Muri i Berlinit 25 vjet më vonë

Nga THE ECONOMIST, 8 nentor 2014

muriberlinitMë të paqarta janë pasojat pan-europiane të rënies së Murit. Bashkimi, që ndodhi më pak se një vit më vonë, ngriti sërish “çështjen gjermane” në historinë e Europës: A do ta dominonte kontinentin një Gjermani e bashkuar? Në atë kohë, Britania dhe Franca druheshin se kështu do të ndodhte. Sot, në vitin e pestë të krizës së Euros, shumë prej vendeve në jug të eurozonës që i janë nënshtruar masave të kursimit, mendojnë se tashmë ka ndodhur

Që nga viti 1789, copa nga Bastija janë ndër dekoratat më të kërkuara për sergjenët e oxhakëve në Francë. Dy shekuj më vonë, copa nga Muri i Berlinit kanë udhëtuar në të gjithë globin. Eshtë “i vetmi monument që ekziston në të gjithë kontinentet”, përveçse ndoshta në Antarktidë, thotë Alex Klausmeier, shefi i një fondacioni në Berlin që i kushtohet përkujtimit të rënies së Murit. Kjo flet shumë për atë që gjermanët e quajnë “revolucioni i tyre paqësor”, i cili e pati kulmin në shembjen e Murit në 9 nëntor 1989. Këtë fundjavë, gjermanët do të përkujtojnë 25 vjetorin e tij, përmes një shpërthimi festimesh.

Si revolucioni i parë i suksesshëm liberal në historinë e Gjermanisë, 1989 renditet për nga rëndësia në krah të 1789-ës, thotë Rainer Eppelman, kreu i një fondacioni që studion diktaturën gjermano-lindore. Madje, në krahasim me atë revolucion francez 200 vjet më parë, ai gjerman ishte jo i dhunshëm. Për arsye se Muri i Berlinit ndante jo thjeshtë një qytet, por edhe një vend të tërë, një kontinent dhe gjithë botën, rënia e tij pati si pasojë një premtim global për lirinë. Në gjeopolitikë, “fundi i historisë” u duk i mundur, ndonëse më vonë i hapi rrugë një “përplasjeje të qytetërimeve”, siç thuhej në titujt e librave rivalë në vitet nëntëdhjetë.
Pritshmëritë e gjermanëve ishin më të lartat. “Tani, ata që i përkasin njëri-tjetrit, do të rriten së bashku”, parashikonte Willy Brandt, një ish kancelar dhe kryebashkiak i Berlinit të ndarë, një ditë pas rënies së Murit. Duke folur për braktisjen mjedisore dhe ekonomike të 45 viteve sundim komunist, Helmut Kohli, në atë kohë Kancelar i Gjermanisë Perëndimore, parashikoi “peisazhe të lulëzuar” në lindje.
Ka kaluar një brez tashmë, dhe gjermanët ende debatojnë nëse janë rritur së bashku dhe sa shumë ka lulëzuar lindja. Në fakt, për nga autostradat dhe infrastrukturat e tjera, lindja sot shkëlqen. Në disa indikatorë socialë, si pjesëmarrja e grave në forcën punëtore apo rregjistrimi i fëmijëve në çerdhe, ajo madje ia ka kaluar perëndimit. Por në tërësi, sipas sondazheve, gjermano-lindorët janë ende më pak të kënaqur se sa perëndimorët.
Pas disa vitesh migrim nga lindja në perëndim (që është pakësuar vetëm kohët e fundit), pjesë të lindjes janë të shpopulluara, sidomos në zonat rurale. GDP për frymë e Gjermanisë Lindore është ende vetëm sa 67% e GDP për frymë e Gjermanisë Perëndimore. Produktiviteti është sa vetëm 76% e atij në perëndim dhe numri i patentave vetëm 29%. Norma e papunësisë në ish Gjermaninë Lindore është 9.7% ndërkohë që në ish Gjermaninë Perëndimore është 5.9%. Përveç disa zonash industriale, lindja zor se ka ndonjë kompani të madhe.
Megjithatë, një vështrim më nga afër zbulon se dallimet brenda Gjermanisë perëndimore dhe brenda asaj lindore janë më të mëdha se sa dallimet ndërmjet tyre. Saksonia në lindje, sidomos përreth Drezdenit dhe Laipcigut është e krahasueshme me Bavarinë dhe Baden-Vyrtenbergun, dy rajone shumë të gjallërishëm në Gjermaninë perëndimore. Pjesë të Saksonisë së Poshtme dhe Vestfalisë, në perëndim, janë po aq të prapambetura sa edhe Brandenburgu apo Mecklenburgu në lindje.
Pra, vijat ndarëse nuk janë më aq të qarta përgjatë kufijve mes dy Gjermanisë, por ato ekzistojnë tashmë mes rajoneve të ndryshëm. Ndarja lindje-perëndim që ka mbetur nuk është më e theksuar se sa vijat ndarëse socio-ekonomike që përshkojnë Belgjikën, Italinë apo Spanjën. Kur Helmut Schmidti, një tjetër ish kancelar, e përshkroi Gjermaninë lindore në vitin 2005 si “Mezzogiorno por pa mafian”, ai në fakt ishte duke përshkruar normalitetin europian. Për këtë arsye, “pakti i solidaritetit”, një paketë subvencionesh gjermanë për lindjen që pritet të skadojë në 2019-ën, ndoshta do të zëvendësohet me ndihmë për rajonet me probleme, në secilën anë të murit që i ndante dikur dy Gjermanitë.
Ky duhet të llogaritet si një sukses, argumenton Karl-Heinz Paque, një ish ministër financash i rajonit lindor të Saksoni-Anhaltit: “Rezultatet janë më të mirë nga sa kuptohet përgjithësisht prej njerëzve, por më keq nga sa pritej në fillimin e viteve nëntëdhjetë”.
Më të paqarta janë pasojat pan-europiane të rënies së Murit. Bashkimi, që ndodhi më pak se një vit më vonë, ngriti sërish “çështjen gjermane” në historinë e Europës: A do ta dominonte kontinentin një Gjermani e bashkuar? Në atë kohë, Britania dhe Franca druheshin se kështu do të ndodhte. Sot, në vitin e pestë të krizës së Euros, shumë prej vendeve në jug të eurozonës që i janë nënshtruar masave të kursimit, mendojnë se tashmë ka ndodhur.
Të tjerë, sidomos Amerika, dëshirojnë që Gjermania të bëjë më shumë. “Gjermania nuk është Zvicër, ndonëse disa gjermanë do të donin që të pretendonin sikur të ishte”, thotë Robert Zoellick, një ish diplomat amerikan që ka ndihmuar në negociatat për bashkimin. Vetë gjermanët janë po aq të ndarë sa edhe gjithë të tjerët. Sipas sondazheve, shumë prej tyre kapen ende pas pacifizmit radikal dhe vetëpërmbajtjes diplomatike të epokës së pas luftës. Por elita ka kuptuar se Gjermania duhet të marrë përsipër më shumë përgjegjësi. Historia nuk mori fund në vitin 1989. Siç e tregon kriza në Ukrainë, Europa e sotme ka nevojë që Gjermania të udhëheqë.
Shqipëruar nga www.bota.al

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi