“Bashkëjetesa: Nga Shqipëria mund të mësohet shumë në këtë drejtim.”
Intervistë e DW me prof. Erich Leitenberger nga fondacioni Pro Oriente mbi vizitën e Papës në Shqipëri
DW: Shqipëria një vend i vogël, me peshë jo të madhe ekonomike dhe politike, është vendi i parë, që Papa viziton në Evropë, jashtë Italisë. Cilat janë motivet e Papës për këtë zgjedhje?
Prof. Erich Leitenberger: Ka disa motive për këtë vizitë të Papa Françeskut në Shqipëri. Nga njëra anë Shqipëria është një vend në mes të Perëndimit dhe Lindjes edhe nga pikëpamja fetare. Në këtë vend ka shumë katolikë, por edhe shumë të krishterë ortodoksë dhe shumë muslimanë dhe bektashi. Përveç kësaj Shqipëria është ai vend në Evropë, ku ateizmi i shtetit komunist ka qenë ndoshta më i forti, sepse atje në vitin 1967 gjatë regjimit të Enver Hoxhës u ndalua çdo veprimtari fetare dhe u shkatërrua i gjithë kuadri institucional i bashkësive fetare. Po ajo, që natyrisht nuk mund të shkatërrohej, është besimi në zemrat e njerëzve. Pas rënies së komunizmit ky besim u bë pësëri shumë i dukshëm në Shqipëri. Këtë e sheh edhe në kishat e shumta, që janë restauruar, apo janë ngritur të reja e kam fjalën për katedralen katolike dhe ortodokse në Tiranë dhe për shumë kisha të tjera. Ky është një aspekt i rëndësishëm dhe përveç tij ka natyrisht edhe një aspekt, që e bën veçanërisht interesante vizitën e Papës. Shqipëria është një vend mesdhetar, i cili ka arritur ndoshta më së miri që të ketë një bashkëjetesë paqësore dhe miqësore mes bashkësive fetare. Kjo është e lidhur me historinë e Shqipërisë, edhe me faktin se në familjet shqiptare i gjen shpesh të dyja fetë, sepse ka fe të përziera, që është gjë shumë e rrallë në ambjentet me përbërje muslimane. Kjo në Shqipëri është krejtësisht e mundur.
Shqiptarët vetë janë krenarë për harmoninë e tyre fetare, por kjo gjë konstatohet dhe vlerësohet edhe nga jashtë.
Mendoj se ky është një kontribut i madh, që jep Shqipëria, ky vend i vogël me një rëndësi të madhe, që jep Shqipëria për kapërcimin e problemeve të bashkëjetësës në fillim të këtij shekulli në Europë dhe në gjithë zonën e Mesdheut në fillim të këtij shekulli. Në këtë pikë Shqipëria mund t’i japë diçka bashkësisë së kombeve. Nga Shqipëria mund të mësohet shumë në këtë drejtim.
Në një kohë me trazira të mëdha në vatra të caktuara në Botë Papa do të dëshmojë përmes shembullit të Shqipërisë realitetin dhe mundësinë e bashkëjetesës miqësore mes feve. do të vërë ai ndonjë theks të veçantë?
Besoj se fjalimi i Papës në Tiranë do të ndiqet me vemendje të madhe. Dhe me sa duket në rradhë të parë në takimin me përfaqësues të komuniteteve të ndryshme fetare Papa Françesku do të vërë disa thekse në lidhje me realitetin shqiptar, traditat shqiptare, historinë shqiptare, se si mund të ndërtohet dhe si duhet të ndërtohet bashkëjetesa mes njerëzve të përkatësive dhe bindjeve të ndryshme fetare. Ndërsa në disa pika në botë, sidomos në zonën jugore e lindore të Mesdheut ushtrohet papritmas një terror i pamëshirshëm ndaj njerëzve, që kanë një tjetër fe. Këtu Shqipëria është një shëmbölltyrë tjetër shumë e bukur, një shëmbëlltyrë e bashkëjetesës kundër imazheve të frikshme të armiqësisë dhe shtypjes, siç dëgjojmë nga Siria dhe Iraku, ku njerëzit vriten dhe sulmohen nga islamistët fanatikë, sepse janë besimtarë të krishterë.
Pas viteve të ateizmit shtetëror shkatërrimit të kuadrit institucional të bashkësive fetare dhe përpjekjeve për të zhdukur besimin, a mendoni se kisha në Shqipëri është rindërtuar e ringjallur plotësisht?
Mendoj, se interesant është se megjithë shkatërrimin total të të gjitha strukturave të kishës nga regjimi komunist rindërtimi i kishës ka ecur relativisht shpejt. Kjo lidhet ndoshta shumë me faktin se në zemrat e njerëzve besimi nuk u shua kurrë. Atë nuk mund ta tregoje jashtë, po ai nuk ishte shuar, ky është një aspekt. Tjetri është se në Shqipëri më fort se në shumë shoqëri të tjera postkomuniste kanë ndihmuar kishat e tjera. E kam fjalën për kishat nga Italia, nga ku kanë ardhur në Shqipëri shumë priftërinj dhe sot shohim në Shqipëri shumë fryte interesante të rindërtimit.
Unë kam qenë para disa javësh me disa kolegë gazetarë nga Austria në Shqipëri dhe ne ishim shumë të impresionuar si në Tiranë edhe në Shkodër për praninë e Kishës si dhe për aktivitetet sociale të katolikëve në punën e rindërtimit shpirtëror dhe për përpjekjet e njerëzve për të jetuar besimin e tyre në jetën e përditshme me gjithë vështirësitë materiale dhe sociale.
Fotografitë 40 martirëve të besimit janë vendosur tashmë në bulevardin Dëshmorët e Kombit në pritje të Papës. Papa do të nderojë martirët e kishës katolike, që jetoi një persekutim të madh gjatë regjimit komunist. Çfarë do të thotë për kishën dhe shoqërinë shqiptare nderimi, që i bën Papa sakrificës së tyre.
Mendoj se martirët janë dëshmi më e fortë e Ungjillit. Ne jemi thellësisht të impresionuar në Shkodër nga fotografitë e martirëve, që mund të shohet atje në kishën françeskane. Dhe historitë, që kemi dëgjuar edhe prej dëshmitarëve për martirizimin e priftërinjve, laikëve, grave dhe burrave të cilët janë vrarë nga komunistët për shkak të besimit të tyre fetar, sepse ata nuk pranuan të mohojnë Krishtin. Dhe unë mendoj se ky martirizim rrezaton edhe sot dhe mahnit pikërisht të rinjtë, dhe ky është një mesazh, që Papa Françesku do t’i përçojë kishës botërore nga Shqipëria.
Është folur këto ditë mjaft për sigurinë e Papës. Shtypi italian citonte ambasadorin irakian nëVatikan, i cili ka shprehur shqetësime të mëdha për sigurinë e jetës së Papës. A ka arsye për shqetësime?
Për fat të keq jo vetëm në Shqipëri dhe në Kosovë, por edhe në shumë vende të tjera evropiane, ka të rinj që janë influencuar nga përfytyrimet e çmendura të islamistëve dhe e lënë veten të përfshihen në këto agresione të papërfytyrueshme, që kryejnë islamistët sidomos në Siri dhe në Irak. Por unë besoj se siguria e Atit të Shenjtë duhet parë me qetësi, siç bëri të ditur edhe at Lombardi zedhënësi i shtypit i Selisë së Shenjtë në prezantimin e programit të detajuar të udhëtimit. Papa Françesku nuk do të influencohet nga thashethemet dhe hamendjet. Ai do të vijë si mëkëmbës i Krishtit në Tiranë thjeshtë për t’i sjellë njerëzve të këtij vendi lajmin e mirë të Ungjillit.
Zoti Leitenberger, ju jeni zëdhënës për shtypin i Fondacionit Pro Oriente, që punon për kapërcimin e përçarjes ndërmjet kishës katolike dhe ortodokse. Cili është vlerësimi juaj për bashkëpunimin e kishave në Shqipëri?
Unë si zëdhënës për shtypin i Fondacionit Pro Oriente, që mbush këtë vit 50 vjetorin, jam natyrisht shumë i interesuar për faktin se detyra jonë është të lehtësojmë dialogun jozyrtar mes kishës katolike dhe ortodokse, që ai të zerë vend edhe në Shqipëri dhe unë gjatë udhëtimit tonë të fundit në Shqipëri kam krijuar përshtypjen, se ka afrim dhe miqësi edhe në mes të përfaqësuesve të kishave të krishtera, se ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve ka një bashkëpunim të mirë në besimin e përbashkët te Krishti.