Rrethi vicioz i imazhit politik

Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shqiptarja.com, 17 dhjetor 2014

Afrim_KrasniqiKu dallojnë politikanët autoritarë me ata të llojit të ri modern? Pyetjes i përgjigjet revista gjermane Spiegel: të parët lëvizin me bodigardë, të dytët lëvizin me fotografë. Në Shqipëri shembulli gjen raste të dukshme konkrete: ai që ishte deri dje shoqërohej nga më shumë se 20 bodigardë sa edhe vetë mbante veshje antiplumb, ai që pasoi shoqërohet me njëduzinë kamerash dhe fotografësh, dhe madje nëçdo rast preferon edhe vetë të bëjë selfie! Imagjinoni që Obama, Merkel, Cameron, Holande, etj, të krijojnë një rreth ndarës gardistësh midis tyre e qytetarëve apo që të nxjerrin aparatet celularë nëceremoni zyrtare për të provuar pasionet e vonuara të rinisë së hershme?

Nga ana tjetër, nuk ështëçudi qëp.sh, Putin udhëtoi drejt Australisë i shoqëruar nga tri luftanije apo kur lideri i Koresë veriore prodhon çdo ditë një foto-lajm. Ka të bëjë me kulturën dhe traditën: sa më demokratike të jetë vendi e shoqëria, aq më modest dhe qytetar është lideri politik i radhës, sa më pak demokratike të jetë tradita dhe shoqëria aq më modele autoritare dhe propagandistike krijojnë periodikisht liderit politikës të radhës.

Rendja pas imazhit nuk përbën problem nëse tendenca nuk injoron thelbin e përgjegjësisë që kanë liderit qeverisës, apo nëse vetë imazhi nuk kthehet qëllim në vetvete. Kur imazhi kthehet në qëllim të vetëm, atëherë ka problem thelbësore për demokracinë, transparencën dhe nevojën e qytetarëve për informim e mirëqeverisje.

Shqipëria politike është unike në këtë praktikë abuzive dhe para-demokratike: a nuk shohim çdo ditë fotot e twitter të kryeministrit për të prodhuar lajme, që më pas mbushin mediat e shkruara dhe vizive, shpesh pa qenë lajm, pa pasur fakte, dhe duke u marrë me detaje të parëndësishme mbi prioritetet e nevojat që ka vendi? Siç ishte rasti i fundit i papagallit! Shikoni ministrat, a nuk prodhojnëçdo ditë lajme përmes ca gjerave që nuk kanë asnjë vlerë administrative e publike, si p.sh, vizita në një rrugë ku po punohet, vizita në ndonjë firmë private, dhënia e ndonjëçmimi apo mbjellja e ndonjë peme?

Më tej shikoni pak parlamentin: kur ka seancë më shumë krijohet debat mbi shënimet e deputeteve mbi të në facebook sesa mbi thelbin e ligjeve dhe vendimmarrjes parlamentare. E njëjta me opozitën: a nuk del kudo i njëjti portret, gjithnjë i qeshur, madje edhe në raste të dhimbshme varfërie, për të krijuar imazhin e politikës që mendon vetëm për qytetarin? Shikoni analizat e institucioneve: a nuk krijohen çdo ditë tabela krahasuese mbi suksesin e sotëm ndaj dy viteve më parë, njëjtë si në kohen e PPSH, kur pushteti i saj abuziv edhe në dekadën e katërt krahasohej me vitin 1938?

Përgjatë dekadës së fundit është folur shumë për rreziqet e politikës virtuale, njëShqipërie ireale që krijohet midis 15 katëshit dhe Sheratonit, ku nuk ka vend për kritikë dhe as për realizëm, ku lajm mbeten vetëm replikat politike në rrjete sociale dhe ku burim kryesor informimi janë kafet luksoze dhe thashethemet e bulevardit.

Aq e dukshme u bë distance midis Shqipërisë reale dhe asaj virtuale sa disa kronika rutinë raportimi periferik të një media mbi “Shqipërinë tjetër” u quajtën zbulim, sukses dhe arritje e jashtëzakonshme. Ikja nga qytetari, nga problemet, nga shumica që ndeshet me kushte mbijetese dhe një pakice që përmes luksit e pushtetit mban peng progresin e vendit, – përbën prej vitesh problemin kryesor të Shqipërisë, të reformave, të demokracisë funksionale. Palët flasin për oligarki, por në fakt, kemi të bëjmë me një oligarki konsensuale, burime të njëjta financimi që ushqejnë palët, praktika të njëjta abuzimi nga palët, dhe sjellje të njëjta politike nga palët.

Politika ka muaj që flet për bojkotin, rikthimin, integrimin, reformat, gjyqësorin, bankat, transparencën, korrupsionin, dialogun politik, deri edhe fatura e dritave, ujit, apo ndërtimet pa leje. Me një standard të dyfishtë: ndryshe për qytetarin, ndryshe për rrethin dhe klientelën e saj. Ja p.sh, kur një qytetar është në borxh me shtetin, zgjidhja kërkohet tek policia ose pushimi nga puna. Pra, ai përballet me institucionet e dhunës dhe me varfëri më të madhe.

Kur shteti është në borxh me qytetarin, ky i fundit nuk ka mekanizëm zgjidhjeje, – përballet me zinxhirin e burokracisë dhe gjyqeve pafund, me arrogancën e zyrtarëve dhe mosbesimin në zgjidhje. Shteti e politika kanë të drejtë kur prish ndonjë ndërtim pa leje përmes lagjeve, por shteti e politika nuk kanë të drejtë kur pronarëve të mëdhenj të pallateve pa leje u ofron legalizim falas dhe të shpejtë. Shteti e politika kanë të drejtë kur kërkojnë pagesë tëçdo fature borxhi nga qytetarët, por shteti e politika nuk kanë të drejtë kur borxhlinjtë më të mëdhenj i ka mu aty ku nuk duhet të jenë, në parlament dhe në mediat pranë tyre.

Shteti e politika kanë të drejtë kur flasin për flasin për standard të reja besimi midis tyre dhe të punësuarve, por ata nuk kanë të drejtë, madje shkelin kushtetutën, kur pushojnë masivisht punonjës me akuza që lidhen me përgjegjësi kolektive familjare dhe jo personale.

Shembujt e arrogancës janë më të shumtë sesa shembujt e transparencës. Ndaj nuk dimë ende se ku shkojnë taksat që paguajmë, sa është kosto e shkarkimeve politike nga puna apo emërimeve politike në punë, qoftë në pushtetin qendror (të majtë), qoftë në njësitë vendore (të djathta), kush financon aktivitetet partiake, sa dhe nga kush paguhet për spotet politike, koncertet politike, marketingun politik, selitë e reja politike në qeveri e opozitë, etj, etj.

Politik si imazh mund të ketë sukses afatshkurtër. Çdo javë nga një lajm, një ngjarje dhe një foto dhe ditët shtyhen, qytetarët tërhiqen pas ushqimit mediatik të ditës dhe kështu, duket se të gjithë janë pjesë e sistemit. Por vetë sistemi nuk ndryshon, vetëm përsëritet. Në aspektin afatgjatë imazhi nuk ka vlerë, përkundrazi, ka pasoja negative. Ajo që mbesin nuk janë fotot dhe as batutat, pasionet e liderëve dhe as kostumet e tyre, – por problemet e mëdha shoqërore, shtetërore, politike, ekonomike dhe qytetare.

Kush do mendojë për zgjidhjen e tyre? Çfarë strategjie zgjidhjeje ofron politika për 3, 6, 9, 12 muajt e ardhshëm dhe më tej? A jetohet duke konsumuar vetëm propagandë dhe a do vijë një ditë kur politika të heqë dorë nga reklama për të menduar e punuar për realitetin, real politikën? A mund të gjejë forcë shoqëria të dalë nga burgu i rrethit vicioz të imazhit dhe fasadës politike për të provuar ditën e parë të një shoqërie demokratike, transparente, të përgjegjshme dhe funksionale? Kjo është dilema dhe sprova kryesore ku ndodhet Shqipëria.

Me këtë ka të bëjë edhe sprova për rilindje apo fillim të ri, të servirur pa doganë nga palët politike. Ky është kufiri ku ndahen demokracitë funksionale me oligarkitë në demokraci minimale. Kjo është Shqipëria reale dhe sfidat e saj për të ardhmen.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi