Ndikimi i politikave të BQE-së në Shqipëri

Nga Teuta Nunaj, botuar në Shekulli Online, 14 shkurt 2015

bsgÇdo vendim i Bankës Qendrore Evropiane (BQE) ka një ndikim të drejtpërdrejtë, jo vetëm në ekonomitë e vendeve anëtare, por ndikon edhe në ekonomitë e botës. Kjo sepse vendet e BE-së kanë një tregti të jashtme të zhvilluar me vende të ndryshme në botë, që do të thotë se te këto vende përcjell dhe reflekton zhvillimin e ekonomisë së saj. Edhe vendimi i fundit i BQE-së për rritjen e ofertës së parasë në tregun evropian me 1.1 trilionë euro, fillimisht e dha efektin e saj në bursat botërore, me një zhvlerësim të euros kundrejt dollarit. Kjo do të thotë se një dollar tashmë do të blihet me euro më shtrenjtë, se përgjatë 11 vjetëve të fundit. Shqipëria është një vend kandidat për në BE dhe nuk është pjesë e bashkimit ekonomik si vendet anëtare, të cilat përdorin monedhën e përbashkët euro dhe kanë harmonizim të politikave monetare dhe shpenzimeve shtetërore. Ndërkohë, që pas hyrjes në fuqi të MSA-së, mes vendeve anëtare të BE-së dhe Shqipërisë, duke mundësuar që mallrat nga Shqipëria të eksportohen në vendet anëtare të BE-së pa barriera tregtare.

Lëvrimi në treg i 1.1 trilionë eurove, pati ndikim edhe në kursin e këmbimit midis euros dhe lekut në vendin tonë, në favor të monedhës kombëtare, ndaj ne mund ta blejmë euron në kuotë më të ulët se më parë – tendencë, e cila pritet të rritet edhe më tej, kur kjo ofertë paraje të vihet në veprim në treg. Cili është ndikimi në ekonominë Shqiptare i kësaj politikë të re monetare? Në dokumentin e botuar nga INSTAT “Tregtia e Jashtme, nëntor 2014”, rezulton se volumin tregtar (eksport + import) më të madh Shqipëria e ka me vendet e BE-së. Për periudhën janar 2014, rezulton se importet e Shqipërisë nga vendet e BE-së zënë 62.86 % të totalit të importeve, dhe eksportet e Shqipërisë në vendet e BE-së zënë 73 % të totalit të eksporteve shqiptare në botë. Rënia e kursit të këmbimit të euros në favor të lekut, bën që mallrat evropiane në Shqipëri të kushtojnë më lirë se më parë. Kjo mund të sjellë një ndryshim të ofertës së vendeve evropiane për rritjen e eksporteve në Shqipëri, të cilat do të ofronin mundësinë për të ndikuar drejtpërdrejtë në uljen e çmimeve të mallrave, dhe njëkohësisht në rritjen e sasisë së mallrave cilësore në tregun shqiptar. Konsumatori shqiptar është ai që ka mundësinë të fitojë në mënyrë të drejtpërdrejtë ndaj këtij fenomeni, se blen mallra me çmim më të ulët dhe me cilësi më të lartë, pasi rritet konkurrenca në treg.

Kompanitë importuese ndihmohen sepse e blejnë lëndën e parë më lirë, gjë e cila ndikon drejtpërdrejt në uljet e kostove të produkteve, që prodhojnë me këto lëndë të para. Ndërsa për kompanitë shqiptare që eksportojnë në vendet e BE-së, ky ndryshim kursi nuk është në favor të tyre, sepse ato do t’i shesin produktet më lirë, që do të thotë se të ardhurat e tyre do të jenë më të pakta. Ky arsyetim mbështetet edhe mbi faktin se nga të dhënat e INSTAT-it, për të njëjtën periudhë të marrë në analizë, ne shohim që volumi më i madh i importeve është për ushqime, pije, duhan, që zënë 16.4 % të totalit të importeve. Ulja e çmimeve të këtyre produkteve do të ndikonte drejtpërdrejtë te konsumatori, pasi ndikon edhe në uljen çmimeve të produkteve të shportës, siç njihen ndryshe produktet ushqimore bazë për jetesën. Ndërsa zërat: makineri, pajisje zënë 20 % të importeve; mineralet, lëndët djegëse, energjia elektrike zënë 14.7 % të importeve dhe materialet e ndërtimit, metalet zënë 14.1 % të importeve, që sjellin një ndikim pozitiv te kompanitë shqiptare, pasi ulin kostot e lëndëve të para e më tej të produktit apo shërbimit që ato prodhojnë.

Një ndikim tjetër, kjo politikë monetare e BQE-së, ka edhe te kreditë. Klientët shqiptarë që i kanë kreditë e tyre në banka në monedhën euro, do të paguajnë më pak se më parë, pikërisht për faktin që se do ta blejnë euron më lirë, dhe njëkohësisht norma e interesit do të jetë më e ulët. Kjo do t’i nxisë ata t’i shlyejnë kreditë, qoftë edhe ato të këqijat. Por nga ana tjetër do të ulë depozitat në euro, të cilat do të kenë një përfitim më të vogël se më parë. Ulja e depozitave dhe rritja e mundësisë për kredi më të lira në euro, duhet të sjellin për ekonominë shqiptare mundësinë për rritjen e investimeve, të cilat përkthehen në hapjen e vendeve të reja të punës, uljen e papunësisë, rritjen e të ardhurave dhe konsumit të popullatës, si dhe në hapësira për rritje të zhvillimit ekonomik në vend. Dhe në këtë rast, qeveria shqiptare ka detyrë që të rrisë besueshmërinë, që investitorët e huaj apo vendas të investojnë në Shqipëri. Po e gjitha kjo, mbetet vetëm një arsyetim logjik ekonomik që duhet të ndodhë, pasi tregu shqiptar i pakicës, jo gjithnjë ka qenë i ndjeshëm ndaj ngjarjeve në tregjet ndërkombëtare dhe po kështu edhe tregu i investimeve.

Shembujt e mëparshëm, kur Banka Qendrore e Shqipërisë përgjatë vitit 2014 uli disa herë normën e interesit të lekut, nuk dha efektin e pritur në treg, e cila kishte të bënte me uljen e kostove të kredive, që duhet të sillnin rritje të investimeve në vend. Gjë e cila nuk ndodhi, me gjithë përpjekjen e dëshpëruar të Bankës Qendrore Shqiptare.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi