Sfidat e modelit të zhvillimit

Nga Oriola Musa, botuar në Panorama Online, 26 mars 2015

oriolamusaNjë nga fjalitë kyçe në prezantimin e programit të qeverisë Rama në shtator 2013, ishte dhënia fund e modelit të vjetër të zhvillimit ekonomik, një model tranzicioni, që mbështetej te remitancat, privatizimet e mëdha, bumi i sektorit të ndërtimit etj., dhe kalimi te një model i ri. Ky model tashmë, sipas programit qeveritar do duhej të mbështetej kryesisht te ristrukturimi ekonomik dhe reformat e vërteta strukturore, rritja me prioritet e prodhimit të brendshëm, diversifikimi i produkteve dhe shërbimeve, adoptimit masiv të teknologjive të reja, siç lexohet në programin e bërë publik.
Kjo është një qasje që e kanë ndarë shumë ekspertë të ekonomisë, vendës dhe të huaj. Kryerja e reformave të tipit afatgjatë është një objektiv i ëndërruar prej secilit kryeministër dhe pika në të cilën ata mund të kontestohen. Nëse mendimi ekonomik mund të diferencojë në analizën e të dhënave të caktuara, duke i lexuar në mënyrë të ndryshme të njëjtat të dhëna, gjykimi për përfundimin ose jo të këtyre reformave, i gjen të gjithë në një mendje. Ka një konsensus në gjirin e ekspertëve të ekonomisë se Shqipëria nuk arriti të dalë nga tranzicioni ekonomik pikërisht pse asnjë qeveri para Ramës nuk përmbylli ndonjë prej këtyre reformave strukturore në tregun e tokës dhe të pronës në përgjithësi, reformën e administratës publike, të sistemit mjekësor, arsimit publik etj.
Të gjitha këto reforma, së bashku edhe me të tjera, mund të quhen reforma sistemike ose reforma që bëjnë sistem, apo shndërrojnë rrënjësisht sistemin. Ky ngjan si prioriteti kryesor i Kryeministrit Rama, i cili në ligjërimin e vet politik i referohet shpesh fjalës sistem jo thjesht në gjykimin kritik të plagëve të tij. Në këtë periudhë të qeverisjes së tij ka disa hapa pozitivë në shndërrimin rrënjësor të sistemit ekonomik ekzistues apo sistemit shqiptar në përgjithësi. Goditja masive e ndërtimeve pa leje, vendosja e një lloj moratoriumi në dhënien e lejeve të ndërtimit, jo vetëm ka shkulur disa prej çibanëve të lulëzimit ekonomik të tranzicionit, por dhe ka ndaluar fuqimisht ndërtimet e reja pa leje, që projektoheshin në kokën e qytetarëve të ndryshëm. Kjo goditje ka frenuar problematikën më të madhe të tranzicionit, shkatërrimin e territorit. Së bashku me përshpejtimin e ritmit të legalizimeve, iniciativën e pastrimit mjedisor, të moratoriumeve të gjuetisë, ndalimit të prerjes s ë pyjeve, këto kanë qenë disa hapa themelorë në shkëputjen prej kulturës tipike të zhvillimit ekonomik në tranzicion: shpërdorimi i territorit dhe burimeve natyrore. Rreptësia në goditje, me gjithë padrejtësitë që mund të jenë kryer për shkak të diferencës së shpejtësive me të cilën lëviz Kryeministri dhe pjesët e tjera të shtetit, ka imponuar një kapitull të ri të kulturës së respektimit të ligjit, përkatësisht të rregullave në vendin tonë. Kultura e respektimit të ligjit është themelore për të krijuar apo shndërruar rrënjësisht sistemin: edhe respektimi i rregullave të pirjes së duhanit, atyre të trafikut etj., kanë qenë hapa brenda së njëjtës logjikë. Shto këtu edhe masat e shumta për të ndryshuar imazhin e Shqipërisë nëpërmjet ndryshimit të rrugëve hyrëse të qyteteve apo qendrave të tyre, kanë qenë hapa që e bëjnë sistemin shqiptar tërheqës për investimet e huaja, që janë aq shumë të domosdoshme.
Nga këndvështrimi ekonomik, kanë qenë disa hapa që meritojnë vëmendje. Ato në dukje kontribuojnë jo thjesht në imazhin e vendit, por edhe në reduktimin e kriminalitetit masiv në vend, siç ishte rasti i goditjes së qendrave më të rëndësishme të kultivimit të bimëve narkotike, Lazaratit dhe Dukagjinit. Por, nga ana tjetër, këta hapa kontribuojnë në reduktimin e të ardhurave të pjesës gri të prodhimit të brendshëm bruto, apo në uljen e eksporteve kriminale, që punësonin njerëz gjithashtu. Këto të ardhura duhet të zëvendësohen në një mënyrë, sepse vetëm shkopi pa karotën krijon efekte sociale negative, ashtu dhe reduktim të mbështetjes elektorale.
Përtej vlerësimit ose jo të këtyre reformave rrënjësore të kryera deri tani, ka vend për të pyetur për reformat e tjera strukturore në funksion të objektivit kryesor të kësaj qeverie: krijimi i një modeli të ri ekonomik.
Disa pikëpyetje për modelin e ri ekonomik
A ka sot Shqipëria një strategji zhvillimi kombëtar? A është kjo strategji vetëm apo së bashku me Kosovën, me të cilën po ecet drejt një lloj hapësire ekonomike të përbashkët? Kjo strategji do duhej të përcaktonte prioritetet, përparësitë konkurruese, profilin e ekonomisë sonë. A kemi ligje të reja, përkatësisht reforma të reja që nxisin prodhimin vendës, në veçanti atë bujqësor, turizmin, teknologjitë e reja, qoftë nëpërmjet investimeve të huaja, qoftë nëpërmjet politikave lehtësuese të investitorëve vendës që të orientohen nga manifaktura, nxitja e eksporteve siç nënvizon programi? Ka shumë shtete fqinje që kanë ecur në këtë rrugë, si Maqedonia, Serbia, Kroacia etj. Nëse nuk ka apo janë në fazë të miratimit, kjo gjithsesi e shtron një farë pikëpyetjeje për kohën e kaluar në opozitë, kur pranë forcës kryesore politike, PS-së, do duhej të funksiononte e ashtuquajtura fabrikë e ideve. 8 vjet në opozitë ishin të mjaftueshme që në funksion të realiteteve ekonomike të krijuara, të modelit të ri ekonomik, të formuloheshin politika të cilat, me ardhjen në pushtet, vetëm mund të modifikoheshin pak, për t’u shndërruar në reforma të vërteta strukturore.
Është krejt e qartë se miratimi i politikave të reja që krijojnë sistem të ri, model të ri zhvillimi ekonomik, nënkuptojnë angazhim shtetëror, kapital publik në favor të nismave të reja, që të çojnë te ky model. Por ky kapital ka munguar: doganat e konsultuara nga kompania britanike nuk sollën të ardhurat e premtuara dhe as tatimet nuk po shkëlqejnë në grumbullimin e të ardhurave, me gjithë rritjen e një pjese të taksave. Politikat e reja ekonomike nënkuptojnë lehtësim procedurash, korsi preferenciale për investitorë të përmasave të mëdha, apo që veprojnë në fusha të caktuara si turizmi, teknologjitë e reja etj, etj. Dhe këtu çdo qeveri përplaset me vëzhguesit apo organizmat ndërkombëtarë, që e monitorojnë Shqipërinë mbi bazë marrëveshjesh të rregullta, si FMN apo Banka Botërore. Dihet qasja restriktive e tyre në këtë drejtim. Por me faktorët ndërkombëtarë të specializuar duhen kapacitete negociuese të mira. Duhet folur gjuha e tyre, duhen aftësi bindëse. A janë të tillë ministri i Financave apo ai i Ekonomisë së kësaj qeverie? Duket sikur në raport me qeverinë paraardhëse, e cila guxonte t’u kundërvihej organizatave ndërkombëtare financiare, kjo qeveri ka qasje më konstruktive, d.m.th. i dëgjon me respekt më të madh këshillat e tyre, edhe në emër të përfitimit të atyre kredive që Shqipëria mori këta muajt e fundit në funksion të financimit të zhvillimit. A mundet të përdoret në këtë drejtim, pra forcimit të kapaciteteve negociuese me këto organizata dhe këshilltari i ri i Guvernatorit, eksperti i dikurshëm i FMN-së, Mario Blejer, ashtu si dhe këshilltarët e tjerë të kualifikuar të Kryeministrit të Shqipërisë? Vendosmëria e Kryeministrit për të rikthyer kulturën e respektimit të ligjit, autoriteti i tij i fortë në drejtimin e punëve ekzekutive është atu e fortë në imazhin e tij përkundrejt të huajve.
Këtu jemi në një pikë tjetër, që ka shumë rëndësi në realizimin e atyre reformave strukturore për të cilat folëm në fillim të shkrimit – zbatueshmëria e tyre. Kryeministri mund të ketë vullnetin më të mirë, vendosmërinë, të arrijë shumë në qeverisje, por administrata publike, sistemi i Drejtësisë, pushtetet e tjera duhet të motivohen nëse janë të kualifikuar për t’iu përgjigjur sfidave të mbijetesës së sistemit shqiptar. Edhe ky është një problem tjetër i madh: a janë të kualifikuar, a kanë vullnet dhe motivim për ta ndjekur Kryeministrin në këtë rrugë? Shqipëria është vërtet vend i vogël, por pushteti ka shumë meandre, në të cilat autoriteti i të parit tretet shumë lehtë rrugës.
Në një shikim përfundimtar, kësaj qeverie i nevojitet më shumë qartësi, pragmatizëm, koherencë në reformat që do duhet ta nxirrnin Shqipërinë nga modeli ekzistues i zhvillimit ekonomik. Duhet shpejtësi dhe një karvan që ta ndjekë si duhet prijësin e tij.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi