“Ilegalitet i ligjshëm” si formë mbijetese politike

Nga Roland Lami, botuar në Mapo Online, 4 dhjetor 2014

roland-lami1Në sociologjinë politike zë vend analiza brilante e Michel Fukos në lidhje me fenomenin e korrupsionit. Autori duke analizuar zanafillat e veprimtarisë ekonomike ilegale, të vjedhjes në periudhën e lindjes së kapitalizmit, shpjegon ndër të tjera se klasa e atëhershme sunduese i toleronte ato duke i konsideruar veprimtari ilegale të domosdoshme. Sipas tij, veprimet ilegale ishin njëlloj mekanizmi rishpërndarjeje pasurie që lejonte individët dhe familjet e marxhinalizuara të mbijetonin në kushtet kur qeveria e kishte të pamundur të bënte një gjë të tillë. A ka lidhje kjo qasje me kontekstin shqiptar?

Sigurisht që ka lidhje. Me të njëjtën logjikë ka vepruar klasa politike shqiptare në këto vite postkomuniste. Në pamundësi për t’iu dhënë zgjidhje problemeve me të cilat përballen kategori të ndryshme sociale, ka lejuar informalitetin, madje në disa raste edhe e ka legjitimuar atë si i vetmi mekanizëm që gjeneron punësim, të ardhura dhe investim në këmbim të votës. Nuk po ndalem tek larmia e akteve të paligjshme, por po veçoj disa prej tyre, meqë sot janë bërë objekt i diskutimeve në shumë studio televizive.

Prishja e ndërtimeve pa leje nga INUK, masat represive ndaj personave që nuk paguajnë energjinë elektrike dhe së fundmi, ndëshkimin e biznesmenëve që nuk shlyejnë detyrimet tatimore. Jo rastësisht edhe debati publik dhe ai politik është përqendruar tek këto tri vendime të qeverisë, pasi popullata e prekur nga të tilla vendime është e konsiderueshme. Përsa i përket çështjes së ndërtimeve pa leje, përjashtuar dekadës së parë të tranzicionit ku fluksi i ndërtimeve është i shtrirë gjatë gjithë vitit, në dekadën e dytë statistikat tregojnë se fluksi më i madh i ndërtimeve pa leje nis me fillimin e fushatës zgjedhore deri në mandatimin e qeverisjes së re në nivel lokal dhe qendror (si tek e majta, ashtu dhe tek e djathta). Jo rastësisht, pasi shumë prej përfaqësuesve të pushtetit lokal dhe atij qendror e shikojnë këtë periudhë si rast të volitshëm për të lejuar ndërtimet pa leje dhe për disa, legalizimin e tyre në jo pak raste në kundërshtim me ligjet në fuqi, pasi kështu i motivojnë dhe i shpërblejnë më mirë militantët e tyre. Kjo periudhë konsiderohet e artë edhe për faktin tjetër se e gjithë administrata në nivel qendror dhe vendor është e fokusuar më shumë tek rezultati i zgjedhjeve sesa funksionimi normal i shtetit dhe në kushtet e mosfunksionimit të instancave të shtetit, masa e abuzimit për përfitim personal rritet ndjeshëm. Kjo sjellje e përsëritur në çdo palë zgjedhje ka krijuar zakonin tek një pjesë e shoqërisë që informalitetin ta konsiderojë si normalitet dhe ndalimin e tij si mungesë normaliteti. Njëkohësisht, aktorët politikë ilegalitetin ta shohin si formë mbijetese politike dhe përfitimi financiar. Kjo gjë ka krijuar një rreth vicioz, ku nuk kuptohet mirë nëse është politika që mundëson ilegalitetin, apo ky i fundit që siguron mbijetesën politike.

Vendimi i dytë i qeverisë lidhet me mospagimin e faturave të energjisë elektrike. Pjesa dërrmuese e komentatorëve të zhvillimeve politike e dinë fare mirë që gjatë periudhës së fushatave zgjedhore (sidomos atyre lokale), kandidatët që garojnë në zonat rurale, qytete të vogla si dhe lagje periferike të qyteteve të mëdha, shpesh arrijnë të sigurojnë mbështetje politike në sajë të këmbimit të votës me faljen e detyrimeve ndaj KESH-it ose pagesës së faturave nga vetë kandidati. Përsëritja e një sjelljeje të tillë ndër vite ka krijuar zakonin tek një pjesë e votuesve dhe aktorëve politikë që votat t’i shohin si mundësi kleringu – më paguaj faturat e energjisë elektrike, të jap votën, dhe anasjelltas.

Vendimi i tretë i qeverisë ka të bëjë me masat represive ndaj uljes së shkallës së evazionit fiskal. Të dhënat e bëra publike për çdo fushatë elektorale tregojnë për një rritje të shumëfishtë të shpenzimeve elektorale dhe njëkohësisht, pamundësinë e partive garuese për t’i përballuar këto shpenzime vetëm me kuotim anëtarësie, fonde shtetërore dhe donacione të ndryshme. Është i njohur fakti se financimet e padeklaruara nga biznese të ndryshme mbulojnë pjesën më të madhe të shpenzimeve në fushatë. Pikërisht, varësia e financimit të partive nga biznesi i detyron këto të fundit të gjejnë mënyra kompensimi. Një nga format më të njohura është lejimi i tyre të punojnë në informalitet. Pra, nëpërmjet informalitetit sigurohen financimet dhe këto të fundit garantojnë informalitetin. Ky raport reciprociteti ka bërë të mundur që për disa kompani të biznesit të mos jetë e rëndësishme se cila forcë politike vjen në pushtet, por cila garanton status-quonë e saj, njëkohësisht edhe për partitë politike ka marrë rëndësi jo shumë identiteti politik i mëparshëm i x biznesmeni për sa kohë siguron një pjesë të financimit të fushatës.

Mirëpo, nga fenomeni i ilegaliteti i trajtuar kështu, të krijohet përshtypja që qeveria po bën harakiri, pasi po prish status-quonë dhe interesat e një pjese të konsiderueshme të elektoratit shqiptar duke i dhënë mundësi opozitës që në prag zgjedhjesh lokale ta kthejë në favor këtë situatë. Nuk përjashtohet që një mundësi e tillë të jetë e vërtetë nëse ekzistojnë tri kushte; së pari: për aq kohë sa publiku mund të jetë i vetëdijshëm se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë nuk ka mundësi reale të shlyejë detyrimet fiskale apo ato të KESH dhe qeveria në vend që t’i ndihmojë ata, injoron detyrimin e saj ndaj tyre dhe kërkon vetëm zbatimin formal të ligjit. Së dyti: për sa kohë ligji zbatohet në shumicën e rasteve në mënyrë selektive duke përforcuar mentalitetin që nëse je “i imi politikisht, abuzo dhe nëse i përket kundërshtarit politik, ligji të penalizon”. Së treti: nëse shumica e popullsisë vepron në të përditshmen e tij/saj me mentalitetin e mosrespektimit të ligjit dhe vetëm një pjesë e vogël vepron në përputhje me ligjet e shtetit. Mirëpo, për fat të mirë, të dhënat nga terreni konfirmojnë se pjesa dërmuese e popullsisë ka krijuar zakonin e mirë t’u përgjigjet detyrimeve të institucioneve të shtetit, prishja selektive e ndërtimeve është sporadike jo në masë, dhe pjesa e popullsisë që nuk ka mundësi objektive për të shlyer detyrimet është e vogël dhe qeveria ka marrë disa masa kompensuese për ta (ka ende shumë për të bërë në këtë drejtim, por diçka ka lëvizur) dhe për sa kohë të dhënat janë të tilla, çdo masë që kontribuon në ndërtimin e disa zakoneve të mira tek qytetari do të përkrahet nga pjesa dërrmuese e saj. Mesa duket ka ardhur koha që shumica e popullsisë të mos paguajë koston e pakicës dhe kjo e fundit të mos vërë në pikëpyetje disa zakone të mira që manifeston shumica e popullsisë në lidhje me shtetin.

Sigurisht, është detyra e qeverisë të analizojë arsyet objektive të disa kategorive sociale dhe disa bizneseve që janë në vështirësi financiare me synimin e marrjes së masave lehtësuese, kompensuese dhe efikase për përballimin e situatës. Njëkohësisht, opozita të japë ofertën e saj për zgjidhjen më të shpejtë të problemeve dhe i gjithë debati fokusohet kështu tek zgjidhjet që palët politike ofrojnë kundrejt aktorëve socialë. Por është e pafalshme që 24 vjet postkomunizëm të vazhdohet të legjitimohen disa sjellje ilegale, për shkak të paaftësisë së qeverisë apo opozitës për të ndryshuar kushtet e një pjese të popullsisë që, për arsye objektive nuk mund të veprojnë ndryshe, duke lejuar edhe ata që nuk janë në të njëjtat kushte të veprojnë njëlloj, dhe partitë politike të sigurojnë përfitime politike nga paaftësia e tyre. Pikërisht për këtë gjë duhet vlerësuar qeveria, pasi po guxon të dekurajojë personat që mundet të paguajnë, por për shkak të një llogarie elektorale janë lejuar të veprojnë njëlloj si ata që nuk i kanë këto mundësi. Njëkohësisht të nxisë debatin ndërmjet partive politike, që lejimin e informalitetit të mos e konsiderojnë më si mjet përfitimi politik, por të gjejnë forma të tjera të sigurimit të mbështetjes së kategorive të ndryshme sociale.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi