Kosova bëhet me institucione të reja

Sipas DW, 7 dhjetor 2014

parlamkosovaMe shumicë prej 71 votash, deputetët e Kuvendit të Kosovës, votuan kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Kadri Veseli është zëvëndëskryetar i PDK-së. Kryetari i Kuvendit të Kosovës u zgjodh pas zyrtarizimit të marrëveshjes së koalicionit ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, që ndodhi pak çaste para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Në këtë seancë u zgjodhën edhe nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës, ku njëri nga nënkryetarët është nga “Lista Serpska”, e cila për herë të parë është pjesë e Kuvendit të Kosovës.
Vetëm pak orë para mbajtjes së seancës konstituive, ku u zgjodh kryetari i Kuvendit, të dy partitë më të mëdha politike, PDK dhe LDK, zyrtarizuan marrëveshjen e koalicionit. Sipas kësaj marrëveshje, që mediat në Prishtinë e publikuan të tërën, kryetari i LDK-së Isa Mustafa merr postin e kryeministrit, ndërsa kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, atë të zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të punëve të Jashtme. Po sipas kësaj marrëveshjeje Hashim Thaçi, pas më shumë se një viti, do të marrë postin e presidentit të Kosovës pas skadimit të mandatit të presidentes Atifete Jahjaga në pranverën e vitit 2016.
Edhe pjesëtarët e pakicave do të jenë pjesë e kabinetit qeveritar të Isa Mustafës. Tash për tash akoma nuk u tha se kur do të mbahet seanca e radhës në Kuvendin e Kosovës për votimin e kabinetit qeveritar, por me gjasë ajo mund të mbahet gjatë ditës së sotme, pasi presidentja e vendit ta nominojë kandidatin për kryeministër para Kuvendit të Kosovës.
Të dy udhëheqësit politikë Hashim Thaci dhe Isa Mustafa gjatë zyrtarizimit të marrëveshjes së koalicionit thanë se bashkëqeverisja PDK-LDK është për të mirën e vendit dhe qytetarëve të saj.
“Duke marrë parasysh dhe në konsideratë nevojën për vazhdimin dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës, krijimin e vendeve të punës, sundimin e rendit dhe ligjit, trajtimin e barabartë të gjithë qytetarëve të Kosovës e në anën tjetër të përkushtuar ndaj organizmave dhe të ardhmes Evropiane. Kemi vendosur që të nënshkruajmë për të mirën e vendit dhe të mirën e qytetarëve të Kosovës, duke përfshirë edhe partnerët minoritarë të koalicionit, kemi nënshkruar marrëveshjen e koalicionit 2014-2018, për krijimin e institucioneve”, tha Hashim Thaci.
Në të njejtën linjë u shpreh edhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
“Këtë marrëveshje e kemi bërë në interes të qytetarëve të Kosovës dhe në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, me qëllim të integrimit në Bashkimin Evropian. Do të përkushtohemi të realizojmë edhe më shumë se sa që kemi premtuar, përkushtimi ynë është që të arrijmë objektivat tona. Falenderoj z. Thaçi dhe gjithë të tjerët dhe do të punojmë ngushtë në angazhimin dhe bashkëpunimin e përbashkët me opozitën dhe gjithë organizmat tjerë.” Është marrëveshje e arsyeshme, racionale, për Kosovën evropiane dhe për të mirën e vendit, tha Isa Mustafa.
Sidoqoftë u deshën gjashtë muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme, në mënyrë që subjektet politike parlamentare pas shumë mosmarrëveshjeve të arrijnë të krijojnë institucionet e reja. Kjo është hera e dytë që Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike merren vesh për koalicion qeverisës.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi