Tre rreziqet e “diktaturës” Rama

Nga Bledi Kajsiu, botuar në Panorama, 18 maj 2021

Prej kohësh tashmë, në rre thet opozitare është krijuar ideja se Edi Rama ka instaluar në Shqipëri një “regjim”.

Ndonëse të gjithë e përdorin dhe askush nuk e përkufizon, termi regjim përdoret si sinonim për diktaturë apo sistem autoritar. Kjo del qartë nga fakti që në leksikun tonë, termi “regjim” historikisht është përdorur në tri raste; regjimi zogist, fashist dhe komunist. Të tria ishin regjime pa demokraci.

Ndaj jo rastësisht Rama krahasohet me Erdoganin dhe Putinin në mediat tona.

Pak rëndësi ka që analistë dhe gazetarë të njohur e sulmojnë Kryeministrin ditë e natë në ekranet dhe gazetat kryesore dhe nuk u hyn gjemb në këmbë. Shumë ndryshe nga kolegët e tyre gazetarë në Turqi apo Rusi, ku një kritikë ndaj Erdoganit apo Putinit të çon në burg ose varr.

Përveçse tejet i pasaktë ky karakterizim i qeverisjes Rama si diktaturë, prodhon tri efekte negative.

Së pari, injorimin e problemeve reale të qeverisjes aktuale, siç është degradimi i administratës publike. Së dyti, kërkimi i rrugëve antidemokratike për “rrëzimin” e Ramës. Së treti, mungesën e reformimit të opozitës. Lufta kundër diktaturës imagjinare të Ramës jo vetëm injoron, por edhe delegjitimon kritikën reale që mund t’i bëhet qeverisjes së tij siç është degradimi i administratës publike.

Ndonëse para 8 vitesh socialistët premtuan se do bëjnë shtet, sot jemi ende larg këtij qëllimi. Burokracia, që është shpirti i shtetit, si dhe punësimi në sektorin publik në përgjithësi, janë shumë larg të qenurit meritokratike.

Ky problem themelor i shtetit shqiptar duket pothuajse i parëndësishëm përballë luftës e kundër “diktaturës” Rama. Por nëse mund të tregohet qartë që Shqipëria sot ka një problem madhor me degradimin e administratës dhe sektorit publik, është e pamundur të argumentosh se jemi në Putinizëm apo Erdoganizëm.

Madje, qeverisja Rama nuk arrin as nivelet e autoritarizmit të Viktor Orban në Hungari, në zemër të Europës. Ndaj kritika opozitare e legjitimon qeverisjen Rama kur godet problemet e saj imagjinare dhe jo ato reale.

Kjo prodhon zgjidhje sa të varfra, aq edhe jo demokratike, që bazohen te rrëzimi i dhunshëm i “diktaturës Rama”, që nuk mund të ndryshojë me votë. Ndaj në krahun opozitar ka thirrje për mospjesëmarrje në zgjedhje, dalje nga sistemi dhe protesta. Ajo që të habit është se ideja që Rama nuk përmbyset me votë bazohet thjesht te dështimi elektoral i opozitës aktuale.

Pra, fakti që Basha, Berisha dhe Meta nuk fituan shumicën e votave në zgjedhjet e 2021, vërteton se në Shqipëri nuk ka zgjedhje të lira.

Ama, të thuash se në Shqipëri nuk ka zgjedhje të lira sot sepse shumica e shqiptarëve nuk duan të qeverisen nga e njëjta aleancë PD-LSI dhe të njëjtat fytyra që penalizuan në zgjedhjet e lira të vitit 2013, është sa absurde, aq edhe problematike.

Sipas kësaj logjike problem nuk është opozita, por zgjedhjet. Ndaj duhet të ruajmë opozitën që kemi dhe të zëvendësojmë zgjedhjet me revolucion. Ky lloj argumentimi vret dy zogj me një gur.

Eliminon nevojën e reformimit të opozitës dhe deligjitimon zgjedhjet si mekanizëm për rrotacionin e pushtetit. Pa këta dy zogj, demokracia në Shqipëri gjithmonë do zvarritet dhe kurrë nuk do të ngrihet nga toka.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi