Kadare: …një nga të këqijat e shqiptarëve është se e duan më pak se të tjerët kombin ..

Pjesë nga Intervista e Ismail Kadare në emisionin televiziv Shqip, 17 shkurt

862105Dua t’i rikthehem edhe njëherë momentit që është folur për njerëzit që ikin, për njerëzit që lanë Shqipërinë. Është shkruar shprehimisht, Ismail Kadare tha se ata janë jashtëqitja e kombit.

Kur ndodhi ikja e refugjatëve, akuza ishte e tmerrshme sepse doli që shkrimtari më i shquar shqiptarë i quajti brezin e ri që lë Shqipërinë atë që thatë juve, s’dua as ta përmend. Kjo ka ndodhur në fund të verës së 90, për 2- 3 javë unë do të ikja vetë. Kur kam ikur, unë kam bërë një hymn për këtë, për djemtë e vajzat që lanë Shqipërinë në atë mënyrë tragjike, e botova në shqip dhe në frëngjisht. Thashethemi u përhap, në fillim për të ekuilibruar këtë gjë, pas kësaj thashethemi u shumëfishua në formë hakmarrjeje kundër shkrimtarit. Unë shkrova diçka vërtet tronditëse, e kam botuar disa herë, kam përshkruar tablonë më dramatike që kam në letërsinë time, natën e ikjes së refugjatëve shqiptarë. Mashtrimi ka fituar mbi këtë fakt. Dhjetë herë mund të kem ndërhyrë unë për të korrigjuar këtë trillim, e pamundur, trillimi triumfonte gjithmonë. Kur u përsërit edhe në një revistë ndërkombëtare, u bë një skandal ende i pasqaruar plotësisht. Diktatura është jashtëzakonisht hakmarrëse, edhe e rrëzuar është hakmarrëse, ka mekanizmat e saj që veprojnë, është një frymë që ka mjete konkrete për të vepruar.

Çfarë e mban akoma gjallë këtë frymë?

Këtë e mban një mllef i madh, një dëshpërim i madh që Shqipëria s’është më e tyre. Ka shumë njerëz që nuk e duan këtë lloj Shqipërie, njerëz që thonë; Shqipëria mos qoftë. Nuk e duan për disa arsye, se kanë humbur privilegjet e tyre, kanë humbur pushtetin që kishin, kanë humbur arrogancën e tyre, kanë humbur gjithçka, gëzohen, kur këtij vendi i shkojnë keq punët, shpirti ua do, që meqë nuk e gëzuan ata, Shqipërine, mos ta gëzojë askush.
Kjo është gjëja më e keqe që po ndodh në Shqipëri, një frymë mosbesuese, një frymë e theksuar kultivimi dëshpërimi, e mungesës së shpresës. Po të shikosh njerëz krejt normalë, ndonjëherë, kur i pyet, pse ikni nga Shqipëria, thonë: Se kemi humbur shpresën. Ç’shpresë? Ai nuk di ç’është shpresa, koncepti shpresë. Çfarë shprese humbi ai njeri i thjeshtë, që lë shtëpinë e vet, lë tokën dhe ia mbath të arrijë në Vlorë, sepse u hapën fjalë se ka dy anije. Si shkon me gra dhe fëmijë, ky njeri?

Po mos ndoshta nuk ka asgjë çfarë t’i mbajë në atdhe…

Popujt nuk jetojnë me filozofira, apo kalkulime, a ka gjë që më mban në këtë vend apo s’ka. Ngulitja e qenies njerëzore është e natyrshme, qytetërim do të thotë ngulitje. Në fillim kanë qenë dy rryma që janë ndeshur, nomadizmi, ata që donin të ecnin vazhdimisht, mos nguleshin askund dhe ata që ju lindi në kokë ideja që të rrinë në një vend. Kanë luajtur një rol të madh në ngulitje gratë, e më specifikisht gratë shtatëzëna, sepse një grua shtatëzënë nuk ecën dot. Mesa duket ato miliona gra anonime në botë, në miliona mënyra kanë ushtruar trysni tek burrat që mos të lëvizin. Keshtu lindën dy rryma, nomadët dhe sedentarët. Këto u bënë armiq për vdekje, ata që kishin atdhe, ata që skishin atdhe, sdonin të kishin atdhe. Ajo që quhet ngulitje është një nga paradigmat e njerëzimit, ngulitja, liria, qytetërimi. Kështu lindi qytetërimi, u rrethua ai vendi ku do të rrimë, ta mbrojmë atë vend, të kemi varret, të kemi kujtimet, kështu u krijuan gjuhët, kujtimet historike, ai vullneti përbashkët që njerëzit të rrinë bashkë, të jenë të afërt për njëri tjetrin.

Në 1999 kam qenë në Paris, në shtëpinë tuaj ndërsa po bombardohej Serbia, atëherë ju kishit frikën e luftës por edhe shpresën e krijimit të shtetit të Kosovës. 16 vjet më pas jemi në Jerusalem, ndërkohë Kosova po zbrazet.

Të them të drejtën unë nuk pretendoj të shpjegoj misteret e kësaj bote, për mua është një mister, ose ka pamjen e një misteri, përderisa organizmat që janë përgjegjës për këtë gjë, që duhet të jepnin shpjegime nuk po japin. Kjo është një ethe e pakuptueshme. Si e humbën shpresën këta njerëz të Kosovës kaq shpejt? Çduhet të thotë Greqia që ka 300 miliardë borxhe dhe s’di ku do t’i gjejë paratë, e përsëri nuk po e humb shpresën. Pra këtu po ndodh diçka e pashpjegueshme për mua. Thuhet kushtet ekonomike, është e vërtetë që kushtet ekonomike luajnë rolin e tyre, por vetëm marksizmi e shpjegon çdo gjë me kushtet ekonomike. Po ndodh diçka jonatyrale, diçka që është kundërthënëse me tërë atë flijim të madh që bëri Kosova për të fituar lirinë. Nuk ikin njerëz të një kategorie të caktuar, ta zëmë po ikin filozofët, sepse nuk paska nivel të mjaftueshëm filozofik në Prishtinë, për të zhvilluar idetë e tyre, ose po ikin disa kategori njerëzish të caktuar, që paragjykohen normalisht, etj. Këtu po ikin njerëz të të gjitha kategorive, po ikin njerëz të thjeshtë, pleq, fëmijë, gra të martuara, edhe gratë shtatëzëna që është në kundërshtim me atë që thashë në fillim, me ligjin numër 1 të qytetërimit. Çfarë logjike i shtyn? Nuk gjej shpjegim.

Po serbët duan të thonë se shpjegimi është se shqiptarët nuk e bënë dot shtetin.

Serbët sigurisht nga kjo gjë nuk mund të kenë veçse një lloj kënaqësie, që këta njerëz nuk paskan një lloj problemi me lirinë, se lirinë e paskan. Ka disa teori serbe. E para se po bëhet një shtet islamik në Europë, duke u shtuar xhamitë në Kosovë, duke u shtuar predikimet, rrjetet sociale fetare, radikale disa herë, sigurisht është një kënaqësi për serbët që u del një profeci e tyre. Kjo është e çuditshme, paskan vuajtur vërtet shqiptarët nga mungesa e xhamive që ishin të pakënaqur? Jo, shqiptarët kishin mungesë të tmerrshme lirie, nuk kishin mungesë xhamish. Nuk besoj kurrë se problemi mund të jetë shtruar se ka qenë problem fetar, që kosovarët ndjeheshin keq se u ndaluan xhamitë, kosovarët ndjeheshin keq se i priste burgu, se duhet të flinin natën me shtëpi të hapura që të hynte policia. E gjitha kjo është një mashtrim për të krijuar një alibi kundër lirisë, dmth zëvëndësojnë koncetin e lirisë me një koncept fetar, një gjë e pavërtetë krejtësisht. Unë nuk besoj kurrë.

Por ju i druheni krijimit të një shteti islamik në Ballkan, ku përfshinë Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë. I druheni rritjes së numrit të xhamive, financimit?

Është një problem shumë delikat, pasi spekulimi që mund të bëhet është sheshit. Çdo diskutim rrezikon të marrë frymën e mashtrimit brenda. Psh për mua flitet shpesh, se Kadareja u ka bërë thirrje shqiptarëve të bëhen katolikë të gjithë. Ky është thjesht një mashtrim dhe të vjen keq, kur e dëgjon nga njerëz me autoritet fetar, nga klerikë në Kosovë, e kam dëgjuar vetë disa herë, bashkë me mallkimet për mua, ky tradhtar i kombit etj. Unë kam thënë absolutisht një gjë që është krej tjetër. Kam përshkruar një takimin tim me Ramiz Alinë, ku është hapur biseda e fesë, ku unë i thashë shefit të shtetit në atë kohë se Shqipëria është në pozitë të vështirë dhe ndër vështirësitë kryesore ishte afrimi me Europën e ndër to ishte dhe lejimi i fesë.
Unë i thashë filloni nga hapja e kishave për minoritarët grekë, ne e pranojmë që ata janë kombësi greke dhe kanë dyfish të drejtë të kërkojnë të parët, kisha, siç i ka vendi i tyre Greqia. Më pas të vazhdojnë me kishat e tjera, e më pas me xhamitë. Mendimi është që vetvetiu duke u afruar me Europën, mes shqiptarëve do të shtohej numri i ateistëve. Parashikimi im nuk doli, nuk ishte i vërtetë.

Sepse mesa duket shqiptarët nuk po zgjedhin kombin në vend të fesë…

Në Shqipëri është gati akuzë ose turp të përdorësh fjalën komb në mënyrë pozitive. Është në kokën e krimbur të disa pseudomodernëve tanë. Përpara ka qenë toka, atdheu, dalëngadalë ka evoluar, e kombet janë relativisht të rinj, por kjo s’do të thotë se ne nuk kemi të drejtë të themi se jemi komb. Unë mendoj se një nga të këqijat e shqiptarëve është se e duan më pak se të tjerët kombin. Kombi është një strukturë e verifikuar nga historia sot, e pranuar nga historia moderne. Nuk është e përsosur si strukturë. Në emër të tij janë bërë spekulime, por spekulime ka me çdo koncept të shenjtë, spekulime të mëdha janë bërë me lirinë, të gjithë tiranët e përdorin fjalën liri, të gjithë tiranët spekullojnë me fjalën popull, sepse me gjërat e shenjta spekulohet. Pra me fjalën komb janë bërë krime, kjo është e vërteta, por është vërtetuar njëkohësisht që në botën e sotme struktura e kombit është më e përshtatshmja për të mbajtur në këmbë lirinë e një populli, pasi liria është një koncept kaq i brishtë, kaq sublim, kaq madhështor, saqë asnjë strukturë nuk e përballon dot. Sot fjala komb nuk është fjalë turpëruese, Europa zyrtarisht quhet Europa e Kombeve, familja e Kombeve.

Kombit ju drejtuat në fakt kur ndodhi tragjedia e Charlie Hebdo duke thënë shqiptarët e kanë mirë të qartë se janë europianë. Çishte ajo nevojë për të thirrur në atë moment?

Sepse ka një keqkuptim në Shqipëri se çfarë jemi ne. Pas asaj rilindje të ndritur shqiptare që u ndërtua e gjithë për dashurinë e Shqipërisë ndaj kontinentit të vet që e kishte humbur dhe e rigjeti, filloj një proces i kundërt, pas rënies së komunizmit, vënia në pikëpyetje se çfarë janë shqiptarët, ç’identitet kanë. A janë europianë apo nuk janë? Kjo është një tezë thellësisht armiqësore. Është teza bazë e Cubrilovic, shqiptarët nuk janë europianë, duhet të ikin nga Europa. Ai e thoshte hapur duhet të shpërngulen që të shpëtojë Europa nga një rrezik i ardhshëm. T’i bëjmë thirrje sidomos klerikëve të Kosovës që t’i bindin familjet shqiptare të shkojnë në Turqi se atje është më mirë për ta se këtu, me nëntekstin që shqiptarët nuk janë europianë. Nëse është e nevojshme ka thënë Cubrilovic, të sjellim hoxhë nga Turqia që t’i bindim shqiptarët sa mirë është në Turqi, e t’ju bëhen lehtësimet e nevojshme, me trena, transport etj, madje t’i jepet dhe shpërblim për të ikur. Unë mendoj se është urgjent ribotimi i draftit të tij rreth 40 faqe. Eshtë botuar në kohën e Zogut nga një patriot i madh shqiptar, pikërisht për të parë shqiptarët se çfarë i kërcënon. Është e hidhur kjo që po them, por ky është një projekt i vjetër për zbrazjen e trojeve shqiptare nga shqiptarët. Është e njëjta gjë që vazhdon prej qindra viteve.

Po këtij fataliteti a mos i japin një dorë dhe vetë shqiptarët?

Po sigurisht. Sigurisht nuk bëhet asgjë pa shqiptarët, sigurisht janë ata që e nxisin këtë propagandë që ndodh. Kush shkon shtëpi më shtëpi çdo natë që u thotë ikni, nisuni, se ju ndihmojmë ne? Çjanë këto agjenci që mbushin autobusa? Nuk e di ky shtet se çfarë po ndodh. Nuk e marrë dot me mend. Duhet të rrinte pa gjumë administrata e Kosovës nga kjo gjë, ata që quhen barinjtë e Kosovës, udhëheqësit e Kosovës, unë nuk e di ç’bëjnë, ndoshta rrinë vërtetë pa gjumë dhe po i akuzoj pa të drejtë.

Po Shqipëria çfarë roli ka ?

Sigurisht edhe Shqipëria ka përgjegjësinë e saj, për çdo gjë që ndodh me shqiptarët, brenda saj por edhe jashtë saj. Duhet ta ketë të qartë, duhet të ndikojë. Psh ne jemi në Jersualem, ky qytet i vogël por që merret me tërë botën, ky preokupohet, nuk e zë gjumi, nuk e zë gjumi për hebrenjtë në të gjithë botën. Pse ne të mbyllim sytë, siç po ndodh.

Në fakt ne nuk e dimë se çfarë mund të ndodhë nëse jemi bashkë, nëse jemi treg, nëse komunikojmë.

Ne nuk dimë shumë gjëra, por së paku të dimë atë që me duart tona mos e prishim atë çfarë kemi. Shpesh dëgjojmë në shtyp që ka 5 milionë shqiptarë në Turqi. Kur kanë shkuar këta 5 milionë shqiptarë? Si këta 5 milionë shqiptarë në Turqi nuk paskan një shkollë, nuk paskan një gazetë, nuk paskan një rreth kulturor? Ndodh kjo në botë? Dhe pse heshtim për këtë?

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi