A funksionon si parti demokratike PS?!

Nga Ben Andoni, botuar në Balkanweb, 28 dhjetor 2014

psNë këtë periudhë të zhvillimit të vendit, ku shpallja e reformave dhe propaganda i zënë shpesh rrugën njëra-tjetrës, pyetja e shtruar në këtë mënyrë duket si e pavend. Vështirësia shtohet edhe më shumë kur flitet për një parti që e zhvillon jetën e saj në demokraci. Megjithatë, pakti i fundit me PD-në për futjen në parlament të anëtarëve të kësaj të fundit, në zgrip të afateve, ka treguar se demokracisë shqiptare i mungojnë disa elementë. Mbi të gjitha transparenca dhe normaliteti demokratik. Më shumë të ‘mirë-interesuar’ për jetën parlamentare dhe demokracinë e funksionimit të strukturave politike duken lideri i Partisë Socialiste dhe kreu i opozitës Basha, sesa logjika dhe funksionimet e statuteve! Për hir të së vërtetës, rezoluta nuk ka shtuar asgjë të re, veçse u ka dhënë një kinse arsye, parlamentarëve të dy partive të justifikojnë kohën e tyre. Dhe, ata e kanë bërë më së miri, teksa që në mbledhjen e parë së bashku, kanë votuar unanimisht për beneficet e tyre financiare. Por ndërsa kjo e fundit i bashkon unanimisht parlamentarët tanë, anëtarësia e PS-së mbeti krejt e pakënaqur nga transparenca e kësaj marrëveshjeje. Ka një perceptim të gjerë në radhët e publikut, shprehur shpesh në media, se prej muajsh gjërat trajtohen mbi bazë jo-demokratike. Jo vetëm te PD, por edhe te PS-ja. Funksionimi varet, ashtu si edhe më parë, thjesht nga konjukturat e liderëve kryesorë. Shqipëria duam apo jo prodhon lajme vetëm duke qenë rob dhe peng i humorit të Sali Berishës, Fatos Nanos, Ilir Metës dhe së fundmi edhe të Edi Ramës.
Ky i fundit është gjendur shpesh përballë ankesave duke filluar që prej reagimit të njerëzve të kryesisë së PS, por edhe prej strukturave të bazës, që e kanë kundërshtuar hapur për mungesën e transparencës. Gjithsesi, kryeministrit i ka mjaftuar zotësia e retorikës dhe fuqia e pushtetit, për “t’ua mbyllur gojën” shumicës së kritikëve.
Për ata që e kanë harruar, kjo mungesë transparence vijon që pas zgjedhjeve të qershorit 2013, kur Partia Socialiste mori mandatin e parë të drejtonte vendin. U shmangën zgjedhjet normale në parti dhe sot gati një vit e gjysmë më tej, jo vetëm kryetari Rama e ka tejkaluar mandatin, por edhe struktura të tjera nënrenditëse të PS-së qëndrojnë pa mandatin e tyre legjitim. Duke shfrytëzuar argumentin e shprehur nga Rama se: një kryetar që del fitues nuk ka sens të kandidojë, pasi edhe nëse do ta bëjë është automatikisht fitues, falë votës popullore, këtë slogan po e mbajnë si hajmali të gjithë strukturat e partisë. Jo shumë kohë të shkuara, për të shmangur kriticizmin, u ngrit një grup në PS me tre anëtarë, respektivisht sekretari Organizativ, Blendi Klosi; sekretari për Çështjet Vendore, Bashkim Fino; si dhe anëtari i ri i Kryesisë, Taulant Balla, që kumtuan se do punonin për verifikimin e anëtarësisë, e cila do merrte pjesë në votim, por edhe do caktonin një afat sa më të përshtatshëm për të zhvilluar zgjedhjet e brendshme! Gjë e cila jo vetëm nuk ndodhi, por nuk ka gjasa të ndodhë, të paktën dhe për pak kohë.
Çështja komplikohet disi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që e ka certifikuar Reformën Territoriale. Që do të thotë se strukturat e PS-së duhet të fillonin me kohë ideimin e ri të strukturave të partisë, konform kësaj ndarje. Të mendosh se vetë formacioni politik që e udhëhoqi reformën funksionon ende sipas organizmit të vjetër, të bën të kuptosh sesa pak demokraci dhe anarki ka në vetë subjektin politik, që mëton ndryshime rrënjësore. Çështja bëhet më e mprehtë, pasi na ndajnë vetëm gjashtë muaj nga zgjedhjet lokale, fakt që të bën të kuptosh sesi funksionon demokracia e brendshme në vetë pozitën. Me këtë logjikë, i bie që strukturat fituese të 2013 mund të qëndrojë kështu deri edhe në zgjedhjet e përgjithshme vitit 2017 (nëse nuk bëhen zgjedhje në PS sipas statutit)! Një mendim që i shkon disi logjikës është se: Partia Socialiste ka frikë të përballet në Kongresin e saj zgjedhor me strukturat e saj, që ndjehen të mënjanuara, për arsye të mos mbajtjes së premtimeve apo tollovisë së aparatçikëve të niveleve të dyta, që kërkojnë të përfitojnë.
Situata është gjithnjë e më shqetësuese, kur shikon se baza ndjehet e lodhur dhe e sakrifikuar. Një hap i paradokohtë i Partisë Socialiste, për të zbutur këtë reaksion, vendosi një kalendar për takimet me anëtarët e strukturave bazë, që realizohej çdo të premte në selinë qendrore të kësaj force politike. U zhvilluan shumë pak takime, pasi shqetësimet e bazës ishin më të mëdha sesa aftësia e politikanëve për t’i dëgjuar, ndaj fituesit e sotëm iu rikthyen lojës së vjetër të PD-së, kur ishte në pushtet: braktisjes së zgjedhësve në bazë.
Ndaj reagimi i kryetarit të grupit parlamentar, Ruçi, ndaj ministrave socialistë ka qenë aq i ashpër dhe i drejtpërdrejtë me akuzën se i kanë shkëputur lidhjet. Çka do të thotë se parimet demokratike dhe strukturat që duhet të dëgjoheshin, jo vetëm s’janë dëgjuar, por edhe janë anashkaluar. Demokracia e munguar mes partisë ka bërë që të mungojnë politika të favorshme fillimisht për interesat e individëve apo të grupeve që i mbështetën socialistët të vinin në pushtet. Për të tjerët merret lehtë me mend.
Historia po përsëritet sërish si në kohën e PD-së, tani me Partinë Socialiste, me mungesën e demokracisë së brendshme, që tregon se çdo forcë në pushtet është e pavullnet të shikojë elektoratin e saj dhe të respektojë minimalisht premtimet e saj. Me pak fjalë, kjo mungesë vullneti dhe respekti institucionesh të bën të mos besosh edhe premtimet e shumë, por edhe shumë gjërave që presin të zbulohen: që nga ngjarjet e vitit 1997, të vrarët e Gërdecit, të vrarët e 21 janarit etj.
Tek e fundit, kur të mungon demokracia e brendshme, si do mundesh të bësh demokraci në segmente të gjera. Ky është një konstatim për PS-në, që u jep përgjigje shumë zhvillimeve të sotme.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi