Forumi rajonal “Europa Juglindore si një treg i përbashkët”

Universiteti Mesdhetar i Tiranës, 14 mars 2015

10408763_981557315189856_3797494604180263866_n“Europa Juglindore, Ballkani përkatësisht, nuk po ecën drejt Bashkimit Europian në mënyrë homogjene dhe vendet e rajonit kanë sot ritme të ndryshme, jo në sensin e vullnetit dhe të aspiratës së shprehur për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, por në sensin e marrëdhënieve mes qeverive dhe sistemeve të brendshme të çdo vendi, që nga drejtësia deri tek liria e medias”.

Kështu deklaroi Kryeministri Edi Rama në Forumin rajonal “Europa Juglindore si një treg i përbashkët”, që zhvillon punimet në Tiranë. Rama vuri në dukje se nga njëra anë kemi sfidën e ecjes drejt Bashkimit Europian si vend dhe si rajon, por nga ana tjetër, e kemi të pamundur të mos konstatojmë se vetë Bashkimi Europian nuk po ecën drejt Europës si projekt me atë vendosmëri strategjike që Bashkimi Europian u bë zanafilla e këtij projekti.

“Angazhimi i shtuar i shoqërisë, përmes segmenteve të saj të dijes dhe të reflektimit mund të rrisë mënyrë drastike shanset për një Europë strategjike, në vend të një Europe gjithmonë e më taktike, si kjo me të cilën bashkëjetojmë në këtë rrugëtim me dy kahje; nga njëra anë, ne që përpiqemi të shpejtojmë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian dhe nga ana tjetër Bashkimi Europian që përpiqet të ngadalësojë sa të mundet rrugën e vetë drejt Europës, si projekt final i bashkimit të të gjithë vendeve dhe shoqërive që e përbëjnë atë”, vuri në dukje Kreu i Ekzekutivit.

Në këtë kuptim edhe integrimi rajonal, tha Rama në të cilin jemi aktivisht të angazhuar si Qeveri, besoj se përbën një instrument për këtë perspektivë të rëndësishme në funksion të një aksioni të përbashkët me të gjitha këto segmente të shoqërisë, në të gjithë rajonin, për të forcuar zërin dhe njëkohësisht për të fuqizuar vetveten në një proces që bëhet përditë e më i vështirë, për shkak të një përplasjeje përditë e më të hapur të axhendave.

Sipas tij, axhendave tona si vende në rajon që duam të integrohemi sa më parë në Bashkimin Europian dhe axhendave të vendeve të Bashkimit Europian që, në një mënyrë ose në një tjetër, e ngadalësojnë, ndonjëherë edhe në formë asfiksuese, perspektivën e projektit tërësor të Europës së Bashkuar.

Rama tha se edhe vetë Bashkimi Europian nuk po ecën drejt finalizimit të projektit, as në mënyrë homogjene, por edhe as në mënyrë të vendosur.

“Ndaj unë besoj se është shumë e rëndësishme që ne si vend të bëjmë çmos që të shtyjmë sa më shumë drejt harmonizimit të zhvillimit rajonal, duke forcuar urat e bashkëpunimit në fusha të rëndësishme, me interes të përbashkët, si transporti dhe si tregtia, pa dyshim, si energjia dhe si shërbimet financiare po ashtu, që stimulojnë rritjen e hapësirës së një tregu të integruar, por pa harruar asnjëherë se të gjitha këto së bashku nuk do të arrijnë dot të na japin atë që kërkojmë nëse së bashku ne nuk do arrijmë të formësojmë një politikë rajonale të dakordësuar në funksion të bashkimit tonë me Europën, si Bashkim Evropian”, shtoi ai.

Kryeministri kërkoi që vendet e rajonit të shfrytëzojnë veçoritë e falura nga natyra si në fushën e pasurive natyrore, ashtu edhe përsa i përket pozicionit gjeografik, i cili vetëm si një treg i integruar do të sigurojë një rritje ekonomike dhe punësim më të mirë për qytetarët e tij. “Të angazhohemi për krijimin e tregut dhe hapësirës së integruar rajonale me objektiv të qartë rritjen e punësimit dhe shtimin e shkëmbimeve tregtare”, tha Rama.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi