq më shumë tashmë me ndarjen e re administrative, vërejmë se në shumicën e bashkive janë sërish ata që kanë qenë dhe zgjedhja e tyre(edhe atyre që janë të rinj) nuk ishte aspak një garë vizionesh, por një ujdi pazaresh politike, në rastin më të mirë dhe pazaresh financiare, në rastin më të keq. Megjithatë nuk është kjo çështja që duam të diskutojmë, edhe pse kjo mund të jetë pasojë e drejtpërdrejtë e mënyrës se si këta njerëz kanë qeverisur deri tani.
Javët e fundit është intensifikuar vala e emigrimit, duke marrë formën e një shpërnguljeje masive. Nëpër fshatra, njerëzia ka marrë arratinë drejt Gjermanisë, Austrisë, Suedisë e po të kishte linjë, edhe drejt Marsit do të ishin nisur. Vetëm në vendin e tyre jo! Në zonat rurale është përhapur si një epidemi thashethemi se Gjermania kërkon punëtorë krahu dhe të gjithë janë ofruar për shitje. Sekserët e trafikut, tani që s’ka nevojë për viza, po kalojnë një periudhë të artë. Fillimisht hidhet thashethemi se “Gjermania pret deri në datë 20”, “Gjermania kërkon punëtorë fermash, muratorë, druvarë dhe hekurkthyes”, “Gjermania do t’i shpërndajë emigrantët në Kanada, SHBA e Zelandë të Re”, “Gjermania do të marrë fshatarë nga Divjaka se janë racë punëtore dhe do të përmirësojë racën e vet”…… Ashtu si dikur, në epokën e Sudes dhe Xhaferrit, njerëzit po shesin lopë e gomarë, shtëpi e kuaj dhe po nisen me torba në krahë, duke lënë pas vetëm pleqtë.
Ata që kishin mbetur në shtëpi, në komunën Shishtavec në Kukës, ndjeheshin keq që janë të moshuar dhe ishin të lumtur që të rinjtë kanë ikur. “Po të ikin, çdo të bëjnë këtu, as punë, as shkollë, as gjë për gjëje. Ku do të punojnë, ku do të hanë”. Të gjithë ata që ishin intervistuar nga gazetarët thanë të njëjtën gjë. Që të gjithë duhet të ikin. Të rinj, burra e gra, çifte me fëmijë të vegjël e bebe në gji. Por jo vetëm në Shishtavec. Edhe në Divjakë fshatarët i lanë lakrat dhe preshtë nëpër ara dhe u ngarkuan nëpër autobusë. Edhe në fshatrat e Fierit, Librazhdit, Vlorës, Elbasanit, Matit e Peshkopisë po ndodh e njëjta gjë. Në Bulqizë sekserët e një agjencie udhëtimesh me adresë; “100 metra larg sheshit Skënderbej” shpërndante formularë që kishin “ardhur” nga Gjermania për tu plotësuar nga ata që janë muratorë.
Një rrjet i mirëorganizuar nga agjencitë e udhëtimit, që përdor edhe rrjetet sociale për të përhapur virusin e mashtrimit mbi ëndrrën gjermane, i grumbullon njerëzit dhe i shoqëron me autobusë, anije, trena e furgonë deri në kufi me Gjermaninë. Në një vend ku shërbimet sekrete kanë të tjera “halle” e askush nuk i gjurmon këto trafikantë, Ministria e Brendshme thotë se po heton një agjenci udhëtimi në Fier, pronari i të cilës në fakt është arrestuar disa muaj më pare, pasi ngarkoi gjysmën e Fierit dhe Vlorës nëpër anije dhe u arrestua vetëm pasi u çor media. Por kjo arrati masive e shqiptarëve nuk është vetëm dëshmi e mungesës së shtetit për të luftuar këtë lloj trafiku që pasurohet duke mashtruar shtresën më të varfër dhe më injorante të këtij vendi.
Arratia masive është dëshmi edhe më e fortë e mungesës së shpresës dhe pamundësisë së shqiptarëve për të besuar se edhe në vendin e tyre mund të jetohet. Rinia rurale përbëhet sot nga brezi që ka lindur pas vitit 1990, dhe në përgjithësi është e paarsimuar, pa profesion dhe pa asnjë mundësi tjetër jetese. Është më së shumti kjo shtresë që përbën kontingjentin e të mashtruarve. Trishtimi më i madh është se në këtë vend, edhe pas çerek shekulli, njerëzit sërish e shikojnë të ardhmen tek arratia, tek anijet, traget e autobusët që të largojnë nga shtëpia. Ky është shembulli më i fortë i dështimit të klasës politike në këtë vend, për ta ndryshuar atë dhe për të mbjellë shpresën.
Ndërsa politika është përfshirë nga ethet e caktimit të kandidatëve, ata që s’e kanë mendjen fare tek zgjedhjet janë zgjedhësit. Kjo valë arratie, si pasojë e mungesës së shpresës dhe besimit, do të prodhojë një sërë pasojash, duke filluar nga zbrazja e zonave të banuara, plagët e mëdha sociale që do të prodhohen pas kthimit të tyre prej autoriteteve të vendeve ku po ikin, por mbi të gjitha është një rrezik real për rikthimin e regjimit të vizave.
Ka edhe një problem tjetër: Ulja e pjesëmarrjes në votime. Por ky nuk është problem për politikën. Përderisa ligji parashikon se edhe 10% e votuesve mund ta zgjedhin kryetarin e bashkisë, të tjerët në duan të ikin le të ikin e në duan të rrinë, le të rrinë.