Punësimi 2014, shifra boshe të kapura jashtë kontekstit

Nga Gjergj Erebara, publikuar reporter.al, 13 mars 2015

Gjergj-ErebaraNë shkollën e historisë ekonomike na patën thënë se shifrat nuk gënjejnë, por varet nëse po sheh shifrat e duhura, ose shifrat që kanë kuptim për të shprehur realitetin. Kjo është çfarë qeveria e sotme e Shqipërisë, ashtu si ajo e djeshmja, nuk dëshiron ta kuptojë.

“Kam hapur 188 mijë vende pune”, deklaroi Sali Berisha, në një fjalim elektoral të vitit 2013.

“Numri i të punësuarve është rritur me 82.629 persona,” deklaroi kryeministri i sotëm Edi Rama në faqen e tij në Facebook, duke iu referuar Anketës së Forcave të Punës të publikuar nga INSTAT për vitin 2014.

“Shifra e fundit e marrë nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, pra, jo e nxjerrë nga ndonjë anketë dhe as nga ndonjë llogari spekulative, por e nxjerrë nga libri i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, libri i pensioneve të ardhshme të këtij shteti flet për 92.521 vetë më shumë të regjistruar në sigurimet shoqërore si njerëz të punësuar rishtas, apo si njerëz që deri përpara se të regjistroheshin kanë qenë skllevër të punës në të zezë dhe që në konceptin demokratik dhe europian të punës janë sot të punësuar, pasi kanë jo vetëm rrogën që çojnë në shtëpi, por kanë edhe të drejta të garantuara, ashtu si dhe pensionin e garantuar,” deklaroi Kryeministri Edi Rama në 17 shkurt duke thënë se i referohej shifrave të disponueshme deri në nëntor të vitit 2014.

Në këto dy fjalime duket qartë tendenca për të konfonduar të dhëna në emër të propagandës, të tregimit të fakteve pa lidhje me shpresë se ndokush do të bindet.

Nuk është e qartë se pse qeveritarët shqiptarë të djeshëm dhe të sotëm besojnë se duke shpallur dhjetëramijëra apo qindramijëra punësime, do të përfitojnë ndonjë gjë. Në fund të fundit, çdo shqiptar i papunë, i nënpunësuar apo i punësuar, nuk do të ndjehet më i punësuar pas deklaratave të tilla pompoze.

Por e qartë është që qeveritarët shqiptarë janë të vendosur të përsërisin gënjeshtra të njëjta vazhdimisht dhe vazhdimisht.

Anketa dhe të dhënat administrative

Instituti i Statistikave publikon dy lloje statistikash në lidhje me punësimin. Kushdo që është i interesuar mund t’i shohë me detaje këtu. Lloji i parë i statistikave mblidhet nga një sondazh kombëtar në të cilin INSTAT pyet rreth 5 mijë vetë në të gjithë Shqipërinë. Nga ky sondazh që ka filluar të zhvillohet çdo tre muaj tashmë prej disa vjetësh, përqindja e popullsisë në moshë 15-64 vjeç që e deklaron veten të punësuar apo të papunë në kërkim aktiv për punësim, ka variuar nga 67.1 për qind në fillim të vitit 2012, në 58.1 për qind në fund të vitit 2013 dhe në 63.6 për qind në fund të vitit 2014.

Pjesa e shqiptarëve që vetëdeklarohen në kërkim aktiv për punë dhe që janë brenda kësaj moshe ka variuar nga 13 për qind në fillim të vitit 2012, në 18 për qind në fund të vitit 2014.

Kuptuat gjë?

Natyrisht që këto janë statistika për referencë, të nxjerra nga një vrojtim, të vlefshme për t’u parë në terma afatgjatë.

Sa herë që INSTAT publikon këto të dhëna, vendos një shënim të dukshëm në shqip dhe anglisht ku thotë se këto të dhëna janë llogari të bazuara te statistikat e disponueshme mbi popullsinë dhe strukturën moshore të popullsisë. Statistikat mbi popullsinë janë vlerësuar dhe rivlerësuar disa herë gjatë viteve të fundit.

“INSTAT, pas publikimit në maj 2014 të shifrave të plota të popullsisë për vitet 2001-2014, të cilat reflektonin ndryshimet e popullsisë që vinin nga Censusi i Popullsisë dhe i Banesave 2011, ka rishikuar serinë kohore të Anketës Tremujore të Forcave të Punës. Informacioni demografik ka pësuar ndryshime të ndjeshme në strukturën e popullsisë dhe të njësive ekonomike familjare dhe si rrjedhim ka ndikuar në ndryshimet e treguesve të tregut të punës për periudhën nga tremujori i parë i vitit 2012 deri në tremujorin e parë 2014”, thotë shënimi, i cili në gjuhë të thjeshtë do të thotë krahasimi i këtyre të dhënave në kohë nuk është i vlefshëm. Pikërisht bazuar në vlerësimin mbi popullsinë, INSTAT ka publikuar edhe një tabelë tjetër, e cila rreket t’i përkthejë përqindjet e nxjerra nga sondazhi në shifra njerëzish. Pikërisht nga kjo tabelë ka dalë edhe shifra 82.629 personash e cituar nga Rama. Vetëm se kjo shifër duhet parë me atë shënimin e INSTAT që thotë se struktura e popullsisë ka pësuar ndryshime të ndjeshme nga viti 2012 deri në tremujorin e parë 2014. Vlerësimi thotë se në fillim të vitit 2012, numri i të punësuarve 15-64 vjeç llogaritej në 1,133,956 shqiptarë. Kur Rama mori qeverinë në shtator 2013, ky numër i vlerësuar qe 964,213 vetë. Në tremujorin e parë të vitit 2014, ky numër ra në 935,600 vetë. Kjo nuk do të thotë që qeveria Rama hoqi nga puna mbi 28 mijë vetë në gjashtë muajt e parë të qeverisjes së vet, do të thotë që popullsia e vlerësuar nga INSTAT, siç thuhet në shënimin e INSTAT, ka ndryshuar. Rrjedhimisht, shifra e cituar nga Rama për shtimin e 82.629 personave në numrin e vlerësuar si të punësuar, nuk përfaqëson shtimin e të punësuarve. Përfaqëson ndryshimin e vlerësimeve të INSTAT mbi popullsinë.

Të dhënat administrative

Përveç të dhënave të anketës, Instituti i Statistikave publikon edhe “të dhëna administrative”, të dhëna të raportuara nga Ministria e Mirëqënies. Këto të dhëna paraqesin dy shifra që kanë fuqi shprehëse shumë më të madhe se të tjerat. E dhëna e parë është “numri i të punësuarve në sektorin shtetëror” dhe e dhëna e dytë është “numri i të punësuarve në sektorin jobujqësor”. Gjatë vitit 2014, të punësuarit në administratën publike plus kompanitë nën pronësi publike qenë 164 mijë vetë, pa u rritur dhe pa u ulur në krahasim me vitin 2013. Të punësuarit në sektorin privat jo-bujqësor, rezultuan të raportuara nga ministria e mirëqënies, qenë 324,517 vetë, me rritje prej 12,849 vetësh në krahasim me vitin 2013. Kjo nuk është ndonjë shifër për të luajtur mendësh. Është pak a shumë aq vende pune sa janë krijuar në Shqipëri zakonisht përgjatë 15 viteve të fundit.

Pretendimi që Shqipëria ka hapur 100 mijë vende pune gjatë vitit 2014, kur ka patur një rritje ekonomike mjerane prej më pak se 2 për qind e ka patur rritje të papërfillshme të kreditimit, vështirë se ka nevojë për komente të mëtejshme. Gjithsesi, qeveria e ka përsëritur kaq shpesh këtë pretendim, sa është e vlefshme të thuhen disa gjëra bazuar në vetë shifrat e publikuara nga qeveria.

Në fund të fundit, përgjatë dy shekujve të ekzistencës së ekonomiksit, ka disa ligjësi të cilat qeveria aktuale, (njësoj si ajo e shkuara) kanë vendosur t’i sfidojnë me propagandë. Ligjësia e parë është që nuk mund të ketë rritje të numrit të të punësuarve më shumë se sa norma e rritjes ekonomike. Dmth, nëse ekonomia rritet me dy për qind, siç është rritur në vitin e kaluar, punësimi nuk ka asnjë shanc të rritet më shumë se sa 2 për qind, por, gjasat janë që do të rritet më pak, ose sa gjysma e normës së rritjes së ekonomisë.

Kjo nuk mund të ndodhë për shkak se paratë, para se të shpërndahen te të punësuarit, duhet të fitohen. Për më tepër, asnjë lloj deklarate dhe asnjë lloj keqcitimi shifrash nuk mundet kurrsesi të bindë një shqiptar të papunë se ai papritur ka gjetur punë. Është mirë që qeveria të bëhet pak më serioze.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi