Reforma gjyqësore, përparësi për ne

Aleksandër Arvizu, Fjalim i Ambasadorit të SHBA në konferencën për Reformën Gjyqësore në Shqipëri, 31 tetor 2014

aarvizuPër Shtetet e Bashkuara, reforma gjyqësore në Shqipëri është përparësi e nivelit më të lartë. Forumi i sotëm ndërtohet mbi hovin e takimit të 6 tetorit, të mbajtur prej Presidentit Nishani. Në takimin e mëparshëm pati një konsensus të qartë që reforma gjyqësore duhet të ketë një vizion dhe se reforma duhet të jetë tërësore, si dhe gjithëpërfshirëse. Të gjithë pjesëmarrësit kuptuan se vetëm një reformë domethënëse do të sjellë ndryshimin e nevojshëm për zhvillimin e vazhdueshëm demokratik të Shqipërisë dhe të sigurojë rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në BE.

Reforma gjyqësore është vetëm njëra prej kërkesave për standarde të bazuara në performancë dhe për anëtarësimin eventual në Bashkimin Europian. Detyrimet e Shqipërisë në këtë drejtim janë shpjeguar qartësisht në Udhërrëfyesin për në Bashkimin Europian.
Por, le të ndalojmë një çast dhe të mendojmë pak. Reforma gjyqësore është një koncept shumë më i madh dhe i gjithanshëm, nuk është thjesht çështje e të plotësuarit të një parakushti të jashtëm. Ndërkohë që reforma gjyqësore është kërkesë për Shqipërinë për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, ka një konsensus mbizotërues se është e nevojshme që Shqipëria të ndryshojë drejtimin, të ndahet prej trashëgimisë së të shkuarës, të përmbushë potencialin që ka këtu për të konsoliduar dhe forcuar demokracinë institucionale.
Ekziston gjithashtu pritja nga shqiptarët dhe nga bashkësia ndërkombëtare që kjo reformë të ndërtohet për të shëruar problemet me sistemin, dhe jo thjesht për të arritur qëllime politike ose për të ndryshuar personelin nëpër institucione. Kjo është koha për ta ndërtuar atë besim duke lëvizur përpara me një proces të mirëmenduar, gjithëpërfshirës dhe të depolitizuar.
Është e rëndësishme që mazhoranca të vendosë tonin e duhur duke iu qasur të gjithë aktorëve, përfshirë opozitën politike, në një mënyrë të sinqertë. Po kështu, i përket opozitës të ruajë një perspektivë të shëndetshme, të mbajë nën kontroll retorikën dhe të jetë më pak konfrontuese.
Ne e nxisim me forcë qeverinë që të punojë ngushtësisht me Bashkimin Europian për t’u siguruar që të ndiqet Udhërrëfyesi. Kjo konferencë është dëshmi se ka vullnet për ndryshim. Prania jonë sot tregon se mbështetja kombëtare dhe ndërkombëtare është në dispozicion për këtë reformë. Burimet e EURALIUS-it, OSBE-së, Komisionit të Venecias, të vetë OPDAT-it tonë, USAID-it si dhe të tjerëve janë të gjitha të disponueshme. Ato duhet të shfrytëzohen plotësisht.
Në mbyllje dëshiroj thjesht të përsëris recetën për një proces të suksesshëm të reformës:
Së pari, hidhni nga një hap. Kjo është një maratonë dhe jo një vrapim shpejtësie;
Së dyti, procesi duhet të jetë tërësor dhe duhet të jetë gjithëpërfshirës;
Së treti, udhërrëfyesi i BE-së duhet të shërbejë si drejtuesi kyç;
Së katërti, reforma duhet të përfitojë prej konsultimeve dhe mbështetjes së të gjithë aktorëve përkatës;
Së pesti, duhet të kërkohet kontributi i Komisionit të Venecias;
E fundit, dhe më e rëndësishmja, procesi nuk duhet të politizohet, por duhet të jetë konsekuent me nevojat e qytetarëve shqiptarë. Rezultati i dëshiruar përfundimtar është një Shqipëri më e mirë për të gjithë.
Shtetet e Bashkuara, së bashku me komunitetin ndërkombëtar, do të qëndrojnë me ju, dhe do të mbeten përkrah jush, në përpjekjet tuaja për të garantuar shtet ligjor në Shqipëri – por ne kërkojmë që të gjithë partnerët tanë shqiptarë, që të gjithë ata, të përkushtohen gjithashtu në këtë proces të zbatimit të një reforme të mirëfilltë dhe efektive gjyqësore.
Shpresoj se do të jeni të hapur, specifikë, dhe konstruktivë në diskutimet pasuese.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi