Pse marrim më pak para nga BE?

Nga Fatos Çoçoli, botuar në Shqiptarja.com, 2 tetor 2014

Fatos-Cocoli-320x240Komisioni Europian bëri me dije pardje se sa para ka ndarë deri në vitin 2020, për Shqipërinë dhe për vendet e tjera të Ballkanit, që janë vende kandidate, apo që duan t’i bashkohen BE-së. Ne na bie një mesatare prej 80-90 milionë euro në vit, për të shtatë vitet e ardhshme, duke përfshirë dhe këtë që jemi tani. Kishim shpresuar që me marrjen e statusit vend kandidat, fondet për ne do të dyfishoheshin, apo edhe katërfishoheshin(i ka ndodhur vendeve si Kroacia dhe Bullgaria, kur e  morën këtë status).

Por me ne nuk ndodhi aspak kështu. Fondet rriten me vetëm 10 ose 20 përqind, në krahasim me çfarë ishin në vitet e mëparshme.Kuptohet që vetë Bashkimi Evropian nuk është në periudhen e artë të zgjerimit të tij. Madje, pas krizës së fortë të borxheve publike 2009-2011, oreksi për t’u zgjeruar i ka rënë plotësisht. Në forcat politike që vendosin në shtetet kryesore të tij, është rritur prania e partive që janë shumë skeptikë ndaj rritjes së mëtejshme të BE-së me shtete të tjera. Kjo ka ndikuar edhe në buxhetin për zgjerim dhe në fondet që jepen për vendet kandidate dhe që aspirojnë për në BE. Kjo është gjendja e sotme dhe duhet ta pranojmë si është, duke mbledhur forcat për të qenë tërësisht seriozë dhe korrektë me zotimet që marrim në adresë të Brukselit.

Por ndërsa e pranojmë interesin më të paktë të BE-së për t’u zgjeruar dhe parate më të mpakura të vëna për ne, nuk ka si të mos na shqetësojë një raport tjetër. Brënda thesit të pakësuar të parave të BE-së për Ballkanin, ne marrim proporcionalisht më pak. Madje, në krahasim me Maqedoninë, që ka edhe ajo të njëjtin status si e kemi ne, vend kandidat, marrim shumëmë pak fonde për frymë. Ne jemi 3 milion banorë dhe gjithsejt marrim 649.5 milionë euro në shtatë vjet. Maqedonia ka 2 milion banorë dhe merr diçka më shumë nga ne, 664 milionë euro. Cila është arësyeja kryesore që na japin më pak?Kjo arësye është se ne nuk arrijmë të thithim, të justifikojmë me projekte të denja dhe me punë të përkushtuar, të gjitha fondet që na janë vënë në dispozicion.

Ky problem qëndron edhe me vendet e tjera përfituese të ndihmës, por tek ne ka marrë përmasa skandaloze gjatë23 viteve të asistencës teknike. Ky ka qenë një realitet i hidhur i qindra e qindra milionë eurove të hedhura për Shqipërinë nga ana e Bashkimit Evropian. Edhe pse harxhimi i fondeve është mbuluar me kujdes me raporte për suksese e arritje, nga ana e atyre që kanë marrë paratë, leverdia e harxhimit të këtyre parave ka qenë me herë më e ulët, se të themi lerverdia e harxhimit të tyre në vende si Kroacia e Sllovakia, apo me dekada më parë, si Irlanda.

Qeveria e sotme duhet ta shikojë me përparësi krijimin e ekipeve, me 2-3 të rinj të talentuar dhe nga një ekspert me eksperiencë në fushat ku ka fonde të BË-së, për përgatitjen e projekteve cilësore. Edhe ftesa për ato shoqata e grupime serioze të shoqërisë sonë civile, që të bashkëpunojnë me ekzekutivin, në përgatitjen e projekteve të përbashkëta, duhet të jetë e sinqertë dhe jo e deformuar nga njohjet personale të ministrave të sotëm. Jemi ngopur e pështirosur me konfliktet e mëparshme të përbindshme të interesit, ku ministra orientonin e lobonin për fonde të BE-së, për OJF-të e grave apo farefisit të tyre. Kjo lojë e shëmtuar duhet të mbarojë dhe të nxitet konkurrenca e lirë. Qeveria e sotme është përgjegjëse për krijimin e një ambienti lejues dhe nxitës për konkurrimin e vlerave në idetë dhe projektet komunitare.

Ndërkohë, qeverisë i del një detyrë tjetër po aq e rëndësishme. Të lobojë që ndarja e këtyre pak parave që do të marrim këto shtatë vite nga Bashkimi Evropian, të paktën të kanalizohet aty ku ekonomia dhe shoqëria shqiptare ka më shumë nevojë. Nga një ndarje paraprake e këtyre fondeve e bërë nga vetë Brukseli, shihet se sektorë si bujqësia dhe zhvillimi rural kanë marrë pak, në krahasim me rëndësinë që kanë ato për zhvillimni e qëndrueshëm dhe të ardhmen e ekonomisë sonë.

Vetëm  92 milionë euro në shtatë vjet, kur duhet të ishin të paktën 5 përqind më shumë, në atë sasi parash që marrim. I takon qeverisë sonë të kërkojë rishpërndarjen e fondeve çdo vit, aty ku si shoqëri dhe ekonomi kemi më shumë nevojë dhe na bëjnë mirë. Ndryshe, fondet do të harxhohen sërisht keq, do të kthehen mbrapsht në pagesa këshilltarësh të huaj që vijnë vetëm për të bërë ca trajnime e seminare pa bukë. Ndërsa ne të gjithëve, opinionit publik e shoqërisë civile, i del detyra të jenë gjithnjë në vrojtim të sjelljes së qeverisë, për të siguruar që asnjë euro e asistencës teknike të BE-së të mos keqpërdoret, humbasë apo shkojë për lesh, si në pagesat e mësipërme.   

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi