Shqipëria është Partikraci jo Demokraci

Nga Ben Andoni, botuar në Gazeta Shqiptare, 20 prill 2019

Studiuesit e politikës kanë sot disa përcaktime sa i përket Partikracisë dhe akoma më shumë për Demokracinë, të cilën po jetojmë në shekullin XXI. Por, në një drejtim duket se shkojnë shumë pranë bashkë. Gjithçka, kudo në Demokracitë e Reja dhe në Shqipëri varet nga partitë politike të cilat janë në pushtet. Dhe, për ta zgjatur dhe më tej kronologjinë, vendi ynë ka qenë krejtësisht i varur nga politika qysh më 1944.

Pa pasur nevojën për të hyrë më thellë në histori: Partikracia ekziston kur politikat e partive e uzurpojnë krejtësisht kontrollin mbi Demokracinë në një shtet. Dhe, a mund të dyshojë dikush për këtë gjendje, ku po kalon vendi ynë e që Opozita dhe Pozita përplasen më shumë për hegjemoni sesa demokracinë e vërtetë. A ishte e vështirë për Partinë Demokratike dhe anasjelltas për Partinë Socialiste, që vullnetin e mirë të përbashkët sa i përket situatës dhe zgjedhjeve të afërta ta zgjidhnin duke filluar me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008?! Jo. Por, kjo nuk ndodh për sa kohë Partikracia është mbi Demokracinë.

Dhe, realisht pas sloganeve për zgjedhjet e ndershme, ligjërimi i të gjithë liderëve të opozitës bashkohet vetëm në kërkesën për ikjen e Edi Ramës, ashtu si para tij përpjekja më e madhe e opozitës socialiste nuk ishin parametrat demokratikë, por thjeshtë dhe vetëm një: Ikja e Sali Berishës.

Qëllimi i Partikracisë nuk ngelet këtu: shkon edhe më tej, pasi lufta nuk bëhet për ideologjinë, e cila sot ka humbur në Shqipëri dhe po shuhet kudo në Evropë mes partive të Majta dhe të Djathta, por për atë që grupi i njerëzve të cilët kanë kapur ose zotërojnë një parti të zgjidhin interesat e tyre në funksion të mbajtjes sa më gjatë të pushtetit. Në emër të kësaj, bëhen ndryshime kushtetuese që në Shqipëri kanë kulmuar me ato që u bënë për skemën e zgjedhjeve që për asnjë kusht nuk i kundërshton dot asnjë nga dy partitë. Për partitë subjektet humane janë thjesht numërorë, që përdoren në mitingje ose që shërbejnë sipas interesave të partive ku aderojnë, kurse vetë politika e vërtetë nuk ka de factoas edhe një farë interesi për njeriun, pasi interesin e vërtetë e përmbledh ai segment i politikës, i cili bën ligjet e vendit.

Dhe, ky interes nuk është thjesht fitorja e zgjedhjeve, por zotërimi i skenës së propagandës dhe gjetja e interesave të vërteta që kulmojnë me votimin në parlament e që e mbyll të gjithë ciklin në një mandat politik. Me pak fjalë dhe shkurt, njerëzit e sotëm janë thjesht ata që detyrohen (e theksojmë) të votojnë, kurse politika merr produktin.

Parlamenti është shndërruar në kohën e Demokracisë në një mjedis, ku politika e sotme nën forcën e numrave, e artikulimeve dhe debateve vendos për vendin, por pa verdiktin direkt të qytetarëve të saj. Në sistemin tonë të sotëm fuqinë e ka politika, që prevalon mbi demokracinë, kurse detyra e votuesit është të zgjedhë një njeri ( i firmuar in person nga kryetari i partisë) të cilin as nuk e njeh e për më tepër që ai vetë është një zbatues i verbtë i platformës së partisë, që nuk është aspak më shumë sesa thjesht vendimi i kryetarit të partisë. Shembujt e demokracisë së brendshme te Partia Demokratike janë kundërshtuar nga vetë anëtarët, ashtu si shumë përfaqësues të Partisë Socialiste kanë akuzuar hapur mungesën e demokracisë së brendshme të partisë së tyre. Është kaq i errët ky zhvillim saqë qoftë edhe institucionet nuk ndajnë dot mënyrën sesi financohen partitë dhe strukturën e errët që publiku e merr vesh pjesërisht vetëm në çaste krizash partiake.

Në kohën tonë ka ardhur koha që njerëzit të kërkojnë pjesëmarrjen në demokraci dhe më shumë se kaq t’u njihet e vërteta dhe pjesëmarrja në politikë. Vetëm kaq. Por është për të ardhur keq: pasi politika, njësoj si në Komunizëm, zotëron gjithçka e cila është e mundur. Shqipëria jonë është Partikraci dhe fare pak Demokraci. (Homo Albanicus)

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi