Buxheti 2015, pa ideologji qeverisëse dhe taksa pragmatiste

Nga Besart Kadia, botuar në Mapo Online, 19 nëntor 2014

besartkadiaA kanë rëndësi idetë në qeverisje apo vendimet duhen marrë në varësi të situatave? A mundet të shohim ideologji të majtë në buxhetin e dytë të të majtëve shqiptarë, apo është luks që nuk ndihmon në mirëqeverisje. Por me të drejtë shtrohet pyetja: përse qeveria, në më pak se dymbëdhjetë muaj, ka prezantuar si këshilltarë personalitete me peshë ndërkombëtare, duke filluar nga Kryeministri britanik, Tony Blair, në amerikanët e Harvardit të Haussmann dhe gjeorgjianët e Saakashvilit?

Së pari, duhet thënë se është një hap cilësor që Shqipëria të mund të përfitojë nga eksperienca dhe kontaktet ndërkombëtare të këshilltarëve që qeveria ka bërë publike. Por nga ana tjetër duhen analizuar dhe objektivat dhe arritjet e deritanishme të këtyre marrëveshjeve dhe si ato përkthehen në politika ekonomike për Shqipërinë? Po të rikthehemi në ditët e para të qeverisjes, në tetor 2013, nga New York-u u njoftuam se Tony Blair do të ishte këshilltar i Qeverisë Shqiptare për t’u siguruar se qeveria e re do të mund të ofronte shërbime me standarde për qytetarët dhe se do të respektonte premtimet elektorale të bëra para zgjedhjeve. Kjo iniciativë në fakt mblodhi së bashku gjashtë shtete me shumë pak sfida të përbashkëta. Kështu, kryeministri Rama e futi Shqipërinë në një network me shtete të varfra e të dështuara si Etiopia (470 dollarë për frymë), Gana (1600 dollarë), Haiti (700 dollarë për frymë), Malawi (268 dollarë për frymë) dhe Senegali (1031 $ për frymë). Pas një presioni të mediave britanike për detaje të kësaj marrëveshjeje, duket se ekspertiza e Blerit për Shqipërinë nuk do të jetë në nivelet e bëra publike në fillim, duke e lënë në mes këtë projekt jo të zakontë bashkëpunimi ndërqeveritar.

Së dyti, duket se nga rruga e tretë e Blerit, përtej së majtës dhe së djathtës, kryeministri Rama ka shfrytëzuar kontakte të tjera ndërkombëtare për t’i ardhur në ndihmë ekonomisë shqiptare nëpërmjet një projekti kërkimor të drejtuar nga profesori i Harvardit, Ricardo Hausmann. Ky i fundit pritet të mbarojë studimin dhe të japë rekomandimet e grupit kërkimor në vitin 2015 për fusha të tilla si makroekonomi, politika energjetike, tregun e punës dhe bujqësinë. Për tetë muaj studentë të sapodiplomuar në Master në Harvard, me kombësi kineze, iraniane, meksikane, pakistaneze e holandeze, kanë mbledhur të dhëna në terren në ministritë e Financave, Energjisë dhe Industrisë, Bujqësisë, Integrimit e Arsimit. Por deri në 2015-ën nuk do të kemi në dorë asnjë nga rekomandimet e tyre, ndaj dhe buxheti 2015 nuk mundet të ketë të reflektuar ndonjë ide harvardiane ashtu sikundër mundën “Djemtë e Çikagos” të aplikojnë në Kili më 1973.

Së treti, mundet të thuhet se në pritje të këtij studimi, qeveria është e interesuar për masa të shpejta dhe efikase. Në këtë luftë me kohën, qeveria iu është adresuar reformatorëve të mëdhenj liberalë të dekadës së fundit në Europën Lindore, pikërisht gjeorgjianëve Saakashvili dhe Bendukidze. Këta të fundit në pak kohë e shndërruan Gjeorgjinë në shtetin më reformator në botë, sipas raportit të Bankës Botërore “Të Bësh Biznes”. Gjithashtu, ajo kaloi nga vendi i 137-të në botë në vendin e 11-të përsa i përket indikatorit të lehtësirave për të bërë biznes, përpara Gjermanisë dhe Francës. Para dy muajsh pata mundësinë të intervistoj për emisionin “Ora Ekonomi” zotin Bendukidze, i cili në të njëjtën kohë i ishte ofruar për t’u bërë anëtar i kabinetit në Ukrainë, kishte dëshirë të këshillonte edhe kryeministrin Rama për reformat e nevojshme liberale që duhej të aplikonte për të nxitur më tej ekonominë në vend. Në fakt disa bashkëpunëtorë të tij, ashtu si dhe shumë ekspertë të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë FMN dhe BB, janë gjithashtu duke ndërtuar disa alternativa të reformave ekonomike. Por kaq shumë ekspertizë, kombinuar me mungesën e një vizioni të qartë qeverisës mbi ekonominë, të bën të mendosh se në fund fare shumë mami vrasin foshnjën (ekonominë).

Ideologjia është shumë e rëndësishme, shprehej Bendukidze, si ministër i Koordinimit të Reformave për liberalizimin e ekonomisë në Gjeorgji. “Unë kisha një vizion të qartë, ta shndërronim Gjeorgjinë në vendin më liberal e më miqësor për bizneset në Europë. Shqipëria duhet që të ulë në mënyrë drastike shpenzimet qeveritare dhe të përdorë çdo të ardhur ekstra që merr, për të shlyer borxhin sa më shpejt duke kryer privatizime”. Shprehja e tij e preferuar ishte se “Gjeorgjia duhet të shesë gjithçka, përveç nderit të saj” si mënyrën më efikase për të ndërtuar ekonominë. Fatkeqësisht, idetë e Bendukidze nuk mund të vihen në jetë, pasi ai u nda nga kjo jetë tri ditë më parë.

Në mungesë të një plani real për ekonominë dhe të një vizioni të qartë se cilat do të jenë burimet e rritjes ekonomike dhe mirëqenies në vend, qeveria paraqet dhe miraton mekanikisht buxhetin e vitit 2015. Ky buxhet synon të rrisë shpenzimet korrente duke rritur numrin e të punësuarve në polici me 1200, ndërkohë që nga ana tjetër investimet kapitale përfundojnë vetëm disa prej projekteve publike të qeverisë së shkuar. Ky buxhet ndjek vetëm një qasje: rritjen e taksave dhe akcizave, në mënyrë që të rrisë të ardhurat vitin e ardhshëm në buxhetin e shtetit. Këto janë taksa pragmatiste, pa vizion zhvillimi për ekonominë. Viti 2015 do jetë një vit i vështirë për ekonominë tonë, sidomos pas rritjes së pritshme të çmimit të energjisë elektrike për 75% të familjeve në vend. Gjithashtu, parashikimet për rritjen ekonomike janë optimiste, pasi investimet publike janë në nivelet më të ulëta të shtatë viteve të fundit dhe taksat në vend pritet të rriten sërish me synim uljen e borxhit publik. Atëherë, natyrshëm mundet të thuhet që çdo rritje ekonomike e deritanishme vjen për shkak të politikave të shkuara të djathta. Ndërkohë, se si do reagojnë investitorët e huaj e vendas dhe qytetarët nga rritja e çmimit të energjisë dhe të taksave të tjera, do të mund ta shohim vetëm pas vitit të vështirë 2015!

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi