Të moshuarit

Nga Afrim Dangëllia, botuar në Panorama Online, 28 tetor 2014

Ajo që i mundon më shumë të moshuarit nuk është rënia e tyre mendore apo fizike nga mosha, por pesha e kujtimeve të së kaluarës” (Somerset Maugham). E fillova këtë artikull me këtë thënie tepër kuptimplotë të këtij shkrimtari të shquar britanik. Po botohen mjaft shkrime dhe po diskutohet së tepërmi dekadat e fundit se si do të ballafaqohet shoqëria e sotme me njerëzit të cilët dalëngadalë po shkëputen nga aktiviteti i tyre profesional dhe intelektual dhe që fillojnë periudhën e pensionit. E parë kjo fazë e jetës në këndvështrimin e shëndetit mendor dhe fizik. Kohë më parë, në një shkrimin tim preka rrezikun e një “cunami gri” sipas studiuesve të trurit, kur hallet dhe shqetësimet e shëndetit mendor dhe fizik te brezi i të moshuarve po shtohen së tepërmi dhe shoqëria nuk është në gjendje plotësisht që të përballet me ta. Ka ardhur koha që dhe në vendin tonë të ngrihet një specialitet vetëm për atë që e cilësojnë frëngët si “Geriatrie”, një term që ka hyrë në të gjitha analet e mjekësisë botërore. Një specialitet ky, ku do të punojnë ekipe mjekësh nga internistët dhe deri tek psikologët, neuro-psikiatrit dhe punonjësit socialë.

“Cila është vlera e të moshuarve? – e pyetën një herë aty nga vitet 1820 fenomenin Gëte në Gjermani. “Të moshuarit janë si muzetë, – u përgjigj Gëte, – fasada e të cilëve është e rrënuar, por ata brenda tyre mbajnë vlera të paçmuara”. Kështu pra, eksperiencat e jetës janë ato që përcillen te brezat që do të vijnë, eksperiencat e jetës janë ato që e shtyjnë njeriun të mendojë se “ç’do të sjellë e nesërmja?”. Një pyetje që ka të bëjë me filozofinë e ekzistencializmit të Heidegerit apo Sartrit. Një pyetje që bëjnë shpesh të moshuarit. “A do ta përballoj vallë unë pleqërinë që po më afrohet?”. kështu më shprehej një miku im mjek në pension. “A do t’i rezistojë unë halleve që më kanë pllakosur?”. Natyrshëm, si në shumë vende të botës, ajo që shoh unë në shoqërinë shqiptare është një “përplasje” brezash, shpesh nën zë, e atyre që ngadalë po largohen nga aktiviteti i tyre profesional, dhe brezit të ri që do t’i zëvendësojë. Mendoj se duhet një qasje e mirëpeshuar në vendimmarrje për të dyja palët: qoftë një tërheqje komode me dinjitet nga brezi që i dha shumë kësaj shoqërie dhe po kështu dhe për filizat e rinj që do të plotësojnë vendet që u lanë bosh dhe që do të marrin stafetën.

Kur u ftova nga APA, Shoqata Psikiatrisë Amerikane, në vitin 2000, mësova se kombi amerikan vlerëson së tepërmi dy mosha: adoleshentët si e ardhmja e Amerikës, dhe të moshuarit si brezi që i ka dhënë shumë vendit, këtij shteti që ka përcaktuar me kohë vlerat e progresit në të gjitha fushat e jetës. Se “shekulli 21 do të jetë shekulli i Amerikës”. Por nëse marrim në konsideratë studimin shkencor të mendjes në ditët e sotme, shkencëtarët e trurit janë unanimë: Shekulli që ne po jetojmë do të jetë “21 century of mind”. Shekulli i studimit të mendjes në të gjithë komponentët e saj. Dhe pikërisht në unitetin biologjik të “mendjes dhe trupit”. Kush çedon në vlerësimin e këtij uniteti, ai do të dështojë: qoftë mjek, humanist, politikan dhe çfarëdo që të jetë. Metoda holiste në studimin dhe vlerësimin e personalitetit të njeriut dhe sëmundjeve mendore në shekullin tonë po mbizotëron dhe natyrisht po jep frytet e saj. Një mjek i mirë, qoftë dhe jo specialist, duhet të ketë parasysh në kohët e postmodernizmit se si duhet vlerësuar individi që nuk funksionon plotësisht për momentin, për shkak të lëngatave shpirtërore dhe fizike, e parë kjo në këndvështrimin e progresit social, në një shoqëri të dalë nga totalitarizmi. Shëndeti i njeriut, sidomos ai mendor, është vështirë të kategorizohet apo klasifikohet shpeshherë me skema dhe shterpe që shtojnë burokratizimin dhe nuk fitojmë asgjë. Në fund të fundit, është i sëmuri dhe familja e tij që mban gjithë peshën. Duhet hedhur vështrimi ynë herë-herë nga shoqëritë skandinave që kanë arritur kulmin e asaj që cilësohet si “Social wellbeing”. Prof. dr. Hemond (USA) i psikiatrisë, i cili qëndroi në klinikën tonë universitare për rreth një vit, me ndihmesën e tij të pakursyer duke rrezatuar humanizëm dhe dije shkencore, m’u shpreh një ditë aty nga viti 1995 se “Vendet skandinave në planin social të kujdesit për atë që lëngon, na e kalojnë dhe neve në Amerikë”.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi