Kush “gënjen” më shumë Biznesi apo Qeveria?

Nga Bardhi Sejdarasi, botuar në Shqiptarja.com, 16 nëntor 2014

bsejdarasiNë ndryshim nga viti i kaluar, kur përfaqësuesve të FMN-së iu “ofruan” plot 29 variante të paketës fiskale që shoqëronte buxhetimin e ri, këtë vit ministri i Financave, Shkëlqim Cani e mbajti fjalën që tha në fillim të vitit, duke e filluar diskutimin e paketës së re fiskale që në mesvit. Ministria ka tashmë gati “piketat” për të shtruar trasenë e ndryshimeve ligjore dhe nënligjore që ndikojnë në buxhetin e vitit që vjen. Disa nga të cilat (si psh ndryshimi i akcizave për “mallrat e fortë”) janë draftuar dhe po diskutohen.

Të tjerë akte ligjore e nënligjore janë në tryezat e ekspertëve publikë. Idetë nuk janë hedhur të gjitha, ndërsa edhe bizneset, disa nga sipërmarrjet e rëndësishme të vendit, kanë tashmë të draftuara propozimet e tyre për qeverinë dhe presin përgjigjen e saj. Kjo paraprirje e sipërmarrjes për paketën e re fiskale të qeverisë është për t’u vlerësuar, ndërsa cilësia e saj është një çështje tjetër, që meriton më shumë vëmendje nga ato që pretendojnë se përfaqësojnë interesat e sipërmarrjes. Këto ditë janë duke u dëgjuar grupet e interesit, alias sipërmarrjet dhe përfaqësuesit e tyre të zgjedhur. Për të ndihmuar publikun në argumentat dhe kundërargumentat që përdoren, por sidomos në krahasimet që bëhen për të justifikuar kërkesat, disa herë jologjike e madje edhe të gënjeshtra të tyre, po hedh disa komente më poshtë.
Çfarë kërkon biznesi nga Qeveria?

I formatuar cilësisht dhe si risi vjen propozimi i grupimit të bizneseve të Dhomës Amerikane të Tregtisë (AMCHAM). Ky asosacion, një nga më performantët në vend, sjell jo vetëm propozime dinjitozë për grupimin e sipërmarrësve të tij, por është edhe mjaft argumentues. Progresiviteti i tatimit mbi pagat (TAP), përshembull, ka sjellë evazion, vërtetuar edhe në këta pak muaj që është aplikuar. Kërkohet të ndryshohet.
AMCHAM këmbëngul në deklaratën e bërë se duhet “të gjendet një mënyrë për mbledhjen e kuponave tatimorë nga konsumatorët, në mënyrë që më pas të njihen si shpenzime të zbritshme apo të ofrohen incentiva të tjerë fiskalë. Kjo do të ndihmojë formalizimin e ekonomisë dhe konkurrencën e ndershme. Eshtë koha që bizneset informale të vihen përpara përgjegjësisë”-nënvizion ky grupim biznesesh.

Çështje të tjera si garancia për procedurën e apelimit, njehsimi i tatimit mbi të ardhurat personale nga pagat, me atë të tatimit mbi të ardhurat personale, (pavarësisht nga ato janë krijuar), heqja e tatimfitimit (TF) kur fitimet nuk shpërndahen në formën e dividentit, por riinvestohen, rritja e periudhës për mbajtjen fiskale të humbjeve etj, janë disa nga propozimet “amerikane” që mund e duhet të shtrohen për diskutim në tavolina të përbashkëta.

Sikundër ka edhe propozime si ai për rishikimin e tatim fitimit me synim rikthimin në “taksë të sheshtë”, që duket se nuk ka sens, po të kesh parasysh argumentat që u sollën kur u vendos kjo taksë progresive si dhe nivelin mesatar të saj në rajon.

Argumenti i Dhomës Amerikane se ulja e këtyre taksave do të rriste interesin për investime të huaja më të larta, nuk ka baza, por t’i referohemi studimit të Al.Tax, sipas të cilit “shtetet e Ballkanit Jugperëndimor dhe qëndror (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni) që kanë barrë tatimore të ulët (21,5 %, 22, 6 % 24,1 %) nuk i reflektojnë investimet e huaja direkte (IHD) sipas kësaj barre fiskale (10%, 4,5 %, 2,9 %). Shtetet e Ballkanit Lindor (Bullgari, Rumani) që kanë barrë tatimore jo të lartë në Ballkan (27,2 %, 28,2 %) nuk e reflektojnë IHD neto sipas këtij niveli të barrës tatimore (4,1%, 1,1 %). Shtetet e Ballkanit Perëndimor (Bosnjë-Hercegovinë, Mal i Zi, Kroaci) dhe veriut e jugut të Ballkanit (Serbi, Greqi) kanë barrë tatimore të lartë (38,1 %, 34,3 %, 33 %) dhe (35,6 %, 35,4 %) kanë po të njëjtën pamje të IHD-ve.

Studime më të hollësishme kanë treguar se Rumania, Greqia, Kroacia, etj, janë më të “shtrenjta” për të bërë biznes se sa Kosova, Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Bullgaria.
Ky realitet nuk kërkon ndryshimit e politikës së taksave dhe atë tatimore se sa kërkon ndryshimin e menjëhershëm dhe të shpejtë të administrimit të tyre, për të cilin ndryshim flasin pak ose aspak përfaqësuesit e sipërmarrjes.

Nuk po rendis këtu “paketat” e të gjitha organizatave të sipërmarrjes, edhe për shkakun se një pjesë e tyre vijojnë me procedurën “Copy-Paste”, duke treguar nivelin mjaft të ulët të lobimit dhe advokimit dhe shkallën e gënjeshtërt të përfaqësimit të biznesit.

Referuar atyre “propozimeve” që kanë paraqitur disa nga organizatat e biznesit, po bëj edhe disa komente të miat.
Dhoma e Tregtisë e Industrisë së Tiranës ka kërkuar të përfshihet në paketën fiskale të vitit 2015 që “TVSH e rimbursueshme të mos paguhet”, pra heqja e skemës së TVSH-së për veprimtaritë që kërkojnë rimbursim. Sado e diskutueshme të jetë kjo për kapacitetet e Administratës Tatimore dhe mundësinë e pamundësinë e saj për këtë rimbursim, paradoksi është se Ligji i ri i TVSH hyn në fuqi në 1 Janar 2015. Dhe ky ligj tashmë është miratuar nga Kuvendi. Ku ishte kjo organizatë punëdhënësish kur për tre-katër vjet u kërkua diskutimi i hapur për këtë ligj?

Kërkesa tjetër e DHTIT për të hartuar paketa të posaçme lehtësuese, si turizmi apo agrobiznesi, nuk është më shumë çështje e qeverive se sa e organizatave të biznesit. Paketat i bën biznesi, qeveria i miraton apo jo, sikundër ndodhi me paketën e masave lehtësuese të fasonit (e mbetur në mes të rrugës, për hir të së vërtetës)!

“BiznesAlbania” ka kërkuar përshembull që të ulet tatim fitimi për turizmin, deri në përgjysmimin e tij, madje këtë përgjysmim ta pësojë edhe taksa e TVSH-së. Nuk është se ka një studim në këtë fushë për të parë efektet e këtyre propozimeve. Po ka një pamje tjetër të këtij sektori: Secili prej nesh paguan çmime jo te ulëta për akomodimin në hotele apo shtëpi pushimi. E nëse një pjesë e këtyre parave duhet të përkthehen në taksa dhe tatime, buxheti i shtetit është një humbës i madh, si pasojë e informalitetit në njësitë akomoduese. Duke ju referuar të dhënave gjatë muajve korrik – gusht është llogaritur se fluksi përballohet me 254 mijë shtretër, por vetëm 30 mijë prej tyre janë formalë dhe i përkasin hoteleve.

Agjentet e turizmit, sipas media-s, thonë se është pikërisht ky informalitet që devijon standardet, aq shumë të kërkuara në turizmin vendas. Në vendet e rajonit, taksa e fjetjes përllogaritet në 1 euro. Ndërsa në vendin tonë ajo varion në jo më shumë se 5 % e çmimit të dhomës. Ndaj mbetet e vështirë për të përllogaritur informalitetin, i cili arrin në miliona euro, vetëm në këtë pjesë të sektorit të turizmit. Përmirësimi/ndryshimi i këtij realiteti është një sfidë jo vetëm e qeverisë dhe institucioneve të saj, por sidomos e bizneseve të këtij sektori dhe e organizatave përfaqësuese të tyre.

Eshtë e vërtetë ndërkohë që Shqipëria është ndër vendet e vetme në Europë që aplikon të njëjtin nivel në TVSH edhe në turizëm, prej 20%, ndërkohë që Mal i Zi e ka 7%, Maqedonia 5% dhe Greqia 6 %. Ulja e TVSh pritet të sjellë edhe çmime më të favorshme në shërbimin hotelier, por vetëm kur ky sektor të formalizohet dhe kur bizneset e ndershme të mos konkurrohen padenjësisht nga të pandershmit e parregjistruar dhe që nuk paguajnë asgjë, por kërkojnë të përfitojnë shumë gjëra nga paketat favorizuese fiskale.

Shoqatat e biznesit dhe konflikti i pastër i interesit

Nëse i shikon me vëmendje disa nga “propozimet” e bërë nga disa të ashtuquajtura shoqata biznesi, e ve re shpejt se propozimi ka “fytyrën” e presidentëve të shoqatave dhe jo të biznesve të tyre. Nuk do të ndalesha në propozime konkrete, por po i referohem përsëri BiznesAlbania-s. Ndjeshmëria e BiznesAlbanias është te sektorët: ndërtimi, turizmi dhe industria ushqimore. Në fakt, kjo organizatë ombrellë punëdhënësish përfshin më shumë se 24 organizata punëdhënësish, që kanë histori suksesi në Shqipëri.

BiznesAlbania nuk ka mundur këtë vit të përfshijë në paketën e saj asnjë prej propozimeve të Bashkimit të Industrialistëve dhe Investitorëve, të Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve, të Shoqatës së Përpunuesve të Drurit, të Shoqatës së Shoqërive të Hidrokarbureve, të Shoqatës së Transportuesve Ndërkombëtarë, të Shoqatës së Prodhuesve të Këpucëve, e kështu me rradhë. Kjo, më e pakta, do të thotë mosfunksionim institucional i shoqatës umbrellë dhe, në fund të ditës, edhe një përdorim i “BiznesAlbania” nga drejtuesit e saj. Por kjo është një temë tjetër për t’u trajtuar.

Çfarë kërkon Qeveria nga biznesi?

Studime serioze, që vijnë po nga biznesi privat, tregojnë se rreth 45 për qind e ekonomisë në vend është informale. Po i referohem vetëm një komenti të bërë nga një e përditshme shqiptare, e cila pyeste për këtë shkallë të lartë informalitetit një eksperte të njohur kontabiliste dhe audituese biznesi. Ja përgjigja e saj: “Fshehja e të ardhurave nga biznesi, që nga ai i vogli, deri tek i madhi, nuk është e re, por mënyrat e fshehjes janë të reja. Deklarimet për tatimet e fitimit, vetëm për të justifikuar nivelin e shpenzimeve, janë rastet më të rëndomta që hasim.

Sipas të dhënave publike të INSTAT, vetëm për vitin 2014 në buxhetin e shtetit nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar duhej të ishin 4 miliardë dollarë. Nëse heqim 4 përqind të kësaj vlere, sepse i përkasin asaj pjese që është e përjashtuar nga ky tatim, do të kishim sërish një shifër shumë të mirë. Por e vërteta është që pritshmëritë për këtë vit janë vetëm 1. 2 miliardë dollarë. Kjo sepse mblidhet vetëm 8.5 për qind e kësaj takse. Pra më pak se gjysma e asaj që duhej të ishte realisht”.

Nuk besoj se ka koment pas kësaj deklarate dhe për më tepër, nuk mund të shkojë mbarë asnjë propozim për uljen e TVSH-së! “Ekonomia në hije” po gërryen ekonominë. Palët janë bërë palë në shkelje dhe fshehje. Organizatat e biznesit nuk punojnë për të ndërgjegjësuar pikërisht formalizimin e ekonomisë, duke krijuar treg të ndershëm dhe lojë të barabartë të aktorëve në treg. Sindikalizmi as që ekziston në Shqipëri për të kërkuar që paga të paguhet sipas ligjit dhe kushtet e punës të respektohen sipas ligjit.

Kam dëgjuar disa ditë më parë që një organizatë biznesi, i ka tërhequr vëmendjen Këshillit Kombëtar të Punës se “qeveria po i ngarkon bizneset me detyrime, të cilat nuk u takojnë atyre”. Bëhej fjalë për ligjin për shëndetin dhe sigurinë në punë, i hartuar në vitin 2006, i rihartuar në partneritet me partnerët socialë0, i rikërkuar nga partnerët ndërkombëtarë dhe që duhet të kishte hyrë në fuqi në vitin 2010, me të gjithë aktet ligjore e nënlogjore, rregulloret dhe udhëzimet. Dhe nuk ka hyrë akoma në fuqi! Çdo të thotë se qeveria po i ngarkon bizneset, jashtë kapacitetit që kanë bizneset!? Në fakt ndodh e kundërta! Shkoni dhe shikoni kompanitë e fasonit, të cilat punojnë prej 20 vitesh me standardet e kontraktorëve të tyre të përtej detit. Detyrimet e tyre ndaj shëndetit dhe sigurisë në punë i auditojnë vetë ndërkombëtarët për të ruajtur reputacionin e tyre dhe të markës në treg!

Ka biznese që ushtrojnë aktivitete të paregjistruara, pra që fshehin të ardhurat e tyre, disa biznese të tjera për veprimet ekonomike të tyre nuk kanë dokumente, në disa të tjera paraqesin dokumente fiktive. Të gjithë e dimë faktin e ekzistencës së dy bilanceve. Deri kur do te vazhdojë historia e dy bilanceve? Do të shtoja këtu përsëri një konstatim të ekspertëve: “Ky mashtrim, ky informalitet, ka sjellë dhe mos ekzistencën e një tregu, atij të kapitaleve financiare, mos aktivizimin e bursës, mos listimin e kompanive në këtë treg dhe mosfunksionimi i këtij tregu, i cili do aktivizonte shumë kapitale të ekonomisë së këtij vendi dhe do ishte si një oksigjen për ekonominë. Kjo do të bëhej me qëllim që biznesmenët shqiptarë të mos mbeten të kënaqur vetëm në rangun e të qenurit “dyqanxhinj”, duke u kënaqur vetëm me cash-in, por të përdorin politika financiare të botës evropiane ku duam të shkojmë”- thonë ekspertët e ekonomisë dhe të tregut..

Duhet t’i japi Cezarit atë që i takon Cezarit!

Paketa fiskale e fundvitit është një mundësi e mire për të parë veten në pasqyrë, si biznesi, ashtu edhe qeveria. Ka politika që duhen rregulluar, përmirësuar apo anuluar. Ka politika fiskale që duhen axhustuar për të qënë në të njëjtin nivel me ato bashkëkohore, europiane dhe botërore, sikundër ka politika të organizimit të sipërmarrjes, për të cilat qeveria duhet të jetë e gatshme të marrë masat për të respektuar përfaqësimin e bizneseve, nëpërmjet kritereve europiane të përfaqësimit dhe respektimeve ligjore të njohura.

Në të kundërt, do të dëgjojmë edhe “broçkulla” që gjasme vijnë nga biznesi, por që nuk kanë lidhje me biznesin. Duhet të shikojmë më mirë bremda vetes për të korrigjuar të korrigjueshmen, që qeveritë të mos “vdesin së qeshuri” me propozimet e biznesit ose të mos qeshin fare, por t’i fshijnë me një të rënë të lapsit kërkesat e “propozimet e tyre”, sepse ato vetëm propozime nuk mund të jenë.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi