INSTAT: Rritja e prodhimit të brendshëm bruto 2014 me 1.89 për qind

Nga Gjergj Erebara, BIRN, 3 prill 2015

instat-4-560x300Shqipëria përjetoi rritje të prodhimit të brendshëm bruto me 1.89 për qind më 2014 sipas vlerësimit paraprak të INSTAT, shifër më e ulët se sa parashikimi i qeverisë dhe FMN-së për rritje 2.1 për qind.

Rritja e prodhimit të brendshëm bruto të Shqipërisë u përshpejtua në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, veçanërisht si pasojë e rigjallërimit të sektorit të ndërtimit, por sërish rritja qe e ngadaltë dhe më e ulët se sa shpresohej nga autoritetet shqiptare dhe nga vlerësimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Instituti i Statistikave vlerësoi se rritja vjetore 2014 qe 1.89 për qind, me një përmirësim minimal në krahasim me vitin 2013, kur qe rritur me 1.45 për qind. Qeveria dhe FMN patën shpresuar për rritje ekonomike prej 2.1 për qind për vitin e kaluar, pasi besohej se programi i bollshëm i shlyerjes së detyrimeve të prapambetura të qeverisë dhe i investimeve publike të konsiderueshme duhej të mjaftonin për të garantuar një rritje ekonomike më të lartë.

Por sektori i postës dhe telekomunikacionit shënoi një rënie prej mbi 9.5 për qind ndërkohë që bujqësia shënoi rënie prej 2.7 për qind në bazë vjetore për tremujorin e katërt 2014, ndërkohë që programi i investimeve publike duket se nuk eci siç qe parashikuar për shkak të problemeve të krijuara nga institucionet publike në shpenzimin e parave.

Sipas një raporti të Fondit Monetar Ndërkombëtar, kalimi i menaxhimit të portofolit të investimeve nga Ministria e Financave te Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes është shoqëruar e dobësi në menaxhimin e investimeve dhe rrjedhimisht, me mosrealizim të tyre.

Për tremujorin e katërt, rritja ekonomike rezultoi 2.4 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por burimet e kësaj rritjeje ekonomike duket se janë të paqëndrueshme. Ajo është furnizuar para së gjithash nga rritja e volumit të punimeve në sektorin e ndërtimit, ku një peshë jo të vogël duket se kanë patur investimet e qeverisë përmes Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, një program investimesh i prezantuar nga qeveria si “Rilindja e Qyteteve” dhe që përbëhet nga projekte përmirësimi rrugësh dhe fasadash si investime parazgjedhore. INSTAT vlerëson se sektori i ndërtimit dha 1.56 për qind të rritjes prej 2.42 % të tremujorit të katërt. Për këtë arsye, ky burim rritjeje ekonomike konsiderohet si i përkohshëm. Sektorët e tjerë pësuan një rritje modeste ndërsa posta dhe telekomunikacioni pësoi një rënie të konsiderueshme krahas sektorit të bujqësisë.

Shqipëria vlerësohet se ka potencial të rritjes ekonomike prej 4 për qind në vit, potencial që shpresohet se do të arrihet në vitin 2018, në rast se reformat ekonomike të ndërmarra nga qeveria përmes programit që ka me Fondin Monetar Ndërkombëtar do të dalin me sukses.

Për këtë vit, ekonomia e Shqipërisë shpresohet të rritet me 3 për qind, shifër që rezulton e vështirë duke parë rritjen më të ngadaltë nga sa pritej të vitit 2014.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi