Deutsche Bank krediton Shqipërinë, 250 milionë euro për më pak se 2 për qind interes

Nga Gjergj Erebara, BIRN, 8 prill 2015

Cani-BB

Ministria e Financave siguroi borxhin përmes tenderit dhe garancisë së pjesshme nga Banka Botërore dhe me afat maturimi prej 10 vjetësh.

Qeveria e Shqipërisë nënshkroi një kontratë të re kredie prej 250 milionë eurosh pas një tenderi të fituar nga gjigandi gjerman Deutsche Bank. Sipas një njoftimi për shtyp, kredia do të ketë afat maturimi prej 10 vjetësh dhe për të do të paguhet një interes prej 1.3 për qind plus normën referuese bazë, e cila aktualisht është 0.5 për qind.

Kjo është kredia më e lirë tregtare e siguruar nga Shqipëria deri më sot. Përvecc interesit, qeveria e Shqipërisë do të paguajë edhe një komision disbursimi prej 1.25 për qind, i cili do të paguhet vetëm një herë.

Kredia është e garantuar nga Banka Botërore për një vlerë deri në 200 milionë euro. Garancia e Bankës Botërore mbart gjithashtu një kosto financiare për Shqipërinë, norma e interesit të së cilës nuk bëhet e ditur për momentin.

Qveria synon të përdorë këto para për të financuar deficitin buxhetor të këtij viti si dhe të vitit të ardhshëm, gjë që pritet të lehtësojë kërkesën në tregun e brendshëm të parasë dhe të nxisë bankat e nivelit të dytë të kërkojnë tregje të tjera investimi përvecc tregut të borxhit publik.

Shqipëria ka negociuar disa marrëveshje kredish me bankat komerciale në të shkuarën. Në vitin 2008, qeveria arriti të sigurojë një kredi prej 230 milionë eurosh përkundrejt interesit euribor plus 1.25 për qind. Por kredia e vitit 2008 nuk qe e garantuar nga Banka Botërore dhe nuk mbartte kosto të garancisë. Nga ana tjetër, euribori në atë kohë qe në nivele të larta prej 4 apo 5 për qind, ndërkohë që sot është në nivele të papërfillshme pranë zeros.

Përvecc kredisë së vitit 2008, qeveria shqiptare hyri në negociata me disa banka ndërkombëtare në vitin 2009, për një kredi sindikale me vlerë 250 milionë euro, për të cilën u detyrua të paguajë një interes prej euribor plus 9.65 për qind. Kjo qe edhe kredia më e shtrenjtë në historinë e shtetit shqiptar.

Në vitin 2010, Shqipëria emetoi bondet e para sovrane në euro, për një shumë prej 300 milionë eurosh, me kupon prej 7.5 për qind në vit. Këto bonde maturohen në nëntor të këtij viti.

Përvecc kredisë aktuale prej 250 milionë eurosh, qeveria pritet të emetojë edhe 300 milionë euro bonde sovrane me qëllim për të zëvendësuar bondet aktuale që maturohen në nëntor.

Borxhi publik shqiptar ka arritur në 7 miliardë euro në vitin 2014 ose rreth 69 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi