Degjenerimi i kërkimit shkencor

Nga Zamira Çavo, botuar në Shqip, 26 mars 2015

Zamira-CavoKa 25 vjet që Shqipëria po përballet me probleme të mëdha ekonomike, por edhe sociale e politike. Dhe sikundër shihet kemi kaluar nga kriza në krizë duke mos gjeneruar dot zhvillim të qëndrueshëm. Në mendimin tim shkaktarë të kësaj gjendjeje mund të numërojmë disa, por do veçoja dy më kryesoret: a)Keqqeverisje, e cila gati e shndërroi shtetin në inekzistent, dhe b) mungesa e punës shkencore, e cila ka degjeneruar dhe nuk i ka dhënë vendit asnjë projekt ndihmues zhvillimi.

Dikush do të thotë se gjatë këtyre viteve janë zhvilluar me qindra projekte të financuara nga të huajt, janë mbrojtur me qindra doktoratura e janë zhvilluar me qindra konferenca shkencore. Kjo është plotësisht e vërtetë. Por e vetmja gjë që i lidh me shkencën është fjala “shkencore”, sepse impakti i tyre jo vetëm që është gati i zeruar, por jo rrallë është dukur qesharak. Kërkimi shkencor sot është reduktuar në konferenca të shumta kombëtare e ndërkombëtare, të cilat nuk kanë gjeneruar as problematika për qeverisjen e as projekt për zhvillimin. Por edhe qeverisjet nuk është se kanë dashur të dinë për këto prodhime.

Pyjet dhe bujqësia janë pasuri e çmuar e vendit tonë dhe natyrisht duhen trajtuar me projekte shkencore afatmesme dhe afatgjata. Nuk e kam fjalën këtu për strategjitë qeverisëse, sepse ato nuk janë shkencore (dhe nëse “projektohen” nga specialistë të fushës, por të kapërcyer në politikë). Po kështu do të thosha për turizmin, për burimet ujore, për hidrocentralet dhe hidrokarburet. Pra fushat e kërkimit në një vend duhet të përkojnë, në nivelet makro, me nevojat që ka vendi. Pra duhen orientuar drejt fushave prioritare. Sigurisht që studime individuale në këto fusha (po t’u referohemi doktoraturave) ka me dhjetëra, por këto janë të panjohura. Arsyet le t’i kërkojmë së bashku:

Me rënien e sistemit komunist kërkimi shkencor reflektoi gjithë atë rënie që realisht kishte kohë që manifestonte vendi ynë. Nga ana tjetër, tendenca për të shkatërruar gjithçka u trashëgua nga ai sistem çoi në shkrirjen e instituteve kërkimore në vend. Dikush mund të thotë se në këto institute vegjetonin për kohë të gjatë individë joprofesionistë. Mundet! Por kjo nuk e mohon faktin që specialistët e këtyre instituteve ishin projektuesit e veprave të mëdha të ekonomisë sonë, të cilat në një pjesë të tyre vazhdojnë të jenë aktive si dikur e që kanë nevojë për një mendim të specializuar edhe sot. Politikat që u ndoqën me shkrirjen e këtyre njësive të organizuara të kërkimit shkencor, zhvlerësoi realisht një punë kërkimore të bërë ndër vite, duke i hapur rrugën një modeli të ri: kërkimin shkencor individual!

Duke ua lënë individëve kërkimin shkencor, në këto 24 vjet fondet u përqendruan në ato projekte të cilat jo vetëm nuk kishin impaktin e duhur për vendin, por shpesh ishin projekte të shkruara nga organizata të ndryshme që shkruanin projekte të ditës dhe jo të perspektivës, të nevojës konkrete, (sidomos në fushën sociale) por jo të zhvillimit. Dhe është e natyrshme të ndodhte kështu: nuk realizohet kërkimi shkencor që i duhet vendit me projekte spontane dhe të prirura drejt interesave dhe prirjeve të këtyre organizatave. Ndaj jo rrallë e të këto fondet u shpërdoruan për interesa personale. Nga ana tjetër dhe njësia shtetërore pjesë përbërëse e MASH-it financoi projekte që kishin sfond interesash politike dhe joshkencore.

Universitetet që duhej të ishin laboratorë dëshmuan se me ngarkesën që kishin dhe mungesën e buxheteve, jo vetëm që nuk mund të merreshin me kërkimin shkencor, por prishën edhe mësimdhënien, për shkak se duhet të merreshin njëkohësisht edhe me “kërkimin shkencor” edhe me projektet. Pedagogu, në mungesë të buxheteve detyrohej (dhe detyrohet) që librat e tij t’i botojë me paratë e veta dhe sërish t’i tregtojë si një shitës ordiner që mban me vete thasët me libra. Kjo gradualisht e reduktoi studimin individual dhe e shndërroi në komercial. Ndaj cilësia ra deri në degjenerim.

Nga ana tjetër, politikat qeverisëse duke pretenduar se po i jepnin përparësi kërkimit shkencor, prodhuan politika që favorizonin doktoraturat me një shpërblim monetar jo në favor të produktit të tyre, por të kartonit. Doktoraturat u shndërruan në një “nevojë” për të mbajtur vendet e punës për pedagogët që ishin punësuar në periudha klienteliste dhe në një “mani” për të tjerë që e mendonin doktoraturën si stoli individuale ose si mundësi për të përfituar një bonus financiar në punët që kishin. Sa më i lartë posti në administratën publike aq më e madhe ambicia për t’u doktoruar! Dhe ky ishte paradoksi i kohës që zhvlerësoi punimet e vërteta. Ndaj sot kemi me dhjetëra ose më mirë me qindra punime doktorale pa vlera, shpesh amalgama të krijuara nga “marrja” copy past” nga punime të huaja. Dikush mund të thotë se faji është i universiteteve që pranuan një gjendje të tillë. Pa dashur të justifikoj këto institucione, të cilat kanë lejuar për njëmijë arsye të ndodhin këto gjëra, unë them se ka ndoshta një arsye tjetër që duhet ta marrim në konsideratë:

Asnjë kërkim shkencor me impakt për vendin nuk mund të realizohet nga një individ, sado i mirë të jetë edhe udhëheqësi i këtij kërkimi! Nuk po përmend faktin që një profesor udhëheq deri në 10 doktoratura! Kjo edhe për mungesa personeli të kualifikuar për të bërë këtë udhëheqje, por edhe për fitime personale monetare të tyre! E ç’mund të presësh nga punime të tilla? Por edhe nëse e marrim të mirëkuptuar situatën sërish mendoj se një individ e ka të pamundur të sjellë punime që do u ndihmojnë sektorëve të ndryshëm të vendit. Atëherë mbetet puna e grupit. Natyrisht që një punë e vërtetë kërkimore kërkon patjetër grup! Por cilin grup? Departamentin? Pedagogët sot nuk kanë kohë fizike të merren me kërkimin shkencor dhe sikur të duan. Të mos flasim më tej për financim të tyre. Dikush mund të thotë: Epo mirë aplikoni si të tjerët në mundësitë që ka Bashkimi Europian! Kjo është një mundësi me shumë burokraci dhe kohë për t’u shpenzuar. Por fushat janë sërish të përcaktuara nga BE, ndërsa Shqipëria ka nevojat e saj prioritare ku duhet ta fokusojë kërkimin shkencor.

Jam e sigurt që përfaqësues zyrtarë të shtetit do të thonë se në ligj janë përcaktuar edhe krijimet e instituteve të kërkimit pranë universiteteve ose fakulteteve. Ato duhet të jenë laboratori i kërkimeve. Vetëm se realisht këto institute edhe kur ekzistojnë gjenerojnë tek-tuk ndonjë projekt të limituar dhe jo një kërkim shkencor që na nevojitet. E të mos flasim për personelin e tyre që jo rrallë lë shumë për të dëshiruar.

Ne jemi një vend i varfër, por nëse e duam vërtet të ardhmen e vendit duhet të gjejmë mundësinë për të financuar institute të kërkimit shkencor të paktën në disa fusha prioritare dhe të çlirojmë mendjen e njerëzve nga ideja se po “bëjnë shkencë” me doktoraturat e tyre, si dhe t’i japim vendin mundësinë për të prodhuar specialistë të qëndrueshëm në kërkim shkencor. Përvoja botërore ka treguar se pa një financim të mirë të kërkimit shkencor vendi mbetet në duar diletantësh dhe kur politika vetë është diletante, atëherë procesi i zhvillimit do kohë që të fillojë të trokasë.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi