Ballkani numrin më të lartë të azilkërkuesve në BE
Raporti vitit 2013,
Raporti për vitin 2013, i Zyrës Europiane të Mbështetjes në Fushën e Azilit EASO, konfirmon numrin e lartë të azilkërkuesve nga Ballkani Perëndimor. Vëmendje tërheq Kosova dhe Shqipëria duke u veçuar nga vendet e tjera të rajonit. Ndërsa për Kosovën, rritja më e lartë është vëzhguar në pranverë 2013, për Shqipërinë niveli më i lartë i kërkesave është vërejtur në muajin qershor 2013, duke pësuar një ulje të ndjeshme, vetëm në muajin dhjetor 2013.
Raporti i cili monitoron të dhënat mbi kërkimin e azilit në BE-28, saktëson se vetëm për vitin 2013, aplikimet për azil nga vendet e Ballkanit Perëndimor përfaqësojnë grupin më të lartë të kërkesave. 72.840 aplikime janë kryer përgjatë vitit të kaluar, ose 17% e gjithë aplikimeve në BE-28. Rritja e kërkesave për azil, pavarësisht numrit shumë të vogël (3.8%) të njohjes së tyre, rezulton në 36%, nga ku vërehen rritje të larta për aplikim nga Kosova dhe Shqipëria, dhe rritje e moderuar e kërkuesve nga Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia dhe Serbia.
Intensiteti i ndryshimit të rritjes në përqindje varion sipas vendeve të origjinës, për Serbinë, Maqedoninë dhe Bosnjën numri i azilkërkuesve është rritur ndërmjet 15 dhe 22%, ndërsa rritja më e lartë është regjistruar për Kosovën (dyfishim i kërkesave nga 2012) dhe Shqipërinë e cila njeh dyfishim të gjysmës së kërkesave nga viti 2012. Sipas raportit, kontributin kryesor në rritjen e përqindjes e ka dhënë Kosova dhe Shqipëria dhe një rritje e lehtë është shënuar nga 3 vendet e tjera Maqedoni, Serbi dhe Bosnjë.
Fluksi i aplikantëve nga Ballkani Perëndimor ndryshon në mënyrë domethënëse në 2013, nga tendenca e vëzhguar në 2012. Teksa në vitin 2012, një rritje e lartë është vëzhguar në muajin tetor, në të njëjtën periudhë me vitin 2011, në vitin 2013 fluksi i aplikantëve nga Serbia, Maqedonia, Shqipëria dhe Bosnja arrijnë nivelin më të lartë në muajin qershor, duke filluar rënien vetëm në muajin dhjetor 2013. Ndërsa aplikimet nga Kosova shfaqin një rritje të lartë gjatë pranverës së vitit 2013.
Gjermania renditet si vendi që ka marrë më shumë kërkesa nga aplikantët serbë, maqedonas, dhe malazezë. Ndërsa Franca dhe Britania e Madhe, janë vendet kryesore, që kanë marrë aplikimet nga Shqipëria.
Sipas Raportit, shumica e aplikimeve nga Serbia dhe Maqedonia janë kryer nga komuniteti rom, ndërsa nga Kosova dhe Shqipëria aplikuesit janë etnikë shqiptarë. Varfëria dhe gjendja e keqe ekonomike janë faktorët kryesorë të fluksit të lartë të azilkërkuesve nga Ballkani Perëndimor.