“Televizioni publik duhet t’u shërbejë njerëzve, jo politikës”

Sipas mediave, 20 nëntor 2014

martin-lekaTelevizioni publik duhet t’u shërbejë taksapaguesve, prej të cilëve financohet dhe jo politikanëve”.
Kështu u shpreh dje për gazetën “Panorama” drejtorja e përgjithshme e European Broadcasting Union (EBU), Ingrid Deltenre, e cila ndodhet në Tiranë së bashku me Boris Bergant, këshilltar pranë EBU-së dhe Radka Betcheva, menaxhere përgjegjëse e projekteve. Gjatë ditës së djeshme, Deltenre, e shoqëruar edhe nga drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit Publik Shqiptar, Martin Leka, kanë kryer një sërë takimesh me zv.kryeministrin Niko Peleshi, kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta dhe kryetarin e Komisionit të Mediave, Genc Pollo. Në qendër të bisedimeve kanë qenë çështje që lidhen me transformime ligjore dhe strukturore, përmirësimin cilësor, paanësinë politike, rritjen e audiencës dhe dixhitalizimin e respektimin e afateve për këtë proces. “Situata mediatike reflekton kualitetin e institucioneve demokratike në një vend. Dhe është detyrim forcimi i institucioneve dhe i mediave dhe me këtë kuptoj mediat private, por edhe ato publike, të cilat financohen nga taksapaguesit. Dhe publiku ka të drejtën të ketë një shërbim që u përgjigjet standardeve profesionale. Në një vend kjo është e mundur nëse ka vullnet politik për të mbështetur këto zhvillime. Mendoj se verbalisht këtë e dinë të gjithë, por tashmë kjo duhet mbështetur me veprime. Ne si EBU nuk jemi këtu për të treguar si të veproni, nuk jemi misionarë, por për të dhënë mbështetjen tonë”, tha Deltenre. Si çdokush që vjen në Shqipëri, edhe ajo nuk mund të mos vinte në dukje numrin e madh të kanaleve televizive, në raport me popullsinë. Por, sipas saj, sipas ligjeve të tregut, është e sigurt se nuk do të ketë vend për të gjithë. Ajo shpreson që në një të ardhme televizioni publik të fuqizohet, po këtë mund ta bëjë vetëm nëse u përgjigjet standardeve që meriton publiku.

Ndryshimi
Sipas Ingrid Deltenre, reputacioni i një televizioni varet nga programacioni, nga aftësia për të thithur vëmendjen e publikut. Ajo thotë se një televizion publik ka disa vlera që duhet të respektojë, çka do të thotë se do të ketë programacione që nuk do të mund t’i realizojë kurrë, por kjo nuk do të thotë të bëjnë emisione të mërzitshme. “Nuk jemi këtu për të kërkuar para. E dimë që është një periudhë krize ekonomike dhe duhet të përpiqemi me ato që kemi, por për ta bërë këtë, duhet të kemi institucione që funksionojnë mirë. Për mediat elektronike jepen licenca dhe në këtë drejtim duhet të ketë një institucion të pavarur. E di që janë zhvilluar zgjedhjet dhe është përzgjedhur një kryetar, i cili ka punuar më parë në një kanal privat. Ndoshta kjo nuk është më e mira e gjërave, por duhet të shohim nëse ai do ta kryejë detyrën e tij në mënyrë të pavarur, se e ka lënë punën e mëparshme dhe se është atje për t’i shërbyer interesit publik dhe jo interesit të tij privat”, tha ajo. Edhe pse thekson se nuk ka ardhur në Shqipëri për të dhënë këshilla, ajo shprehet se: “Shqipëria është në një proces reformash dhe këto nuk duhet të bllokohen për arsye, ndoshta të paqarta. Është e drejta e popullit që ka zgjedhur që të kërkojë ndryshimin dhe një të ardhme normale, pa korrupsion. Nuk dua të jap këshilla, por ndoshta është momenti që të gjithë të bëhen bashkë, të bashkëpunojnë. Ne jemi këtu për të mbështetur këtë ide. Gjithçka do të funksionojë, nëse politika luan rolin e saj”. Sa u përket takimeve të zhvilluara me përfaqësues të qeverisë, legjislativit dhe kryetarin e Komisionit të Mediave, ajo u tha se dëgjoi mendimet e tyre dhe u shprehu gatishmërinë për t’i mbështetur në hapat që do të ndërmerren. Ndërsa sot, EBU, RTSH, OSBE dhe UNESCO zhvillojnë në Tiranë seminarin rajonal mbi mediat publike dhe ndërtimin e besimit te njerëzit.

“Televizioni publik duhet t’u jetë besnik qytetarëve dhe jo partive politike, bizneseve apo individëve”. Kështu deklaroi ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Florian Raunig, në konferencën rajonale dyditore për transmetuesit publikë. “Po flasim këtu për transmetuesin publik, jo për televizionet komerciale. Paratë rrjedhin nga qytetarët të cilët financojnë punën e transmetuesit kombëtar publik me të ardhurat e fituara me punë. Në këtë mënyrë, televizioni publik duhet së pari t’u jetë besnik qytetarëve dhe jo partive politike, bizneseve apo individëve. Nëse duam të na besojnë nuk duhet ta harrojmë asnjëherë këtë fakt”, theksoi ambasadori Raunig. Sipas tij modeli evropian i një mjedisi transmetimi të mirë-balancuar mbështetet në një balancim të kujdesshëm pushtetesh midis televizionit publik dhe atyre komerciale.

“Ky ekuilibër siguron marrëdhënie të harmonishme midis interesave të caktuara politike apo ekonomike dhe interesit të qytetarëve, që shpesh përkufizohet si interesi i përbashkët. Vendet që po përpiqen të zhvillojnë më tej demokracinë duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë këtij modeli, të krijojnë një transmetues publik të qëndrueshëm nga aspekti ekonomik, me pavarësi redaksionale dhe profesionale, i cili kontrollohet nga publiku, financohet nga publiku dhe është bërë për publikun”, tha ambasadori i OSBE-së në Tiranë.

Raunig theksoi se është detyra ligjore e Kuvendit të Shqipërisë të zgjedhë e reja drejtuese të transmetuesit kombëtar publik.

Maxhoranca zgjedh 5 kandidatët e saj për Këshillin Drejtues të RTSH

Komisioni i Medias ka mbyllur dje procesin e përzgjedhjes së 5 kandidaturave të mbështetura nga maxhoranca për postet vakante në Këshillin Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar. Gjatë mbledhjes së zhvilluar dje me dyer të mbyllura, anëtarët e shumicës kanë votuar pro kandidaturës së ambientalistit Xhemal Mato, gazetarëve Valbona Sulçe, Xhelil Aliu, Helidon Halili dhe Vladimir Grosha. Kandidatët e përzgjedhur nga shumica e majtë do të kalojnë në seancë plenare për votim, ndërkohë në listën aplikantëve janë lënë disa emra rezervë, të cilët mund të selektohen 5 kandidatët e mbështetur nga opozita. Në përfundim të mbledhjes, nënkryetari i Komisionit të Medias, Alfred Peza, i ka bërë thirrje Partisë Demokratike që të bashkëpunojë në plotësimin e bordit të këshillit Drejtues të RTSH-së. Peza i bëri sërish thirrje opozitës që të vijë në Kuvend për të bërë përzgjedhjen e kandidaturave të saj.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi