Tremujori i dytë i vitit 2014, ulet papunësia
INSTAT, 12 shtator 2014
Punësimi në vendin tonë mbetet një nga çështjet më të ndjeshme. Kjo sidomos për të rinjtë. Por sipas statistikave më të fundit të institucionit zyrtar që merret me përpunimin e të dhënave për nivelin e punësimit, INSTAT, tremujori i dytë i këtij viti ka shënuar një ulje të lehtë të papunësisë me rreth 2 për qind, krahasuar me tremujorin e parë të vitit. Anketa e të dhënave të forcave të punës, flet për një ulje të papunësisë tek femrat. Por problem punësimi mbetet sërish tek të rinjtë, që në këtë tremujor të dytë të vitit u rrit me 3.3 për qind, krahasuar me tre muaj më parë.
Shkalla e papunësisë sipas grupmoshave
Të dhënat e INSTAT, tregojnë se numri i personave të moshës 15-64 vjeç që kërkojnë punë në mënyrë aktive është 216.087 persona. Shkalla e papunësisë për popullsinë 15-64 vjeç është 17.7 për qind. Për këtë grupmoshë, shkalla e papunësisë mbetet më e lartë për meshkujt sesa për femrat, përkatësisht 19.8 për qind dhe 14.7 për qind. Krahasuar me tremujorin e parë 2014, vihet re se shkalla e papunësisë për meshkujt ka mbetur pothuajse e njëjtë, ndërsa për femrat ka një rënie prej 2.1 pikë përqindje. Ndërkohë shkalla e papunësisë për personat me arsim të mesëm të përgjithshëm është 25.1 % ose 7.5 pikë përqindje më e lartë se niveli mesatar kombëtar. Personat me arsim të lartë kanë një shkallë papunësie prej 16.1 për qind. Për personat me arsim të mesëm profesional dhe ato me arsim deri në 8/9 vjeçar shkalla e papunësisë është 15 për qind. Gjatë tremujorit të dytë 2014 për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç shkalla e papunësisë është 33.5 për qind. Krahasuar me tremujorin pararendës, shkalla e papunësisë për të rinjtë u rrit me 3.3 pikë përqindje. Për popullsinë 30-64 vjeç në tremujorin e dytë 2014 shkalla e papunësisë është 12.8.
Si kërkojnë punë njerëzit?
Edhe pse tashmë informacioni online, apo njoftimet për punësim janë nga më të ndryshmet, personat punëkërkues zgjedhin miqtë apo të njohurit për të marrë mundësinë e një interviste pune. Kështu 85 për qind e të papunëve u drejtohen të afërmve apo miqve/shokëve për të gjetur një punë. Kjo metodë e kërkimit për punë është e kombinuar dhe me aplikimin direkt tek një punëdhënës 51.4 për qind si dhe me vendosjen e lajmërimeve në gazeta, studimin e lajmërimeve për vende të lira pune në gazeta etj. Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2014, personat që po kërkonin punë për herë të parë përbënin 59.2 për qind të punëkërkuesve të papunë.
Papunësia në shifra
Për popullsinë e moshës 15-64 vjeç shkalla e papunësisë është 17.7 % (nga 18.6% në tremujorin e mëparshëm).
Për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç shkalla e papunësisë është 33.5 %.
61.3 % e popullsisë 15-64 vjeç është aktive në tregun e punës, pra e punësuar ose në kërkim aktiv të një pune.
Shkalla e punësimit për popullsinë e moshës 15-64 vjeç është 50.5 %.
Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2013 për popullsinë 15-64 vjeç:
Numri i të punësuarve është rritur me 15.869 persona.
Numri i personave të papunë është rritur me 21.864.
Numri i personave në moshë 15-64 vjeç jashtë tregut të punës ka rënë me 18.074.
Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2014 për popullsinë 15-64 vjeç:
Numri i të punësuarve është rritur me 70.707
Numri i personave të papunë është rritur me 1.719
Numri i personave në moshë 15-64 vjeç jashtë tregut të punës ka rënë me 66.874