Procedura e zgjedhjes së guvernatorit të ri

Nga Ksenofon Krisafi, botuar në BalkanWeb, 6 nëntor 2014

ksenofonkrisafiZgjedhja e guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë është një e drejtë kushtetuese dhe ekskluzive e Presidentit të Republikës, ndaj dhe negociatat në këtë proces janë të panevojshme”, u shpreh këto ditë një ndër zërat influentë të një prej partive politike në vend. Duket e pabesueshme, madje e pakonceptueshme të dëgjosh një pohim të tillë, që i sugjeron presidentit të mos negociojë me kryeministrin për përzgjedhjen e kandidaturës së guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Presidenti, kryetari i shtetit dhe kryeministri, kryetari i qeverisë, janë dy ndër organet më të larta kushtetuese të shtetit, mbi të cilët bie detyra dhe detyrime të mëdha dhe të rëndësishme për drejtimin e vendit, mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare si dhe për mbarëvajtjen e zhvillimit politik, ekonomik, social, kulturor etj. Është conditio sine quoi non bashkëpunimi i tyre institucional, është zanafilla e plotësimit të angazhimeve të tyre kushtetuese e ligjore në interes të vendit për realizimin e programit të qeverisë dhe të strategjive kombëtare të zhvillimit në fusha të ndryshme të zhvillimit. Në këtë vështrim, thirrja që i bëhet presidentit për të sfiduar kryeministrin me shpërfillje institucionale, nga pikëpamja politike dhe parimore është e papranueshme, joproduktive, iracionale. Ata janë zgjedhur ose emëruar në postet që mbajnë dhe u janë akorduar privilegje dhe komoditete jo për të treguar se kush është më shumë apo më pak i rëndësishëm, kush vendos, kush urdhëron dhe kush zbaton, por për t’i shërbyer vendit, për të zgjidhur e kapërcyer problemet që shfaqen kohë pas kohe. Nga pikëpamja juridiko-kushtetuese, ky qëndrim është i pambështetur. Me këtë qëndrim, për fat të keq ecin edhe deklaratat vetë presidentit, në të cilat shprehet se ai nuk është i detyruar që ta zgjedhë emrin e kandidatit që do t’ia propozojë Kuvendit për guvernator të Bankës së Shqipërisë nga radhët e Këshillit Mbikëqyrës. Një deklaratë e tillë jep mundësinë për të propozuar si guvernator një kandidaturë jashtë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, që mazhoranca do të miratojë në Kuvend. Neni 44 i Ligjit Nr.8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, ndryshuar me Ligjin Nr. 8893 datë 25.07.2002, “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr.8269 datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë, ndryshuar me Ligjin Nr.8384 datë 29.07.1998”, thotë në mënyrë taksative se “1. Këshilli Mbikëqyrës përbëhet nga nëntë anëtarë, si më poshtë: – guvernatori i Bankës së Shqipërisë – kryetar i Këshillit Mbikëqyrës; – zëvendësguvernatori i parë i Bankës së Shqipërisë – zëvendëskryetar i Këshillit Mbikëqyrës; – zëvendësguvernatori i dytë i Bankës së Shqipërisë; – gjashtë anëtarë. 2. Të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, mbështetur në propozimet e bëra si më poshtë: a) Pesë anëtarë propozohen nga Kuvendi; b) tre anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave; c) një anëtar propozohet nga Këshilli Mbikëqyrës”. Në ligjin e mëparshëm, para ndryshimeve të vitit 2002, parashikohej se “Presidenti i Republikës emëron guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, mbështetur në propozimin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave”. Ligji i vitit 2002, në nenin 5 të tij stipulon se në nenin 44, pika 2, pas shkronjës “c”, fjalia “Presidenti i Republikës emëron Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, mbështetur në propozimin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave” hiqet dhe zëvendësohet me “Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi, me propozimin e Presidentit të Republikës”. Pra, e drejta e propozimit të guvernatorit i përket presidentit, kurse zgjedhja realizohet nga Kuvendi, sipas përcaktimeve që parashikohen në aktet që rregullojnë veprimtarinë e tij. Zëvendësguvernatorët zgjidhen dhe emërohen nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, mbështetur në propozimin e bërë nga guvernatori.
Nga interpretimi i përmbajtjes së dispozitave të mësipërme rezulton se është e drejta e presidentit të propozojë kandidaturën e guvernatorit, sipas gjykimit të tij. Por, ai duhet ta përzgjedhë atë nga përbërja e Këshillit Mbikëqyrës, të zgjedhur sipas propozimeve të organeve kompetente që u përmendën më lartë, sepse nga çka u tha, nuk del që ai të ketë të drejtë t’i propozojë Kuvendit ndonjë prej anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës. Ai ka vetëm të drejtën e propozimit të kandidaturës së guvernatorit, por vetëm pasi të jetë konstituuar Këshilli Mbikëqyrës. Ai është plotësisht në të drejtën e tij, që njërin prej anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, të propozuar nga instancat përkatëse, të përcaktuara në nenit 44 të Ligjit “Për Bankën e Shqipërisë” dhe të zgjedhur nga Kuvendi, ta përzgjedhë dhe t’ia propozojë Kuvendit si kandidaturë për guvernator. Sipas meje, ligji nuk lë asnjë shteg për asnjë lloj interpretimi, qoftë ai edhe i zgjeruar që të përligjë nismën apo vendimin e presidentit për të përzgjedhur kandidaturën e guvernatorit jashtë përbërjes së Këshillit Mbikëqyrës. Në këtë optikë, edhe nisma për paraqitjen e kërkesave pranë zyrës së presidentit për kandidat për guvernator ka qenë pa mbështetje të qëndrueshme ligjore.
Ajo që është thënë nga presidenti dhe përsëritur nga ndonjë forcë politike, mund të pranohet si zgjidhje vetëm nëse përfytyrohet një situatë hipotetike që presidenti, t’i propozojë à titre personnel, Kuvendit ose Këshillit të Ministrave që, në numrin që ata kanë të drejtë të votojnë në Kuvend për Këshillin Mbikëqyrës, të përfshijnë kandidaturën e zgjedhur paraprakisht prej tij. Por kjo situatë do të ketë vijim dhe do të rezultojë e suksesshme vetëm në kushtet e një kompromisi, e një gentelmen’s agreement ndërmjet presidentit dhe grupeve parlamentare të Kuvendit ose presidentit dhe Këshillit të Ministrave. Nëse do të funksiononte një marrëveshje e tillë, që do të ishte shumë e dëshirueshme për të zgjidhur pa stres këtë ngërç që duket se është krijuar, do të kishte kuptim nisma e presidentit për grumbullimin e kandidaturave për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës dhe në vijim për guvernator të Bankës së Shqipërisë.
Pra, gjithçka është e kushtëzuar nga disa “nëse” dhe nga shpresa dhe dëshira që ato të ecin në rrugën e kompromisit dhe mirëkuptimit ndërmjet institucioneve më të larta të shtetit.
Nëse do të insistohej që presidenti ta përzgjidhte vetë kandidaturën e guvernatorit, pavarësisht se ç’ndodh me zgjedhjen e Këshillit Mbikëqyrës, dhe t’ia propozonte Kuvendit, i cili gjithashtu, pavarësisht se ç’bën presidenti, do t’i kishte zgjedhur 9 anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, sipas përcaktimeve të lartpërmendura, atëherë përbërja e tij do të shkonte në 10 anëtarë, çka do të ishte shkelje e Kushtetutës dhe e Ligjit Për Bankën.
Kjo është edhe përvoja e deritanishme. Në Fletoren Zyrtare të vitit 2004 për zgjedhjen e zotit Fullani në mandatin e parë si guvernator i Bankës së Shqipërisë ekzistojnë dy vendime, ai i datës 6 tetor, kur Fullani u zgjodh anëtar i Këshillit Mbikëqyrës dhe ai i datës 28 tetor, i zgjedhjes së tij si guvernator. Në këtë mënyrë u veprua edhe në vitin 2011.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi