“Mesatarizimi i Energjisë”
Nga Mateo Spaho, botuar në Mapo Online, 23 tetor 2014
Rreth dhjetë ditë më parë, Ministri i Financave deklaroi në një intervistë për “Zërin e Amerikës” se në akord me Bankën Botërore dhe pa kundërshtinë e Fondit Monetar Ndërkombëtarë nuk do të kishte rritje të çmimit të energjisë elektrike. Pavarësisht nga kjo deklaratë e parë, u shtua se do të aplikohej një “mesatarizim” i çmimit. Konkretisht për konsumatorët familjarë, kjo do të thotë rritje e çmimit nga 7.7 lekë për kwh në 10.6 lekë.
E përkthyer në përqindje, ky ndryshim do të thotë një rritje me 37.6% të faturës së energjisë për familjet që konsumojnë më pak se 300 kwh. Një familje modeste shqiptare që konsumon vetëm 250 kwh në muaj, ka patur një detyrim mujor prej 1.950 lekësh të reja kundrejt CEZ-it. Me po të njëjtin konsum, sipas tarifave të reja familja do të jetë e detyruar të paguajë një tarifë prej 2.650 lekësh, ose 700 lekë shtesë. Kjo gjë do të thotë se rritja e çmimit do të rëndojë mbi xhepat e familjeve shqiptare së paku me rreth 8.400 lekë shtesë çdo vit. Përtej dëmit që do t’i bëhej shtresës së mesme të sapoformuar të shoqërisë shqiptare, do të ishin personat me të ardhura më të ulëta ata që do të paguanin më shtrenjtë faturën e energjisë, ndërsa konsumatorët më të mëdhenj (ata që konsumojnë më shumë se 300 kwh) do të ndjenin një lehtësim të kostos, pasi çmimi do të ulej nga 13.5 lekë në 10.6 lekë për kwh.
Le të provojmë të bëjmë një llogari për një familje të vobektë, ku vetëm njëri nga anëtarët punon, duke siguruar një rrogë prej 30.000 lekësh, ose mund të marrim parasysh një çift pensionistësh që së bashku marrin po të njëjtën shumë. Për këto kategori, një rritje prej 700 lekësh në muaj të kostos së energjisë elektrike do të ulte me -2.3% fuqinë e tyre blerëse dhe aftësinë për të shpenzuar. Natyrisht duhet të mendojmë se njerëzit relativisht të varfër si kategoritë e mësipërme nuk shpenzojnë të ardhurat e tyre në mallra luksi, të cilat prodhohen në shumicën e rasteve jashtë shtetit. Ata shpenzojnë ato të ardhura të pakta për të blerë mallra të shportës si djathi, gjalpi, mishi, sheqeri, vaji etj. Këto produkte janë nga të paktat që prodhohen përgjithësisht në Shqipëri.
Rritja kaq e theksuar e çmimit të energjisë elektrike për shtresat e varfra do të ketë një impakt negativ në konsumin e mallrave të shportës në mënyrë të pashmangshme. Prodhimi i Brendshëm Bruto i sektorit bujqësor dhe ai i industrive të brishta përpunuese do të shfaqte probleme në rritje si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë. Fenomeni i reduktimit të konsumit nga familjet e vobekta, të cilat fatkeqësisht nuk janë të pakta në Shqipëri, do të thotë zvogëlim i Prodhimit të Brendshëm Bruto. A ia vlen barra qiranë që për të zvogëluar pak borxhet e CEZ-it të shkatërrojmë atë pak rritje ekonomike që mund të kemi?
Qeveria shqiptare duhet të mendohet mirë përpara se të aprovojë dhe zbatojë propozimet e dhëna nga ministri i Financave, pasi këto rrezikojnë të vrasin edhe shpresat e dobëta për një rritje ekonomike në të ardhmen e afërt.