Zgjidhni kreditë me probleme, ose do pengohet rritja

Intervistë e posaçme për “Monitor” me z. Nadeem Ilahi, shef i Misionit të Fondit Ndërkombëtar për Shqipërinë dhe një nga autorët e raportit “Ballkani Perëndimor: 15 vjet tranzicioni ekonomik”, 22 mars 2015

nadem ilahiNPL-të po bëhen një faktor pengues për rritjen dhe kjo duhet zgjidhur në nivel të lartë, qeveria duhet të marrë një pozicion lidhur me strategjinë për reduktimin e NPL-ve, ky nuk është vetëm një problem i Bankës së Shqipërisë, Ministrisë së Ekonomisë, duhet të jetë një çështje e politikave më të mëdha, nëse do të duhet të arrihet rritja në afatin e mesëm….

Si një nga autorët e raportit “Ballkani Perëndimor: 15 vjet tranzicioni ekonomik, z. Nadeem Ilahi, shef i Misionit të Fondit Ndërkombëtar për Shqipërinë, pohon se në 15 vjet, disa reforma kanë përparuar, duke e transformuar vendin drejt një ekonomie moderne tregu, të tjera nuk kanë ecur para. Ndër reformat që kanë ecur më mirë ai përmend atë të energjisë, pensioneve, sistemit fiskal, që ndonëse janë në fillim, duket se po ecin mirë. Aty ku Shqipëria ka mbetur prapa është çështja e të drejtave të pronësisë, që ndikon negativisht në ekonomi dhe në investime. Por sfida më e madhe për momentin duket se është ulja e kredive me probleme, që janë më të lartat në rajon. Z. Ilahi pohon se kjo çështje e tejkalon Bankën e Shqipërisë apo Ministrinë e Ekonomisë dhe duhet të jetë në axhendën e gjithë politikëbërjes për të analizuar se pse nuk kanë funksionuar masat e marra deri tani dhe çfarë duhet bërë më tej në të ardhmen.

Si do ta vlerësonit ecurinë e Shqipërisë në 15 vite tranzicion?

15 vitet e fundit kanë parë shumë ndryshime strukturore ekonomike në rajon dhe Shqipëria nuk bën përjashtim në këtë drejtim. Ne kemi parë një transformim domethënës në ekonomi, që ka nisur që në fillim të viteve ‘90 dhe po vazhdon. Shqipëria nuk ka vuajtur nga lufta e vendeve ish-jugosllave, që u përballën me luftëra civile, por ka vazhduar në rrugën e reformave. Ajo që është e rëndësishme, sipas mendimit tim, është të ndalemi dhe të shikojmë se ku Shqipëria është sot dhe si krahasohet në raport me 15 vjet më parë. Unë mendoj se transformimi drejt një ekonomie moderne, krijimi i një sektori privat, krijimi i pronësisë private nga zero dhe përmirësimi i disa institucioneve, që kërkohen për të administruar këtë ekonomi moderne, kanë qenë arritje domethënëse.

Një fushë ku Shqipëria ka ecur mirë, ashtu si gjithë Ballkani, është sistemi bankar. Në fillim të viteve 2000, Shqipëria kishte sistemin bankar më të dobët. Por ajo që pamë pas kësaj periudhe ishte një rritje e kredisë dhe për më tepër, krijimi i besimit në sistemin financiar dhe në sistemin bankar. Kjo ka ndodhur për shkak se qeveria kreu reformat bazë dhe u krijua një sistem ku hynë bankat e huaja, të cilat krijuan besim te publiku, aty ku besimi mungonte. Ato sollën njohuri të huaja, ekspertizë. Dhe sot kemi një sistem bankar në Shqipëri, i cili është tërësisht i transformuar, në krahasim me atë që ishte 15 vjet më parë.

A është një sistem perfekt? Jo. Ne të gjithë e dimë këtë, ka sfida. Por, një nga mësimet që ne shohim këtu është se kur ndodhi bumi financiar, në shumë anëtare të reja të Bashkimit Europian, veçanërisht vendet baltike, kishte një rritje të lartë të kredisë në monedhë të huaj, çka bëri që kredia të rritej shpejt gjatë periudhës së lulëzimit, por gjithashtu u tkurr shumë shpejt, për shkak se fluksi u venit.

Në Shqipëri, ashtu siç po thosha dhe më parë, ishte një rritje e besimit te depozituesit, së bashku me kapitalin e huaj të bankave, që mundësoi zgjerimin e kredive. Kjo rritje ka qenë shumë më e qëndrueshme. Nuk kemi parë rënie të kreditit në Shqipëri. Ne shohim ngadalësim, shohim një problem me bilancet dhe një rritje të kredive me probleme në të gjithë rajonin. Një nga grafikët që ne kemi në raport tregon se si kreditë me probleme kanë arritur në nivele shumë të larta që nga fillimi i krizës dhe është shumë shqetësuese të shohim se në pothuajse çdo vend të Ballkanit, niveli i kredive është afër pikut të krizës.

Po, por Shqipëria ka nivelin më të lartë të kredive me probleme në rajon…

Niveli i kredive me probleme në Shqipëri është i lartë, por mendoj se duhet të tregohemi të kujdesshëm, kur bëjmë krahasim mes vendeve, sepse përcaktimi i huave me probleme (NPL) është i ndryshëm për çdo vend. Ajo që mendoj se është më interesante rreth këtij grafiku është se si ka qenë progresi me kalimin e kohës. Ndërsa shohim se në vendet e reja anëtare të BE-së dhe të Baltikut, NPL-të kanë rënë, si rrjedhojë e reformave në aftësinë paguese, ekzekutimin e kolateralit, kjo nuk po ndodh në Ballkan. Kjo është shumë sfiduese në vendet e Ballkanit.

Në Shqipëri, ato nuk kanë rënë dhe kjo duket qartë në grafik. Pse nuk po bien NPL-të, sipas mendimit tuaj?

Ne diskutuam gjerësisht në konferencë, se përse rajoni nuk ka ecur përpara në këtë çështje të rëndësishme. Ka një sërë problemesh këtu. Njëri lidhet me faktin se sa herë që ka nivel të lartë të NPL-ve në një vend, ka shqetësime për stabilitetin financiar. A do të ndikojë kjo te bankat, a do të mbeten ato pa kapital? Në përgjithësi, ky nuk është një shqetësim, për shkak se ato janë të gjitha të provigjionuara. Por, problemi është se një nivel kaq i lartë i frenon bankat, sepse ato shohin një përkeqësim të bilanceve. Por pse nuk kanë lëvizur gjërat? Unë mendoj se përgjigjja varet nga një pyetje më e thellë, që ne bëjmë në Shqipëri sot rreth asaj se cilat janë proceset që mundësojnë pastrimin e NPL-ve. Shumë varet nga përqasja gjyqësore për zgjidhjen e këtij problemi, ekzekutimi i kolateralit, fshirja e kredive, trajtimi nga ana fiskale, që tashmë është sqaruar, çështja e trajtimit të NPL-ve në bilancet e bankave.

Janë bërë reforma, por duke parë problemet, duket se ato nuk janë zgjidhur. Çështja shtrohet se çfarë duhet të bëhet më shumë. Ky është një diskutim, që ne e kemi në qendër të bisedave tona me qeverinë, përfshirë këtë mision, se si mund ta zgjidhim këtë problem.

Shqetësimi ynë është se, nëse duam të nxisim rritjen ekonomike në afatin e mesëm, për të shkuar në nivele prej 4.5%, siç janë pritshmëritë tona dhe ato të qeverisë shqiptare, kjo nuk do të jetë e mundur, në rast se sistemi bankar nuk do të nisë t’u japë hua korporatave në një mënyrë të qëndrueshme, nëse korporatat nuk do të kenë akses në financë.

Ajo që ne shohim sot është një hezitim i bankave, të cilat po shohin që NPL-të janë ngulur në bilancet e tyre dhe janë të shqetësuar për kreditë e mira. Nga ana tjetër, kjo mund të vinte në rrezik projektet që janë të mira për t’u financuar. Të gjitha këto fakte duhet të analizohen.

Ashtu siç e thashë dhe më parë, janë kryer një sërë reformash, kthimi i detyrimeve të prapambetura ka ecur në drejtimin e duhur, por kjo është një çështje e vështirë. Dhe Shqipëria nuk është vetëm në rajon, siç mund ta imagjinoni. Çdo vend tjetër përballet me këtë problem. Ka shumë diskutime rreth kësaj, jo vetëm në rajon, por edhe midis ekspertëve në institucionet financiare ndërkombëtare se si të zgjidhet ky problem.

Ka një ide për fshirjen e borxhit të keq të sistemit bankar. Si e shikoni këtë ide?

Në njëfarë faze, në rast se huaja është e vdekur, perspektiva e pagesës duket shumë e vakët. Atëherë çfarë duhet bërë? Ajo që ne kemi parë në vende të tjera është se në disa raste, është me shumë avantazh të pranohen humbjet, për ta fshirë atë, për ta çuar në një kompani të menaxhimit të aseteve, për të pastruar bilancin, në mënyrë që të fillojë një aktivitet i ri. Vendet që e bëjnë këtë shpejt, rimëkëmben shpejt dhe rriten. Kjo ka ndodhur në vendet baltike, në Letoni, në Estoni dhe siç kemi parë vitet e fundit, kjo ka qenë shumë konstruktive. Në këtë mënyrë lëvizet ekonomia. Ju vendosni një qëllim. Mund të thoni, humbjet janë humbje, mund t’i fshehim ato për 20 vitet e ardhshme dhe kjo do të vazhdojë të ndikojë negativisht në rritje, ose mund të përpiqeni të merreni me problemin.

Se si e zgjidhni konkretisht problemin, kjo është pjesë e axhendës së politikëbërjes dhe situatës në terren, si dhe faktit se sa i madh është tregu. Në tregjet e mëdha, ju mund të jeni në gjendje të hiqni qafe NPL-të përmes kompanive të menaxhimit të aseteve, që i shesin ato tek të tjerët. Por, një nga problemet në Ballkan është se tregu është i vogël.

Në raportin tuaj theksohet se sfida më e madhe për momentin për sa i përket konsolidimit fiskal është borxhi i lartë dhe varësia e financimit të tij nga bankat. Pse?

Ne e kemi ndjekur çështjen e borxhit në Shqipëri, që është rritur vitet e fundit dhe ka shkuar edhe më lart dhe si duhet ulur ai. Mendoj se një nga çështjet që ka qenë shqetësim i FMN-së prej disa vitesh tashmë ka qenë fakti se shuma e borxhit afatshkurtër që duhet paguar është shumë e lartë. Kur keni një nevojë kaq të lartë pagese çdo tre muaj, kjo rrit rrezikun me të cilin përballeni për shkak se tregjet fillojnë të shkojnë keq dhe nuk do të jeni të gjendje të siguroni para për një pjesë të madhe të buxhetit. Dhe pikëpamja jonë është se duhet të ketë një zgjatje të maturiteteve dhe gjithashtu të diversifikohet.

Në fakt, i gjithë rajoni ka parë një rritje të borxhit dhe kjo rritje e borxhit ka implikime për hapësirën që është e nevojshme për të bërë reforma fiskale.

Në fakt, gjatë muajve të fundit, është vënë re një rritje e yield-it (interesit) të bonove të thesarit, pavarësisht politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë…

Ka një sërë faktorësh që ndikojnë në tregun e brendshëm. Por mendoj se trendi afatgjatë në tregun shqiptar ka qenë i mirë, duke përfshirë dhe vitin e fundit. Varësia e borxhit është zhvendosur nga tregu i brendshëm. Ajo ka qenë shumë e lartë, më e larta në rajon dhe po vazhdon të zhvendoset drejt borxhit të jashtëm. Ne kemi pasur një zhvillim të fondeve të investimeve dhe në diskutimet tona të misionit po diskutojmë rreth fuqizimit të mbikëqyrjes dhe më pas këto fonde mund të rriten. Pra tendenca në përgjithësi është në drejtimin e duhur. Gjëja më e rëndësishme është se qeveria po bën rregullime. Pra qeveria ka nevojë që të marrë hua nga tregu. Ai nuk po rritet me shpejtësi në fakt, dhe shumë shpejt do të fillojnë rënien. Kur kjo të ndodhë, do të lehtësojë presionin në tregje. Mund të ketë periudha kur yield-i ulet apo rritet, por tendenca në afatin e gjatë është e qëndrueshme.

Cilat janë rekomandimet në afatin e mesëm dhe të gjatë për qeverinë në drejtim të reformave strukturore, duke parë në të kaluarën dhe pritshmëritë për të ardhmen?

Kjo është një pyetje e madhe e thellë. Nëse kthehemi pas në kohë dhe mendojmë për atë që duhej bërë, disa reforma kanë përparuar, të tjera nuk kanë ecur para. E përmenda çështjen e NPL-ve që po bëhet një faktor pengues për rritjen dhe kjo duhet zgjidhur në nivel të lartë, qeveria duhet të marrë një pozicion lidhur me strategjinë për reduktimin e NPL-ve, ky nuk është vetëm një problem i Bankës së Shqipërisë, Ministrisë së Ekonomisë, duhet të jetë një çështje e politikave më të mëdha, nëse do të duhet të arrihet rritja në afatin e mesëm.

Ka pasur progres të mirë në sektorin e energjisë, që sapo ka filluar. Ne jemi dakord me qeverinë lidhur me përqasjen që po ndiqet në këtë drejtim. Siç e dini, ne e kemi përfshirë këtë si pjesë të programit tonë. Deri tani, rezultatet janë të mira dhe le të shpresojmë se progresi do të vazhdojë. Shumë reforma duhen bërë në një periudhë 5-vjeçare.

Ka pasur hapa që janë ndërmarrë në drejtim të reformës fiskale dhe ky ishte një tjetër faktor që ndikonte negativisht në buxhet. Sërish, kjo është një reformë afatgjatë, por mendoj se është në drejtimin e duhur.

Që prej tre vitesh, kur kam filluar të punoj me Shqipërinë, e kemi ngritur çështjen shumë të thellë të të drejtave të pronësisë, se si ato ndikojnë negativisht në ekonomi dhe në investime. Nuk kemi parë që kjo reformë të ecë përpara. Po diskutojmë me qeverinë, që po përpiqet të bëjë diçka për këtë. Një tjetër problem është ai i kompensimeve me urdhër të Gjykatës Europiane, që është gjithashtu një rrezik fiskal. Këto janë të gjitha probleme shumë të thella.

Ka një ndjesi të përgjithshme, që pas marrjes së statusit kandidat verën e kaluar, Shqipëria po ecën me politikën e reformave dhe ritmi i tyre është rritur. Me fjalë të tjera, nëse do të zgjidhni problemet, kjo përkthehet në një rritje më të lartë ekonomike, më shumë punësim. Kjo mënyrë të perceptuari duhet të nxisë më shumë ndryshime.

Nga mënyra se si ne i shohim gjërat, reforma në administrimin e taksave në përgjithësi po ecën në drejtimin e duhur. Ekspertët tanë po punojnë ngushtë me qeverinë, duke i këshilluar.

Kjo është një rrugë e gjatë, që nuk jep rezultat në një vit, por ndihmon në përmirësimin e menaxhimit financiar, parandalimin e krijimit të detyrimeve në të ardhmen, disiplinimin e qeverisë, aftësinë e qeverisë për të respektuar kontratat me kompanitë. Në momentin që krijohet një lloj përqasje e tillë, kjo është e rëndësishme në anën financiare. Ne vazhdojmë të punojmë me Bankën e Shqipërisë lidhur me provigjionimet, rregulloren. Por një nga çështjet më të mëdha është rritja e kredisë, nga do të vijë ajo, kur do të fillojë të jetë e ndjeshme.

Të mos harrojmë gjithashtu që mjedisi i jashtëm ka rëndësi. Europa nuk po ecën me shpejtësi dhe kjo ndikon.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi