Konferenca e shtypit e Kryeministrit Rama në Wales

Samiti i NATO – Wales, 5 shtator 2014

Dua të rendis disa pika që i konsideroj me shumë rëndësi, si konkluzionet më të para të këtij Samiti të posaçëm. Së pari, jam krenar sepse besoj që me punën e bërë nga delegacioni ynë, që është në fakt, një kulmim i punës së bërë intensivisht, në gjithë këta muaj, në dinamikën e re të politikës sonë të jashtme, Shqipëria del e forcuar në pozitën e saj.

Por unë besoj se edhe shqiptarët dalin faqebardhë nga ky Samit, në kuptimin që ne nuk jemi fokusuar thjeshtë dhe vetëm tek Shqipëria si vend dhe si shtet, por tek shqiptarët si popull, në një rajon ku besoj nuk i hamë hakun askujt, nëse ndjehemi investitorët më të mëdhenj të paqes, me shumë përpjekje, me shumë sakrifica, dhe me shumë bindje dhe vullnet për t’u bashkuar me familjen e madhe të vendeve të lira dhe demokratike përmes integrimit të plotë në të gjithë strukturat e kësaj familjeje, përfshirë dhe NATO-n.

Nga ana tjetër besoj po ashtu, se u bë fort e qartë për të gjithë që si investitorë seriozë të paqes dhe të bashkëjetesës multietnike dhe multifetare në rajon, ne kemi edhe të drejtën që të kërkojmë më shumë vëmendje, më shumë mbështetje, më shumë bashkëpunim nga forcat e mëdha të kësaj Aleance, qofshin si forca të përfshira në këtë Aleancë, qofshin si forca që përfaqësojnë aleatët e mëdhenj  të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuar të Amerikës, Bashkimin Europian, por edhe vendet përkatëse në marrëdhëniet bilaterale.

Kanë qenë dy ditë shumë intensive. Veçanërisht intensiv ka qënë bashkëbisedimi i hapur, në darkën e mbyllur të punës, mes kryetarëve të shteteve dhe të qeverive, ku është vënë shumë fort theksi, qoftë tek domosdoshmëria për të çuar përpara projektin e reagimit të qëndrueshëm ndaj kërcënimeve që janë të njohura dhe të identifikuara si të tilla, por nga ana tjetër ka qenë me fort rëndësi për të theksuar nga ana jonë, domosdoshmërinë e një strategjie të qëndrueshme dhe e një largpamësie që shkon përtej kërcënimeve të së sotmes. Sepse ne besojmë që sot, bota e lirë dhe demokratike kërcënohet nga një strategji tejet e rrezikshme dhe tejet e mirëstrukturuar, për ta turbulluar dhe për ta shkatërruar. Është një përplasje fare e qartë, përballë së cilës është një domosdoshmëri për mbarë botën që të fitojnë vlerat dhe parimet që mishëron Aleanca Euroatlantike.

Dëshiroj të vë theksin tek fakti se jemi mëse të kënaqur, qoftë për çka kemi marrë si rezultat i vendosjes së theksit në të gjitha rastet, për një hapje më të madhe ndaj vendeve të tjera në rajon, duke filluar nga Kosova, për të cilën kemi kërkuar përshpejtimin e hapave për të shkuar tek partneriteti strategjik me NATO-n, por edhe për të cilën ka një paragraf mjaft inkurajues në konkluzionet e Samitit.

Nga ana tjetër i kam bërë apel, në prani të gjithë vendeve anëtare, atyre vendeve që ende nuk e njohin Kosovën si një shtet më vete dhe për vete, që ta bëjnë këtë, sepse nuk është tanimë, thjesht një çështje siç ishte deri dje, por është një çështje me rëndësi strategjike dhe është një çështje me peshë jashtëzakonisht të madhe gjeopolitike për Europën, që të përfundojë odiseja e njohjeve të Kosovës brenda përbrenda vendeve të Bashkimit Europian dhe që t’i jepet një mesazh shumë i qartë i shqiptarëve në Kosovë, por edhe të gjithë atyre forcave që përpiqen të gjejnë të çara për të përcjellë energjitë negative të errësirës në të cilën duan ta mbulojnë vështrimin tonë për të ardhmen.

Nga ana tjetër kemi mbështetur fuqimisht Malin e Zi, duke u bashkuar me të gjithë ata që mendojnë se Mali i Zi duhet ta marri ftesën për anëtarësim vitin e ardhshëm dhe kemi theksuar që duhet që të gjithë bashkë të punojnë me më shumë këmbëngulje dhe me më shumë intensitet, për të hapur rrugën edhe për Maqedoninë por,

a) Duke bërë presionin e domosdoshëm mbi palët që të zgjidhin dhe t’i japin fund odisesë të tejzgjatur të emrit;

b) Duke kërkuar nga qeveria e Shkupit që të respektojë në frymë dhe në germë, Marrëveshjen e Ohrit.

E konsiderojmë një hap shumët të rëndësishëm të bërë, faktin që çka sapo thashë nënvizohet edhe në konkluzionet e Samitit.

Sigurisht që nuk e kam harruar se në të tilla raste, paraardhësi im bënte një paradë të takimeve që kishte bërë apo duarve që kishte shtrënguar nëpër korridore. Unë nuk do të bëj këtë paradë, por do të veçoj nga njëra anë, bisedën kokë më kokë me Presidentin Obama dhe pas kësaj, takimin e strukturuar për të trajtuar më në detaje ato që folëm me Presidentin, me Sekretarin e Shtetit Jonh Kerry. E, po ashtu, edhe takimet bilaterale me tre partnerët tanë strategjikë në rajon, Kryeministrin Renzi, Kryeministrin Samaras dhe Presidentin Erdogan, pra, përkatësisht me Italinë, Greqinë dhe Turqinë, për të  forcuar partneritetin strategjik dhe për të identifikuar bashkërisht, gjithçka na duhet të bëjmë qoftë në raport me angazhimet tona brenda suazës së sigurisë, qoftë në raport me shumëçka tjetër na lidh.

Në konkluzion dhe për t’i hapur rrugë pyetjeve tuaja, dua të them se edhe një herë ka qenë rasti jo vetëm për të nënvizuar, por edhe për të parë impaktin e jashtëzakonshëm të nismës së Kancelares Merkel, e cila ndërmori një hap historik për të ulur sëbashku të gjithë përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit, duke dhënë për të gjithë popujt në Ballkan, një mesazh shumë të qartë të perspektivës së tyre europiane, por duke dhënë një mesazh shumë të qartë edhe për të gjithë aleatët dhe partnerët, në funksion të perspektivës së këtyre vendeve.

Zoti Rama, për t’u ndalur në takimet dypalëshe dhe konkretisht, në takimin me homologun tuaj grek, Samaras. Nga sa ju keni kontaktuar dhe komunikuar dje me të, a e ka konsideruar Athina çështjen e ndarjes territoriale dhe konkretisht, atë të minoriteteve, një çështje të shtuar në dosjen e çështjeve të pazgjidhura mes Tiranës dhe Athinës?

Ndarja territoriale–administrative është një atribut i organeve vendimmarrëse të Shqipërisë. Organet vendimmarrëse të Shqipërisë, Qeveria, pastaj Kuvendi kanë marrë një vendim në frymën e interesit kombëtar dhe në frymën e mbrojtjes pa asnjë ngurrim të minoriteteve, të lirive dhe të drejtave të tyre. Kështu që, për ne nuk ka një çështje të tillë.

Të njëjtin qëndrim ia keni thënë edhe Kryeministrit Samaras, dje, zoti Rama?

Absolutisht, për ne është e domosdoshme që të shkojmë përpara me këtë reformë, nga e cila përfitojnë të gjithë shtetasit shqiptarë, qofshin ata me kombësi shqiptare, qofshin dhe ata me kombësi greke.

A e ka përmendur pala greke fillimin e bisedimeve për “marrëveshjen e detit”?

Ne kemi një pozicion shumë të qartë për këtë: Dialog, dialog, dialog; barazi, barazi, barazi dhe vullnet, vullnet, vullnet, për të gjetur zgjidhjen një orë e më parë të një çështjeje ku, sigurisht, nuk mund të kthehemi pas, por duhet të shkojmë përpara. Që do të thotë se na duhet një zgjidhje e qëndrueshme dhe e pranuar plotësisht nga të dy palët. Çka është edhe, besoj unë, qasja e palës greke. Besoj po ashtu, se është në dorën tonë që siç kemi bërë progres në disa nga çështjet, të bëjmë progres edhe me këtë çështje, duke mos harruar që të vazhdojmë të kërkojmë, siç kemi kërkuar, heqjen e ligjit absurd të luftës mes të dy vendeve.

Dua të theksoj se me Kryeministrin Samaras kemi një dialog jashtëzakonisht konstruktiv, të hapur, miqësor. I kam bërë ftesë që të vizitojë Shqipërinë. E ka pritur ftesën me kënaqësi. Nga ana tjetër, besoj dhe besojmë që çështjet mes nesh janë një arsye më shumë për të kuptuar se jemi fqinjë që ndajmë, le të themi, murin e oborrit dhe që e kemi të domosdoshme të bashkëpunojmë me njeri–tjetrin. Aq më tepër në kushtet kur na duhet të forcojmë, si me Greqinë, si me Italinë, si me Turqinë, si me të gjithë vendet që kanë një impakt në rrjetet e krimit të organizuar, bashkëpunimin, duke vënë theksin tek shkëmbimi i informacionit dhe tek bashkërendimi i forcave mes policive dhe inteligjencës së vendeve që përmenda.

Kam theksuar në Samit edhe domosdoshmërinë që të mbështetemi, si Shqipëri dhe si rajon, në rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe teknike të inteligjencës, si një domosdoshmëri në këtë betejë me një forcë të egër, barbare, vrastare dhe jo plotësisht të njohur, të fytyrës së re të terrorizmit, në emrin e Kalifatit apo si quhet.

Zoti Kryeministër, pas pak minutash pritet të fillojë një panel tjetër i liderëve të NATO-s, ku pritet të diskutohen buxhetet e mbrojtjes dhe pritet të miratohet një deklaratë ku buxhetet e mbrojtjes nuk do të preken. A është e gatshme Shqipëria të përmbushë këtë detyrim, pavarësisht situatës së vështirë financiare?

Deklarata është një shprehje e vullnetit të mirë, nuk është postulat apo një fjali e shkruar në ndonjë Libër të Shenjtë. Kështu që, ne do të angazhohemi plotësisht, siç jemi angazhuar. E, me lejoni ta them, jemi përmendur, jemi përgëzuar dhe jemi parë me shumë respekt për atë që po bëjmë në frontin e ri, ku jemi bashkuar me Shtetet e Bashkuara, me Gjermaninë dhe me një sërë vendesh të tjera, për të qenë pjesëmarrës aktiv në një betejë që zhvillohet në dukje larg, por që në fakt është një betejë që zhvillohet brenda shtëpive tona. Sepse kjo formë e re agresioni ndaj botës dhe ndaj familjes së vendeve të lira e demokratike është një formë që nuk njeh kufij dhe që mund të shfaqë brutalitetin e vetë, sa hap e mbyll sytë, kudo ku ne jetojmë.

Faleminderit edhe njëherë për ndjekjen e Samitit. Edhe më lejoni që ta mbyll, duke qenë edhe një herë tjetër i inkurajuar nga rezultatet konkrete dhe të prekshme, të një politike të jashtme që tanimë është kthyer në një instrument në duart, jo vetëm të Shqipërisë, por të shqiptarëve, për të çuar përpara rrugën tonë drejt integrimit të plotë në Bashkimin Europian dhe mbi të gjitha, për të çuar përpara rrugën tonë drejt një Rilindjeje që, pa as më të voglin dyshim, do ta bëjmë realitet për Shqipërinë dhe për shqiptarët.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi