Protesta e keqkuptuar

Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shqiptarja.com, 25 nëntor 2014

Afrim_Kras“Kur gjashtë ditët e javës janë njësoj, e fundit nuk mund të jetë ndryshe” thotë një proverb i vjetër gjermane. Kur politika shqiptare sillet në të njëjtën mënyrë përgjatë 23 viteve është utopist iluzioni se do të ndryshojë në vitin e fundit – është mësimi që morëm dhe po marrim edhe gjatë ditëve të fundit. Le të marrim protestën – miting të thirrur nga opozita. Lajmi kryesor është se pati më shumë pjesëmarrje sesa pritej nga të gjithë, vetë opozita, qeveria, media dhe grupet monitoruese.

Në fakt lajmi kryesor meriton të jetë një tjetër, – fakti se me keqardhje nga kjo protestë më të fituar nuk dolën qytetarët pjesëmarrës, por politikanët përballë dhe pas tyre. Drejtues dhe eksponentë të opozitës sillen sikur mesazhi qytetar flet për pendesë nga vota e tyre massive e 23 qershorit kundër tyre, si dhënie legjitimiteti për sjelljet jopolitike dhe jashtëparlamentare të politikës radikale, si votbesim për emra e stafe të vecanta politike që përfaqësojnë opozitën mediatike, si amnisti ndaj cdo akuze për korrupsion të bërë ndaj ish zyrtarëve të lartë të 8 viteve dhe kështu, edhe si kartë morale për kthimin e tyre shumicë dhe si ndërshkrim apriori dhe masiv ndaj mazhorancës aktuale.

Kjo e fundit flet për turma antiligj dhe antireformë, për njerëz të paguar dhe peng të së kaluarës, dhe kështu, sheh tek protesta një shans të ri për qeverisje “pa bezdi” kritike brenda radhëve të saj, për forcim të pushtetit të Unit në raport me vartësit ministra, deputetë e zyrtarë të lartë dhe për tregues liberal të qeverisjes në raport me institucionin e protestës. Të tjerë, përfshirë edhe ndonjë individ – sindikatë identifikon veten më potencialet e mëdha populiste që buron prej partive politike dhe kështu, secila palë përballë e pas protestës, – ngre rreth vetes një klimë konsensuale oligarkike refuzuese për pothuajse gjithcka përfaqëson zëri qytetar, qoftë edhe ai që artikulohet përmes mitingjeve partiake.

Në politikë protestat politike janë mjet i luftës politike, janë test mbështetjeje, nuk kanë ndonjë domethënie të madhe dhe nuk ka pasur rast të kenë ndryshuar raportet politike të përfaqësimit. E tillë do të mbahet mend edhe protesta e fundit, “në emër të qytetarëve” dhe kundër varfërisë dhe sistemit të “taksave abuzive”. Përtej praktikave të tilla ditore protestat kanë një vlerë të dyfishtë, që shpesh injorohet dhe që realiteti shqiptar shpeh e mohon, e denigron dhe e refuzon.

Ato janë sinjal për të orientuar politikën, për korrigjimin e saj, për një raport të ri midis politikës vendimmarrëse dhe qytetarit, si dhe shërbejnë si lajmotiv për platforma e projekte të reja politike vendimmarrëse në dobi më të gjërë publike, me impakt më të madh public dhe me jetëgjatësi e produkt më të dukshëm publik. Midis modelit të lidervëe që ecin me turmën, ushqehen prej saj dhe e përdorin atë në favor të projekteve personale, modelet moderne të politikës zgjedhin atë të ikjes nga turma dhe orientimit cilësor të saj drejt një politike më transparente, më vizionare, më productive dhe me pjesëmarrëse. Gjithcka që i mungoi dhe po i mungon klimës politike dhe reagimit politik para dhe pas protestës së 22 nëntorit.

Mesazhi i pjesës militante të protestës është mesazh politik dhe nuk ka ndonjë vlerë dhe as surprizë. Por jashtë kësaj pjese ekziston një grup i madh qytetar që ndjehet i pasigurt, i pambrojtur dhe i papërfaqësuar. Ata duan të flasin, të dëgjohen, të respektohen dhe janë kontigjent i gatshëm ti përgjigjen cdo thirrjeje për reagim ngado që të vijë. Pikërisht këta zgjedhës – votues dhe jovotues janë dhe mbeten pjesa më e rrezikuar e shoqërisë.

Të tjerët, militantët, presin radhën të vijnë në pushtet dhe të sillen me të si plackë luftë, sic kanë bërë periodikisht, kurse këta, jomilitantët presin ndryshimet e premtuara, presin politikë më qytetare dhe më cilësore, presin më shumë shpresa dhe hapësira për përfaqësim, për ekonominë, sigurinë dhe ardhmërinë e tyre. Me 22 nëntor ata ishin aty, sic mund të kenë qenë edhe në vjeshtën e vitit të kaluar ose më pas në protestat kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë, – thjesht e vetëm të motivuar nga kërcënimi i statutit të tyre social dhe sigurisë së tyre personale e familjare. Ata u përdoren atë ditë pa respekt nga njëra palë, u përdorën po atë ditë nga reagimi fyes i palës tjetër. Gjë që nuk duhej dhe nuk duhet të ndodhë.

Referuar problematikave që krijuan situatën protesta vetëm sa nxorri në pah refuzimin arrogant të palëve për të reflektuar. E djathta ende vijon të sillet si viktimë e një sistemi që në fakt ajo e ka krijuar dhe ku qytetarët kanë qenë viktimë të saj, e majta ende vijon të sillet si misionare por duke e zhveshur misionin nga tiparet më humane e demokratike të tij, – dëgjesën, përulësinë, respektin, reflektimin dhe solidaritetin.

PD ngriti zërin kundër dy partnerëve të koalicionit, njëri prej të cilëve është në politikë vetëm falë vetë PD-së, PS fajëson vijon ta fajësojë prej një viti opozitën për trashëgiminë pa arritur të ofrojë dicka të ndryshme prej modelit të saj (keq)qeverisës. Të synosh kontroll mbi territorin, luftë ndaj informalitetit, sjellje të ashpër ndaj krimit, etj, është një gjë positive dhe jetike për shtetin, por në emër të këtyre parimeve të ruash sistemin e vjetër klientelist dhe arrogant thjesht duke ndryshuar emrat në piramidën e saj dëmton jo vetëm qëllimin e mirë, por mbi të gjitha shpresën dhe pritshmëritë e mëdha për ndryshim. Të ofrosh ndërshkimin financiar e penal ndaj atyre qytetarëve shkelës administrativë të ligjit si zgjidhje optimale, dhe të ruash të paprekur madje të financosh më tej kastën e oligarkisë abuzive do të thotë të krijosh dy standarde, një për qytetarët, një për klientelën politike.

Një qeverisje transparente dhe me integritet nuk mjaftohet vetëm tu marrë taksa qytetarëve, por duhet edhe tu kthejë atyre shërbime. Shteti serioz i pajis qytetarët me matës elektrik dhe ndihmon ata që mbijetojnë ekonomikisht, praktika jonë vijon të jetë e kundërt, – u kërkon qytetarëve të paguajnë edhe matësin, pra instrumentin e shtetit, – sic mbron më shumë pakicën e pasur sesa shtresat në nevojë ekonomike.
Së fundi, palët nuk janë ende të sinqerta me gjendjen dhe nevojat e vendit, me sfidat dhe pritshmëritë ekonomike dhe politike. Alibia se masat imponohen nga FMN apo BB nuk kanë vlerë përderisa politika ka premtuar dhe është zgjedhur të mbajë premtime të ndryshme nga alibitë e radhës. Politika duhet tu flaës qytetarëve, tu tregojë gjendjen e vërtetë ekonomike, të bëjë transparente cdo shpenzim publik dhe ta konsultojë buxhetin me cdo grup interesi, të tregojë se cila do jetë Shqipëria e vitit 2015 dhe 2017 përmes objektivave dhe prioriteteve konkrete, të ndajë shtetin nga pushteti politik, ta zhveshë politikën nga populizmi i turmës dhe të krijojë një sistem të balancuar llogaridhënie, një standard monitorimi të njëjtë për të gjitha grupet qytetare, ata në rrugë, ata të braktisur, ata në punë dhe ata në pushtet.

Për më tepër, politika duhet ta kishte lexuar mesazhin e 22 nëntorit, si një vlerë e shtuar e demokracisë, një shenjë për mazhorancën për të qenë më transparente dhe reformatore, një sinjal për opozitën për të qenë më qytetare dhe më përfaqësuese, dhe kështu, për secilën palë, për të hequr dorë nga praktikat e gabuara të së kaluarës, – për të hedhur bazat e besimit dhe formësimit të një sistemi të ri mendimi e funksionimi politik, – për më shumë demokraci, më shumë sjellje institucionale, më shumë kulturë dialogu, më shumë vemendje e reflektim, më shumë alternative zhvillimi dhe më shumë integritet e moral.

Përndryshe, nëse gjithcka lexohet e komentohet me logjikën e mitingut dhe militantëve në protestë, përballë ose pas turmës së saj, – dëshmohet lajmi trishtues se elitat e sotme politike nuk kanë mësuar asnjë nga e kaluara dhe se fatkeqësisht, në mos të paaftë të shohin përpara, janë peng i të tjerëve, produkt i të njëjtës shkollë dhe kështu, të vendosur të për përsëritur të njëjtat gabime!

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi