Nesër Rama në Beograd

Nga Vladimir Karaj, botuar në Mapo Online*, 8 nëntor 2014

GERMANY-EU-BALKANSKryeministri i Shqipërisë shkel pas 68 vjetësh në Beograd, në një situatë jo fort të këndshme të marrëdhënieve mes dy vendeve. Mediat serbe flasin për masa sigurie të krahasueshme me ato për vizitën e Putinit dhe garantojnë se “nuk do t’i preket asnjë fije floku”. Detaje të vizitës, hotelit ku do të kalojë natën Rama dhe axhendës diplomatike. Pse Perëndimit, “të frikësuar” nga zgjerimi i Moskës, i intereson ky takim dhe çfarë mund të presim prej tij?!

Të hënën Edi Rama zbret në Beograd më 9:30 të mëngjesit për të takuar Aleksandar Vuçiç. 46 vjet janë dashur që diçka e tillë të ndodhte edhe pse Serbia dhe Shqipëria janë mjaft afër. Ndërkohë përpos viteve të pritjes që e bëjnë të duket historike, pritshmëritë për rezultatet nga takimi i dy kryeministrave në Beograd janë të vogla. Në fakt aq shumë sa është debatuar vizita, është bërë e qartë se ajo është një vullnet “sipëror”, nëse mund të quhet kështu këmbëngulja e kancelares gjermane, Angela Merkel që kjo vizitë e ky takim të ndodhë. Nëse do të bënim një krahasim, ajo më shumë i ngjan një “pajtimi” të tensionuar të dy nxënësve mistrecë nën mbikëqyrjen e një mësuesi të rreptë. Inatet mbeten, nuk do ketë sheshim problemesh dhe as hedhje në krahët e njëri-tjetrit. Është një shtrëngim duarsh me kokën mënjanë dhe me sytë tek sondazhet që do reflektojnë ndikimin në elektoratet përkatëse të takimit. Me gjasë mund të jetë edhe një si përpjekje “gjelash” ballkanikë me batuta dhe kundërbatuta, por ajo që do të dëshmojë se palët nuk janë më aq të idhnuara sa nuk arrijnë dot të flasin me njëri-tjetrin. Tratativat e gjata dhe shumë të lodhshme për atë se cila do jetë përmbajtja e vizitës. Anatemimi i saj në shtypin e dy vendeve, më shumë në Shqipëri që e shohin atë deri edhe si “ulje brekësh” e mjaft në Serbi që u druhen deklaratave të Ramës, është një parathënie e kësaj gërricjeje.

Nga ana tjetër, ata që vërtet do t’i gëzohen takimit janë diplomatët në Berlin, Londër dhe Uashington. Rindezja e retorikës së kohës së “luftës së ftohtë” me Moskën, përpjekja e kësaj të fundit që përveç konfliktit në Ukrainë të zgjasë ndikimin në Ballkan, e ka bërë Perëndimin të rimendojë mënyrën se si i ka trajtuar vendet e rajonit dhe të shohë në këtë anë me më shumë vëmendje.

Gjeopolitika

“Në veçanti kriza në Ukrainë e ka bërë të qartë se procesi i integrimeve duhet të jetë më i shpejtë. Nëse ky proces vonon, atëherë Rusia mund ta shtrijë edhe më shumë influencën e saj në këtë rajon”, shkruante dje “Deutsche Welle” duke iu referuar specialistëve dhe diplomatëve të Londrës dhe Berlinit gjatë një takimi me ministra të Jashtëm të Europës Juglindore. Berlini sidomos ka qenë mjaft i angazhuar në këtë anë të botës që prej disa muajsh. Gjasat për një sheshim të problemeve me Moskën në Lindje janë të vogla. Rusia edhe pse në dukje ka pranuar gjithmonë angazhimin në proces paqeje, ka vijuar të avancojë projektet e saj në Ukrainë dhe të tjera copa i janë shkëputur arbitrarisht ndikimit të Kievit. BE pak ka mundur të bëjë për të shpëtuar aleatin e saj nga oreksi i “ariut”. Më anën tjetër, organizimi vetëm në pak muaj i 4 takimeve të mëdha shumëpalëshe nën interesin e veçantë të Berlinit dhe Merkel me vendet e rajonit tregon një zgjim interesi drejt tij. Duket më shumë si masë kontraceptive prej një frike për mbarsjen me konflikt të mundshëm të zonës. Moska me gjasë është e interesuar për këtë. “Dukshëm, ai (Putin) i ka sytë dhe mbi Ballkan dhe nuk është e vështirë për t’u kuptuar se do të përpiqet të shkaktojë probleme për vendet anëtare të NATO-s në të ardhmen”, tha disa ditë më parë për “Zërin e Amerikës” senatori amerikan Christopher Murphy, i cili është edhe kryetar i një nënkomisioni për marrëdhëniet me Europën në Senat. Murphy nuk është i vetmi që u shfaq i shqetësuar për shtrirjen e ndikimit të Rusisë në zonë. Por çfarë do t’i shtonte vizita e Ramës në Beograd dhe takimi i tij me Vuçiç kësaj panorame?! E qartë është se Perëndimi po kërkon prej të dy drejtuesve të japin shenja të qartë të kapërcimit të së shkuarës. Kjo do të thotë lënie mënjanë e çdo gërricjeje ballkanike, mesazhe të qarta paqeje dhe ndoshta nisjen e një rruge të gjatë përafrimi ekonomik prej të cilit të dyja palët do dilnin të fituara. Predrag Simiç, ish-ambasador i Serbisë në Paris, këshilltar i ish-kryeministrit Voislav Koshtunica dhe profesor në diplomaci pranon se pak do të arrihet në takim, por sipas tij dy vendet mund të sqarojnë keqkuptimet. Ai kujton se gjatë një takimi Meta-Koshtunica disa vite më parë, pala serbe ishte interesuar të dinte nëse autostrada që sot njihet si “Rruga e Kombit” dhe lidh Tiranën me Prishtinën, ishte një shprehje e krijimit të Shqipërisë së Madhe. Atëherë Meta është përgjigjur në mënyrë lakonike: “Çfarë do të ndodhte sikur kjo autostradë të lidhej me Nishin?”. Vuçiç sipas tij ka shprehur dëshirën për të lidhur Serbinë me këtë korridor. Kjo do u shkurtonte shumë rrugën për në Durrës eksporteve serbe, ndërsa do u mundësonte shqiptarëve afërsi me Europën Qendrore. Simbolika është e qartë. Serbia dhe Shqipëria kanë shumë probleme të vjetra. Nuk bëhet fjalë për hatërmbetje banderolash, por mijëra viktima dhe varre masive, fshatra të djegur e karvanë refugjatësh mbi të cilat nuk mund të kapërcehet kollaj. Palët e dinë këtë. E dinë edhe se kush duhet të kërkojë falje për këtë dhe e dinë që kjo s’ka për të ndodhur tani për tani. Ajo që ato mund të sqarojnë sidoqoftë janë keqkuptimet që u shtuan ndjeshëm edhe së fundmi.

Koha e zgjedhur

Nuk është momenti më i miri. Situata vijon të mbetet e tensionuar pas ndeshjes së anuluar për shkak të dhunës në stadiumin e Beogradit dhe deklaratave të ashpra e ironive dypalëshe. Serbët kanë hallin e “Shqipërisë së Madhe”. Pak gjasa ka që ata të mos e dinë se një ide e tillë është shumë afër së pamundurës, qoftë edhe për shkak të mungesës së një dëshire reale në Tiranë apo Prishtinë për t’u prishur qefin diplomacive perëndimore që duan të ruajnë ekuilibrat që kanë ngritur në rajon. Megjithatë, në një tentativë për të mos marrë përsipër gjithë fajin për sa ka ndodhur në Ballkan, i cili me gjasë u takon, ata tundohen të bien “pre” e një frike, që siç thoshte ditë më parë Rama, është më shumë një “makth i tyre sesa një projekt i yni”. Presidenti serb Tomislav Nikoliç, i njohur për qëndrime nacionaliste deri aty sa ka zgjedhur të mos jetë në Beograd gjatë kohës që Rama do vizitojë kryeqytetin e Serbisë, është kujtuar edhe dje ta përmendë rrezikun që sipas tij kanoset prej “Shqipërisë së Madhe”. “Është një provokim për rajonin që mund të shndërrohet në një problem aq të madh, sa as Bashkimi Europian nuk do të jetë në gjendje ta zgjidhë”, tha Nikoliç në një takim me kryeministrin francez. Rama e di që do të gjendet para pyetjeve që lidhen me këtë term dhe do duhet t’u përgjigjet. Në Tiranë e Prishtinë po ashtu ka shumë që nuk e duan këtë vizitë. Ish-kryeministri Sali Berisha ka shkuar deri aty sa e ka akuzuar Ramën se kishte bërë një pazar që Kombëtarja shqiptare të humbte ndeshjen në tavolinë me Serbinë, në mënyrë që Vuçiç të pranonte ta takonte. Zyrtarisht opozita ka qenë për shtyrje të kësaj vizite. Të tjerë kanë qenë më të butë, por qartazi kundërshtues të vizitës. “Mos shkoni në Beograd. Atje nuk do të keni mikpritje, dhe Beogradi nuk ka dhënë ndonjë sinjal se po përmirëson pozicionin ndaj shqiptarëve, pa marrë parasysh detyrimet që i vijnë nga Perëndimi”, i shkruante ditë më parë kreu i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, kryeministrit Rama. Ajo që kundërshtarët thonë se humbim nga kjo vizitë është dinjiteti. Ata aludojnë se vizita e Ramës nuk do të sjellë asnjë përmirësim të marrëdhënieve, porse serbët do ta shfrytëzojnë për “të poshtëruar” më shumë shqiptarët. Në Tiranë sidoqoftë ka dhe nga ata që janë në favor të vizitës. Kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka dhënë sinjale të qarta se vizita duhet të bëhet dhe se ajo nuk duhet të ndikohet nga incidentet e fundit.

Pritshmëritë

Ajo që Rama e di më së miri kur të shkelë në Beograd dhe kur të kthehet prej tij, është se çdo fjalë e lëshuar do të mund të përdoret në gjyqin që do t’i bëjnë nacionalistët në Tiranë apo Prishtinë. “Tradhti” do të përdoret shpesh dhe fort kundër tij sidomos nga kundërshtarët politikë. Nga ana tjetër, ai e di që ka nga ata që nuk presin një gabim prej tij, por që shpresojnë se do të vendosë pikat mbi ‘i’. Kryeministri me siguri do të bëjë diçka për t’i kënaqur të dytët dhe për të sfumuar sulmin e pritshëm prej të parëve. Kjo shpjegon edhe arsyet pse ai nuk është tërhequr prej vizitës në Preshevë, siç konfirmohet zyrtarisht nga diplomacia shqiptare. Axhenda tjetër nuk është aq e gjatë. Rama shkon në një Beograd që ka përforcuar sigurinë për ta pritur nga frika e shpërthimeve të ngjashme si ato gjatë ndeshjes së futbollit. Ai do të zbresë në Beograd në mëngjes, do të shkojë fillimisht në hotel dhe rreth orës 11:00 do të ketë një takim me kryeministrin Vuçiç, më pas vijon një konferencë e përbashkët shtypi dhe më tej Rama do të mbajë një fjalim në një forum për ekonominë. Pjesa tjetër mbetet e paqartë dhe duket se do të vendoset prej protokollit shqiptar që prej dje ndodhet në Serbi. Pritet të ketë disa marrëveshje për t’u nënshkruar, por përmbajtja e tyre nuk është e qartë dhe mund të bëhet fjalë edhe për ndonjë nënshkrim deklarate vullneti të mirë. Rama vetë ka shmangur çdolloj sqarimi sa i përket vizitës, në dukje një tentativë edhe për të mos u lënë vend keqkuptimeve të reja. Megjithatë, në Tiranë nuk pritet ndonjë rezultat nga vizita. Në një shkrim për “Mapo”, Artur Zheji thotë se paqja mes dy vendeve është ende larg. Ai fajëson serbët për këtë: “Me sa duket, diku thellë në shpirtin serb, peshorja ndërmjet urrejtjes dhe ‘Kalimit Përtej Saj’ anon nga stuhia e paqetësuar e shpirtrave të tyre. Për këtë mund të ndjejmë edhe dhimbje edhe keqardhje, por ne shqiptarët nuk mund ta shërojmë dot këtë plagë të tyren. Kemi mjerisht shumë halle tonat, të cilat duhet edhe ne t’i tresim me dinjitet”, shkruan Zheji. Nga ana tjetër rezultati i “ndeshjes”, nëse mund të shihet si i tillë takimi Rama-Vuçiç, ashtu si takimi i kombëtareve nuk do të vendoset në fushën armiqësore të tavolinave të rrumbullakëta të pallatit ‘Serbia” në Beograd. Fati i saj do të jetë objekt i një gjykimi në Bruksel e Berlin dhe nëse notat do të jenë pozitive, të dyja vendet mund të përfitojnë pak më shumë prej vëmendjes së shtuar të Perëndimit. Sa kohë Rusia do të vijojë të tentojë ta trembë këtë të fundit me hapje plagësh të reja që duan të tërheqin vëmendje nga zgjerimi i perandorisë së re të Putinit, Shqipëria dhe Serbia do të miklohen më fort drejt Brukselit. Qartazi vizita e së hënës është e nevojshme për t’i dëshmuar BE-së se “investimi” nuk do të jetë i kotë.

* Titulli në origjinal: Serbi-Shqipëri/ Rifillon ndeshja e ndërprerë më ‘46

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi